Ukaj: Po qarkullon një pseudo humor në të cilin ofendohen dhe përqeshen rënd katolikët

16 Janar, 2021 - 11:48 am

Nga Ndue Ukaj

Katolikët, mishi i derrit, shkijet dhe shoqëria e pjerdhur e tallava që reagon e gulçon për çdo gjë dhe që bëhet e shurdhër dhe e vërbër në tema ku përbuzet bashkësia katolike shqiptare, siç ngjet në një pjesë pseudo humori ndërmjet Naser Rafunës dhe Sabri Fejzullahut.

Ka disa ditë që qarkullon një pseudo humor që e ndotë edhe më shumë mjedisin tonë social e kulturor dhe të cilën u nxita ta dëgjoj pasi më kërkuan disa miq.

T’ iu thëm të drejtën, ka vite që nuk e përcjell pseudo humorin që gëlon në Kosovë, për shkak se është i rënduar nga banalitete, nga një gjuhë e përçartë dhe nuk shquhet për kurrfarë bukurie artistike.

Por tani kjo është çështje shije dhe nuk është temë e këtij reagimi. Madje edhe për faktin se shijet e kultivuara përditë e më shumë i përkasin një pakice të vogël në vendin tonë.

Por të dalim te “humori” në fjalë.

Bëhet fjalë për një “humor” tallava në të cilin ofendohen dhe përqeshen rënd katolikët, madje deri në shkallë racizimi.

Duke kaluar nëpër Shqipëri, këta të ashtuquajtur aktorë, shohin aty mbishkrime se hahet mishi i gicit, pra derrit. Dhe aktorët përdorin fjalë e etiketa të rënda kundër atyre që hanë mish derri.

Miq, u trishtova.

Sepse kjo gjuhë e këto etiketa fëmijët tanë i përjetojnë edhe në jetën reale dhe ky nuk është veç humor, siç mund të pretendon dikush kuturu. Prapa tij ka etiketa. Dhe etiketat që u mvishen një grupi të caktuar shoqëror, janë forma e parë prej ku ngjizet gjuha e urrejtjes, që pastaj kalon në forma tjera të egra të fashizmit.

Miq, u trishtova sepse ky soj humori mbjell mosdurim, urrejtje dhe edukon qindra e mijëra të rinj me mendime negative për bashkëkombasit e tyre katolikë, por edhe pjesën tjetër të botës.

Miq u trishtova, sepse mendimet e tilla ka vite që na ndajnë nga perëndimi, me të cilin vetë kemi qitë mure të pakalueshme, duke përdorë gjithfarë etiketash kundër tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme