Thënie të Bekim Fehmiut: “Kam dashur të tregoj se ne nuk ecim me thika në bel dhe në opinga”

15 Qershor, 2019 - 6:00 pm

Thënie të Bekim Fehmiut mbi jetën, punën, profesionin, karakteret njerëzore…të nxjerra nga libri i tij autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, që përgatiti Fahri Musliu.

“Kur për herë të parë erdha në Beograd nga Prizreni, njëra nga detyrat e mia ka qenë ta luftoj famën e cila akoma kishte mbetur nga e kaluara tek disa njerëz, se shqiptari mund të jetë vetëm ‘shqiptar’ hamall i qymyrit, pastrues, se as mund të jetë edhe aktor akademik. Duke shkuar në botën e jashtme, kam dashur ta kundërshtoj famën mbi Jugosllavinë, e cila ka qenë rezultat i anës së propagandës jo qëllimmirë. Kam dashur të tregoj se ne nuk ecim me thika në bel dhe në opinga, porse krejt normal mund të gjendemi edhe në ‘të mirat’ e asaj bote të tyre”, shkruan sot Koha Ditore.

“Qëllimi im ka qenë që t’i tregoj botës se edhe një shqiptar i vogël mund të jetë njeri i mirë dhe punëtor i mirë. Mirëpo këtë nuk e kam marrë në mënyrë fantastike e të krenohem tash se kush e di çfarë bëra, jo. Qëllimi im ka qenë ta bind dikë se mund të ecim ne përpara, të zhvillohemi dhe t’i japim kontribut shoqërisë, prandaj dihet se kontributin tim edhe po të dojë dikush nuk mund ta mohojë”.

“Unë e gjenerata ime kemi pasur ideale, e kemi pasur cakun përpara dhe ia kemi parashtruar vetes: ta arrijmë atë me qëllim që t’ia bëjmë të mirën vetes e po ashtu edhe kombit”.

“As bomba atomike s’është më e fuqishme se dituria. Nëse bëhemi të ditur mund ta zotërojmë edhe bombën atomike. S’është më violenca, pushka e thika jo, vetëm dituria, e për të arritur deri te ajo duhet punë”.

“Unë jam i dashuruar i teatrit, jo i teatrit në vetvete, por i teatrit si krijimtari artistike që jeton konstant. Dhe pikërisht duke e pasur këtë ndjenjë, atë çast kur qysh moti, moti e hetova se faktorët artistikë po nisin ta thyejnë dashurinë time ndaj teatrit, e kam braktisur. E që do të thoshte Sartri ‘kush humb, fiton’, ndoshta edhe kam humbur për faktin që nuk kam luajtur 17 vjet, por kam fituar me atë që e kam ruajtur atë dashuri të madhe – teatrin”.

Të ngjajshme