Sinteza e faktit historik dhe imagjinatës letrare

Tetor 11, 2018 - 5:53 pm

Nga Vlora Ademi

(Ismail Kadare: “Mosmarrëveshja-Shqipëria përballë vetvetes”, “Onufri”, Tiranë, 2012)

Fakti historik dhe imagjinata letrare

Si vepër publicistike e shkruar në formë eseistike, në mënyrë jashtëzakonisht të thukët trajton çështje shumëdimensionale që kanë të bëjnë me historinë, simbolet kombëtare, gjuhën, identitetin, kulturën dhe mitologjinë shqiptare.

Kjo vepër me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në historinë e kombit në përgjithësi dhe më gjerë, e vë në sprovë vendin përballë vetvetes, duke trajtuar kështu në periudha të ndryshme kohore fatkeqësitë shekullore nëpër të cilat ka kaluar.
Duke e ditur kuptimin e numrit fatkeq, libri jorastësisht është i ndarë në 13 kapituj. Secili nga këta kapituj ngërthen në vete histori dhe me një narracion kadarean, herë gjendemi përballë një figure madhështore të kryetrimit Skënderbe, e herë në betejën e Fushës së Mëllanjave 630 vjet prapa, herë tek Shpallja e Pavarësisë, e herë tek lindja e princit e arratisja e mbretit në mesnatë. Kjo përballje në mes realitetit historik dhe kohës na përcjellë deri në rreshtat e fundit të librit.

“Loja” me figura të ndryshme kombëtare, e dinamizon ligjërimin në vepër. Kadare duke dashur të krijojë një vepër enciklopedike, e gjithë poenta kryesore e saj zhvillohet në dy linja: faktit dhe imagjinatës, një martesë e mitit me historinë do t’thoshte ky vetë.
Gjithë përshkrimin e dramës së vendit, Kadare e fillon dhe gjatë gjithë pjesës së parë të librit, e lidhë vazhdimisht me himnin shqiptar, sidomos me pjesën e tretë të tij. E shtjellon në forma të ndryshme këtë pjesë se Zoti vetë e tha me gojë se kombet shuhen përmbi dhe … dhe sa herë që thellohet më shumë tek kjo strofë, ai aq më shumë na jep elemente egoiste të kohës duke mos e pranuar assesi këtë frymë.
Duke u bazuar tek faksioni, Kadare si jo rrallëherë, na kthen shekuj prapa dhe na bën të përfytyrojmë kohën, vendin, ngjarjet dhe personazhet sikur të ishin sot, të gjallë. Na vë përballë tyre, duke na ofruar tipare krahasuese të aktorëve të kohës dhe na le ne në duar, që t’i gjykojmë, t’i duam, t’i adhurojmë, t’i urrejmë, pra thjesht të krijojmë imazhe personale për ta pastaj.
Dhe jo vetëm, duke u kthyer sërish tek himni, tek strofa e tretë e tij, ai të nxitë mendjen për të reaguar, të ngjallë dyshime për katër rreshta që i ke recituar e kënduar me dhjetëra herë, pa e vrarë mendjen tek kuptimi i tyre. Dhe shi tani, lexuesi gjendet përballë një situate të ndjeshme, të mohojë këtë strofë, apo të vazhdojë ta këndojë e kultivojë më tej?!

Të njëjta situata mosmarrëveshjeje, përfillëse dhe shpërfillëse, has në secilin kapitull të librit. Dyshimet lindin që me strofën e ndaluar të himnit, andaj edhe ishte e pashmangshme pyetja do të bëhet, apo s’do të bëhet ky vend. Meqë strofa përsëriste se kombet shuhen përmbi dhe, dilema vinte pashmangshëm pastaj. Ishte fjala dhe për Shqipërinë, apo vetëm për kombet përreth që ishin shumë më të fuqishme se vetë Shqipëria? Si fëmija që, duke ecur përmes territ, për të oshtur frikën, nis e këndon me zë të lartë, ashtu edhe himni në gojën e shqiptarëve nuk mbulonte veçse diçka të kundërt. Kjo diçka e kundërt kishte lidhje me një pyetje, më sakt me një dyshim të vjetër: do të bëhet a s’do të bëhet ky vend? (fq. 26)

