Koha e artë kur njeriu rilindi

Provoni të mendoni një shkencëtar, arkitekt, piktor, poet, shpikës dhe matematicien të Rilindjes së hershme italiane. Leonardo da Vinci? Jo, Leon Battista Alberti. Dhe tani mendoni për një arkitekt, piktor, skulptor të po të njëjtës epokë. Mikelanxhelo? Jo, Francesco di Giorgio Martini. Dy shembujt – të zgjedhur mes atyre shumë mendjeve shumëplanëshe që kanë jetuar më shumë se 500 vjet më parë – demonstrojnë shumë mirë se si gjenia leonardiane, në shumë drejtime e pakapshme, është në të vërtetë vetëm maja e ajsbergut e një epoke të shenjuar prej lulëzimit të “gjenive shumëformësh”.

Njeriu universal

Humanizmi dhe Rilindja, domethënë vitet që shkojnë nga mesi i katërqindës e përgjatë të gjithë shekullit pasardhës, ishin një shpërthim i pandërprerë “fishekzjarresh” të mendjes, fryt i kontributit të një ushtrie të vërtetë talentesh në gjendje të luanin në mënyrë të njëkohshme – dhe me rezultate shpesh të jashtëzakonshëm – në tryezën e lojës së dijeve. Homo universalis, i përgatitur në cdo fushë të dijes dhe trashëgimtar i asaj figure që grekët e lashtë e quanin polymathes (“ai që ka mësuar shumë”), nuk lindi rastësisht: ishte pikëmbërritja ideale e një vizioni të botës që, duke aktualizuar fjalët e filozofit grek Pitagora, e shihte njeriun si “njësinë matëse të gjithckaje”, duke iu kundërvënë kështu një Mesjete ku gjithcka vërtitej përreth Zotit. Tek “Libri i kurtizanit”, Baldassarre Castiglione (1478-1529) shkruante madje një listë rregullash (mes të cilave mësimi i artit të bashkëbisedimit) për të aspiruar për këtë status të privilegjuar.

Përtej “recetave të gjenialitetit”, bumi i jashtëzakonshëm i intelekteve superiorë në ata 150 vite të historisë italiane është e vështirë të shpjegohet. Një enigmë për të cilën ngrinin pikëpyetje edhe njerëz të epokës. Për shembull Gorgio Vasari, artist dhe historian arti që për herë të parë përdori termin Rilindje për kohën e tij. Tek libri i tij “Jetët” ai rimerr teorinë e “ajrit” nga greku Hipokrat, për të shpjeguar atë pranverë të mendjeve me “ajrin”, ose më saktë klimën dhe atmosferën.

Disa shpjegime modernë e gjejnë arsyen tek përhapja më e shpejtë e informacionit favorizuar prej teknikave të shtypit të Gutenberg (1450); të tjerë tek periudha me një qetësi relative politike që pasoi Paqen e Lodit të 1454 mes Milanos dhe Venecias, pas një lufte gjysmëshekullore; të tjerë akoma e gjejnë arsyen tek mendimi laik dhe “lidership”-i i ridimensionuar i Kishës (i futur në krizë prej Lorenzo Vallas, i cili në vitin 1440 demonstroi me instrumentat e filologjisë së sapolindur se Dhurata e Konstantinit, që ishte themeli i supremacisë së Romës ndaj kishave të tjera, ishte në fakt false). Të tjerë e gjenin shpjegimin tek zhvillimi i shpejtë i qyteteve italianë.

Megjithatë, po ta vëresh me kujdes, asnjë prej këtyre shpjegimeve nuk është shterues: përndryshe nuk do të kuptohej përse revolucione si kapitalizmi, laicizimi dhe interneti, bashkë me paqen relative, nuk kanë prodhuar në epokën tonë një seri po kaq të spikatur gjenish. Në të vërtetë, shpjegojnë historianët, ishin shkaqe kontribues, por asnjëri i mjaftueshëm për të shpjeguar i vetëm atë lulëzim intelektësh brilantë. Jo vetëm kaq. Qarkullojnë edhe shkaqe më pak të dukshëm, por ndoshta më vendimtarë. Si përshembull përhapja e projektimit, që u hapi rrugë projekteve të detajuar të pallateve dhe kishave, por edhe makinave të jashtëzakonshme për kohën si ato të Leonardos, që megjithatë nuk ishin të vetmet.

Sipas Paolo Aldo Rossi, docent i historisë së mendimit shkencor në Universitetin e Xhenovës, “gjenialiteti i përhapur” në ‘400 kishte megjithatë edhe një shkak më pak fisnik dhe pothuajse të padukshëm: bakterin Yersinia pestis, bartës i murtajës së zezë që mes viteve 1347 dhe 1352 solli vdekjen e më shumë se një të tretës së popullsisë së Kontinentit të Vjetër (afro 25 milionë vetë). “Vetëm në Itali llogaritet të kenë vdekur afro 100 mijë artistë dhe intelektualë”, shpjegon Rossi. “Popullsia e Firences, përshembull, u përgjysmua. Kjo gjë solli në 100 vitet që pasuan një rinovim të madh të punëtorisë, me të rinj artistë që kalonin nga një laborator në tjetrin dhe shpesh herë zëvendësonin mësuesit e tyre, në një klimë ndërkëmbimi dhe një lirie më të madhe shprehëse në krahasim me të kaluarën”.

Në këtë terren pjellor u hodh fara e rizbulimit të teksteve klasikë. Falë eruditëve si toskani Poggio Bracciolini dolën më në fund nga “burgu” i bibliotekave të manastirëve tekste që konsideroheshin të humbur. U pastruan prej pluhurit, pothuajse 1500 vjet më vonë, teoritë arkitektonike të Vitruvit dhe idetë e Ciceronit bashkë me ato të filozofëve grekë. Kërkimet financoheshin prej familjeve të të pasurve të rinj, si Medicit. Madje edhe një disfatë, sic ishte rënia e Kostandinopojës në duart e turqve në vitin 1453, u transformua në një shans të artë: falë imigrimit drejt Perëndimit të bizantinëve të ditur, që largoheshin prej otomanëve, mbërritën në Itali veprat e para të përkthyera nga greqishtja.

Rrofshin paganët

Nuk bëhej fjalë për thjeshtë ripeshkim, apo imitim. “Rikthimi në klasicitet ishte vetëm pikënisja për të formuluar një gjuhë të re, shprehje të reja artistike, një konceptim të ri të njeriut dhe të natyrës”, shpjegon Rossi.

“Mjafton të mendosh elementë paganë të pranishëm në pikturën e Botticellit, apo rilindjen e matematikës të nxitur prej përkthimit të traktateve grekë të epokës aleksandriane. Ishte kjo risia e vërtetë e epokës, më shumë se sa shkenca dhe kultura arabe, studimet astronomikë dhe filozofikë të së cilës qarkullonin tashmë qysh prej mesjetës.

Një tjetër shenjë dalluese e njerëzve të Rilindjes ishte eklektizmi: Leonardo dhe të tjerët ishin të interesuar për gjithcka, eksploronin botën duke kërcyer nga një fushë e dijes në tjetrën. Edhe kjo ishte e mundur vetëm në atë moment të vecantë, kur nuk ekzistonte ende shkenca moderne, e ndarë në disiplina.

