Viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

17 Janar, 2018 - 9:49 am

Shkruan Ndue Ukaj.

Sot është 550-të vjetori i vdekjes së Kryezotit tonë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Është ditët e shënuar kombëtare.

Gjergji, para 550 vitesh, iku për botën e përjetshme dhe na la një vepër të pasur dhe shumëdimensionale.
Që atëherë, ai mbetet gurrë e pashtershme frymëzimi kundër demoralizimit dhe ligështimit kombëtar.
Një gurrë e pashtershme frymëzimi për vepra të shumta kulturore dhe artistike.

Sot është ditë e shenjtë kombëtare.
Është një ditë, në të cilën shqiptarët, të bashkuar duhet t’i ulin flamujt e ndarjes, mërisë kundër njërit-tjetrit, dhe të ndërgjegjësuar, të hyjnë në tempullin kastriotian.

Që nga vdekja e tij e deri me sot, asnjëherë nuk u pushua së shkruari për të dhe për bëmat e tij të bujshme e madhështore, me të cilat, Gjergji ynë, i dha nder e lavd të përjetshëm kombit shqiptar.
Vepra dhe figura e tij, janë përjetësuar në shumë fusha të artit: muzikë, pikturë, letërsi, skulpturë, etj. Po ashtu, në nder të emrit dhe veprës së të tij, nëpër qendra të mëdha europiane, janë emëruar shumë sheshe e rrugë, dhe janë ngritë shumë shtatore.

Emri dhe vepra e tij, përgjatë historisë sonë, qenë frymëzim për të gjitha lëvizjet politike dhe kulturore shqiptare.

Pa të, kombi ynë, vështirë mund të mbijetonte përballë furtunave të shumta që goditën, prandaj, me të drejt Ismail Kadare, te libri Mosmarrëveshja, shkruan:
“Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të.”

Viti kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, do të duhej t’ na shërbente si algoritëm për t’i zgjedhur shumë probleme dhe mosmarrëveshje ndërmjet nesh.

Viti kushtuar Skënderbeut duhet të jetë vit kundër amnezisë historike dhe në funksion të kultivimit të kujtesës kombëtare.

Viti kushtuar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ka kuptim të plotë, nëse vetëdijesohemi dhe ilumninohemi politikisht, fisnikërohemi shpirtërisht dhe emancipohemi kulturalisht. Duke i lënë prapa paudhësitë dhe duke i luftuar batakçinjtë.

Të ngjajshme