Tre vjet pa ilirologun e madh Aleksandar Stipçeviq

30 Gusht, 2018 - 10:28 am

(Autor i këtij shkrimi, Prof. Dr. Naser Ferri, është punonjës i Institutit Albanologjik në Prishtinë, Dega e historisë)

Më 30 gusht 2015 në Zagreb ndërroi jetë arkeologu, historiani, ilirologu, bibliologu dhe mbi te gjitha patrioti dhe njeriu i madh akademiku Aleksandar Stipçeviq. Ai merrej me kulturën ilire (posaçërisht me besime religjioze dhe mitologji), histori, bibliografi, enciklopedistikë dhe sociologji të librit, por ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e ilirologjisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi..

Aleksandar Stipceviq u lind në fshatin Arbanasi te Zarës ne Kroaci më 10 tetor të vitit 1930.

Është njëri nga pasardhësit e arbëreshëve te rrethit te Shkodrës të cilët 300 vjet më parë u shpërngulen në rrethin e Zarës. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj. në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Jugosllavisë (JAZU) e më vonë të Kroacisë (HAZU) në Zagreb.

Në vitin 1954 kishte diplomuar në Fakultetin Filozofik të Zagrebit në Degën e Arkeologjisë, ndërsa në vitin 1977 e kishte mbrojtur tezën e doktoratës me titull „Simbolizmi religjioz tek ilirët“ në Fakultetin Filozofik të Zarës. Një kohë të caktuar kishte punuar në Muzeun Arkeologjik të Zarës, kurse nga viti 1957 ishte shpërngulur në Zagreb dhe kishte filluar punën në Bibliotekën Kombëtare e Universitare të Zagrebit. Në vitin 1974 kishte marr postin e drejtorit në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Jugosllavisë (JAZU) në Zagreb, ndërsa prej vitit 1983 kishte kaluar me punë në Entin Leksikografik Jugosllav (JLZ) „Mirosllav Kërllezha „ (Miroslav Krleža), po ashtu në Zagreb.

Që nga viti 1987 e deri në vitin 1997 ishte profesor ordinar në Fakultetin Filozofik, Dega e Bibliotekarisë, të Universitetit të Zagrebit ku mbante kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë për ilirët, censurën në biblioteka etj. Për më shumë së 50 vjet emri i tij identifikohej me rezultatet me të reja te studimeve ilire.

Veprimtaria shkencore e Aleksandar Stipçeviqit, zhvillohej në disa drejtime, ndërsa dy prej tyre mbesin kryesore: arkeologjia dhe bibliologjia, kurse gjatë karrierës së vet shkencore kujdes të veçantë i kishte kushtuar studimeve në fushën e ilirologjisë.

Veprimtaria e tij shkencore-hulumtuese është e pasur me vlera edhe e gjerë për nga vëllimi meqë prof. Stipçeviq, kishte publikuar disa qindra punimesh shkencore e profesionale, në gjuhën kroate, italiane, angleze, shqipe dhe një varg monografish shkencore e bibliografike siç ishin,:”Arte degli Illiri“(Arti ilir) Milano 1963. (i përkthyer në gjuhën angleze në vitin 1963), „Gli Illiri“(Ilirët), Milano 1966. (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 1967), „Bibliographia Illyrica“, Sarajevo 1967, „Iliri – povijest, kultura, život“(Ilirët-historia, kultura, jeta), Zagreb 1974, 1989 dhe 1991. (i përkthyer në gjuhën angleze në vitin 1977. dhe në gjuhën shqipe në vitet 1980, 1990. dhe 2002), „Bibliografija antičke arheologije u Jugoslaviji 1-2“(Bibliografia e arkeologjisë antike në Jugosllavi), Sarajevo 1977, „Kultni simboli kod Ilira“(Simbolet e kultit te ilirët), Sarajevo 1981. (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitet 1983., 1990. dhe 2002), „Povijest knjige“(Historia e librit), Zagreb 1985. (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 1988. i 2000, në gjuhën arabe në vitin 1993 në Kuvajt, në persishte në vitin 1994, dhe i ribotuar në gjuhën arabe në vitin 2013 në Aman), „Cenzura u knjižnicama“(Censura nëper biblioteka), Zagreb 1992., „O savršenom cenzoru“(Mbi censorin e përkryer), Zagreb 1994. (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 2002), „Interpretime albanologjike“, Shkup 1994., „Kulturno povijesni spomenici u Arbanasima“(Monumentet kulturo historike në Arbanasi), Zadar 1977, „Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa“(Kultura tradicionale e arbneshëve të Zarës), Zagreb 2011 (i përkthyer në gjuhën shqipe në vitin 2012).

Veprat e tij u përkthyen në shumë gjuhë botërore, ndërsa disa nga këto së fundi u përkthyen edhe në gjuhën shqipe, atë arabe dhe persishte.

