Të dhënat e freskëta arkeologjike në Turan të Korçës, shembull për Kosovën e vonuar

2 Tetor, 2018 - 11:50 am

Edi Shukriu

Ndërtimet e reja e rindërtimet, të rrugëve, të fabrikave, të hoteleve, madje edhe të shtëpive, janë mundësi e jashtëzakonshme për zbulimin e thesarit arkeologjik, me gjurmë mbi tokë o nëntokë.

Rasti më i freskët janë zbulimet në bazenin bujqësor te fshati Turan i Korçës, ku janë gjetur shtresat e epokës së neolitit dhe tri nekropole të epokës së hekurit, të antikës së vonë dhe të mesjetës, disa prej tyre shumë të pasura. Si merret vesh nga mediat ndërkombëtare, ekipi prej 50 arkeologëve, të udhëhequr nga Iris Pojani, gërmuan për 18 muaj në një hapësirë prej 4,000m². Kjo u arrit duket falë dhe mbështetjes financiale të Trans Adriatic Pipeline (TAP), që e sjell gazin natyror nga Azerbejxhani për në Italinë jugore. Madje, Monitori i Trashëgimisë Kulturore i TAP A. Kadia ka deklaruar se kjo trashëgimi do të mbrohet dhe prezantohet.

Gjetjet arkeologjike në Turan, arritja deri te ato dhe hulumtimi i të cilave e marr me mend se nuk ka qenë i lehtë për arkeologen Pojani e përgjegjësit e tjerë, edhe pa dashje përkujton zhvillimet arkeologjike në Kosovë dhe “mbikqyrësit” arkeologjik që është dashur të jenë tejet vigjilent. Andaj shtrohet pyetja se sa lokalitete arkeologjike u zbuluan kur u ndërtua “Rruga e Kombit” dhe shumë rrugë të tjera apo që po ndërtohet autostrada në drejtim të Shkupit?

E di se në mbi 100km të ndërtimit të autostradës në Slloveni janë zbuluar mbi 100 lokalitete arkeologjike, janë bërë analizat e nevojshme të materialit të lëvizshëm dhe është bërë botimi i librit (Në vitin 2012 Universiteti i Ljubljanës ka shprehur gatishmëri që të njëjtën ta bëjë në Kosovë).

Atë që e di sigurisht është se asnjë veprim paraprak i përnjohjes arkeologjike 50m nga ana e djathtë dhe e majtë e traseve të rrugëve të planifikuara nuk është bërë nga arkeologët e studentët! Veprimet e mëtejme janë tregim më vete. Me këtë rast dua vetëm të përkujtoj se për shkencëtarin arkeologjia është shumë më shumë se vetëm atraksion e përfitim i parave.KultPlus.com

Të ngjajshme