Si të bëjmë kulturë pa militantë partiak?

30 Tetor, 2019 - 9:08 pm

Në vend se të ishte institucioni më elit i Republikës, Ministria për Kulturë u përdor si strehë e fundit e militantëve partiak. Në secilën shoqëri, militantët partiak janë turma më injorante, e cila veç shpirtit anarkist dhe klithmave bezdisëse gjatë fushatave elektorale, në organizimin shtetëror nuk kuptojnë asgjë.

Bajram Mjeku

Kafenë e fundit me shkrimtarin më modernist shqiptar Anton Pashku, e kam pirë gjashtë muaj para se të ndërronte jetë në fundtetorin e vitit 1995 në Prishtinë. Pashku për aq sa ishte i madh në letërsi, po aq shquhej për modestinë e tij. Mbaj mend kur njëzetekatër vjet më parë mbi tavolinën ku pinim kafe, Pashku e kishte dorëshkrimin e një të ashtuquajturi shkrimtar për fëmijë. Pashku e redaktonte, më saktë rishkruante dorëshkrimin e shkrimtarit mediokër për të mbijetuar për bukën e gojës bashkë me familjen e tij.

Vështruar nga kjo distancë kohore, gjërat për një shkrimtar, piktor a skulptor të mirë nuk kanë ndryshuar fare, më saktë veçse janë acaruar më shumë. Udhëheqja politike në Kosovë, ka vendosur që assesi të mos heqë dorë nga tranzicioni në njërën anë, derisa në anën tjetër krijuesit e mirë, të cilët janë specie në zhdukje, veç krizës ekzistenciale e cila është duke i përcjellë njësoj si në kohën e okupimit, janë duke u përballur edhe me një rrezik tjetër. Është turma e frikshme e analfabetëve funksionalë, të cilët janë vendosur nga maja e kupolës së shtetit, deri në zyrtarin më të parëndësishëm të tij. Pikërisht kjo kastë politike, është produkt i të ashtuquajturave kolegje e universitete, të cilët tash dy dekada nga sportelet e tyre nxorën më shumë diploma, se dokumente formale nga sportelet e komunave më periferike të Republikës.

Sebep për të shkruar këtë kolumne u bënë premtimet e dy partive politike, të cilat u renditën të parat në zgjedhjet e fundit nacionale. Ato paralajmëruan që Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, do ta shkrijnë në Ministrinë për Arsim, Shkencë e Teknologji. Në fakt, Ministria për Kulturë nuk është dashur të themelohet asnjëherë. Në vend të saj është dashur të themelohet një agjensi me shumë më pak zyrtarë dhe shumë më pak harxhime koti, e cila do të merrej më profesionalisht me politikat, menaxhimin dhe zhvillimin e segmenteve të kulturës, të cilat në njëzet vitetet e fundit në vend që të ishin më kreative, veçse kanë degraduar më shumë.

Në përceptimin e njerëzve të komunitetit artistik, Ministria për Kulturë më shumë se për të prodhuar kulturë, u vu në përdorim të monedhës për kusuritje nga të gjitha partitë politike që ishin në pushtet. Në vend se të ishte institucioni më elit i Republikës, pikërisht kultura u përdor si strehë e fundit e militantëve politikë, të cilët më së paku kishin dëgjuar ndonjëherë për nocionin “kulturë” e aq më pak kishin thirrje të merreshin me menaxhimin e saj! Militantët partiakë, në secilën shoqëri të secilit komb janë turma më injorante, e cila veç shpirtit anarkist dhe klithmave bezdisëse gjatë fushatave të partive politike, në organizimin shtetëror nuk kuptojnë asgjë.

*

Aktualisht në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, militojnë mbi 500 zyrtarë të ndryshëm, të cilët përjashto një të katërtën e tyre marrin paga koti. Janë këta zyrtarë, të cilët mbi supet e tyre morën përgjegjësi institucionale për të prodhuar politika kulturore, pastaj për t’i avancuar resurset njerëzore dhe ato të trashëgimisë kulturore të shtetit më të ri në Evropë.

Ministria për Kulturë Rini e Sport, nuk do të duhej të mbetej nën sqetullën e Ministrisë për Arsim, por të ristrukturohet në agjension, i cili do të duhej të ishte nën kujdesin e drejpërdrejtë të Kryeministrit të ardhshëm. Derisa duhet menduar për themelimin e një agjensie për kulturë, dhjetëra të tjera do të duhej të shuheshin, kur të kihet parasysh se aktualisht Kosova ka 54 agjensi koti, ndërkohë që disa shtete fqinje nuk kalojnë numrin prej 15 sosh!

Agjensia për kulturë, rini e sport (pse jo edhe për turizëm), me numër shumë më të vogël të zyrtarëve, por me cilësi dhe njohuri kreative të fushave ku do të menaxhonin, për dallim nga zyrtarët aktual të Ministrisë për Kulturë, do të duhej të shtonte kujdesin ndaj artistëve të paktë, të cilët deri tash kanë dëshmuar se prodhuan dhe mund të prodhojnë art në zhanret e tyre artistike, si dhe disponojnë kredenciale për të avancuar kulturën e shtetit. Që të jem edhe më transparent me publikun, në veçanti me njerëzit e komunitetit artistik, mbështes idenë se një artisti të mirë nuk i bën nder e privilegj vetëm subvencionimi herë gjysmak, herë më shumë se gjysmak i një vepre të tij, por Qeveria e Kosovës duhet të mendoj që së paku pesëdhjetë njerëz të artit t’i subvenciononte me paga jetësore dhe sigurisht që këta artistë, nuk do t’i jipnin llogari shtetit si dikur në kampin komunist. Këta artistë do të jipnin llogari vetëm për veprat dhe vlerat e tyre artistike, të cilat veçse do ta avanconin artin dhe kulturën e Kosovës edhe jashtë kufijve të Gadishullit të Madh.

Se a është më dinjitoze të favorizohen me paga jetësore së paku pesëdhjetë artistë apo qindra militantë partiak, të cilët marrin paga për kulturën e më së paku marrin vesh në këto punë, mbetet që këtë segment ta trajtojë Qeveria në ardhje?!

Sot, kemi pak shkrimtarë të modelit si Anton Pashku, por edhe më pak aktorë si Bekim Fehmiu, piktorë si Muslim Mulliqi, apo skulptorë si Agim Cavdarbasha, por ata pak krijues të mirë që kemi, fundja meritojnë jetë dinjitoze, të cilët do ta shpaguanin mundin e tyre duke lënë mbrapa vetes vepra elite dhe art dinjitoz.

Krejt në fund, një pyetje për komunitetin artistik dhe zyrtarët kulturorë. A e dimë si jeton doajenja e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha?! A përballet me çështje elementare ekzistenciale, apo na kujtohet vetëm kur e takojmë sa për të pozuar me të, më saktë për të provuar të vjedhim diçka nga hija dhe nami i saj!

Të ngjajshme