“Ai i rilindjes ishte një mjedis parashkencor. Nga ‘revolucioni’ që shpërtheu në gjashtëqindën prej Keplerit, Galileos, Bacones, Kartezit dhe Njutonit ishin shfaqur vetëm shenjat e para”, sqaron Rossi. “Vetë Leonardo ndonjëherë është mbivlerësuar si inxhinier: shumë prej gjetjeve të tij ishin shumë embrionale dhe disa studime të tij (ata të optikës për shembull) shfaqnin një lloj frike”. Me fjalë të tjera, territori i virgjër ishte shumë i madh dhe si pasojë, eksploruesi ishte në gjendje të zbulonte shumë, por pa metoda.

Të lirë

Kthimi (pozitiv) i medaljes ishte sjellja që nxitej prej një kurioziteti ndaj gjithckaje, ajo hapje totale që stimulon eksperimentimin në të gjithë drejtimet. Në një figurë si Girolamo Cardano gjejmë përshembull të bashkuar mjekun që përshkruante i pari ethet tifoide, matematicienin që coi përpara algjebrën dhe inxhinierin. “Shkenca e hiperspecializuar e sotme është e lidhur me rezultate specifikë të tregut, ndërkohë që ajo e asaj kohe ishte e lirë: matematicieni apo astronomi zhvillonin teoritë e tyre pa u interesuar shumë për zbatimin e tyre në praktikë. Në po të njëjtën mënyrë inxhinieri dhe arkitekti kryenin kërkime dhe studime spekulativë, ndonëse e dinin që për të siguruar jetesën duhet të projektonin fortifikime dhe makina lufte”. Klisheja moderne e studiuesit me drejtim unik, ishte shumë larg nga “forma mentis” e shkencëtarëve që ishin shpesh edhe piktorë, shkrimtarë apo poetë, që ishin edhe juristë, si Angelo Poliziano. “Leonardo shkruante përralla dhe Mikelanxho ka lënë sonete shumë të bukur”, shton Rossi. 

Mbërritja e grave

I rëndësishëm ishte edhe kontributi femëror. “Poetesha si Gaspara Stampa në ‘500 dhe, në fundin e Rilindjes, piktore si Artemisia Gentileschi vlerësoheshin shumë për dijet e tyre, përvec se për artin që bënin”, vazhdon historiani. “Ky fill i kuq i Rilindjes, me thënë të vërtetën, shkon pas në kohë që në Mesjetë, një epokë e konsideruar e errët, por kur ekzistonin përjashtime: shkolla e famshme mjekësore e Salernos nxirrte, të paktën që nga vitet Dyqind, profesioniste të vërteta”.

Sponsorë të iluminuar

Edhe pesë shekuj më parë, shkenca dhe kultura nuk mund të ecnin shumë përpara pa paranë. Një bollëk i tillë gjenish nuk do të shpjegohej dot pa figurën e mbrojtësit, që në vitet 400-500 mori edhe tipare unikë. Princi protektor i arteve dhe shkencave ishte pikësëpari politik dhe një njeri i pushtetshëm. Por, në shumë raste, edhe një intelektual i gatshëm që të investonte për kërkime të dijes dhe të bukurës. Dedikimi ndaj një traktati të astronomisë apo zbukurimi i qytetit me statuja dhe monumente ishin sigurisht demonstrime të supremacisë dinastike dhe forma propagande. Por jo vetëm kaq: zotërinjtë e Rilindjes duhej të dinin dhe jo vetëm të shfaqeshin. Për këtë arsye, pikërisht Firence u shndërrua në polin më të madh kulturor të kohës: kthesa ndodhi kur Cosimo dhe Lorenzo de Medici mbështetën studimin e teksteve të lashtë, sepse donin shumë të lexonin në origjinal veprat për të cilat paguanin përkthimin.

Edhe oborri ndërroi stil: një grup personash të ditur, që pëlqenin shumë të darkonin së bashku duke dëgjuar Ludovico Arioston, Torquato Tasson apo Angelo Polizianon ndërkohë që lexonin pjesë nga veprat e tyre, zunë vendin e shoqëruesve të armatosur në krah të zotërisë-luftëtar. “Kultura ishte shumë më pak e përhapur se sa sot, por mbrojtësit e saj të privilegjuar ishin përfshirë nga një entuziasëm i pashoq”, shpjegon Rossi. “Në ambiente si oborri në Ferrara, Mantova, Milano apo Venecia mbizotëronte pikërisht kjo atmosferë”.

Edhe Roma dhe ambienti fetar duket se pranoi centralitetin e njeriut dhe në fillimet e Katërqindës Papa Piu II ishte një humanist i madh, ndërsa shumë pasardhës të tij ishin të dhënë pas arteve. Sigurisht, pikërisht në atë kohë teoria heliocentrike e Kopernikut u quajt herezi, por fakti që ishte një njeri fetar nuk e pengoi fra’ Luca Paciolin që të hidhte bazat matematikore të studimeve të tij laikë mbi “seksionin e artë”: përmasat e të bukurës përcaktoheshin me numra, duke marrë si model masat njerëzore. “Imazhi i vetë Leonardos që bredh tinëz netëve nëpër varreza, në kërkim të kufomave për t’i hapur, në kundërshtim me fenë, është një legjendë romantike: Kisha e toleronte këtë praktikë që në vitet 300”, konkludon Rossi.

Pra, ishte mbrojtja prej princërve dhe njerëzve të pushtetshëm faktori vendimtar? Ndoshta. E megjithatë, për Vasarin, shpërthimi i atij bumi ishte, dhe është i thjeshtë dhe më “humanistik”: “Eshtë zakon i natyrës, kur ajo bën një person të shkëlqyer në një profesion të caktuar, nuk e lë të vetëm, por në po të njëjtën kohë, dhe pranë tij, bën edhe një tjetër, për t’i bërë konkurrencë”. / Focus – Bota.al/ KultPlus.com

Drejt Vjenës

«Le occasioni» është përmbledhja e dytë poetike e Montales, botuar nga Einaudi, në tetor të vitit 1939 dhe përmbante 50 poezi. Në edicionin e dytë, një vit më pas, përmbledhjes i ishin shtuar edhe pesë poezi të tjera

DREJT VJENËS

Nga Eugeno Montale

Kuvendi barok

prej shkume e biskote

hijesonte një tepricë uji të ngadaltë

dhe tavolinat e shtruara, aty-këtu të mbuluara

me gjethe dhe xhenxhefil.

Nxori kokën një notar, u shkullua përposh

një reje mushkonjash,

na pyeti për udhëtimin tonë,

foli gjatë për përtej kufirin e tij.

Tregoi me gisht urën para syve që kalohet

(na informoi) me një qindarkë taksë.

Na përshëndeti me dorë, u krodh,

qe vetë rrjedha…

Dhe në vend të tij,

prijës brofi nga një hangar

një basot gazmor që lehte,

zëri i vetëm vëllazëror në atë zagushi./ KultPlus.com


Rama ndan fotot e festës së Pashkëve në Himarë

Besimtarët e krishterë – katolikë, ortodoksë e ungjillorë – kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit.

Pashka është ndër festat më të rëndësishme të besimit të krishterë që simbolizon triumfin e jetës ndaj të keqes, vdekjes. Këtë vit jubilar ekumenik Pashkët festohen në të njëjtën ditë si në kalendarin Gregorian ashtu edhe në atë Julian.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale, disa foto nga atmosfera e Pashkëve në Himarë, ku duken dy vajza të veshura me veshje tradicionale që mbajnë në duar shporta me vezë duke jua shpërndarë turistëve të huaj, fëmijëve, si edhe familjarëve që kanë shijuar sot festën buzë bregdetit të Himarës./ KultPlus.com

Nebi Qena emërohet Zëvendës Drejtor i Videos për SHBA në AP 

Gazetari Nebi Qena është emëruar Zëvendës Drejtor i Videos për SHBA në agjencinë e lajmeve Associated Press në Uashington, D.C,.