Duke trajtuar simbolet kombëtare veç e veç, është e pamundur që t’mos përmendet dhe flamuri këtu. Me stilin e tij prej shkrimtari briliant, ashtu si vetëm ky di dhe mundet, Kadare i shpalosë aq këndshëm kujtimet e tij rreth flamurit, që nga koha e fëmijërisë së tij. Pastaj këtë kohë e lidhë me një tjetër kohë, shumë shekuj më parë dhe bën krahasime rreth ndryshimeve që kishte pësuar flamuri bashkë me zogun e zi në mes. Edhe këtë simbol, ai e sheh si më të veçantin në krahasim me flamujt e kombeve të tjera. Të tjerët duke qenë se mbanin vetëm shirita me ngjyra të ndryshme brenda, i vetmi flamuri shqiptar kishte një zog, shpendin më të fisëm të botës. Dhe akoma më i habitshëm i duket fakti se po të njëjtin simbol, pra flamurin, shqiptarët e përdornin si në dasma, ashtu edhe në mort.

Fill pas flamurit, Kadare prekë gjuhën. Mbijetesa e saj karshi sundimeve të njëpasnjëshme ndër shekuj, është e paimagjinueshme. Gjatë kohës së Rilinndjes, askush nuk do të habitej në Shqipëri nga krijimi i një shënjtoreje të re: shënshqipja (ngaqë u thurrën shumë himne e përdëllime) (fq. 91) Ndërsa në anën tjetër po kjo gjuhë, arrinë të përçudnohet brenda dy dekadash nga një dikator si E. Hoxha, i cili e zotëronte varfërisht atë. Të shpallura nga ekspertë si ndër më të mirat në Evropë, do të ishin të mjaftueshme për ti mbushur mendjen kujtdo në këtë vend se shqipja ishte jashtë çdo dyshimi një makinë shprehëse e klasit të parë. Merrej me mend, që një makinë e tillë, e padëmtuar dot nga shekujt e ndalimit osman, nuk mund të përçudnohej dot brenda dy ose tri dekadash, nga një diktator, që, veç të tjerash, e zotëronte varfërisht makinën. (fq. 92)

Portretizimi i lavdisë së Skënderbeut

Gjatë gjithë kohës pikë referuese në vepër kemi përballjen dhe mohimin. Tentimi për të ndryshuar, njollosur dhe injoruar shkonte përtej. Krahas gjuhës dhe flamurit, shtrembërimet e historisë mbi të bëmat e më të madhit hero, princit Gjergj, Kadare i konsideron si monstruoze dhe i arsyeton me xhelozinë e aktorëve të kohës.

Kadare me mjaft finesë dhe guxim ndalet më gjatë tek figura e kryeheroit. Duke e trajtuar me mjaftë korrektësi dhe delikatesë, ai bënë një krahasim të tij me Krishtin. Ngjashmërinë e gjen qysh tek varri. Që të dy, kanë vetëm gur varri. Nuk pushojnë në tokë, por që të dy i takojnë përjetësisë. Kadare përfundimisht e forcon figurën e tij, si kryehero, që njihet dhe vlerësohet lart botërisht, për vizionin dhe synimet e tij proevropiane. Ndërsa shqiptarët në vend se të mburreshin me këtë figurë, me këtë kryetrim, kishin dyshimet e tyre, nëse më mirë do të ishte nën sundimin osman, apo krah Gjergjit të krishterë. Ky ishte një popull ose, më saktë, një nënpopull, që veç pas sundimit (turpërimit) vendoste lidhje, prej të cilave nuk ndahej dot. Shkurt një popull i lindur për robëri. (fq. 74)

Në fakt, mbijetesën e identitet kombëtar, Kadare ia dedikon Gjergj Kastriotit si gurthemel i kombit shqiptar. Ai duke e vënë Gjergj Kastriotin përballë vetvetes, shtron dilemën nëse shqiptarët e meritonin ta kishin një hero të tillë. Gjithë përsiatjet dhe orvatjet e proturqve për të mjegulluar trimërinë dhe vizionin e tij krah Evropës, Kadare i sheh si të papërgjegjshme, të neveritshme; ndërsa sheshe europiane kishte kohë që kishin filluar të emëroheshin me emrin e tij, e ngrisnin përmendore të më të madhit princ shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke ia njohur gjamën dhe bota.

