Uk Lushi: Zemra shqiptare nuk është ndarë kurrë

30 Nëntor, 2019 - 9:04 am

Analisti i njohur nga Amerika dhe ish-pjesëtari i Batalionit Atlantiku të UÇK’së, Uk Lushi ka shkruar se zemra e shqiptarit nuk është ndarë kurrë.

Lushi ka thënë se shqiptarët nuk janë ndarë kurrë, kjo sipas tij është dëshmuar prej se kur i ndanë më 28 Nëntor të vitit 1912.

Ai ka thënë se bashkimi kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të shtyhet më, liderët e politikanët shqiptarë që kanë premtuar këtë dhe janë duke punuar duhet që këtë ta realizojnë.

Postimi i plotë nga Lushi:

Zemra shqiptare nuk është ndarë kurrë.

Kjo është dëshmuar prej vitit kur na ndanë pas shpalljes së mvehtësisë si NJË KOMB dhe SHTET më 28 Nëntor 1912.

Kjo zemër e pandarë u pa sidomos gjatë tragjedisë së tërmetit të këtij nëntori në formën e një referendumi absolut.

Problemi i (ri)bashkimit tonë ka qenë ndarja e mendjeve shqiptare. Koha i ka ardhur bashkimit të mendjeve dhe ato duhet të prodhojnë platformën dhe strategjinë.

Liderët dhe faktorët që kanë premtuar se do të punojnë për bashkimin nuk mund të mbijetojnë dhe do të luftohen me çdo mjet po s’vepruan dhe punuan konkretisht për bashkimin e Tiranës dhe Prishtinës. Liderët e faktorët që do të provojnë ta ndalin apo ndalojnë këtë rezultat natyror do të hidhen në koshin e plehërave historike.

Bashkimi i Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nuk guxon të shtyhet më shumë se gjysëmdekade.

Ne nuk mund funksionojmë të pabashkuar me zemër dhe mendje. Ne nuk mund të bëhemi të fortë dhe njerëz që krijojnë vlera civilizuese dhe historike pa u bashkuar me shpirt dhe tru. Bashkimi sjell sigurinë, forcimin, mirëqenien dhe pavarësinë. Improvizimet nuk ecin më.. / KultPlus.com

Të ngjajshme