Lajmin e ka bërë të ditur motra e tij, Rebeka Qena.

“Shumë krenare me ty, vëlla ❤️

Me u emëru Zëvendës Drejtor i Videos për SHBA në AP është një arritje e madhe – por ata që të njohin, e dinë që këtë e ke meritu.

Prej Kosovës e deri në çdo cep të botës, ke tregu çka do me thonë me punu me pasion, përkushtim e ndershmëri.

Urime, e di që ke me vazhdu me shkëlqy!”, ka shkruar ajo.

Qena më herët ka ushtruar pozitën e gazetarit në Associated Press dhe pozitën e menaxherit të agjencisë së lajmeve./ KultPlus.com

Pashkët, Begaj: Më shumë dashuri dhe mirëkuptim

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, uroi sot për Ditën e Pashkës besimtarët e krishterë shqiptarë, ata ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, që të kenë shpresë e besim në zemrat dhe jetët e tyre dhe mirëkuptim mes njëri-tjetrit.

Kreu i Shtetit zhvilloi vizita të veçanta në selitë e komunitetit ortodoks dhe atij katolik, ku ndau me klerikët e këtyre besimeve urimet dhe mesazhet që burojnë nga Pashka.

Në kishën “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Presidenti Begaj u prit nga Kreu i kishës Ortodokse Autoqefale, Fortlumturia e Tij, Joan Pelushi, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, krah të cilit përcolli dhe urimin: “Është shpresë, është besim, është gëzim, është një shenjë, e cila na fton për më shumë dashuri dhe për më shumë mirëkuptim mes nesh. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë dhe besimtarët ortodoksë për shumë gëzime, begati, paqe dhe shpresë në këto Pashkë të bekuara!” – deklaroi Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit i përcolli Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Joan, urime të përzemërta për shërbesën e Pashkës së parë në krye të fronit ortodoks shqiptar. Ndërsa e cilësoi këtë ditë si përbashkuese për besimtarët e krishterë, Kreu i Shtetit i përcolli nje mesazh të veçantë të rinjve shqiptarë: “Meqenëse kjo është ditë që e përbashkon të gjithë besimin e krishterë, qoftë besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, është një ditë me një mesazh shumë të fortë, të cilën sapo e përmendi Kryepeshkopi, për të rinjtë që kanë filluar të frekuentojnë meshat dhe shërbesat. Me këtë rast, unë dua të uroj për ta një të ardhme sa më të ndritur këtu, në vendin tonë”.

Më pas, Presidenti Begaj zhvilloi një vizitë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, i Kishës Katolike të Shqipërisë. Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e kryerjes së veprave të mira në mënyrë që, siç u shpreh ai, vlerat të triumfojnë mbi antivlerat: “Uroj në këtë ditë të shenjtë të gjithë besimtarët e krishterë katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë: Pashkë të bekuara, të paqta, të begata e të gëzuara për çdo besimtar e për çdo familje shqiptare!
Le të jetë drita e kësaj dite një shenjë mirëkuptimi dhe besimi për atë çfarë është më e rëndësishme në jetë. Në jetët tona të bëjmë mirësi dhe e mira dhe vlerat të triumfojnë mbi antivlerat.

Uroj për çdo shqiptar, për çdo besimtar, gëzuar Pashkët!”/ KultPlus.com

“Metro”: Tirana, zbuloni historinë, klimën mesdhetare dhe kuzhinën e shijshme të kryeqytetit shqiptar

Një murale gjigante me një vajzë të pikturuar. Një bllok i ndritshëm banesash me vija. Një rrokaqiell i ri në formën e një koke gjigante, shkruan Martina Andretta në të përditshmen britanike “Metro”.

Duke vozitur nëpër Tiranë, nuk mund të mos shikoj lart. Taksisti im, Erioni, mbështetet mbi timonin dhe tregon ndërtesat përreth nesh. “Kjo është nje ndertese e re 2-vjeçare, shumë e pëlqyer nga turistët”, tha ai.

Një aromë tunduese përhapej nga një tezgë pranë dritares së makinës. Një shitës po shërbente ballokume të freskëta, një ëmbëlsirë tradicionale shqiptare. Në qoshe, disa burra po luanin një lojë intensive – domino – në një tavolinë të improvizuar.

Tirana, në pamje të parë ndihet e gjallë. Kryeqyteti shqiptar, me afro 600 mijë banorë, është pak a shumë sa madhësia e lagjes Brent të Londrës, por autoritetet kanë plane ambicioze për të.

Dhe me historinë e saj të pasur, klimën mesdhetare dhe kuzhinën e shijshme, Tirana është një zgjedhje ideale për pushime të përballueshme në qytet.

Aktivitetet që mund të bëni në Tiranë

Është e pamundur të vizitosh Tiranën pa zbuluar kujtimet e së kaluarës së saj komuniste. Jo shumë larg Sheshit Skënderbej, i njohur si zemra e qytetit, ndodhet një bunker nëntokësor i Luftës së Ftohtë.

Bunk’Art 2 – dhe Bunk’Art 1 – janë muzetë që pasqyrojnë paranojën e Enver Hoxhës.

Udhëheqësi komunist i Shqipërisë ishte aq i fiksuar pas pushtimit të huaj, saqë vlerësohet se ai urdhëroi krijimin e më shumë se 170 000 bunkerëve – duke e bërë Shqipërinë vendin me më shumë bunkerë në botë.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, Tirana përbëhej kryesisht nga ndërtesa gri, të stilit sovjetik.

Në fillim të viteve 2000, Edi Rama – kryebashkiaku i atëhershëm dhe tani kryeministër – nisi një nismë për të injektuar ngjyra në kryeqytet.

Si rezultat, ka murale kudo, nga qoshet e banimit deri te stolat e parkut. Nëse po planifikoni të qëndroni vetëm disa ditë, merrni parasysh t’i bashkoheni një turneu të artit në rrugë që do t’ju çojë në pika të fshehta.

Atraksione të tjera që ia vlen të vizitohen përfshijnë Xhaminë e Et’hem Beut – një monument i bukur kulturor që u kursye nga shkatërrimi gjatë epokës komuniste – dhe mali i Dajtit, i cili mund të arrihet me teleferik.

Diçka që më befasoi në Shqipëri ishte ushqimi i saj i shijshëm. Ishte një ndërthurje e shijeve mesdhetare dhe ballkanike, me pjata të shijshme mishi dhe ushqime të shijshme vegjetariane.

Kam shijuar ndoshta shumë byrekun si dhe salca me bazë kosi dhe perime të mbushura.

Një nga vaktet e mia të preferuara ishte në “Piceri Era”, e cila shërben qofte të shijshme shqiptare me një salcë kremoze (6,72 paund).

Sigurisht, nuk mund të mos provoni jetën e natës shqiptare. Shkoni në “Radio Bar Tirana” për të shijuar kokteje të lira (duke filluar nga 6,54 paund) dhe atmosferën retro.

Nëse po kërkoni diçka më luksoze, vizitoni “Sky Club” – i cili ofron një pamje të jashtëzakonshme dhe një atmosferë romantike.

U ula atje për dy orë, duke pritur që dielli të perëndonte dhe duke pirë një martini (rreth 10 paund).

Megjithatë, bari im i preferuari ishte “Komiteti”. Ndryshe i quajtur një ‘kafe-muze’ , ai është i zbukuruar me objekte të periudhës komuniste.

