‘Ti je atdhetar edhe kur nuk valëvit flamurin në ditën e shënuar’

28 Nëntor, 2018 - 3:29 pm

Nga Lavdie Dobi Banushi

Ti je atdhetar edhe kur nuk je aty ku dëshiron te jesh, në tëndin atdhe.

Ti je atdhetar edhe kur nuk valëvit flamurin në ditën e shënuar.

Ti je atdhetar edhe kur feston me mendje, dëshirë e zemër.

Ti je atdhetar edhe kur këndon nën zë himnin kuq e zi, edhe kur nuk formon me duar shqiponjën me dy krerë.

Ti mbetesh atdhetar edhe kur emigron, se atdhetarizmi nuk është koncept hapësire e kohe, por tepër më shumë.

Ti je atdhetar edhe kur pohon fortazi : ” jam shqiptar”.

Mbetesh po aq atdhetar edhe kur medaljet që merr, ja dedikon dikujt përtej vetëvetes.

Mbetesh atdhetar edhe kur flet katër gjuhë të huaja, por shqipja të identifikon kush je.

Je po aq atdhetar edhe kur vendos ta quash foshnjen jo me një emër ilir.

Je po aq atdhetar edhe kur proteston pa dhunë.

Mbetesh atdhetar edhe kur nuk ja merr valles në shesh, edhe kur nuk ke çifteli varur ne mur, edhe kur nuk ulesh të hash në sofër.

Je atdhetar edhe kur nuk i përket asnjë grupimi politik a oragnizate. Edhe kur nuk ndjek rite, e festa.

Atdhetarizmi është shumë më tepër se kaq. Atdhetarizmi jemi secili prej nesh, jemi shembuj atdhetarizmi, jemi atdhedashës në mënyrën tonë.

Të ngjajshme