Në vitin 1983 profesori Stipçeviq ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës (ASHAK) kurse prej vitit 2001 ishte anëtar i huaj (Socio straniero) i akademisë prestigjioze Accademia Marchigiana di Scienze, Lettere ed Arti në Ankona të Italisë.

Deri në qershor të vitit 2014 profesori Stipçeviç ishte aktiv në jetë e shkencë, ndërkaq në qershor 2014 i kishte pësuar disa sulme të njëpasnjëshme në tru dhe disa muaj pas kësaj gjendja e tij shëndetësore shkonte duke iu përkeqësuar dhe për diç më shumë se një vit ai gjendej i vendosur në institucione përkatëse nën mbikqyrjen e mjekëve.

Për shkaqe të problemeve shëndetësore që nga fundi i vitit 2014 ishte thuajse i palëvizshëm.

Në shenjë respekti dhe falënderimi për punën e tij shkencore, në vitin 2001 ishte dekoruar nga ana e Presidentit të atëhershëm të Shqipërisë z.Rexhep Mejdani me dekoratën e artë “Naim Frashëri” për kontributin në “ndriçimin e historisë së ilirëve”, ndërsa në fillim të vitit 2015, respektivisht më 3 shkurt, profesori Stipçeviq ishte nderuar edhe me dekoratën “Skënderbeu” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ceremonia solemne e ndarjes së kësaj dekorate ishte organizuar ne Ambasadën Shqiptare në Zagreb.

Mirënjohjen “Skënderbeu” kryetari i Shqipërisë e jep për shqiptarët më të njohur dhe për miqtë shqiptarë për kontribut të madh në promovimin e kulturës shqiptare dhe në përparimin e shtetit shqiptar në botë.

Për fat të keq, mirënjohja dhe i medalja, “Skënderbeu“ e kryetarit z.Bujar Nishani, nuk i është dorëzuar personalisht profesorit Aleksandar Stipçeviq, për shkak të gjendjes tejet të rëndë të tij shëndetësore por bashkëshortes së tij prof.Angjelka Stipçeviq, në prani të tre djemve: Ennio, profesor i muzikologjisë, Mario, profesor i fizikës dhe Branimir Stipçeviqit, udhëheqës i përpunimit kompjuterik në Bibliotekën Universitare në Zagreb.

Nderimi i jetës dhe i veprës së profesorit Stipçeviq nga ana e Kryetarit Nishani dhe nga ana e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë sado i vonuar ishte një satisfaksion moral për familjen Stipçeviq, ndërsa mosbërja të asgjëje nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës për një shkencëtar të kalibrit të tij, i cili kishte kontribuar shumë në lëmin e arkeologjisë, ilirologjisë dhe kulturës shqipëtare është e pakuptueshme, aq më tepër kur dihet se prof.Stipçeviq për dekada të tëra ishte promovues dhe ambasador i kulturës shqiptare jo vetëm në Kroaci dhe rajon, por edhe në tërë botën.

Profesorin Stipçeviq e pata nderin ta njoftoj në vitin 1974, kur isha student në Zagreb, dhe edhe pse nuk e pata profesor kurrë, prej asaj kohe e kisha koleg e mik të shtrenjtë.

Akademiku Aleksandar Stipçeviq ka qenë dhe ka mbetur një personazh i madh si shkencëtar, por mbi te gjitha si njeri i cili i kishte nderuar rrënjët e veta arbëreshe, kishte ruajtur gjuhën amë-arbëreshe, ishte mburrur me origjinën e tij dhe me punën e vete e ka nderuar mbarë kombin shqiptar.Akademiku Aleksandar Stipçeviq ka dhënë kontribut të rëndësishëm ne fushën e ilirologjisë (librat e tij “Arti ilir” dhe “Ilirët” nuk kanë qenë të parët në këtë fushë, por ishin të parët të cilët i kishin promovuar ilirologjinë dhe ilirët jashtë botës shqiptare dhe ballkanike).Gjatë shumë viteve prof.Stipëeviq kishte punuar në sajimin e bibliografisë ilire (Bibliographia Illyrica) në të cilën është përmbledhur çdo gjë që ishte shkruar për ilirët deri në momentin e botimit të këtij libri.Po ashtu është marrë edhe me traditën e të parëve të vet-arbëreshve të Zarës dhe me shumë çështje të tjera me interes për ilirologjinë dhe për kombin shqiptar.