Në mure ka petka të punuar me dorë, makina qepëse të ripërdorura dhe kostume tradicionale.

Pas vizitës time të parë, ku shijova disa kokteje klasike, u ktheva sërish, këtë herë për të provuar rakinë (një pije tradicionale shqiptare).

Një qytet që ndryshon shpejt

“Kudo në Shqipëri është një kantier aktiv ndërtimi”, tha Arbër Musabelliu, një guidë vendase nga “Free Walking Tour Tirana”.

Madje Reddit i ka kushtuar kësaj çështjeje një artikull, me titull “Pasojat e turizmit masiv në Shqipëri”.

Tirana nuk bën përjashtim. Përpara se të bëhej kryeqyteti i Shqipërisë në vitin 1920, ishte një qytet relativisht i vogël – në një pozicion strategjik në qendër të vendit.

Tani, pak më shumë se 100 vjet më vonë, Tirana është një qytet modern evropian me plane të guximshme zhvillimi.

Një masterplan – i njohur si “Tirana 2030” synon të transformojë kryeqytetin në një qendër urbane më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe teknologjike.

I udhëhequr nga arkitekti Italian, Stefano Boeri – plani përfshin ndërtesa të çuditshme dhe një dramë arkitekturore.

Disa ndërtesa që janë ngritur tashmë, përfshijnë një hartë e formuar nga pixela, një rrokaqiell që duket se është frymëzuar nga një grup Jenga – dhe një bllok apartamentesh luksoze në formën e heroit kombëtar të Shqipërisë.

Dhe, për shkak se Tirana përbëhet kryesisht nga ndërtesa të ulëta të epokës komuniste, efekti është çorientues.

Arkitektura zakonisht nuk është fusha më me interes që kam, por në Tiranë u përfshiva e tëra.

Duke parë horizontin e qytetit, me malin e Dajtit në sfond, sytë e mi u mahnitën nga këto shtylla monumentale, që ngriheshin lart mbi peizazh.

Ku të qëndroni në Tiranë?

Krahasuar me kryeqytetet e tjera evropiane, Tirana është e vogël dhe e lehtë për t’u eksploruar në këmbë. Autobusët në qendër janë gjithashtu shumë të shpeshtë.

Për një fundjavë, qëndroni pranë Bllokut ose Sheshit Skënderbej për të qenë pranë atraksioneve kryesore dhe jetës së natës.

Qyteti ka shumë opsione të përballueshme kur bëhet fjalë për akomodimin. Ndërsa po udhëtoja me tre miq, zgjodhëm një vend me hapësira të përbashkëta.

Për ne, të shfrytëzonim sa më shumë kohën tonë së bashku – qoftë duke vizituar një muze apo thjesht duke pushuar në divan pas një dite të gjatë ecjeje – ishte gjëja më e rëndësishme.

Ne zgjodhëm një “Airbnb” me dy dhoma gjumi dhe dy banjo për 220 paund në total.

E vendosur pranë Bllokut, ishte vetëm katër minuta në këmbë nga rruga kryesore, që do të thoshte se mund të ktheheshim lehtësisht në shtëpi pas darkës dhe të pinim në një nga baret e modës.

Apartamenti u certifikua si i preferuari i mysafirëve, që do të thotë se listimi u vlerësua shumë nga të ftuarit e mëparshëm.

Eltoni, mikpritësi ynë, ishte jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe u sigurua që të ndiheshim si në shtëpi.

Për një eksperiencë luksoze, “Maritim Hotel Plaza Tirana” është hoteli më i vlerësuar me 5 yje në “TripAdvisor”. I vendosur në qendër, ai ka një palestër 24-orëshe, një qendër Wellness dhe tre restorante të ndryshme. Çmimet fillojnë nga 103 paund për një natë për një dhomë standarde.

Nëse jeni me buxhet te kufizuar ose nëse udhëtoni vetëm, “Tirana Backpacker Hostel” është një opsion shumë i vlerësuar.

Si të shkoni në Tiranë?

Ju mund të fluturoni direkt nga Londra në Tiranë për vetëm 26 paund nga aeroportet Stansted me “Ryanair”; nga Luton me “Wizz Air” ; dhe nga Heathrow me “British Airways”.

“Ryanair” gjithashtu kryen fluturime direkte për në Tiranë nga aeroportet e Mançesterit dhe Edinburgut. Pasi të keni mberritur, qendra e qytetit është 30 minuta larg me makinë. / KultPlus.com

Avioturizmi në Gjirokastër, mbërrin avioni i parë sportiv nga Bari i Italisë

Këtë fundjavë, në aerodromin e Gjirokastrës u ul një avion turistik me fluturim direkt nga Bari i Italisë.

Ky moment shënon nisjen e sezonit të ri të avioturizmit për vitin 2025.

Piloti i këtij fluturimi është vetë presidenti i Aeroclub Bari, i cili erdhi së bashku me një grup turistësh italianë për të zbuluar bukuritë e Gjirokastrës.

Pas uljes së parë në aerodromin e Gjirokastrës, italianët vlerësuan parametrat e pistës, ndërsa moti i mirë iu favorizoi fluturimin.

“Shijuam peizazhin e Vlorës, Tepelenës dhe sigurisht të Gjirokastrës, që është një qytet mjaft i veçantë dhe i bukur. Pista është në parametra të konsiderueshme, por ajo që do të dëshironim do të ishte lehtësia në përpilimin e dokumentacionit në një kohë sa më të shkurtër. Kjo do të sillte më shumë vizitorë nga ajri dhe Italia në qytetin tuaj. Kjo është hera e dytë që vij në Gjirokastër dhe sërish ndihme i mrekulluar,” tha Alessandro Carducci, shefi i Aeroclub Bari.

Në aerodrom ishin të pranishëm edhe turist të tjerë italianë nga Venecia, të cilët po punojnë në projekte konkrete për promovimin dhe zhvillimin e turizmit në Gjirokastër.

“Është hera e parë që vij në Gjirokastër. Ajo që pashe nga ajri do e cilësoja si një mrekulli. Do të vizitojmë qytetin dhe zonën historike, pasi kam dëgjuar shumë për të. Jemi pesë miq që kemi ardhur nga Italia dhe do të qëndrojmë këtu deri ditën e martë,” u shpreh një turist nga Italia.

Ky është avioni i parë me fluturim ndërkombëtar turistik për këtë vit dhe përfaqëson një hap të madh për zhvillimin e turizmit ajror në jug të Shqipërisë.

Gjirokastra vijon të jetë e preferuara e turistëve italianë. Prej vitesh ata qëndrojnë në krye të listës së të huajve që vizitojnë qytetin historik.

Gjirokastra ka avantazhin e turizmit gjithëvjetor. Ndërsa prej muajit janar qyteti i mbrojtur nga UNESCO dhe zonat përreth kane mirëpritur rreth 35 mije turiste, kryesisht të huaj./ KultPlus.com

Rama uron besimtarët e krishterë: Për shumë vjet Pashkët

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për Pashkët.

Kryeministri zgjodhi të përcjellë mesazhin e tij të urimit me foton e një fëmijë që mban një qiri në dorë.

“Për shumë vjet Pashkët”, shkroi Rama.

Besimtarët e krishterë – katolikë, ortodoksë e ungjillorë – kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit./ KultPlus.com

Programi i Javës Kulturore të Maqedonisë së Veriut, nis më 23 prill

Tirana mirëpret “Javën Kulturore të Maqedonisë së Veriut”, e cila do të zhvillohet nga data 23 deri më 30 prill, si pjesë e nismës që promovon kulturën, artin dhe traditat e vendeve të rajonit dhe jo vetëm në Shqipëri.

