Shqipëria do të ishte një vend më i mirë, nëse do të kuptonim se ajo ka shumë nevojë për ne

6 Shkurt, 2020 - 3:30 pm

Nga: Ambra Hysa

Në ambientet ku gjendet rinia shqiptare, gëlon një dëshirë e fortë e përbashkët, të cilën nuk ngurrojnë ta shprehin hapur, dhe me zë të lartë: “Dua të largohem nga Shqipëria” , “Dua të iki sa më parë prej këtu”. “Dua të largohem me çdo kusht nga ky vend që nuk bëhet kurrë”. “Nga ky vend i keq, ku njerëzit e kanë humb njerëzillekun dhe çdo e mirë e këtij vendi ka rënë në kthetrat e hajdutëve, mashtruesve dhe të pangopurve”.

Për fat të keq, e tillë është Shqipëria jonë, ka këtë portret, është e bukur, e dashur, na pret me zemrën e dhembshur, por me sytë e ligështuar nuk mund të na kërkojë të qëndrojmë kur nuk ka çfarë të na ofrojë, nuk mund të na kërkojë të largohemi, kur ne jemi bijtë e saj, të vetmit të cilët mund ta shërojmë. E megjithatë, nuk flet… e vrarë, e gjymtuar, pa drejtim, pa shpresë, pa forcë, pa rrugëdalje…do të pranojë fatin e saj me dinjitet, do të jetojë, zgjedhjet tona.

Në syrin tim është një shqiponjë e madhe, e sëmurë, e cila lëngon, të cilën e vjedhin çdo ditë, e infektojnë çdo ditë, e copëtojnë çdo ditë. Do të marrin prej saj, deri kur mos të ketë më për të marrë, se Shqipërisë i ka mbetur vetëm shpirti.

Askush, nuk mendon ta shërojë, të shërojë plagën në mendjen dhe në trupin e vet. Do ta lëmë kështu të dergjet, duke u larguar, për një jetë jo më të mirë, siç është shprehja klishe, por për një jetë që së paku të mund të jetohet dhe konsiderohet e tillë.

Secili nga ne, ka absolutisht të drejtën dhe lirinë të bëjë zgjedhjen e tij, ama shpesh e pyes veten, çfarë do marrim nëse largohemi nga Shqipëria? Çfarë do marrim përveç vetes tonë?

Nuk ka asnjë “tokë të premtuar”, nuk ka asnjë “shkop magjik”, ndryshimi i vetëm fillon nga vetja jonë, ndryshimi i vetëm mund të krijohet nga vetë ti, në çdo vend të botës. Kudo që të shkojmë, ne do marrim me vete njeriun që kemi ndërtuar, veten.

Atë vete, e cila nuk ia doli dot në Shqipëri… për mijëra arsye, apo për mijëra “justifikime”, që ne ia ushqejmë vetes çdo ditë, si një formë e pandershme, për “të larë” papërgjegjësinë tonë.

Është komfortuese, është ngushëlluese, dhe funksionon gjithmonë. Në fund, ndihemi mirë me veten, sepse “Shqipëria i ka fajet” , sepse “të tjerët i kanë fajet”, sepse… “unë jam një dhe i vetëm, nuk mund të sjell dot ndryshimin”. “Kur Shqipëria i ngjan një katrahure, drejtësia ime nuk mund të lundrojë, do të mbytet.”

Kështu, paaftësia jonë rritet çdo ditë, ushqehet dhe zë vend në shpirt, në personalitet, në mënyrë jetese. Ne nuk reagojmë më mbi të keqen, nuk reagojmë dhe as pretendojmë të japim një shembull tjetër, me pretendimin e vetëm, se nga një njeri i vetëm nuk vjen dot ndryshimi i madh. Sjellja jonë si shoqëri është ngjitëse, është ngjitëse kur gabojmë, kur qëndrojmë të heshtur, kur dështojmë, kur qëndrojmë duarlidhur, dhe kur të gjithë ndajmë fatkeqësinë e përbashkët, dhe dëshirën e përbashkët: “Të largohemi”.

Sikur ne të përpiqeshim, në vend që të ankoheshim, Shqipëria do bëhej një vend më i mirë. Sikur ne të kuptonim se ndryshimin mund ta sjellë një njeri i vetëm dhe të jepnim shembullin tonë, kjo mënyrë të menduari do bëhej uniformë, do ishim bashkë, dhe do ishim më të fortë, për t’i bërë ballë padrejtësive që na bëhen.

Shqipëria do bëhej një vend më i mirë, nëse i pranojmë gabimet tona dhe reflektojmë, se me punë arrihet gjithçka dhe se ne vetë me zgjedhjet tona të përditshme e kemi sëmurur atë, të gjithë bashkë. Shqipëria do bëhej një vend më i mirë nëse kuptojmë, se forca e mendimit mund të ndryshojë gjithçka, se ankesa nuk është zgjidhje, por është një ves i keq, i cili mund të kthehet në zakon, në virtyt, në mënyrë të pashëndetshme jetese.

Shqipëria do të ishte një vend më i mirë nëse punën e sotme nuk do e linim për nesër. Nëse vendosim të investojmë më shumë mbi veten, nëse do të kuptonim, se asnjë vend në botë nuk ka më shumë nevojë për ne se Shqipëria, nëse do të kuptonim, se kur të ndërtojmë veten siç duhet, në çdo kuptim, do të kemi ndërtuar Shqipërinë.

Shqipëria do të ishte padyshim një vend më i mirë, nëse ti do të shkëlqeje në krahët e saj, por nëse do të dëshiroje të zgjerosh rrugëtimin tënd, duke e sfiduar veten përtej kufijve, ajo do të përcillte me krenari dhe me zemrën plot. Nëse ti ia del në Shqipëri, mund t’ia dalësh kudo në botë, të paktën përpiqu.

Shqipëria do të bëhej një vend më i mirë, nëse ti mëson në shkollë dhe nuk i lë asnjë hapësirë pedagogëve të përfitojnë nga mungesa jote e përgjegjësisë, nëse ti i jep makinës sipas rregullave të caktuara, nëse ti përpara ligjeve e konsideron veten të barabartë me të tjerët, nëse ti nuk jep ryshfet, as shoku yt nuk do e bënte, nëse ti nuk e ushqen korrupsionin në institucione, ai dalëngadalë do të vdiste.

Duhet shumë durim dhe duhet jetuar jeta me integritet. Duhet të bësh më të mirën, kur askush nuk të shikon, ky është çelësi. Duhet të edukohesh, të bësh më të mirën në familje e kur je vetëm me veten tënde.

Sepse ke vetëm atë, vetën tënde…me të do të qëndrosh ose do të shkosh…
Shqipëria nuk qan pse ti po largohesh, Shqipëria qan sepse ti po qëndron… Po qëndron pa bërë asgjë, duke i drejtuar gishtin vetëm asaj. /KultPlus.com

Të ngjajshme