займ на карту онлайн потребительский кредит

Vepër e kulluar e artit poetik

16 Dhjetor, 2017 - 2:30 pm

Shkruan Sejdi Gashi

Kujtim Mateli me librin me poezi “Qetësojmë shpirtin e trazuar”.

Puna sistematike disavjeçare prej krijuesi, vrojtuesi dhe studiuesi të zellshëm të kulturës shqiptare përgjithësisht, skalitjet, hetimet dhe kritikat mbi kulturën materiale e shpirtërore, të gjitha këto të bëra me përkushtim, kanë bërë që emri i studiuesit dhe autorit Kujtim Mateli të jetë i njohur për rrethin intelektual shqiptar.

Kësaj radhe, ky krijues i zellshëm dhe mjeshtër i letrave shqiptare, në mjedisin artdashës po paraqitet me vëllimin poetik: “Qetësojmë shpirtin e trazuar”. Siç mund të vihet re që në titullin e veprës, autori para nesh sikur paraqet një lloj paranteze përmes të cilës na bëhet i njohur preokupimi kryesor i autorit, pra fati i atdheut, fati i shqiptarëve. Tipi i krijimtarisë si dhe ideja qendrore që autori Mateli e ka paraqitur në përmbledhjen poetike “Qetësojmë shpirtin e trazuar”, është për t’u çmuar lart.

Në poezitë e këtij vëllimi ndihet shqetësimi se disa gjëra nuk po marrin zgjidhjen e duhur, një dorë misterioze e ka ndërlikuar çështjen shqiptare. Po edhe vetë ne shqiptarët, me paaftësinë dhe servilizmin e disa politikanëve, u kemi hapur oreksin fqinjëve tanë grabitqarë, që ende kërkojnë t`na zhvatin troje e hapësira detare. Autori e qorton rëndë brezin e sotëm sepse: Gjërat e thjeshta i lidhim nyje/Dhe i hedhim udhëkryqeve ku do të kalojnë fëmijët tanë,/Gjithnjë e më shumë po e rrudhim rrethin e kujtesës”.

Ky vëllim përmban poezi që shprehin ndjenja të forta për jetën dhe vdekjen, për dashurinë dhe ndarjen, ku përballen estetikisht e bukura dhe e shëmtuara. Në këtë përballje dhe kundërvënie, zbulohet misioni i njeriut, që me qenien e tij i jep jetë dhe frymë planetit Tokë. Në ciklin poetik “Në verilindje të Atdheut” me nota poetike, autori shpreh dhembje dhe lëngim për ndarjen e pa drejtë që u është bërë shqiptarëve përgjatë historisë dhe njëkohësisht gjen vargje të frymëzuara nga heroizmi dhe mençuria kosovare që i sollën lirinë kësaj pjese verilindore të Atdheut.

Cikli i titulluar “Brigjeve të Vardarit, është pjesa e fundit e librit, ku autori në poezinë “Fisnikëri shkupiane” shpreh ndjenjat e tij më të larta e fisnike, për një botë shqiptare, për një hapësirë gjeografike që frymon dhe jeton shqip, pra për Shkupin e lashtë. Këtu në Shkup thotë autori: “mendimi merr formë e bëhet yll,/ Bëhet erë gjethi dhe bleron lisin e shenjtë të Atdheut”.

Me plot gojën mund të thuhet se përmes kësaj përmbledhjeje poetike, autori ynë, ka ndërtuar artistikisht biografinë e kombit shqiptar.

Të ngjajshme