Gjatë kësaj jave do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore që sjellin një ndërthurje të harmonisë tradicionale me ritmet moderne. Publiku do të ketë mundësi të ndjekë një koncert novator, ku do të bashkohen pianoja klasike, ajo elektronike dhe muzika e një DJ-i, duke krijuar një përvojë unike muzikore.

Në kuadër të javës do të hapet edhe një ekspozitë kushtuar kostumeve tradicionale të Maqedonisë së Veriut, që pasqyrojnë bukurinë dhe trashëgiminë kulturore të këtij vendi. Po ashtu, nuk do të mungojnë shfaqjet teatrore që sjellin në skenë historinë dhe shpirtin e popullit maqedonas.

Për të gjithë adhuruesit e verës, do të organizohet një degustim i verërave autentike nga Maqedonia e Veriut, duke ofruar një përvojë të veçantë për shijet e dashamirësve të kulinarisë.

Aktivitetet do të zhvillohen në pika të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa organizatorët ftojnë qytetarët të shfletojnë kalendarin e plotë për të mos humbur asnjë prej eventeve që përçojnë kulturën dhe krijimtarinë bashkëkohore të fqinjit tonë lindor./ KultPlus.com

Veza e kuqe e Pashkës dhe simbolika e saj

Festa e Pashkëve simbolizohet nga Veza e kuqe e Pashkës dhe Buka e Pashkës.

Veza e kuqe e Pashkës është simboli kryesor i kësaj feste që simbolizon jetën. Veza e Pashkëve është po aq e vjetër sa edhe Krishtërimi, ndaj Kisha e ka pranuar si simbol i Ringjalljes së Krishtit.

Po përse pikërisht një vezë?

Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, që në momentin që shpërthen del në dritë. Ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon flijimin dhe në rastin konkret simbolizon flijimin e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Kështu lëvozhga e vezës simbolizon varrin e Krishtit, që u hap dhe dha jetë.
Po për vezën e kuqe ekziston dhe një gojëdhënë e Kishës: Kur Maria Magdalena, pas ngjalljes së Krishtit, vajti te Pilati t’i njoftonte ngjarjen dhe i shpuri si dhuratë një shportë me vezë të bardha, sipas zakonit të atëhershëm, ai i tha: Sa mund të bëhen të kuqe vezët që solle, aq mund të jetë ngjallur Krishti. Dhe për çudi, vezët u bënë menjëherë të kuqe.

Bazuar në traditat e lashta, në përfytyrimet e popujve të shumtë, veza simbolizon fillimin dhe burimin e jetës. Bazuar në mitet e egjiptianëve, indianëve, babilonasve, grekëve dhe kinezëve prej vezës lind dhe zhvillohet gjithësia. Në kulturën bullgare, ka mjaft gjurmë të përfytyrimeve lidhur me vezën. Në disa prej teksteve të tyre, dielli përcaktohet si një vezë hyjnore, në disa të tjera koha është pula ndërsa vezët janë yjet, që bëhen prej saj.

Në besimet dhe gojëdhënat popullore, veza zotëron një forcë magjike. Por simbolikën më të njohur e merr ajo që cilësohet si Veza e Pashkëve, e cila prish magjinë e keqe. Bazuar në traditë vezët ngjyrosen ditën e së Enjtes së Madhe nga më e moshuara e familjes. Para ngjyrosjes, gruaja e shtëpisë ndez një qiri dhe bën kryq me fjalët: Dhëntë Zoti, mot përsëri të presim vezën e kuqe!

Veza e parë detyrimisht ngjyroset e kuqe dhe me të fshihen buzët e fëmijëve dhe nuseve të reja, që të jenë të shëndetshëm, të bukur e të mbrojtur prej “syrit të keq”. Veza e kuqe e Pashkëve vendoset në çdo shtëpi, për të sjellë shëndet dhe mirëqenie. Me të fillon ngrënia e parë, për herë të parë hahet veza e kuqe pas kreshmës së gjatë.

Por në traditën e krishtërimit, sidomos vitet e fundit, vihet re veza jo vetëm me ngjyrë të kuqe, por edhe me ngjyra të tjera. Përdorimi i ngjyrave të tjera simbolizon ngjyrat e pranverës dhe dritën e diellit.

Lyerja e tyre në mjaft ngjyra preferohet më tepër nga besimtarët e krishterë katolikë, ndërsa ortodoksët qëndrojnë fanatikë përballë këtij procesi të lyerjes së vezëve. Për ta esenca e simbolikës qëndron te ngjyra e kuqe.

Përveç vezës, është edhe Buka e Pashkës, e cila gatuhet dhe hahet në këtë festë.

Në Bukën e Pashkës bie në sy veza e kuqe e vendosur në mes, e cila simbolizon ëmbëlsinë dhe lumturinë, gjendur edhe në fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve./ KultPlus.com

Pse po rritet shkalla e rasteve me autizëm?

Qeveria e Shteteve të Bashkuara i bëri të ditura të dhëna e reja këtë javë për autizmin, të cilat tregojnë se shkalla e diagnostikimeve me autizëm te fëmijët amerikanë shënoi rritje rekorde në vitin 2022.

Autizmi është çrregullim neurologjik dhe zhvillimor, i karakterizuar nga ndërprerje në sinjalizimin e trurit, të cilat shkaktojnë sjellje, komunikim, ndërveprim dhe të mësuar të mënyra të pazakonshme.

Numri i fëmijëve të diagnostikuar me autizëm në SHBA është rritur ndjeshëm që nga viti 2000. Kjo ka shtuar shqetësimin publik se çfarë po e shkakton përhapjen e tij.

Si diagnostikohet autizmi?

Nuk ka mjete objektive për diagnostikimin e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit (ASD), siç njihet autizmi me emër mjekësor, siç janë analizat gjaku apo skanimi i trurit në rëntgen. Në vend të tyre, diagnozat bëhen bazuar në vëzhgime dhe intervista.

Termi “spektër” pasqyron gamën e gjerë të manifestimeve të mundshme. Disa persona me ASD mund të kenë aftësi të mira për bisedë, ndërsa të tjerë mund të jenë jokomunikues. Disa mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj zërave, prekjes apo stimujve të tjerë. Të tjerë mund të kenë sjellje ose interesa të kufizuara apo të përsëritura. Disa mund të kenë nevojë për ndihmë në jetën e përditshme, ndërsa të tjerë shumë pak ose fare.

Akademia Amerikane e Pediatrisë këshillon që të gjithë fëmijët të kontrollohen për autizëm në muajt 18 dhe 24, kur shumica e tyre fillojnë të shfaqin simptoma. Megjithatë, mosha mesatare e diagnozës mbetet afër 4 vjeç në SHBA dhe 5 vjeç globalisht.

Sa i zakonshëm është autizmi?

Në vitin 2022, shkalla e diagnostikimit me autizëm te 8-vjeçarët në SHBA ishte 1 në 31, ose 3.2 për qind, nga 2.77 për qind në vitin 2020, 2.27 për qind në vitin 2018 dhe 0.66 për qind në vitin 2000, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Një studim në Angli në vitin 2021 gjeti se shkalla e autizmit te fëmijët atje u rrit në 1.76 për qind, nga 1.57 për qind në vitin 2009.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se përhapja globale te fëmijët është 1 për qind, nga 0.62 për qind në 2012, me vërejtjen se shumë vende nuk kanë burime për t’i identifikuar dhe raportuar rastet.

