займ на карту онлайн потребительский кредит

Studimi i parë kontrastiv sintaksor

Qershor 26, 2019 - 3:50 pm

Studimi monografik Klauzat e varura të përcaktuara sipas përmbajtjes në gjuhën angleze dhe korrespondencat e tyre sintaksore në gjuhën shqipe (Analizë kontrastive në nivel të fjalisë dhe të paragrafit) i përmban më vete dy hulumtime serioze (njërin në rrafsh puro sintaksor dhe tjetrin në rrafsh tekstor) dhe është studimi i parë kontrastiv sintaksor i nënrenditjes së anglishtes dhe të shqipes sipas analizës strukturore të zbërthimit në përbërës të drejtpërdrejtë (Immediate Constituent Structure Analysis), analizë kjo që u hapi rrugë edhe studimeve të mëvonshme gjenerative në sintaksë dhe është bazë e strukturalizmit amerikan në gjuhësi, e që vazhdon të mbetet analizë e rëndësishme gjuhësore (shih Gramatikën e anglishtes të autorëve Quirk, Greenbaum, Leech, Svartvik, OUP, 1985/2000). Hulumtimi i korpusit dhe puna në analizë janë ndërmarrë gjatë viteve 2007 dhe 2008, dhe e përbëjnë pjesën qendrore të hulumtimit të studiueses Lindita Sejdiu Rugova, duke i përfshirë këtu pjesërisht edhe studimet e saj hyrëse (fillestare) në fushë të sintaksës së shqipes dhe ‘boom-in sintaksor’ që e sollën me vete punimet e botuara të saj në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, gjatë periudhës kohore 2003 – 2008 si dhe disa konceptime të reja sintaksore që autorja i sjell në terminologji të sintaksës së shqipes pas vitit 2015 e këndej.

Lindita Sejdiu Rugova në studimin e saj për fjalitë lidhore në vitin 2004[1] në analizën strukturore që ua bën këtyre klauzave në funksion permanent të një përcaktori në anglishten dhe në shqipen, i shtron në mënyrë shumë të thellë dhe të detajuar konceptin e anaforicitetit dhe të strukturës eksplicite dhe implicite të nënrenditjes që këto klauza e krijojnë brenda sintagmës emërore. Është nga studiueset e para, në mos e vetmja, që del hapatazi kundër klasifikimeve funksionale dhe atyre tejet tradicionale që u bëhen fjalive me nënrenditje në gjuhën shqipe, sidomos në Gramatikën e ASHRSH-së, gjithnjë duke u motivuar nga studimet që janë bërë për gjuhët e mëdha evropiane. E kundërshton klasifikimin e klauzave kallëzuesore si tip të veçantë të klauzave të varura duke e konsideruar sipërfaqësor dhe të pasaktë për shembujt që i analizon siç e kundërshton edhe klasifikimin e disa nënllojeve të “fjalive lidhore” duke mos i trajtuar si lidhore fare.

Studimi kontrastiv i klauzave të varura të përcaktuara sipas përmbajtjes në anglishten dhe i krahasimit të këtyre strukturave bashkë me funksionet e tyre dhe me semantikën e tyre me tipat strukturorë të shqipes e përfshin analizën e detajuar të shembujve që mund të konsiderohen lirisht si 2/3 e nënrenditjes së anglishtes në përgjithësi (përfshirë këtu edhe klauzat relative).

Natyrisht, klauzat e tilla janë pjesë e të ashtuquajturave klauza të shtjelluara dhe në përgjithësi, me disa përjashtime, nuk i përfshijnë klauzat e pashtjelluara brenda fjalive me nënrenditje.

Vetë termi klauza të përcaktuara sipas përmbajtjes është përkthim i terminologjisë së përdorur nga Gramatika e anglishtes, botim i CUP (Cambridge Univeristy Press) dhe në origjinal është Content Clauses. Po të përkthehej Klauzat përmbajtësore në gjuhën shqipe do të kishte një kuptim pak më ndryshe nga ai që është menduar nga autorët e Gramatikës së Cambridge-it: të gjitha klauzat janë përmbajtësore në thelb. Prandaj, Sejdiu Rugova është përcaktuar, me të drejtë, për termin “klauza të përcaktuara sipas përmbajtjes” meqë lidhet vetëm me klasifikimin apo përcaktimin e tyre si të tilla.

