“Shumë kemi rezistuar e vuajtur, shumë do rezistojmë, por as do thyhemi as do dorëzohemi as do zhdukemi”

29 Nëntor, 2019 - 9:44 am

Nga: Darien Levani

Sot më doli gjumi pak herët. Si të gjithë ne, fle pak dhe fle keq. Shtrihem i shqetësuar, çohem i frikësuar se mos ça ka ndodhur ato pak orë që gjumi i merr jetës. Për ironi, është edhe 29 nëntori: është festë, por nuk është festë. Akoma përgjumshëm, pashë lajmet, e pashë këtë fotografinë: nuk e di se kush e ka bërë e më vjen keq që nuk e citoj dot.

E më bëri të mendoj se kush jemi e pse jemi. E më bëri të mendoj çfarë kemi hequr e çfarë kemi fituar. Ditën e parë që nazistët hyjnë në Shqipëri, pushkatojnë 8 fshatarë. Kot, sa për të treguar që nuk e përtojnë fare. Është flamuri që Dedë Gjo Luli ngre në Malësi në vitin 1911, pastaj i ngulin thikën pas shpinës. Mu kujtuan dy luftanije britanike që ndalen para Ulqinit e bombardojnë qytetin, sepse ne nuk dorëzojmë as Pllavën e as Gucinë, e as nuk u ulim këtë të bekuar. Është flamuri që ngre Gjergj Kastrioti kur nis një luftë, kundër perandorisë më të madhe që ekziston. Pa asnjë mundësi fitore, pa asnjë shpresë që do ja dali, thjesht sepse është e drejtë e sepse është shqiptar. E që pastaj, kur humbasim, rri fshehur nën sunduqe për disa shekuj, sepse të gjithë e dimë që herët a vonë do e ngremë përsëri. Ja edhe një shekull, ja edhe një tjetër, iku edhe ky, por herët e vonë, herët a vonë, do e ngremë, posi jo. “Ata hiq, e ti vur, kështu ka qenë qëkur” (Cit.)

I kemi parë të gjithë nëpër shekuj: nga romakët me shpatat e gjata dhe pelerinat e purpurta, tek gjermanët me armët modern e me luftën rrufe. Na kanë sharë, na kanë therur, na kanë vrarë e na kanë prerë. Na kanë mohuar edhe gjuhë edhe komb edhe flamur edhe emër. Por, si përfundi, ne aty ishim e aty ngelemi. Të gjithë kanë ardhur me shamatë e me projekte të gjata se nuk e dinin se çfarë halli po i hapnin vetes, e të gjithë kanë ikur me bisht nëpër shalë. Jo se kemi luftuar gjithmonë, jo se kemi rezistuar gjithmonë, por të gjithë kanë ikur e kush nuk ka ikur i ka lënë kockat aty.

Ka diçka te ne si shqiptarë, diçka të ashpër e naive që nuk duron e nuk dorëzohet kurrë, se nuk dorëzohet dot. Nuk thyhemi, thjesht përkulemi për momentin. Nuk shitemi e as nuk blihemi, thjesht pranojmë e presim. Nuk dorëzohemi, thjesht e lëmë një sekond mënjanë atë muhabetin e betejës. Herët a vonë, gjërat do shkojnë ashtu si i duam ne. Quajeni kokëfortësi, quajeni budallik, quajeni krenari, quajeni si të doni, por është në gjakun tonë.

Shumë kemi rezistuar e vuajtur, shumë do rezistojmë e do vuajmë përsëri. Por as do thyhemi as do dorëzohemi as do zhdukemi. Gëzuar 29 nëntorin. Gëzuar Shqipërinë. /KultPlus.com


Të ngjajshme