Të vdesësh në konferencë shkencore si profesor Molnar Kolaneci

18 Shtator, 2019 - 11:00 pm

Nga: Halil Rama

Një ikje jo e zakontë ajo e Prof. Dr. Molnar Kolanecit.  Ai u nda nga jeta në vigjilje të Konferencës Shkencore “110 Vjet Kongresi i Dibrës – Ngjarje Historike për Kombin Shqiptar”, që u mbajt para pak ditësh nga Shoqata Bashkësia Dibrane në Tiranë, në sallën e Konferencave të Akademisë së Shkencave. U shua krejt papritur, ndërsa ishte i ftuar të asistonte në këtë event historik. Iku mes emocionesh, duke patur në krah mikun dhe bashkëpuntorin e tij shkencor z.Tofik Jegeni, ndonëse ju dha ndihma e menjëhershme parësore,  mjekësore nga Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, Dr. Hekuran Duka dhe me mbështetjen humane të menjëhershme të mjekut të njohur  Prof. dr. Petrit Barës.

Kësisoj, ndërprerja e funksionit normal qelizor të trupit të akademikut të mirënjohur në një ditë historike, e veshi atë me pavdekësi.

Para dy vjetësh, më 2017 ai u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh” pas mbrojtjes me teza shkencore dhe argumenta hidroteknik dhe juridik, të mosdevijimit të Lumit Radika.

Vetëm para disa ditësh, me vendim unanim të Këshillit të Komunës Dibër e Madhe, Republika e Maqedonisë së Veriut, shpallet “Qytetar Nderi” për mbrojtjen shkencore të Lumit Radika.

Eksperti me  kontribut të veçantë në projekte të rëndësishme

Ekpserti i mirënjohur Molnar Kolaneci që gjithkund e në çdo kohë rrezatonte dhe përçonte mirësi, mençuri dhe intelektualizëm të veçantë, ka lindur në Tiranë më 22.06.1948. Studimet e shkollës së mesme i ka mbaruar në vitin 1965 në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Në periudhën 1966 deri në 1971 kryen studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës dega Fizike  (5-vjeçare).

Në vitin 1972 fillon punë në Institutin Hidrometeorologjik të Akademisë së Shkencave. Objekti i aktivitetit kryesor ka qenë studimi i ujërave të Shqipërisë. Mbas një kualifikimi dy-tre vjeçar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe në Institut ka kryer dhe dy specializime jashtë vendit në France dhe Zvicër. Në Zvicër kryen një specializim pasuniversitar prej një viti në fund të të cilit fiton gradën shkencore “Master i Shkencave” (1980). Në vitin 1983 bëhet “Doktor i Shkencave”, gjithmonë pranë Institutit Hidrometeorologjik dhe në vitin 2004 fiton gradën “Profesor Doktor”. Gjatë kësaj periudhe ka marrë pjesë në studime të ndryshme të objekteve ujore (lumenj, liqene dhe dete). Ndërkohë është bashkautor i monografisë “Hidrologjia e Shqipërisë” dhe shumë studimeve me karakter aplikativ. Gjithashtu, si njohës i gjuhëve anglisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht. ka marrë pjesë në projekte të ndryshme ndërkombëtare, si në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë si edhe në mjaft simpoziume e konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Së fundi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në projektet për ndërtimin e rrugëve në vend si edhe për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël.

Lidhja e Molit me  komunitetin dibran e atë akademik

Të thuash i pari të vërtetën “duhet fisnikëri dhe guxim”.   I tillë ishte Moli.

Molinari u lidh mjaft me qytetin e Dibrës së Madhe, e sidomos kur gugule u bë situata mbi ujrat e Radikës, ku pala Maqedonse pa marrëveshje donte të aneksonte rreth 4.7 m/3 ujë në sek.

Kjo situatë vuri në lëvizje komunitetin dibran në Tiranë, në Dibër të Madhe e Peshkopi, ku përmes shoqatës “Bashkësia Dibrane” të Tiranës, u organizuan disa herë protesta në qendër e rrethe, kundër kësaj shkeljeje antiligjore dhe të padakortësuar me ekspertë.

Moli, ankohej shpesh pasi ishte anëtar i komisionit ndërkufitar për ujrat  me pjesën Maqedonase dhe Greke dhe kishte rreth 4 vite që ky komision me ekspertë nuk mblidhej. Radika e vuri në lëvizje mbi situatën, por ai kërkonte të dhëna statistikore, të cilat më në fund i gjeti në Insitutin Sinpotik Meterologjik të Serbisë. Kjo situatë e gëzoj pamasë për të mbledhur fakte të tjera mbi Radikën.

Radikën e rifituan si kauz, pasi u bë sebep  studimi i tre ekspertëve dhe mosdakortësia e Bankës Botërore për të investuar, që marrja e ujrave të mos vazhdone më.  U formua një grup pune i cili pati takime me Kreun e Bashkisë Dibër e Madhe, Dr. Argëtim Fida, më pas me të ndjerin Ruzhdi Lata dhe me Kryetarin aktual Dr. Hekuran Duka si dhe me Kryetarin e Këshillit Komunal            z. Bashkim Mashkulli. U takuan disa herë duke folur me harta në duar mbi ujrat e Radikës dhe rrezikun e shterrimit të tyre në vazhdimësi.

Tofik Jegeni, Molnar Kolaneci dhe kolegu i tyre, juristi Saimir Shatku – Mjeshtër i Madh, bënë një studim shkencor me kënvështrim shkencor dhe juridik, mbi aneksimin e ujrave. Moli u lidh mjaft me këtë situatë. Pastaj të tre bashkëautorët hartuan dhe botuan librin me titull: “Dibra e Madhe dhe Radika” të cilin e promovuan në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në dhjetor të 2016 dhe me shoqatën “Bashkësia Dibrane”.

Nga i gjithë komuniteti dibran në Tiranë e Dibër të Madhe, Moli konsiderohej si shok, si vëlla e mik. Sidomos nga bashkëpunëtorët e tij, profesorë, akademikë e pedagogë  me të cilët kaluan sëbashku vite pune shumë të vështira por dhe të mira. Sepse qenë një gjeneratë që patën fatin e atij heroit të lashtësisë,  i cili vdes porsa arrin i pari maratonën. Dhe në të vërtetë ai ja arriti i pari….Kryetari i Bashkisë Dibrës së Madhe Dr. Hekuran Duka dhe Prof. Dr. Petrit Bara i dhanë ndihën e parë mjekësore, por fati qe i shkruar që ti të mos jetë më fizikisht me ne. Zemra e shkenctarit të mirënjohur pushoi së rrahuri ditën e konferencës historike shkencore për kontributin e personaliteteve dibrane në shtetformimin e kombit shqiptar, në gjurmët e të cilëve eci edhe Ai për vite e dekada. Ai iku duke lënë një trashëgimi të vyer shkencore për studjuesit e sotëm dhe për brezat e ardhshëm. Pikërisht edhe për këtë fakt, për pjesëmarrësit në këtë event të rëndësishëm, si edhe për gjithë komunitetin dibran e atë akademik ai mbetet si legjendë e gjallë e shkencave hidroteknike e meterologjik. Si i tillë,  Prof. Dr. Molnar Kolanecit u përcoll për në botën e përtejme me të gjitha nderimet që i meritonte. /KultPlus.com

Të ngjajshme