Zoti Rama, të duam sulltan!

24 Qershor, 2020 - 11:23 pm

Nga Edi Oga

Zoti Rama, duhet të bëhesh sulltani i shqiptarëve! Urgjent!

Mos prit zgjedhjet e vitit që vjen, por bëhu që tani!

Të lutem zoti Rama bëj ndryshimet në kushtetutë, mblidh parlamentin tënd dhe shpallu sulltan! Do bësh punën me të mirë që ke bërë ndonjëherë!

Do na shpëtosh të gjithëve!

Do shpëtosh edhe ti prej nesh!

Nëse ti bëhesh sulltan, ti do të kesh sarajet më të veçanta nga të gjithë! (Apo kështu i ka?)

Nëse ti bëhesh sulltan, vezirët e tu do të bëhen sixhade që ti të kalosh mbi ta! (Apo kështu janë edhe sot?!)

Nëse ti bëhesh sulltan, do ti kesh të gjitha pushtetet në dorën tënde! (Apo edhe tani i ka?)

Nëse ti bëhesh sulltan, do t’i tregosh popullit përrallat e tua sa të duash, kur të duash dhe si të duash? (Apo këtë e bën edhe këto kohë?!)

Nëse ti bëhesh sulltan, sa herë të kesh nevojë për para të madhe, pashallarët e tu do të paguajnë haraç sa t’u kërkosh ti! (Apo edhe oligarkët e tij kështu veprojnë?!)

Nëse ti bëhesh sulltan, mund të marrësh avionin tënd dhe të shkosh ku të duash pa pjerdhur askënd! (Apo këtë e bën edhe tani?)

Nëse ti bëhesh sulltan, mund të prishësh çfarë të duash dhe të ndërtosh çfarë të të dojë b… qejfi! (Apo këtë e ka bërë gjithmonë?!)

Nëse ti bëhesh sulltan, me fermanet e tua, tokat e bregdetit mund të bëhen prona të pashallarëve të tu! (Apo kjo ndodh edhe tani?!)

Nëse t’i bëhesh sulltan, mund t’i bësh paratë e shtetit rrush e kumbulla! (apo kështu i bën edhe sot?)

Nëse ti bëhesh sulltan, të gjitha mediat, televizionet, portalet, gazetat që nuk të pëlqejnë, mund t’i blesh ose mund t’i mbyllësh! (Apo këtë e bën edhe këto kohë?!)

Nëse ti bëhesh sulltan, opozitarin kryesor do ta kesh lolo të oborrit! (Apo kështu është edhe ky që ka tani?!)

Prisni prisni! Ky i paska të gjitha atributet e një sulltani, vetëm titullin ka kryeministër!

Pse të mos marrë titullin që meriton?

Le të bëhemi përsëri një milion shuplaka dhe t’ia heqim këtë “epitet” pa kuptim, e t’i vendosim “me pahir” atë titull që i ka hije! SULLTANI I SHQIPTARËVE!

Të lutem mos u bëj më kryeministër!

Bëhu sulltan! Aman! Qafsh rilindjen!

Nëse ti bëhesh sulltan, do të jesh sulltani më i gjatë në Botë!

Nëse ti bëhesh sulltan, do jesh sulltani më me humor në Botë!

Nëse ti bëhesh sulltan, Erdogani do plasë nga zilia, se ai nuk bëhet dot sulltan!

Nëse ti bëhesh sulltan, atë zdromsin me kalë tek sheshi kombëtar do ta heqim dhe do të vendosim ty, o sulltani ynë!

Mos na lodh me reforma zgjedhore, negociata dhe integrime!

Ty nuk të ka hije as të provohesh në zgjedhje as të poltësosh kushtet që të vendosin kaurrët! Bëhu sulltan! Shpëton ti nga ne dhe ne nga ideja e të pasurit të një kryeministri perëndimor!

Të fundit

Të ngjajshme