Të dashurosh një herë në vit dhe të vrasësh çdo ditë

14 Shkurt, 2019 - 8:30 pm

Nga Pranvera Berati

14 Shkurt! Aromë dashurie gjithandej. Vajza, djem, gra, burra, lule, poezi, duar të kapura fort me njëra-tjetrën përkthejnë 14 Shkurtin, ditën e të dashuruarve.

Axhenda e sotme përfshin shëtitje përgjatë bulevardit, një tufë me trëndafila të kuq, parfume dhe qershia mbi tortë arushin gjigant. Vajzat kanë gdhirë në parukeri duke zgjedhur look-un perfekt për këtë ditë, kanë shfletuar poezitë për të përzgjedhur vargun më domethënës për sot.

Nga ana tjetër djemtë; lulet, bizhutë dhe këngët romantike që kanë shoqëruar rrugëtimin e dashurisë. 14 Shkurti! Dita ku dashurohet vetëm një herë në vit, dita ku burrave u vjen turp të blejnë lule, e nëse blejnë një të tillë mundohen t’i fshehin kudo pa u rënë në sy shokëve që e kanë harruar këtë ditë dhe përfundojnë duke tallur njëri-tjetrin.

Dita ku djemtë dhurojnë një trëndafil për të shlyer shuplakën e djeshme, kapin duart në bulevard thjesht për të ndjekur masivitetin apo thjesht për të bërë “qokën” e përvitshme.

14 Shkurti dita ku dashuria manifestohet në Instagram, Facabook, por nuk festohet në partneritet.

364 ditë të dhunuara, në më pak se 2 muaj 6 gra e vajza kanë humbur jetën, ndersa sot në ditën e dashurisë u shënua një tjetër viktimë. Sot dashurojnë të gjithë. Por çfarë do të ndodhë nesër?

Do të dashurohet vetëm një herë në vit dhe do të vrasësh çdo ditë? Thuaje të dua me një buzëqeshje sot e 364 ditët në vazhdim, thuaje me një më fal sot e 364 ditët në vazhdim , thuaje me një stop marrjes së jetës së grave dhe vajzave sot e 364 ditët në vazhdim.Vazhdimësia është çelësi i dashurisë dhe përkthimi i kësaj dite.

Të ngjajshme