Sipas Kadaresë, gjithë lavdia e Skënderbeut na shfaqet që nga përkrenarja e tij dybrirshe, njeri i ashpër me emrin tingëllues dhe me dy brirë dhie sipër përkrenares, thua të zgjedhur enkas për t’ua bërë të lehtë poetëve dhe kronistëve krahasimin me djallin: Gjergj Kastrioti Skënderbeu. (fq. 117)

Duke u mbështetur tek kronikat e kohës, Kadare gjen rehati në zbulimin e fakteve të lavdisë së kryeheroit. Krahas përkrenares, që kur gjenerali i famshëm Skënderbe i ktheu shpinën perandorit, që nga ai moment, ky gjeneral filloi ta ndërtonte mitin për vete. Në këtë kontekst, Kadare me mjaft guxim shpreh dyshimin e tij nëse ky ishte parashikimi i gjeneralit, apo rastësia i parapriu lavdisë pastaj?!
Krahas figurës madhështore të Gjergj Kastriotit, Kadare trajton dhe një figurë tjetër me rëndësi të veçantë historike, atë të Nënë Terezës. Njëri që ngërthen gjithë lavdinë e kombit dhe tjetra simbol shenjtërimi i po këtij kombi, të dy ndër figurat më të spikatura dhe më të ndritura të historisë; të lidhur nga gjaku, kombi, feja dhe gjuha, shpeshherë janë gjendur përpara mohimit e përbaltimit të qyqarëve. Pas rënies së këtij të fundit, atëherë kur pritej ringritja përfundimtare, ndodhi e pabesueshmja: sulmi i çmitizuesve. E fajësonin se kishte luftuar për lavdi shterpë, për gjakmarrje, për para, për xanxë të luftës, për urrejtje ndaj paqes. E kështu me radhë: për dëmtim të Shqipërisë, për Europë, për Krisht, për fatin e vet të keq, për kot. (fq. 133) Njëjtë kishte ndodhur dhe me një tjetër personazh, më pak epik, që ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e kombit. Ismail Qemali një figurë mjaft komplekse e historisë, por që edhe ky nuk arriti t’i shpëtonte shtrembërimeve të historisë.

Duke u gjendur në situata të tilla vetëmohuese, jorastësisht edhe vepra është e tillë, pra sprovë letrare.

Në mbyllje të këtyre përsiatjeve për rrugëtimin e vetmuar të një populli, do të duhej, ndoshta, të theksohej se një popull, edhe po të donte, nuk mund të ishte kurrë aq i vetmuar sa ç’dukej. (fq.205)

Në fund fare duke mos dashur të teprohet, kjo vepër me gjithë vlerat e saj të pakontestueshme kulturore dhe artistike mund të cilësohet edhe si një dhuratë e shenjtë për kombin. Në këtë vepër, Kadare paraqet mënyrën më sublime: kritikën shqiptare. Përderisa edhe gjysma e shekullit XX ka qenë e dominuar nga vetëdija folklorike dhe e lavdisë, që ka pasur për qëllim idealizmin, Kadare me mjaft siguri ka reflektuar me vetëdije kritike.

Duke i avancuar vlerat e lëvizjes Neoshqiptarizma, ky i nxjerrë shqiptarët në sprovë me vetveten. Me gjithë historinë e shtjelluar nisur nga simbolet kombëtare, vepra ndërtohet mbi fakte, por duke e poetizuar nga këndi prej shkrimtari. Gjithsesi, “Mosmarrëveshja” është padyshim një pikë reference e historisë shqiptare për brezat e ardhshëm./KultPlus.com

Të ngjajshme