‘Unë nuk dua të jem perandor, s’është punë për mua, s’dua as të pushtoj as të drejtoj njeri’

9 Janar, 2020 - 2:30 pm

Fjalimi i Çarli Çaplinit konsiderohet si një prej fjalimeve më të fuqishëm në histori. Duke marrë parasysh referencat antinaziste që përmban fjalimi dhe faktin se është publikuar në vitin 1940, kohë kjo kur Hitleri ishte ende gjallë dhe në pushtet.

Fjalimi

Më vjen keq, por unë nuk dua të jem perandor, s’është punë për mua. Unë s’dua as të pushtoj as të drejtoj njeri. Do doja t’i ndihmoja të gjithë sa më shumë të mundesha, çifutët, të krishterët, paganët, të zinjtë e të bardhët. Të gjitha ne qeniet njerëzore do të donim t’i ndihnim po të mundeshim, qenia njerëzore është ndërtuar kështu. Ne duam t’i japim lumturinë të afërmit tonë, jo ta shtyjmë në të keqe. S’duam as të urrejmë as të poshtërojmë njerëz në këtë botë.

Secili prej nesh ka vendin e tij në tokë, e natyra është e pasur, ajo mund t’i ushqejë të gjitha qeniet njerëzore. Të gjithë mund të kemi një jetë të bukur dhe të lirë por këto i harrojmë. Lakmia e ka helmuar shpirtin e njeriut, e ka bllokuar botën me urrejtje, na ka bërë të biem në gropë të varfërisë e në rrëketë e gjakut. Edhe shpejtësinë që e zhvilluam, e zhvilluam për t’u mbyllur në vete. Makineritë që i kemi me bollëk, na kanë lënë në batakun e pakënaqësive.

Dija na bëri të ktheheshim në cinikë. Jemi kthyer në jo-njerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet. Jemi mekanizuar shumë, e na mungon njerëzillëku. Jemi shkolluar shumë por na mungon zemërbutësia dhe mirësjellja. Pa këto cilësi njerëzore, jeta s’është veçse dhunë dhe gjithçka është e humbur. Avionët edhe radiot na afruan me njëri-tjetrin por këto shpikje nuk do ta gjejnë kurrë kuptimin e tyre të vërtetë veçse në lumturinë e qenies njerëzore, veçse në vëllazërimin, në miqësinë dhe bashkimin e gjithë njerëzve.

Në këtë moment zëri im arrin miliona njerëz në gjithë botën, miliona burra, gra e fëmijë të dëshpëruar. Viktima të një sistemi që i torturon të dobëtit dhe i burgos të pafajshmit. Ja ku ua them te gjithë atyre që kanë vesh të më dëgjojnë : Mos u dëshpëroni ! Mallkimi që është mbi ne s’është veçse produkt kalimtar i sjelljeve, zemërimi i atyre që kanë frikë nga progreset që arrihen nga Njerëzimi. Urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin, e pushteti që ua kishin marrë njerëzve do t’i kthehet sërish njerëzve. E derisa për lirinë ende e japin jetën, ajo s’ka për t’u mposhtur. / KultPlus.com

Të ngjajshme