займ на карту онлайн потребительский кредит

Sot mbyta një mi…

Mars 31, 2019 - 11:00 am

Nga Leonora Laçi

Nuk ishte brejtës rrugaq, kishte shtëpi, jetonim nën një çati. Ça haja unë hante dhe ai.

Sot e mbyta këtë mi, askush nuk ishte në “varrimin” e tij, përveç meje dhe lopatës. Lopata dhe unë bashkëpunëtorë gjakftohtë të krimit makaber, ngrirë qëndronim para atij. Vallë në shenjë respekti përballë viktimës?! 

Por për çudi s’derdhem pikë loti ! A thua nuk e meritonte ai?!

E groposem shpejt e shpejt s’shfaqem ndjeshmëri as pendesë.

Mendova -“Ja kështu dhe ne do groposemi nesër, varrimi ynë thjesht një formalitet, edhe nëse do jenë fizikisht prap se prap mentalisht s’janë aty. Ca grushta dhe do hedhin, hedhim, do sjellin e sjellim shpinën e më as emrin s’do ia njohin/njohim.” 

Lot a thua do të derdhin, a do të kujtojnë të mirat apo veç ato gjëra që dot s’bëmë për ta?! Edhe ne endemi si brejtësit për të marrë ndonjë kafshatë të mjerë, kjo kafshatë kaq e pabarabartë na ngelet në fyt përballë problemeve të përditshme, përballë shqetësimeve, përballë forcave më të mëdha se ne që na gjunjëzojnë. Edhe mes të eturve ka luftë, shtyrje, shkelje sepse sërish kafshatën do e marrë i shkathëti mes të dobëtëve, i zoti mes të pazotëve. 

Unë, jam vrasësja, e karma po vrapon drejt meje për të marrë hakun e miut të zi. Nuk ishte dhe aq i zi, veç qimet kishte të tilla.

Mbyta një mi, një banor të vjetër të tokës, dëme nuk bënte, qëndronte kokulur, shokë s’kishte, ushqehej me thërrime, nuk kërkoi asnjëherë asgjë, veç dhembshurisë, e donte jetën por unë s’doja ta dija këtë gjë, sikleti që më shkaktonte si qenie më nxiti ta vrisja me padurim.

Mungesa e dhembshurisë më frikësoi. Sot s’më dhimbset ky mi, po çfarë do më dhimbset pas tij?!

Tek ne ka humbur ndjeshmëria ndaj gjërave të mëdha, e të voglat nuk na hyjnë as në sy.

Mbyta një mi, ishte frymor dhe ai, ashtu si unë. 

E përbashkëta tjetër e jona ishte se rronim nën një çati…

Sot mbyta një mi, askush nuk më akuzoi, gishtin s’më drejtoi, as vështrime përbuzëse, askujt nuk i bëri përshtypje.

Pafajësia e tij, përmasat e tij të vogla nuk më frenuan që unë të përmbahesha, përkundrazi e vrava në pabesi, tregova forcën time para një krijese të pambrojtur!! 

Vazhdoj të jem e lirë. Por me vret ndërgjegjen, jo aq akti, sa pamëshirshmëria e realizimit të tij.

Pse nuk qenka krim të vrasësh një mi ?! A nuk i mbron kush minjtë?! Ashtu si njerëzit e thjesht…

Miu një më pak, numri s’ka rendësi.

Sot mbyta një mi…po nesër?! / KultPlus.com

Të ngjajshme