‘Unë jam feministe dhe nuk mund t’i toleroj abuzimet në emër të gjinisë’

28 Gusht, 2019 - 4:13 pm

Gresa Hasa

Ana Brnabić është kryeministre e Serbisë prej datës 29 qershor 2017. Grua. Lesbike. Bazuar në stereotipizimin liberal ndaj grave dhe personave LGBT+, pritshmëritë ndaj kësaj kryeministreje do të nënkuptonin një program dhe politikbërje emancipuese pasi asosacioni parësor dhe emocional në lojën e politikave të këtilla identitare, do t’i mvishte kësaj gruaje cilësi që lidhen a priori me këto identitete që ajo përfaqëson.

Por Ana Brnabić është fashiste. Ajo mohon genocidin në Bosnjë; mohon luftën dhe masakrat në Kosovë; ka një qasje thellësisht shoviniste ndaj fqinjëve dhe retorika e saj është përçarëse e nxitëse për konflikt (brenda dhe jashtë shoqërisë ku shërben). A duhet të ketë përkrahje kjo politikane vetëm ngaqë ajo është grua? Nuk më rezulton kështu. Një politikane si Ana Brnabić është lajm i keq për gratë dhe burrat e shoqërive tona.

Identiteti gjinor dhe orientimi seksual nuk janë kusht për politika zhvillimore dhe tkurrje të pabarazisë shoqërore. Kusht për ndryshime shoqërore reale është një program politik racional, i nxitur nga një mendësi emancipuese politike, idealizëm e vërtetësi.

Nëse ju vërtetë kërkoni të drejta të barabarta mes grave dhe burrave në secilën fushë të veprimtarisë shoqërore, atëherë filloni t’i trajtoni gratë dhe burrat njëlloj në profesionin e tyre, duke mos i reduktuar të parat te gjinia dhe duke mos e zhvlerësuar aktivitetin e tyre politik.

X parti ka propozuar një kandidate? Bukur! Ç’ideologji, ç’program elektoral e politika përfaqëson kandidatja dhe partia? Hajde pra, le të flasim për politikë!

Unë jam feministe dhe nuk mund t’i toleroj abuzimet në emër të gjinisë.

Të ngjajshme