Videoklipet e Agonit, apo arti si terapi antistres

21 Qershor, 2020 - 10:07 pm

Nga: Afrim Demiri

Pandemia si provokim artistik

-Atë që dikur, nëpër faza të ndryshme kohore e kanë bërë Tafë Kusuri, Mixha Ramë, Qeshë e ngjesh , Jemi etj., nëpërmjet tipeve të ndryshme të komikës, për të përballuar sa më lehtë realitetin tonë sa të rëndë po aq të vrazhdë politik, gjatë pandemisë e ka bërë Agon Myftari me video- clipet e tija kararakteristike të tipizuara nëpërmjet shumë karaktereve.

Qershor 2020- Pandemia COVID-19, solli një mbyllje të rëndë në rrethana e izolim të detyrueshëm. E gjithë ajo, që deri dje ishte përditëshmëri normale u tretë dhe u kthye në mungesë të padurueshme. Komunikimi njërëzor u cenua deri në përmasat e një vetmie globale dhe distanca sociale u kthye në një normë befasisht ‘normale”. Krijuesit, dita- ditës të gjetur në një kurthë të tillë filluan të ndjejnë si obligim të sjellin artin e tyre për publikun si një terapi e veçantë për të kapërcyer stresin, i cili filloi të godas psikologjinë e të menduarit të njerëzve. Dikush me poezi, dikush me këngë, ndonjë tjetër me karikaturë shprehnin jo vetëm solidaritetin njerëzor, por jepnin shembullin e kurajës qytetare se do të ngadhnjejmë mbi këtë zezonë. Teatri Kombëtar, në bashkëpunim me teatrot e qyteteve filluan të jepnin shfaqjet në rrjetet sociale. Teatri klasik mori dimensionin e teatrit elektronik. Përditshmëria nga rruga, u bartë tek rrjetet sociale. Gjithëçka I nënshtrohej një ridemensionimi! Atëherë kur rëndohej komunikimi kulturor, kurse rrjedhat politike rënduan mbi pandeminë, filluan edhe vido-clipe familjare si dhe mesazhe të njerëzve publik apo të zakonshëm të bëjnë thirrje dhe të përcjellin mesazhe solidariteti. Mirëpo si qershia mbi tortë në këtë shkretëtirë kulturore u shfaq arti multimedial i Agon Myftarit, nëpërmjet video-clipeve specifike të disa karaktereve tipike që të nxjerr athëtinë e kohës, nëpërmjet një zhanri komik të fjalës.
Në një formë krejt të re dhe të panjohur për artin tonë multimedial, regjisori Myftaraj , vendosi personalitetin e tij në rolin e disa karaktereve të “huazuara” nga rajonet tona, për të përfolur me një gjuhë artistike mentalitetin e njerëzve tanë të situatave aktuale si dhe ato të historisë së afërt.

Atë që dikur, nëpër faza të ndryshme kohore e kanë bërë Tafë Kusuri, Mixha Ramë, Qeshë e ngjesh , Jemi etj., nëpërmjet zhanreve të ndryshme komikës, për të përballuar sa më lehtë realitetin tonë sa të rëndë po aq të vrazhdë politik, gjatë pandemisë e bëri Agon Myftari me video- clipet e tija kararakteristike të tipizuara nëpërmjet këtyre karaktereve të retushuara nëpërmjet filterëve të snapchat-it.
Protagonistët e Agonit, krijojnë komikën sa nga gjestikulacioni i fytyrës së përpunuar në “pasqyrat konkave dhe konvekse” sa nga fjalët që identifikojnë njeriun tonë margjinal, të frustruar, stresant , nostalgjik apo të harruar. Nëprëmjet rrëfimeve plot imagjinatë që luhatet nga arkaizmi, infantiliteti apo edhe nga snobizmi , personazhet “alla” Agon, shpërthejnë shtresat monotone të pandemisë dhe reflektojnë një art të ndjenjës së çliruar nga rrethanat, ku ka ra individi. Siç është shpreh Simon Critchley, “humori është një formë e antropologjisë kritike shoqërore, që e bën të njohurën të panjohur, e bën demitizimin ekzotik dhe ia kthen botën, mendjes se shëndoshë”. Andaj Përparimi- Perpi, nostalgjiku mitrovicas, e kthen situatën kur gjërat janë dukur normale nga këndvështrimi i një të riu apo atëherë kur miti për Trepçën ka thurrë krenarinë tonë. Kurse Astriti- emri tipik gjakovar, ruan stereotipin për gjakovarin e “mençur”, vizionar. Duke ditur se komedia e kakrakterit thekson mbistresin , shpërqëndrimin e personit, ndërsa komedia e situatës shpreh mbistresin, shpërqëndrimin e rrethanave, atëherë komedia e fjalëve përfshinë komedinë që shprehet me gjuhë dhe që krijohet nga gjuha. Tek videot-clipet e Agonit këto tipe të komedisë sikur bashkëdyzohen dhe i kemi në një vend, atë të karakterit dhe të fjalës të ndërlidhura më atë të situatës.