Çka e shkakton autizmin?

Shkaqet e autizmit nuk janë të qarta.

Shkencëtarët mendojnë se karakteristikat neurologjike mund të zhvillohen gjatë shtatzënisë, kur truri i fetusit është duke u formësuar. Studimet e lidhin autizmin me faktorë gjatë shtatzënisë, dhe disa kërkime sugjerojnë një lidhje me komplikimet gjatë lindjes dhe kohën e lindjes.

Faktorët gjenetikë përbëjnë rreth 80 për qind të rrezikut për zhvillimin e autizmit, sipas studimeve.

Një fushë kërkimi në rritje është epigjenetika – ndërveprimi midis faktorëve gjenetikë dhe atyre mjedisorë. Një teori sugjeron se ekspozimi i një gruaje ndaj ndotjes së ajrit ose substancave të dëmshme para ose gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë një mutacion gjenetik që çon në autizëm te fëmija.

Variacionet gjenetike te disa persona me autizëm forcojnë provat për një komponent gjenetik. Disa çrregullime gjenetike të lidhura me rrezik më të lartë për autizëm përfshijnë sindromën Fragile X, kompleksin sklerozë tuberoz, sindromën Phelan-McDermid dhe sindromën Prader-Willi.

Faktorë të tjerë të mundshëm përfshijnë peshën shumë të ulët në lindje, verdhëzën te të porsalindurit, komplikimet gjatë shtatzënisë ose lindjes, probleme me florën bakteriale të zorrëve, çrregullime të sistemit imunitar, të pasurit një vëlla ose motër me autizëm, dhe faktorë prindërorë si mosha, obeziteti dhe diabeti.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy, Jr. dhe figura të tjera publike kanë promovuar një teori – në kundërshtim me provat shkencore – se vaksinat e fëmijërisë shkaktojnë autizëm.

Ideja rrjedh nga një studim i rrëzuar më parë i studiuesit britanik, Andrew Wakefield, në fund të viteve ‘90 që e lidhi rritjen rasteve me autizëm me përdorimin e madh të vaksinës së fruthit.

Asnjë studim serioz nuk ka gjetur lidhje midis autizmit dhe vaksinave apo përbërësve të tyre si timerosali apo formaldehidi. Shkalla e vaksinimit ka rënë ndërkohë që rastet me autizëm janë rritur.

Pse po rriten rastet me autizëm?

Studiuesit ia atribuojnë kryesisht rritjen e rasteve me autizëm skanimit më të madh dhe përfshirjes së një game më të gjerë sjelljesh në përkufizimin e çrregullimit. Historikisht, përkufizimi i autizmit përfshinte vetëm aftësi të kufizuara intelektuale të moderuara, deri në të rënda. Sot, mjekët njohin se format më të rënda përbëjnë vetëm rreth 25 për qind të rasteve.

Në vitin 2013, ekspertët e shëndetit mendor kombinuan tri diagnoza të ndara – çrregullimi autistik, çrregullimi i Aspergerit dhe çrregullimi zhvillimor gjithëpërfshirës – nën ombrellën e çrregullimit të spektrit të autizmit.

Një studim i tetorit 2024 mbi të dhënat e sigurimeve shëndetësore në SHBA gjeti rritjet më të mëdha të diagnozave në grupe që më parë kishin norma të ulëta zbulimi, përfshirë të rinjtë, gratë dhe fëmijët nga disa grupe racore ose etnike.

Studiuesit kanë vërejtur gjithashtu se disa faktorë rreziku janë bërë më të zakonshëm, si lindja e parakohshme apo lindja nga prindër të moshuar.

Diagnozat e formave më të rënda të çrregullimit, të njohura si autizëm i thellë, nuk janë rritur ndjeshëm sa format më të lehta të autizmit, raportoi CDC.

Kennedy ka deklaruar, pa prova shkencore, se faktorët mjedisorë janë përgjegjës për rritjen e madhe të rasteve të autizmit dhe se ai planifikon të financojë hulumtime për t’i identifikuar ato.

A ka tretman?

Nuk ka tretman apo shërbim për autizmin. Megjithatë, ekspertët pajtohen se diagnoza e hershme është thelbësore. Ndërhyrjet mbështetëse – idealisht para moshës trevjeçare – janë vendimtare për përmirësimin e aftësive kognitive, sociale dhe të komunikimit.

Këto masa mund të përfshijnë terapi për të folurit, terapi profesionale, trajnime për t’u shoqëruar, terapi për integrimin ndijor, ndihma vizuale, rutina të strukturuara, plane arsimore individuale, terapi familjare dhe ofrim të një mjedisi të qetë dhe të parashikueshëm. /REL/ KultPlus.com

Osmani uron Pashkët: Kjo festë na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Pashkët.

Ajo ka shkruar se kjo festë kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë.

“Qofshin Pashkët një moment reflektimi, afrimi dhe dashurie për të gjithë ne”, ka uruar Osmani.

Urimi i Presidentes Osmani për Pashkët:

Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ortodoksë, ju uroj nga zemra Pashkë të bekuara, paqe në zemër dhe gëzim në familje!

Kjo festë, e cila këtë vit na bashkon në një datë të vetme, na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë.

Qofshin Pashkët një moment reflektimi, afrimi dhe dashurie për të gjithë ne.

Gëzuar për shumë mot Pashkët!/ KultPlus.com

Dita e Pashkëve, mbahet mesha në Katedralen “Shën Nënë Tereza”

Sot në Ditën e Pashkëve, në orën 11:00 mbahet mesha për besimtarët katolikë në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, ndërsa në orën 19:00 ipeshkvi Dodë Gjergji organizon pritjen solemne në Qendrën “BogdaniPolis”.

Ditën e djeshme, Ipeshkvi i Dioqezës Prishtinë-Prizren, Dodë Gjergji ka përçuar mesazhin e paqes dhe harmonisë ndërmjet njerëzve në mbarë botën, në meshën qendrore të mbajtur sonte në Katedralen  “Shën Tereza”, me rastin e festës së Pashkëve.

Duke ftuar besimtarët katolikë që këtë festë të madhe ta kremtojnë me lutje për paqe dhe zemrat e mbushura me shpresë dhe gëzim, ipeshkvi Dodë Gjergji bëri thirrje për paqe e pajtim në mbarë botën si një qëllim i përbashkët për të mirën e njerëzimit, raporton Kosovapress, transmeton Klankosova.tv

“Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Evropë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë, sepse ne që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës dhe sado e vështirë të jetë ajo”, tha Dodë Gjergji.

Ipeshkvi Dodë Gjergji ka thënë se Pashkët nuk janë thjesht një datë kalendarike apo një zakon që përsëritet çdo vit, por një ngjarje e gjallë në jetët tona./ KultPlus.com

Kur të jesh mërzitur shumë

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli

Këtu s’do jem, do jem larguar:
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje./ KultPlus.com

Manifestim i krijimtarisë së Bach-ut, ‘St Mark Passion” interpretohet për herë të parë në Prishtinë

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e djeshme, Filharmonia e Kosovës shënoi një kapitull të ri kulturor teksa për herë të parë u interpretua vepra enigmatike e Johann Sebastian Bach, “St Mark Passion”, BWV 247.

Kjo vepër, e cila asnjëherë s’është gjetur e plotë, dhe që më vonë është rikonstruktuar nga dirigjenti gjerman Jörn Boysen, erdhi mbrëmë në Prishtinë pikërisht nën drejtimin e tij, duke përçuar një emocion të papërsëritshëm për audiencën, në përkujtim të 340-vjetorit të lindjes së Bach, një prej gjigantëve të muzikës klasike, shkruan KultPlus.

