Vrasja e arkitektit – për Rexhep Lucin

11 Shtator, 2019 - 5:43 pm

Arch. Ylber Vokshi -Ylli
(tekst i vjetër, i vitit 2009, botuar në Telegrafi dhe në forumet e mediat tjera. E sjellim sot në përvjetorin e vrasjes së arkitektit Rexhep Luci)

Cila është ajo shoqëri që e injoron e nënçmon e degradon e në fund edhe e vret arkitekti? Ai pos argumenteve profesionale të profesionit nuk ka armë tjetër për të iu kundërvënë kërkesave të ndryshme me vend e pa vend, të gjithë faktorëve relevant duke mbrojtur interesat e të gjithë atyre që shprehin dëshirë të jetojnë në një shoqëri apo vendbanim të urbanizuar, të cilës me kreativitetin e vet i jep edhe anën e bukur, artistike të vendbanimit. Vrasja e tij herë do kurdo do të i hakmerret shoqërisë si po e tregon realiteti ynë pas dhjetë viteve në Kosovë. 

Në shtator të vitit 2000 në mënyrë qyqare u vra arkitekti Rexhep Luci kryearkitekti i Prishtinës. Vrasja e tij as që i bëri përshtypje të madhe opinionit publik prishtinas dhe kosovarë të atëhershëm, ndoshta edhe nga frika dhe mos kultura e jetës urbane. Pos pasojave të pa riparueshme në fushën e urbanistikës në tërë Kosovën as që mundej të imagjinoheshin pasojat komplekse të kësaj vrasje. 

Kryearkitekti i Prishtinës, u mundua te parandaloj shkatërrimin e rifilluar të kryeqytetit, u ekzekutua mizorisht, e si rezultat kemi shkatërrimin e Prishtinës dhe Kosovës në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban në të gjitha vendbanimet tona. Prishtina ishte modeli urban të cilin e kopjuan të gjitha vendbanimet tjera kosovare pasi organet shtetërore, si duket me qellim, nuk kanë vepruar nga viti 2002 kur u krijuan organet e përkohshme qeverisëse në Kosovë të cilën e sundonte UNMIK-u nga viti 1999. 

Institucionet përgjegjëse të Kosovës,jo vetëm që nuk e gjetën vrasësin, lejuan njerëzit te cilët i luftonte z. Luci me argumente profesionale, të vazhdojnë me punën e tyre, pa qarë kokën për interesat e përbashkëta si në zonat urbane dhe ato rurale, pothuajse fëmijët e tyre nuk do të jetonin apo do të jenë mysafir në këto hapësira. 

Efekti i “frikës” te profesionistët u arrit plotësisht, ashtu si e kishin planifikuar ekzekutuesit e vrasjes. Tërë këtë kohë u ndërtua pa planifikim duke menduar se po fitojnë, nga aspekti profesional në fund të gjithë do të jene humbës të mëdhenjtë material e së bashku me ata edhe e tërë shoqëria kosovare. Atë që kemi fituar ne si shoqëri është degradimi i pafalshëm i hapësirave urbane dhe rurale kurse ne jemi detyruar të jetojmë në këto rrethana jo normale urbane për një shoqëri. 

Të gjitha tentimet e viteve të fundit për të fajësuar ndërkombëtarët për këto dukuri që më parë ishin të pa qëndrueshme pasi autorizimet për fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanizmit ishin qartë të definuar si përgjegjësi të pushtetit qendror dhe ati lokal, kurse UNMIK-u aq shumë i përfolur, vetëm kishte rrol mbikëqyrës në veprimet që vetë ne i kemi bërë në ndërtimet me leje e pa leje,në ngritjen e shoqërisë tonë që e kemi ëndërruar pas dëbimit të regjimit profashist gati një shekullor serb pas vitit 1999. 

Në një shkrim të shtypit kosovar të këtyre ditëve arkitekti Rexhep Luci përmendet vetëm si numër së bashku me disa aktivist politik të vrarë në Kosovë. As për së afërmi nuk kuptohet ndërlikueshmëria urbane dhe tragjedia e një shoqërie me vrasjen e kryearkitektit të kryeqytetit,cilat janë pasojat e ndërtimeve të pa planifikuara. Kush urdhëroi të veprohet kështu, a thua dikush mendoi se do të ketë përfitime të mëdha materiale me këtë vrasje, si mundet të krahasohen veprimtarët e ndryshëm politik me zhvillimet jetike urban të një vendbanimi e posaçërisht të kryeqytetit, a thua ishin të rëndësishme vetëm interesat individuale të disa grupeve të interesit, a thua do të ishte ma mirë për të gjithë ata të cilët kryen krimin ndaj arkitektit të iu përmbahen disa standardeve dhe rregullave urbane, me siguri do të kishin përfitime shumë ma të mëdha nëse do të planifikonin hapësirë urbane që na rrethon. 

