Tregim: Mëkati dhe pendimi i arsyeshëm

22 Prill, 2020 - 6:30 pm

Shkruan: Ibrahim Berisha

Mëkati dhe pendimi i arsyeshëm

Ndodhi Iblisi të mashtrojë, joshi të bëjë mëkat Hava, por mëkati i saj krijoi botën humane, bota a është mëkat, njeriu nga mëkati është krijuar, disa kemi me pak e më të mëdha e disa më shumë e më të vogla; mëkati mësoi për t’u penduar, njeriu dhe mëkati u bënë bashkë, në fillim nuk kishte mëkat, Perëndia i krijoi të gjitha, njeriun e krijoi në fund, e krijoi Iblisin-djallin nga zjarri, vendosi të krijojë edhe një krijesë nga balta së cilës të gjithë iu përkulen, të gjithë e pranuan, djalli refuzoi përkuljen, ky si mbret refuzoi-unë nga zjarri jam s’i përkulem atij nga balta, i pari djalli bëri mëkat te perëndia, refuzoi të përkulet, Iblisi armik i hapur i njeriut, pastaj hakmarrja ishte e pamëshirshme, më jep kohë mu’ – i thotë Perëndisë – deri në ditën e fundit a në ditën e kiametit, i bëj për vete – i thotë Perëndisë, – me ty nuk do të mbesë as një njeri, Perëndia i thotë – të gjitha çka i bënë për vete do t’i do t’i marrësh, si djalli dinak Iblisi filloi nga Ademi dhe Hava, kanë qenë vetëm ata dy njerëz në botë të botëve, po Ademi nuk ishte lodër e lehtë, Ibilisi iu qas pastaj Havës, e gjora, djalli e mashtroi, ajo kafshoi e hëngër një nga pemët e ndaluara (Bibba e përcakton mollë, Kur’ani frut), mollën e ndaluar, mëkati fillon jo nga fruti por nga kafshimi, krejt jeta është mëkat mbas ngrënies së një kokrre, mëkati armiqësia dhe ndëshkimi vërshojnë si shiu si bora si zjarri, burri dënohet të punojë krejt jetën e tij për një kafshatë goje, gruaja të mbajë fryt në bark nëntë muaj pasi e hëngri frutin e ndaluar-shtatzënë, po mos ta kish hëngër a kish me pas mëkat, a kisha me qenë unë a kishe me qenë ti, po t’mos ishte mëkati në këtë botë do t’ kishin mbet bashkë përherë vetëm Ademi dhe Hava, do t’

jetonin në paqe jo si burrë e grua e bashkëshortë, por si mashkull dhe femër pa u ndjerë, pa mëkat dhe pendim, pa gjykim dhe ndëshkim.

Ps. Molla ndalohet pasi është pema e sherrit, pasi me kafshimin e saj fillon zbulimi i çdo gjëje, Iblisi shërbehet me ato trillimet e tij, provon te Ademi po ai i vendosur dhe i bindur me fjalën që ia kish dhënë Perëndisë e sheh se nuk po bindet, atëherë fillon me gruan dhe ajo e gjora luhatet, Zoti na ruajt nga mashtrimet, – i thotë Havës, – nëse han nga kjo pemë ti do bëhesh udhëheqëse e do ta mposhtesh Perëndinë, dëshira e madhe të udhëheqë dhe të bëhet e mençur, e zbret në mëkat, me frytin zihet shtatzënia, mollën e sherrit, mbasi e ha vet Hava, i thotë Ademit provoje, ai djalë i urtë e kafshon mollën; Ademi kërkon falje, Perëndia e fali por nuk e fali krejt, Ademi nuk ka bë mëkat edhe pse gaboi, e dëgjoi Havën, po Perëndia i ndëshkoi të dy, bashkëshortë – i solli në tokë dhe u tha se këtu do jetoni për një kohë, do të hani shumë mollë; kështu edhe vdekja që ne e bartim me vete që nga dita e lindjes erdhi bashkë me ata, ajo e fundme vjen dhe na merrë bashkë me mëkatin dhe pendimin tonë të arsyeshëm; edhe kështu ndodh përsëritja e ardhshme.

Të ngjajshme