Pra, gjatë analizës së këtyre klauzave në gjuhën angleze në këtë punim, merren parasysh studimet më të vonshme të bëra në këtë fushë, gjithnjë duke i kombinuar dhe krahasuar me ato të traditës së gramatologjisë së anglishtes. Në shqipen, studimet gramatikore në përgjithësi dhe ato sintaksore në veçanti nuk janë aq të avansuara si të anglishtes; gramatikat normative dhe universitare të shqipes kanë mbetur ato të traditës – me konceptime që nuk e arrijnë as strukturalizmin. Megjithatë, përpjekjet individuale në këtë kuadër nuk mungojnë dhe ka shumë artikuj e studime shkencore të botuara nëpër revista të ndryshme filologjike që e kanë thyer barrierën e trendeve të reja në gjuhësi.

Këtë rrugë përpiqet ta trasojë edhe ky studim. Është studimi i parë kontrastiv anglisht-shqip në Kosovë që e analizon brendinë e fjalisë së varur strukturalisht, semantikisht dhe funksionalisht, e klasifikon fjalinë e varur brenda fjalisë me nënrenditje dhe e analizon rrethimin (sfondin) e klauzës së varur në rrafsh të një njësie gjuhësore dhe tekstore më të lartë se fjalia – në rrafsh të paragrafit. Pra, gjithë kjo analizë bëhet për të dyja gjuhët: anglishten dhe shqipen, në të dyja drejtimet e kontrastimit, së pari anglisht-shqip e pastaj shqip-anglisht, duke i kontrastuar dhe duke bërë përpjekje për të gjetur pikat e përbashkëta dhe ato dalluese midis këtyre dy gjuhëve.

Meqë shqipja nuk përmban një klasifikim strukturor-semantik si ky i anglishtes i paraqitur në vetë titullin e studimit (të përcaktuara sipas përmbajtjes), janë evidentuar së pari përkthimet e këtyre klauzave në shqipen, janë përcaktuar tipat strukturorë të klauzave të varura të shqipes që më së afërmi mund të korrespondojnë me klauzat e varura të përcaktuara sipas përmbajtjes në anglishten, janë krahasuar funksionet e këtyre tipave strukturorë të shqipes e pastaj janë nxjerrë përfundime lidhur me përdorimin e strukturave të tilla në të dyja gjuhët, gjithnjë duke i analizuar shembujt e korpusit të përkthyer në të dyja drejtimet..

Analiza bëhet edhe më interesante kur kalohet përtej kufijve të fjalisë dhe ky zgjerim i objektit të studimit në një rrafsh krejtësisht tjetër dhe me rezultate të veçanta nga analiza e parë, e bën pasqyrën e studimit të këtyre klauzave më të plotë, ndërkaq studimeve të tekstit në shqipen u jep një dimension më ndryshe nga ç’është ofruar deri më tani. Rëndësia e hulumtimit shtesë përtej fjalisë qëndron mu në këtë pikë.

Analiza që i bëhet njësisë tekstore të paragrafit duke u mbështetur në elementet tekstore të rëndësishme për një zbërthim të tillë është një nga analizat më origjinale dhe më të thella gjuhësore në botën e studimeve shqiptare.

 Në përmbyllje, është nxjerrë përfundimi se klauzat e varura të përcaktuara sipas përmbajtjes shprehen edhe në shqipen, por të kategorizuara funksionalisht si “fjali të varura kryefjalore, kallëzuesore, kundrinore dhe përcaktore lidhëzore” kryesisht. Po ashtu, është nxjerrë një përfundim tjetër se elementet tekstore të rëndësishme për analizën e kotekstit të këtyre klauzave janë të ndryshme në të dyja gjuhët, me përjashtim të rasteve kur përkthimi i tyre synon të mbetet tekstual (përkthyesi i mbetet besnik strukturës gramatikore të anglishtes për të krijuar një fjali të shqipes), por i varfër stilistikisht meqë nuk i fut në përdorim të gjitha strukturat e mundshme sintaksore dhe kuptimore që i ka shqipja. Në fakt, në mënyrë të tërthortë, këto dukuri dhe të tjera të ngjashme me to e përbëjnë thelbin e këtij studimi kontrastiv dhe tekstor dhe e hapin rrugën për zhvillimin e studimeve të ngjashme në të ardhmen, më gjerësisht dhe më thellësisht.

                                 Prof. dr. Vesel Nuhiu
(Profesor i sintaksës së gjuhës angleze)


[1] Atëbotë autorja i quan fjali lidhore e pas vitit 2015 e përkrah fuqishëm futjen e termit klauzë për clause të anglishtes dhe për këtë argumenton në librin Hyrje në gramatikën e tekstit të gjuhës shqipe, në bashkëautorësi me Bardh Rugovën (Prishtinë, Koha: 2015).

Të ngjajshme