Vdekja e profesorit Stipçeviq është humbje e madhe jo vetëm për shqiptarët por për shkencën në përgjithësi, e posaçërisht për ilirologjinë.Një shkencëtar i kalibrit të Stipçeviqit lind një herë dhe nuk përsëritët. Ajo që është e dhimbshme është se ne, shqiptarët e kemi çmuar pak, ose më mirë të themi nuk e kemi vlerësuar sa duhet.Për të gjitha çka ka bërë Stipçeviqi për kulturën shqiptare ne i kemi mbetur borxh.Ç’është e vërteta profesori për një kohë ka ligjëruar në UP (1970-1973), pastaj në vitin 2002 redaksia e revistës “Dardania Sacra” (prof.Engjell Sedaj, kryeredaktor dhe autori i këtyre rreshtave, Sekretar i redaksisë) e ka ftuar në Prishtinë ku i ka mbajtur dy ligjërata: në Fakultet Filozofik dhe në Institut Albanologjik dhe po ashtu, me rastin e 70 vjetorit të jetës, atij iu ishte kushtuar një numër tematik i revistës “Dardania Sacra”(nr.2/2002).Disa vite më vonë, respektivisht më 2009, ishte ftuar në Prishtinë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Iliria dhe Ilirët” të cilën e kishte organizuar Kolegji „Iliria“ me ç’rast ishte nderuar me çmimin e veçantë: “Anëtar Nderi i Bordit të Kolegjit ILIRIA”.Në vitin 2012 Instituti Albanologjik ia kishte përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe librin “Kultura tradicionale e arbneshëve të Zarës“.Këto, së bashku me përkthimin e disa veprave të tjera të tij në gjuhën shqipe (Ilirët, Simbolet e kultit te ilirët, Historia e librit) disa recensione të shkruara për veprat e tij (Ilirët, Simbolet e kultit te ilirët) nga autori i këtyre rreshtave dhe një emision dokumentar mbi jetën e veprën e tij të përgatitur dhe emituar në mars të vitit 2015 nga TV Dukagjini të Pejës, ishin të tëra çka kishin bërë Kosova dhe kosovarët për profesorin Stipçeviq.

Në nëntor të vitit 2014 e pata vizituar Profesorin në shtëpi të pleqve në Zagreb, dhe ia solla nga Doha e Katarit veprën e tij “Historia e librit” që ishte ribotuar në gjuhën arabe në Aman në vitin 2013 e përkthyer nga Prof.Muhamet Mufaku Arnauti.Ky ishte edhe takimi ynë i fundit.

Duhet theksuar arritjet njerëzore të profesorit Stipçeviq: ai ishte lindur dhe jetonte në Kroaci, për një kohë të gjatë i përndjekur nga regjimi komunist, por asnjëherë nuk e kishte harruar gjuhën arbëreshe dhe origjinën e vet shqiptare.Aq sa ka bërë me pendë, profesori Stipçeviq ka bërë duke u ndihmuar profesionalisht dhe në çdo aspekt tjetër shumë shqiptarëve kur ata kishin nevojë, dhe ky është një nga gurët në monumentin që ai ia ngriti vetës për së gjalli.

Akademiku Stipçeviq ishte edhe ambasador dhe promotor i kulturës kombëtare shqiptare meqë i tubonte te gjitha botimet dhe të gjitha të dhënat (audio, video, materiale të shkruara e tjera) lidhur me arkeologjinë, historinë, etnologjinë, folklorin dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.dhe çdo shkencëtar që interesohej për çështje të ndryshme të kulturës ilire e shqiptare i referohej profesorit Stipçeviq, i cili pos njohjes së madhe të arkeologjisë dhe të kulturës ilire e shqiptare në përgjithësi, kishte grumbulluar në banesën e tij edhe një fond tejet të pasur të literaturës përkatëse lidhur me kulturën ilire dhe shqiptare në përgjithësi për çka për shumë vite edhe ishte persekutuar nga regjimi monist sllav dhe për një kohë të gjatë nuk i ishte lejuar puna në Universitet. Për këtë arsye edhe të gjithë shkencëtarët e huaj, gazetaret apo kushdo tjetër që interesohej për të kaluarën dhe kulturën shqiptare i referohej profesorit Stipçeviq.

E çka kanë bërë institucionet shtetërore të Kosovës për te?Asgjë !

Pjesa më tragjike e jetës së tij ishin vitet 2014 dhe 2015, kur Profesori është sëmurë dhe ishte detyruar të qëndronte në shtëpi të pleqve (fillimisht në fshatin Odra afër Zagrebit e së fundi në Zagreb), ndërsa për shkak të shpenzimeve të larta rreth qëndrimit në këto institucione dhe të shërimit bashkëshortja e tij ishte detyruar ta shiste bibliotekën e tij të vlefshme (të cilën ai e kishte tubuar tërë jetën) për ti siguruar mjetet e nevojshme për varrimin e të ndjerit.

E asnjë qeveri shtetërore, as ajo e Shqipërisë, as ajo e Kosovës, nuk e bënë as gjënë më të vogël për t’i ndihmuar këtij njeriu dhe miku të madh sa ishte i sëmurë, madje nuk e organizuan asnjë mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së tij !!!

Të ngjajshme