“Zonjat që bëjnë Shqiptarinë” me Mbrëmje Gala në Tiranë

31 Tetor, 2019 - 3:00 pm

Shkruan Flora Nikolla

Zonjat që bëjnë Shqiptarinë, do të takohen në një mbrëmje simbol Gala, në natën e 12 dhjetorit në një nga hotelet më tradicionale të kryeqytetit shqiptar, në Mak Albanian Hotel, për t’i dhënë nderim, një grupi zonjash që punojnë sot në të gjithë botën e globalizuar pavarësisht kombësisë shqiptare tashmë e ndryshuar në amerikane, franceze, italiane, austriake, gjermane apo malazeze, maqedonase, etj. Ka një të veçantë këtë here dhe shumë të rëndësishme, sepse e gjithë kjo mori vendesh nga i gjithë rruzulli ynë, do të nderohet me një emër shumë të madh që quhet Shqiptari, në emër të një kuptimi të madh që quhet: sukses!

Kjo nuk ka të bëjë me nacionalizëm dhe as më shumë me ndonjë patetizëm të rastësishëm!!! Kjo ka të bëjë me një nderim që institucionalizohet për herë të parë me një çmim të madh që nderon zonjat tona në një botë globale, ku ato me dinjitetin dhe personalitetin e tyre, kane ditur të krijojnë suksesin kudo janë. A nuk është kjo një krenari legjitime për të gjithë ne? A nuk duhet ne të mos harrojmë se si shqiptarë dimë të krijojmë sukses, të paktën të plotë jashtë trojeve tona? A nuk duhet vallë që në ditët tona, të mos komentojmë në sharje jetët tona andej e këndej dhe as të komentojmë me grimca hakmarrje jetët e të tjerëve, por më buzëqeshje ti themi, bravo suksesit ???

Albanian Excellence, ka një mision fisnik për të treguar suksesin tonë të përbashkët shqiptar dhe që në vitin e saj të shtatë, ka arritur të ketë së bashku mbi 1000 histori suksesi të të dy gjinive. Po zonjat e suksesit, si nisi ky rrugëtim ?- me të drejtë do të pyesni ju. Rrugëtimi i suksesit të zonjave nis një ditë tetori të vitit 2016, në Manhattan , Nju Jork, kur u nënshkrua Memorandumi, “Të qenit grua në shekullin e XXI “. Firma e parë ? Presidenti i asaj kohe Bujar Nishani që ishte prezent në një mbrëmje Gala të paharruar në Symphoni Space ku u promovua libri “Zonjat shqiptare në Nju Jork “. Ja kështu me këtë ngjarje të madhe e të mbarë nisi ky rrugëtim yni me zonjat shqiptare kudo janë. Më pas ??? Më pas me, “Peticioni për viktimat e dhunës seksuale të Luftës në Kosovë në vitin 1999” , nënshkruar në Nju Jork në qershor të vitit 2018, në Galanë e mrekullueshme “Zonjat që bëjnë Shqipërinë” në dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë kur u botua libri “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, për të vijuar në muajin prill të vitit 2019, me Konferencën Ndërkombëtare , “Vlera e të qenit grua në shekullin e XX”, në Tiranë dhe në Shkodër kur u botua libri, “Në botën e bukurisë” dhe kur u krijua Aleanca Globale e Gruas së suksesit shqiptar, me librin dhe ekspozitën ndërkombëtarë “121 foto në 121 jetë suksesi”, në muajin qershor në Presidencën e Republikës me prezencën e Presidentit Ilir Meta, si simbol i kombit, për të qenë së bashku gjatë muajve, korrik, gusht, shtator, tetor, në një ekspozitë plot me mesazhe fisnike në Strugë (Maqedonia e Veriut), në Pogradec, në Preshevë (Republika e Serbisë) në Patos , Prishtinë dhe në Ulqinin e bukur.

A nuk është një odise e mrekullueshme dhe fisnike e gjithë kjo ? A nuk është një prolog i bukur nata e 12 dhjetorit në këtë parakalim të pandalshëm vlerash të zonjave tona shqiptare kudo janë? Shumë kemi nderuar dhe respektuar në emër të vlerës. Ka qenë shumë kënaqësi, ka qenë dhe tepër lodhje, emocion, ka qenë shumë punë dhe shumë përkushtim dhe dashuri. Po ja ku jemi !!! Nata e 12 dhjetorit po afron …!!! Ne të gjitha duhet të jemi bashke dhe më afër … pavarësisht se kush do të marrë nominalisht titullin Zonjë që bën Shqiptarinë…! Duhet të jemi së bashku sepse emërues të përbashkët kemi suksesin dhe dinjitetin tonë. Ndaj them se : 12 dhjetori do të jetë një natë simbol për disa mijëra zonja shqiptare që dinë të bëjnë sukses . 12 dhjetori do të jetë një natë shembulli për më të mirën e të qenit grua, në mjekësi, arsim, estetikë, art, kulturë, shkencë, biznes, filantropi, media … , politikë, e pa fund mund të vijoj kështu…!!! 12 dhjetori do të jetë një natë emblemë e zonjave shqiptare, pavarësisht se nuk mund ti kemi të gjitha së bashku , e për ti thënë : Faleminderit për koontributin e tyre në shqiptari !!! Ndaj ju drejtohemi me zemrën plot për t’ju thënë: Mirë se të vini, Ju Zonjat e suksesit mbarëshqiptar në Natën e Madhe të 12 dhjetorit në Tiranën e të gjithëve !!!/KultPlus.com

Të ngjajshme