Ta shpallim televizionin kosovar si të vdekur!

6 Janar, 2018 - 11:06 am

Shkruan: Luan Morina

Mendoj që tash edhe përfundimisht ta shpallim televizionin kosovar si të vdekur!

Zakonisht shkruaja për ‘bërllogun’ e vitit të ri, por sikur një i pastrehë që gjen diçka të mirë nëpër kontejnerë, edhe unë ia dilja të gjeja diçka të mirë nëpër televizionet tona. Këtë vitrezultati është i kobshëm.

Patjetër që ka pasur gjëra të mira, por, për 72-96 orë pushimi sa mund të llogarisim se kanë pasur televizionet në dispozicion, të ndajmë vetëm 3 orë është dëshpërim total. Vetëm le të shpresojmë se emancipimi i popullit të lëviz në të kundërtën me ‘zhvillimin’ e televizioneve dhe kuptohet udhëheqësve të shtetit.

E udhëheqësit e shtetit sikur nuk po na mjaftojnë tërë vitin me ‘modestinë’ dhe ‘dashurinë’ e tyre të sinqertë ndaj këtij populli, Klan Kosova vendos të na i shërbej edhe për Vitin e Ri duke provuar të jap një ide kinse argëtuese. Asgjë s’ka qenë ideja e programi sa ka qenë reklamat që i janë bërë këtij ‘mini-revolucioni’ televiziv. Mirëpo, ndoshta ka qenë mënyra më e mirë për ti kujtuar shikuesit se kush po udhëheqë këtë vend!

Derisa i miri analizon në thellësi bërjen e një pune të mirë, i keqi vetëm shumohet tri herë. Dhe në këtë aspekt ka ndodhur edhe tek televizionet tona. Derisa zakonisht ishte së paku Kohavisioni për tu lavdëruar, disi kishte edhe motiv për tu marr me shkrime për televizionin.

Pas transferimit të Labit, Kohavisionit i nevojiten vetëm edhe dy transferime për të dominuar shikueshmërinë – kasti i Përallë me tupanë, dhe ‘i madhi, shumë i madhi, madhështori Naim Abaziiii’ me kolegë. Është ironike, sa është edhe zhgënjyese, që nga tituj vërtetë madhështor me përkthime senzacionale si ‘Allo, Allo’ e ‘Only Fools and Horses’ të bien në një kanal që programin e vetëm të shikueshëm e ka në ora 11 të natës, pa përjashtuar ndonjë edicion të Rubikonit e Pulsit! E për këtë vit uroj që Flaka Surroi të shoh më shumë programet e KTV-së e më pak raportet financiare!

RTV21 e ka riciklim çdo festë. E vetmja gjë që ndryshon aty janë botoksi dhe fustanat. Nuk kanë humbur shumë pas ‘Unë jam top-model’! Akoma kanë ‘sfilata’, vetëm se tashti janë kryesisht reklamime të rrobaqepësve, kirurgëve plastik, dhe makijazhit. Ngjashëm si programet tjera, edhe këto të vitit të ri në RTV21 nuk kanë thelb të dobishëm për shoqërinë tonë.

E kanceri më i rrezikshëm i shoqërisë sonë është televizioni që pretendon se është i Kosovës. Një makinë propaganduese të cilës do ti lakmonte edhe Adolfi, vazhdon të përgjumë popullin duke ju shitur ‘fakte’ që i shkojnë për shtati idesë dhe qëllimit të tyre, edhe gjatë festave. Është e pamundur të gjeni një grimë programi në RTK që nuk përçon mesazhin politik, qoftë edhe kur shitet si ‘argëtues’, për të cilin ne paguajmë miliona eurosh çdo vit!

Më e keqja e krejt kësaj është që opsionet tjera janë ngjashëm të tmerrshme. Është një trajektore të cilën duhet ta zgjedhin në këtë ekonomi tregu shumë media. Kanë zgjedhur të synojnë një popullsi më pak të emancipuar dhe këtë vit mund të kalojmë në atë trendin që ‘televizionin e shohin veç të prapambeturit’.

Dhe nuk janë të ‘prapambeturit’ shikues të televizionit. Por, programet që ofrohen në TV janë denigruese dhe ofenduese për shoqërinë, sidomos ato që pretendojnë se janë të ‘paanshme’, sa që të bëjnë të humbësh respektin për krejt ata që shikojnë televizion.

Seriale të dobëta turke, indiane, riciklim filmash, komentime banale sportive, pseudo-emisione kulturore e artistike me ‘artistë,’ dhe ajka e televizionit – debatet politike. Me rritjen e opsioneve teknologjike për televizion për çudi ka rënë cilësia. Ose ndoshta tashti që i shohim gjërat më qartë, po i shohim sa njëmend janë ‘bërllog’. / KultPlus.com

Të ngjajshme