“Tërmeti që s’shemb Kalaja”

4 Dhjetor, 2019 - 10:43 am

Qendrim Badalli

Shqipëria është goditur nga një tërmet i fuqishëm i cili ka lënë 50 persona të vdekur dhe qindra të lënduar. Ky tërmet bëri që të shpallet edhe gjendje e jashtëzakonshme teksa ekipe të ndryshme shpëtimi nga Kosova dhe vendet e rajoni qëndruan në Shqipëri, në përpjekje për ta tejkaluar sa më lehtë këtë sfidë. Në vazhdën e dëmeve të mëdha, janë regjistruar edhe dy monumentet kulturore dhe historike: Kalaja e Durrësit dhe ajo e Krujës.

Si Kalaja e Durrësit ashtu edhe ajo e Krujës janë shembur fizikisht dhe vetëm fizikisht, sepse ato përfaqësojnë histori dhe kulturë e cila nuk mund të shembet nga asgjë dhe asnjëherë në kuptime dhe mënyra të tjera. Përpos aspektit kulturor dhe historik, të njëjtat kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë pika shumë të frekuentuara turistike.

Kalaja  e Krujës është kalaja më e vjetër në  gjithë territorin shqiptar. Ajo po ashtu është radhitur si një prej kalave më të mira në gjithë botën. E ndërtuar gjatë vitit 1190, në Krujë qytet ky që ishte bërë më pas kryeqyteti i shtetit të parë autonom shqiptar në mesjetë. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 metra, zë një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore.

Mënyra e furnizimit me ujë është një nga veçantit më të mëdha të kësaj Kalaje, mënyrë kjo e cila e ka bërë këtë Kala të mos vuaj asnjëherë për mungesën e ujit. Brenda territorit të kalasë, në shkëmb rrjedh një burim nëntokësor, i cili del në rrëzë të murit lindor të saj. Ky krua, që përdoret edhe sot në një çezmë, ka qenë rrethuar me një sistem muresh e kullash. Kjo ka qenë njëherit arsyeja e vënies së emrit Krujë këtij qyteti dhe më pas kalasë “Kalaja e Krujës”

Kalaja ka një strukturë arkitektonike teksa materialet të cilat janë përdorur për ndërtimin e kalasë janë kryesisht guri dhe betoni. Kjo edhe për shkak të qëndrueshmërisë të cilën duhet ta kishte kalaja duke pasur parasysh se kohën kur është ndërtuar ka qenë kohë pushtimesh nga armiqtë e Shqipërisë, konkretisht nga Perandoria Osmane.

Kalaja e Durrësit ishte ndërtuar nga perandori i Perandorisë Bizantine, Anastasi, i cili qe origjinën nga Durrësi. Në atë kohë, Anastasius e bëri Durrësin një nga qytetet më të fortifikuara në Adriatik.  Edhe para këtij tërmeti të fundit, Kalaja e Durrësit ka histori tragjike me tërmete që kanë ndodhur në të kaluarën. Kështu, kësaj Kalaje i është dashur t’i riparohen muret meqë kishte pësuar dëmtime të mëdha prej tërmetit shkatërrimtar të vitit 1273.

Kjo Kala, ndër vite ishte përforcuar me disa Kulla të ndryshme, kështu disa kulla roje u ndërtuan nga Republika e Venedikut si dhe gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Kjo Kala, njëjtë si edhe Kalaja e Krujës ka historinë e saj të lidhur me luftë. Kështu, më 7 prill 1939, patriotët shqiptarë luftuan në muret e kalasë fashistët italian që pushtuan Shqipërinë.

Duhet shpresuar që dëmtimi i Kalasë së Krujës dhe i Kalasë së Durrësit nuk ka qenë krejtësisht i madh si dhe në të njëjtën kohë duhet punuar shumë që të ketë një rindërtim të shpejtë të këtyre dy monumenteve kaq të rëndësishme kulturore, historike si dhe turistike për Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar. / KultPlus.com

Qendrim Badalli

Të ngjajshme