Kush përfitoi nga kjo vrasje, me siguri askush, të gjithë ne jemi humbës të mëdhenj. Pasi e vranë atë në mënyrë mizore ia futen “frikën” profesionistëve të tjerë për mos veprim apo veprime të dirigjuara urbane. Një pjesë e arkitektëve mezi pritën të dalin në skenë si “shpëtimtarët” Kosovës duke bashkëpunuar me “kriminelët e paqes” në planifikimin hapësinor dhe urban në dhjetëvjetëshin e fundit. Pasojat sot janë tragjike për të gjithë vendbanimet në Kosovë, këto pasoja të gjithë ne jemi duke i përjetuar sot dhe në të ardhmen. 

Të gjitha këto dukuri shihen, preken e aq ma keq përjetohen shumë keq nga banorët tanë dhe do të jenë dëshmi e një kohe pa kohë, do të mbesin me shekuj si relikte të një kulture primitive, të një kohe të vështirë që e ka përjetuar kjo shoqëri. 

Me vrasjen mizore të kryearkitektit të kryeqytetit u vra e tërë urbanistika e Kosovës, filloi shkatërrimi i të gjitha qyteteve kryesore të Kosovës, filloi jo ligjshmëria urbane në përmasa të pa para që është duke vepruar që dhjetë vite. Ata të paktët që në mënyrë dinjitoze dhe profesionale reaguan u anatemuan dhe u injoruan tërë kohën qëllimisht duke vazhduar avazin e vjetër me ndërtime të cilëve po ia shohim sherrin të gjithë ne. 

Askush nuk e ka imagjinuar një situatë të tillë pas vitit 1999 kur në mënyrë perfide me një imagjinatë shkatërruese dhe destruktive në vazhdimësi me vetëdije po e shkatërrojnë tërë shoqërinë tonë për disa përfitime të mjera personale me pasoja tragjike për gjeneratat e tanishme dhe ato të ardhshme të cilat shumica nga mosdija po i injorojnë. Të gjitha këto krime urbane janë bërë në emër të atdhetarizmit apo “patriotizmit” të rrejshëm pasi pas dhjetë viteve këto pasoja të këtyre veprimeve janë evidente. 

Të gjitha tentimet që të punohet ashtu si vepron e tërë shoqëria e civilizuar, deri më tani ishin të kota pasi në pushtetin qendror si dhe në atë lokal ishin instaluar struktura të cilët nuk ngurruan edhe të vrasin,pasojat vetëm kanë filluar të vërehen nga të gjithë banorët e Kosovës. 

Është momenti i fundit që aktorët dhe përgjegjësit kryesor të japin llogari para kësaj shoqërie që e anatemuan në dhjetë vjeteshin e fundit duke trumbetuar për një patriotizëm primitiv e të tejkaluar e që në thelb i kishin vetëm përfitimet personale,klanore dhe regjionale duke e flakur rrolin e shtetit dhe interesave të përbashkëta shtetërore në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanizmit. 
Këto ditë kanë filluar polemikat politike për vrasjet e pa sqaruara në vitet e pas luftës së vitit 1999,pas dekonspirimit të një individi. Ka reagime me prapavija politike të ulëta të cilat dikush po tenton t’i keqpërdor. Vrasjet e pa zbuluara të pasluftës në Kosovë pos prapavijës politike kishin edhe atë abuzuese. 

Ajo çka ma së shumti duhej të brengoste këtë shoqëri është se si u veprua pas vrasjes së arkitektit Rexhep Luci, si vepruan të gjitha organet shtetërore,si u zhvillua fusha e urbanistikës,si vepruan profesionistët e frikësuar, arkitektët dhe urbanistët në këto vite, etj. 

A ka fuqi shoqëria jonë të fillojë me rehabilitimet urbane të domosdoshme gati në të gjitha qendrat kryesore të Kosovës si rezultat i abuzimeve të mëdha me hapësirën urbane dhe rurale e cila na rrethon pas vrasjes së qëllimshme, në shtator të vitit 2000 të arkitektit Rexhep Luci në Prishtinë vetëm që deshi të respektohen principet elementare si dhe normat dhe standardet në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban. Kjo jam i bindur se nuk ka ngjarë në asnjë shoqëri të civilizuar që njeh njerëzimi. 

(Autori është arkitekt i pavarur)

Të ngjajshme