‘Si ndodh pra që një këngëtare lokale e cila zbulon lëkurën shkakton panik moral sot?’

25 Korrik, 2019 - 5:45 pm

Shqiptar Oseku / Facebook

Trupi i njeriut nuk ka shkaktuar gjithmonë neuroza e panik moral kështu si sot. Në qytetërimet e larta të antikës, tambli i të cilave na rrit edhe sot, trupi i njeriut trajtohej ashtu sic është, pra si dicka normale.

Dëfrimet publike, por edhe arti e filozofia, ishin arena ku trupi i njeriut jo vetëm pranohej, por edhe adhurohej, si simbol i përsosmërisë.

Trupi i burrit, por edhe i gruas, trajtohej pozitivisht madje edhe nga klerikët e kohës. Athina, Diana, Venera, Zeusi etj, të gjithë këto deitete që veneroheshin dikur kishin manifestime trupore antropocentrike, pra të ngjashme me natyrën e njeriut.

Si ndodh pra që një këngëtare lokale e cila zbulon lëkurën shkakton panik moral sot, në shekullin e fizikës kuantike, kur 2500 vjet më parë as s’do të vërehej?!

Përgjigjja quhet feja abrahamike. Qytetërimet e larta të antikës që shtriheshin në trojet e Europës, Azisë, e Afrikës mesdhetare ranë, për arsye të komplikuara që janë jashtë harkut të këtij postimi. Në gërmadhat e tyre mbiu një fe eskapiste e apokaliptike, e cila i shkonte mirë epokës së shkatërrimit të qytetërimit, duke ftuar njerëzit t’ia kthejnë shpinën kësaj bote.

Kulti i kësaj feje të re është një deitet i ri cnjerëzor, tiranik, kërcënues, e mallkues, që quan njerëzit jo të përsosur po mëkatarë inferiore. Kjo fe e re gjithcka njerëzore e quan ”mishtore” dhe të turpshme, gjoja në luftë me ”shpirtëroren” e padukshme. Gjithcka ”mishtore” është e predestinuar të shkatërrohet njësoj si Roma, thotë feja e re, e cila predikon se trupi ”mishtor” i njeriut është mëkatar dhe prandaj i turpshëm, e duhet të fshehet, të mbulohet, të struket.

Klerikët dhe ndjekësit e kësaj feje të re apokaliptike prishin akademi të lashta ku filosofë mëkatarë ngrenin zërin kundër Zotit, thyjnë shtatore që shfaqin trupin e njeriut, e ndjekin me fanatizëm inonoklast cdo shpërfaqje të trupit njerëzor. Shumë syresh biles tredhen me vetëdëshirë, për ta shkulur ”mishtoren” e njerëzoren nga vetvetja; bashkëfetarët e tyre këta fanatikë i quajnë ”shenjtorë”.

Ky sulm mbi ”mishin” dhe trupin e njeriut godet sidomos gruan, të cilën kjo fe e redukton më keq se skllevërit e antikës. Skllevërit mund të liroheshin e të fitonin të drejta qytetare, disa syresh ishin bërë perandorë. Por në fenë e re, gruaja quhej fajtore për dëbimin nga parajsa. Atë faj do ta ndiente cdo grua, në cdo shtresë sociale, pa asnjë shpresë shpëtimi.

Gruaja në fenë e re bëhet tabu par exellance, mishërim i cdo mëkati e turpi. Mendja e saj quhet djallëzore, trupi i saj mbulohet dyfish, funksionet normale trupore të gruas demonizohen, indet e saj — gjaku i menstruacioneve, indi më steril e i pastër që prodhon trupi i njeriut, me efekt antiseptik — quhen pisllëk. Personi i gruas fshehet prapa muresh dhe bëhet i padukshëm.

Jahve, Hyu, Allahu, ky deitet është transformuar e rikrijuar disa herë nga klerikë e ndjekës të fesë apokaliptike. Këta grinden shpesh mes veti, biles edhe luftojnë. Por kanë shumëcka që i bashkon, ta zëmë fakti se asnjë profet a klerik i tyre nuk arrin kurrë atë nivel intelektual që kishin mendimtarët e antikës; biles disa prej klerikëve e profetëve të fesë së re janë analfabetë, e krenohen me këtë, pse mendojnë se mendja e papërdorur i ruan nga korruptimi moral. Një tjetër element i përbashkët është urrejtja e përbuzje për ”mishtoren”, trupin e njeriut, e gjithcka që feston këtë dynja. Sidomos urrejtja e përbuzje për trupin e gruas.

Kur disa sot hedhin mynxay mbi një grua që prish tabu moraliste e zbulon lëkurën, ata nuk janë vetëm. Bashke me ta ulërijnë edhe brezni të tëra analfabetësh, stërgjyshër e katragjyshër. Ulërijnë masat që më 1530 kërkonin vrasjen e një djali të ri me emrin Michelangelo që kish pikturuar figura nudo në tavanin e kapelës Sistine në Romë. Ulërijnë klerikë e profetë që vrasin filosofen e fundit te antikes, Hypatian, e djegin biblioteken ne Aleksandri ku vepronte ajo.

Tragjikja në këtę mes eshte se mungesa e dijes i ben uleritesit dhe përhapësit e panikut moral të mendojnë se mendimet e tyre janë të vetat, unike e origjinale. Se ata janë në anën e duhur, se janë rojtarë vlerash, mbrojtës fëmijësh, e roje të popullit. Ndërsa nuk kuptojnë, se nuk u ka shpjeguar askush, se mendimet e tyre janë menduar e paketuar nga tjerë para tyre, e s’kanë asgjë origjinale, as morale, as me vlerë.

Të vdekurit janë më të fuqishëm se të gjallët, shkruan një filozof. Traditat, fetë, shprehitë që gjindja i quajnë të natyrshme e të vetëkuptueshme janë sajuar nga pararendës historikë. Nga vdektarë të mangët, të cilët janë munduar të sajojnë njëfarë rendi e kuptimi në kaosin e epokës së vet, me ato vegla të cakërruara e të trasha që kanë patur në dispozicion.

Është për të ardhur keq që kemi mbetur nję brezni injorantësh, e nuk dimë të kontestojmë ndjenjat e mendimet tona. Dhe është e frikshme që kjo injorancë na bën të rrezikshëm kundër gjysmës së popullsisë, grave, nëse këto sillen jashtë kornizave të kontrollit tonë.

Të ngjajshme