Shoqëria e çiçibunëve

23 Korrik, 2019 - 6:22 pm

Andreas Dushi

Mos i qitni para derrave margaritarët tuaj…

Ungjilli sipas Mateut 7, 6

Derrat vështirë se mund t’i kapërdijnë margaritarët. Derrat kanë çiçibunët. A e dini çfarë janë çiçibunët? Një lloj kokrre që del si fryt i një peme të pavlerë e cila digjet aq shpejt sa nuk mund të përdoret as për zjarr. Ky është ushqimi i derrave. Me atë, ata kënaqen dhe kërkojnë prap’ derisa të stërngopen.

Por këtyre derrave, përballë çiçibunëve, që me shumicë jepen sot, dikush ndonjëherë u zgjat edhe ndonjë margaritar. Derrat e përbuzin, e largojnë, e shkelin dhe, herë pas here, kthehen kundër atij që ua dha dhe e qëllojnë.

E vërteta është se çiçibunët përtypen më lehtë se margaritarët. Janë të butë dhe nuk duhet farë shijeje artistike për t’i përjetuar. Mjafton një mediokritet i drunjtë dhe ja, çiçibunët janë mrekullia vetë. Një thjeshtësi e tillë është ajo çka sot ka ndikuar çmendurisht shoqërinë tonë.

Kush i jep asaj margaritarë, herë quhet i guximshëm, herë donkishot (kryesisht nga Rosinantë të lodhur) e herë budalla. Nëse gjykojmë me metrin e çiçibunngrënësve, të tillë do të jenë të gjithë!

Nëse nuk është kjo arsyeja, përse Dostojevski po bëhet gjithnjë e më “i pakuptimtë”; studentët gjithnjë e më robotë; shkrimtarët gjithnjë e më bestseller; dashuritë gjithnjë e më të shkurtra; pedagogët gjithnjë dhe më akademikë; derrat gjithnjë e më të pranishëm? Përse sot, dilema migjeniane mes derrit dhe Sokratit duket e pakuptimtë, pasi as që mund të imagjinohet zgjedhja e vuajtjes si Sokrat para mrekullisë së të qenurit derr i majmë?

Lexuesi masiv sot kanalizohet ndër moçale gri ku nuk gjen letërsi, por aventura dashurie prekëse me vajza jetime, djem që i rreh babai apo gra që i rreh burri dhe ngushëllohen me dashurinë rinore e cila u shfaqet papritmas, ndërsa shikuesi masiv ka braktisur çdo emision që ka lidhje me artin, margaritarin e margaritarëve dhe ka gjetur ngushëllim duke u shkrehur në vaj përballë historive me dhunë, braktisje, rikthime në emisione ku synimi është nxjerrja në pah e një lumturie që i ngjason mërzisë së krokodilit pasi ka ngrënë të vegjlit e vet.

Ama duhet pranuar diçka e mirë që shoqëria e sotshme ka: Ndarjen e çiçibunëve. Po, vërtetë jemi një shoqëri altruiste, sidomos mes akademikëve, që më së miri i përshkruan Houllebecq. Është e vërtetë se ata i ndajnë çiçibunët mes njëri – tjetrit, prandaj shohim se si pa farë turpi proklamojnë njëri – tjetrin si Akademikë, Studiues e të tjerë terma që gjithnjë fillojnë me shkronjë kapitale. Ah, sikur të ishin kaq të mirë edhe me ne, studentët!

Derrat, mes të tjerash, kanë një veçori: Kur shohin se në ushqimin e tyre është diçka e papërshtatshme, diçka që nuk është uniforme me pjesën tjetër, e nxjerrin jashtë dhe e zhdukin, i japin krah, e tresin. Kështu ndodh në këtë shoqëri e cila, kur mes çiçibunësh gjen ndonjë margaritar, si e çmendur i turret margaritarit për ta larguar, pasi druhet mos edhe çiçibunët mund të kthehen në të tillë dhe kjo… kjo do të ishte diçka e tmerrshme!/politiko.al

Të ngjajshme