Të pozicionuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u shndërruan në bartës të një përjetimi të rrallë muzikor, duke sjellë për publikun këtë vepër, partitura origjinale e së cilës është humbur. Nën drejtimin e Boysen, “Pasioni i Markut” e cila i përket kohës së barokut, erdhi si një përpunim i rafinuar me mjeshtëri dhe dhuroi emocione për audiencën kosovare.

Në qendër të kësaj mbrëmje qëndronin katër solistë të jashtëzakonshëm. Me zërin e tij të kthjellët dhe të fuqishëm, tenori danez Mathias Monrad Møller i dha jetë rrëfimit, teksa u shfaq në rolin e Evangjelistit, ndërsa basi holandez Wessel van der Ham erdhi në rolin e Krishtit, duke sjellë thellësinë dramatike që kërkon kjo vepër.

Krahas tyre, dy solistet nga Kosova, sopranoja Elona Sadiku dhe mezosopranoja Diellza Sylejmani, shkëlqyen me interpretim të ndjerë, duke dëshmuar për talentin dhe potencialin e artistëve vendas.

Gjithashtu, Orkestrës së Filharmonisë iu bashkuan instrumentistë nga Holanda dhe Hungaria, duke krijuar një ansambël që solli në jetë ngjyrat dhe teksturat autentike të muzikës barok.

“St Mark Passion” BËV 247, është një oratorium i Johann Sebastian Bach që trajton vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezusit, bazuar në Ungjillin sipas Markut. Vepra u interpretua për herë të parë në vitin 1731 në Kishën e Shën Tomasit në Leipzig, por fatkeqësisht, muzika origjinale është humbur. Pavarësisht humbjes së partiturës, muzikologë të ndryshëm kanë bërë përpjekje për ta rindërtuar veprën, duke u bazuar në tekstin e ruajtur dhe në stile të ngjashme me pasionet tjera të Bachut, si “St Mattheë Passion” dhe “St John Passion”.

Dirigjenti Jörn Boysen foli për KultPlus për koncertin, i cili përveç se shpjegoi për rikonstruktimin e kësaj vepre, foli edhe për eksperiencën e tij në Prishtinë.

“Partiturat e kësaj vepre kanë humbur në Luftën e Dytë Botërore dhe nuk ka pasur kopje të saj, por është teksti ai që ka mbijetuar. Ishte një teknikë për ta plotësuar atë  për ta plotësuar atë duke ia përshtatur portretit të veprs, tekstit dhe atmosferës së muzikës, duke njohur punën e Bach dhe teknikën e tij. Jam shumë i lumtur që kishte kaq shumë audiencë, jam shumë i lumtur që njoha shumë njerëz të mirë dhe muzikantë të shkëlqyer dhe jam gjithashtu i lumtur që bëmë një magji sot”, theksoi Boysen.

Pas përfundimit të koncertit, tenori danez, Mathias Monrad Møller, i cili pasqyroi rolin e Evangjelistit, e përshkruan eksperiencën e tij në Kosovë si një përvojë të jashtëzakonshme.

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme që të performoja këtu në Prishtinë, secili ka qenë shumë mikpritës dhe kalova një kohë të mrekullueshme me pjesëtarët e Filharmonisë së kosovës. Sot ndjeva sikur krijova një komunikim me audiencën dhe kjo ishte diçka shumë speciale”, u shpreh ai për KultPlus.

Ndërkaq, mezospopranoja Diellza Sylemani e ka konsideruar këtë vepër tejet të veçantë poer edhe si një ndër veprat më të vështira të muzikës barok.

“Një vepër me të vërtetë e veçantë. Për mua ka qenë kënaqësi e madhe ta këndoj. Është një ndër veprat më të vështira të muzikës së barokut, gjerësisht të kompozitorit Bach, këtë radhë e përpunuar, e rikonstruktuar prej dirigjentit që ishte sonte. Për mua ishte kënaqësi dhe privilegj të jem në skenë me gjithë këta artistë të mirë që ishin sonte”, tha Sylejmani për KultPlus.

E për sopranon Elona Sadiku, kjo mbrëmje ka qenë shumë e veçantë, duke shënuar edhe paraqitjen e sa të parë me Filharmoninë e Kosovës.

“Për mua kjo natë ishte shumë e veçantë. Njëra ndër to është që unë për herë të parë po interpretoj si soliste me Filharmoninë e Kosovës megjithëse kam kënduar me Korin, por kurrë me Orkestrën. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme me një publik të jashtëzakonshëm. Çfarë e bën akoma më të veçantë këtë natë është vetë dirigjenti dhe kompozitori që e ka përpunuar këtë vetëm të kompozitorit të madh, Bach. I cili përveç se na dirigjoi neve, luajti edhe në instrument”, theksoi Sadiku duke shtuar tutje se ishte kënaqësi për të që të këndojë ariet që janë kompozuar e shkruar aq bukur Ishte kënaqësi t’i këndoja ato arie që i ka shkruar dhe kompozuar në një mënyrë shumë të bukur”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, ju kujtojmë se me këtë mbrëmje të rrallë, Filharmonia e Kosovës shënoi 340-vjetorin e lindjes së Johann Sebastian Bach-ut/KultPlus.com

Osmani kujton Sali Çekajn: Nga komandantët më të shquar të UÇK’së për trimëri, besnikëri e bujari

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar heroin e kombit, Sali Çekajn, i cili ra dëshmor në Betejën e Koshares.

Osmani ka thënë se Sali Çekaj ishte një nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shquar për trimëri, besnikëri, bujari dhe dashuri të pakushtëzuar për atdheun. 

Postimi:

Presidentja Vjosa Osmani kujton përvjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj

Sot kujtojmë me nderim heroin e kombit, Sali Çekaj, i cili ra dëshmor në betejën e lavdishme të Koshares.

Sali Çekaj ishte një nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shquar për trimëri, besnikëri, bujari dhe dashuri të pakushtëzuar për atdheun. 

Bashkë me Agim Ramadanin dhe bashkëluftëtarët tjerë, u shqua si strateg i vendosur dhe udhëheqës i guximshëm në frontin e luftës.

Heroi Sali Çekaj u përkujtua sot me një akademi përkujtimore të mbajtur nën patronatin e Presidentes Vjosa Osmani.

Me dëshmorët që ranë heroikisht dhe luftëtarët trima që shkruan historinë me gjak, do të jemi përjetësisht krenarë.

Lavdi përjetë veprës së Heroit Sali Çekaj!/ KultPlus.com

“Nëse do të dish të më rrish pranë”, nga Pablo Neruda

Poezi nga Pablo Neruda.

Nëse do të dish të më rrish pranë,

dhe të mund të jemi të ndryshëm,

nëse Dielli do të na ndriçojë të dy,

pa u mbivendosur hijet tona,

nëse do arrijmë të jemi “Ne”, në mesin e kësaj botë

dhe bashkë në botë, të qajmë, të qeshim, të jetojmë.