Personazhi i Besit nga Vranjevci, sa i traumatizuar dhe i margjinalizuar shpërfaqë arsenalin e fjalëve gjithashtu të harruara të një të folme arkaike si Qpllau, trumhaz, zding zding, fiiiing,. dumka dumka, shkoklu, ngërzhatë,zhagitje
etj. Kurse Sinani ferizajas, sikur nxirret nga nëntoka për të projektuar strategjitë konspirative. Motoja e tij “ Be m;boni njani, rren nuk kie” dhe shpalimi i dyshimeve të formës “, shtate kat nëntokë në Bondsteell bojnë eksperimente te uraniumit”, tipizon naivitetin e njeriut tonë dhe viktimizimin e tij injorues nga përfoljet së koti, mbi të cilat shpesh krijohet një diksurs konspirativ i cili prekë edhe analistët e studiove. Në këtë konteskt është i çmueshëm mendimi i Henri Bergsonit, kur ai flet për humorin që realizohet në gjuhën që krijohet komedia. “Në rast se gjuha është ajo që është komike, atëherë struktura dhe format e gjuhës që krijon komikën janë baza për realizimin e komedisë. Gjuha që krijon komiken është krijuar brenda kulturës së vet dhe shpesh është shumë e vështirë të tingëllon si qesharake jashtë saj, për apo në kulturat tjera”. Vërtetë nuk e di se si këto video-chlipe të Agonit do të tingëllonin në gjuhë të tjera, apo duhet të tërheqim paralelet se as komedia e zezë angleze shpesh nuk ngjallë të qeshurat tek ne. Dmth duhet kuptuar dhe pranuar se ekziston një humor etnik, i cili shtrihet në kuadër të hapësirë të caktuar kulturore.

Kështu që personazhi I Avdylit, sjell proverbat e Nastradinit, nëpërmjet simbolikave, të caktuara të ndërlidhuar me realitetin aktual politik, apo Blerimi pejan paradokset e sjelljes së politikaneve, interesat e ulta i sjell si një humor të mbështetur në përfoljet urbane.
Noli i Prishtinë mund të kundrohet si një snobist i rritur në Prishtinë, apo i dalur nga një TV studio, ku analistët krijojnë kakofoninë “ A u bo mirë që ra Qeveria. Jo nuk u bo mirë hiç, nashta edhe u bo”?!, Pastaj t’kallxon ç’ka osht Metropoli,politika e përditshme, mini-Shengeni etj.

Sipas Agon Myftarit këto video-klipe, kanë lindur rastësisht, si një art i mungesës, falë ndihmës së filterave në snapchat, dhe në fillim ka qenë synimi të jetë arti i një grupi të caktuar të miqëve të tij , por më vonë ka zgjeruar idenë. Agoni artin e tij e ka pa si art të terapisë, për kapërciminin e karantinës ku janë shpreh problemet ekonomike, sociale e politike.
“Janë si filter i politikës, si batuta, barcoleta spontane, jeta e personazheve si frymezim krijimi”, është shpreh, për media, regjisori, skenaristi dhe aktori Agon Myftaraj.
Është me peshë mendimi Critchley, kur thotë se “humori është, pra, ajo që na rikthen në vendin tonë, në një etos unik që kryesisht identifikohet me njerëz të caktuar me zakone dhe karakteristika të zakonshme. Sipas tij ” Kjo është arsyeja pse humori merret si një nga mënyrat e identifikimit me njerëzit tanë, por dhe me mënyrat e të dalluarit”.

Gjithsesi humori nuk është vetëm për të qeshur, ai kapërcen situatat e argëtimit dhe krijon reflektim më të thellë. Gjuha brenda humorit shpreh fuqinë e saj të të rrëfyerit. Personazhet e Agonit, prej etosit deri tek etnosi, na kanë sjelllë liri të veçantë gjatë kohës së pandemisë, por edhe preokupim kush jemi ne dhe si sillemi ne.
Është e njohur që në kohë pandemie William Shakespeare prodhoi disa nga veprat e tij më të mira, po ashtu Njutoni zbuloi gravitetin si dhe shkrimtari Giovanni Boccaccio shkroi dhe Decameron etj.
Për fatin tonë Agon Myftari, në këtë kohë pandemie solli ciklin e krijimeve të video-clipeve me disa karaktere duke sjellë vlera në humorin tonë shpesh të kontestuar për nga cilësia. /KultPlus.com

Afrim Demiri

Të ngjajshme