Nëse çdo ditë do të zbulojmë se cilët jemi

dhe jo të kujtojmë se cilët ishim,

nëse do të dijmë t’i jepemi njëri-tjetrit

pa e ditur kush do jetë i pari dhe kush i fundit,

nëse trupi yt do të këndojë me timin, se së bashku është gëzimi…

Atëherë do të jetë dashuri

dhe nuk do të ketë qenë e kotë, kjo pritje e gjatë./ KultPlus.com

Los Anxhelesi rrezikon për t’u bërë Detroiti i ardhshëm, ndërsa prodhimet filmike dhe televizive po largohen

Njerëz të besuar të Hollivudit kanë paralajmëruar se Los Anxhelesi është në rrezik të bëhet Detroiti i ardhshëm, mes frikës se statusi i qytetit, prej dekadash si kryeqyteti i televizionit dhe filmit, mund të ketë fund të shpejtë nëse prodhimet argëtuese nuk marrin stimuj të menjëhershëm për lehtësimin e taksave, sipas realtor.com.

Mes një rritje të madhe të numrit të të famshmëve që largohen nga LA në vende si Teksasi dhe Florida, punonjësit e industrisë tani kanë ngritur alarmin për rënien e madhe të numrit të projekteve argëtuese që po kryhen në Hollivud dhe në të gjithë Kaliforninë.

Këto frikëra ishin fokusi i një takimi më 14 prill, ku ligjvënësit dhe producentët e filmave kërkuan ndryshime në stimujt tatimorë të prodhimit argëtues të shtetit për të mbuluar deri në 35% të shpenzimeve të kualifikuara dhe duke zgjeruar gjithashtu gamën e produksioneve që do të merrnin këto subvencione.

“Nuk është hiperbolë të thuash se nëse nuk veprojmë, industria e filmit dhe televizionit në Kaliforni do të bëhet makina e ardhshme e Detroitit”, tha producentja Noelle Stehman, një anëtare e fushatës “Stay in LA” e cila foli në ngjarje, sipas ”The Hollywood Reporter”.

Detroit dikur shihej si qendra e prodhimit të automjeteve të Amerikës, me tre prodhues të mëdhenj makinash me seli atje si ”General Motors”, ”Ford” dhe ”Chrysler” (tani i njohur si ”Stellantis”).

Megjithatë, në vitet 1960, ato kompani filluan të zhvendosnin fabrikat e tyre në periferi, duke marrë me vete një numër të madh punëtorësh dhe ish-banorë të Detroitit.

Tani, Stehman beson se industria e argëtimit të Los Anxhelesit mund të ecë në të njëjtën mënyrë, pasi tashmë ka humbur terren të madh ndaj konkurrentëve të saj vitet e fundit.

Ndërsa shumë drejtues të argëtimit jetojnë në Los Anxheles, senatori i shtetit, Ben Allen tha se kjo do të bëjë pak për të ndihmuar qytetin të mbajë pjesën e luanit të prodhimeve nëse kostot e strehimit në qytet janë shumë të larta për punëtorët e klasës së mesme.

“Studiove nuk u intereson se ku e bëjnë punën. Ato do ta bëjnë atë kudo”, tha ai në këtë ngjarje.

“Ato janë ende duke prodhuar shfaqje. Ajo që shumë kolegë tanë thjesht nuk e kuptojnë është se ky është një problem i klasës së mesme”, shtoi ai.

Problemi i klasës së mesme të cilit i referohet Allen është kostoja e lartë e jetesës në Los Anxheles.

Të ardhurat mesatare në qytet janë aktualisht 95 625 dollarë, por çmimi mesatar i shitjes së shtëpisë në 2025 është pothuajse 10 herë më i lartë (965 300 dollarë).

Ky numër është rritur me gati 50% nga 10 vjet më parë, kur të ardhurat mesatare ishin 63 000 dollarë dhe çmimi mesatar i shitjes së shtëpisë ishte 525 000 dollarë.

Punonjësit e argëtimit kanë kërkuar prej kohësh që Kalifornia të ofrojë stimuj taksash më të mëdha dhe më të disponueshme, me mbështetjen e guvernatorit Gavin Newsom, i cili u zotua në tetor 2024 të rrisë stimujt e filmit nga kufiri aktual prej 330 milionë dollarë në 750 milionë dollarë.

Ligjvënësit shpresojnë se mund ta mbajnë industrinë e filmit dhe televizionit të lulëzuar duke ofruar lehtësim taksash.

Fatura e propozuar e ”Newsom-it SB630” do të rrisë gjithashtu kredinë në 35% duke zgjeruar kategorinë e prodhimeve që kualifikohen për të përfshirë tituj të animuar, shfaqje më të shkurtra televizive dhe disa projekte të tjera.

Një raport i fundit nga organizata jofitimprurëse FilmLA tregoi se prodhimi në Los Anxheles u ul me 22 4% në tremujorin e parë të 2025 kundrejt të njëjtës periudhë në 2024.

Këto prodhime përfshinin reklama, filma artistikë dhe shfaqje televizive – me raportin që tregon se rënia e numrit kishte pak të bënte me zjarret e fundit në Kaliforni, të cilat prekën kryesisht zonat që përdoren rrallë si lokacione xhirimesh.

“Humbja e mundësisë së xhirimit në asnjë mënyrë nuk krahasohet me koston e zjarreve për sa i përket humbjeve të jetëve, zhvendosjes së banorëve dhe dëmtimit të pronës”, tha në një deklaratë zëvendëspresidenti i FilmLA për Komunikim të Integruar, Philip Sokoloski.

“Zjarret detyruan shumë produksione të përpiqeshin të riplanifikonin xhirimet dhe zhvendosën qindra punëtorë të industrisë nga shtëpitë e tyre. Por ndikimi i tyre në nivelet lokale të xhirimeve duket se ka qenë i përkohshëm”, theksoi ai./ KultPlus.com

‘Në mallin tënd ky karafil i egër, ti do të më dashurosh patjetër’

Poezi nga Fatos Arapi

Ti do të më dashurosh patjetër

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër! / KultPlus.com

‘Ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot”.

“Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.

Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com

Shtëpia e Bardhë mbështet teorinë se Covid-19 erdhi nga një laborator

Shtëpia e Bardhë ka postuar një faqe të re mbi origjinën e koronavirusit në faqen e saj zyrtare, në të cilën mbështet teorinë se Covid-19 e ka origjinën në një laborator.

Faqja, e cila i ngjan një posteri filmi të Hollivudit, shfaq titullin “Lab Leak” me shkronja të mëdha.

Midis këtyre dy fjalëve qëndron një president amerikan me pamje të vendosur, Donald Trump.

Nën titullin e saj shkruhet ”Origjina e vërtetë e Covid-19”, ku togfjalëshi Covid-19 është shkruar me shkrim dore.

Faqja akuzon median, politikanët, autoritetet shëndetësore dhe imunologun amerikan Anthony Fauci për përhapjen e teorisë se virusi ka origjinën natyrale.

Ai gjithashtu pretendon se ka shumë prova që virusi e ka origjinën në një laborator në metropolin kinez të Wuhanit.

Më shumë se pesë vjet pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, është ende e paqartë nëse virusi u hodh nga kafshët te njerëzit apo e kishte origjinën në një laborator në Kinë.

Faqja e internetit kritikon gjithashtu rregullat më të rëndësishme nga periudha e koronavirusit – si distancimi social, mbajtja e maskave dhe bllokimet – si të gabuara.

Në janar, një nga veprimet e para të drejtorit të ri të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA), John Ratcliffe, ishte ndryshimi i vlerësimit të agjencisë së tij për origjinën e koronavirusit, duke pohuar se ka të ngjarë të ishte një aksident laboratorik.

CIA vlerëson se një origjinë e lidhur me kërkimin e pandemisë Covid-19 ka më shumë gjasa se një origjinë natyrore.

Në fillim të dhjetorit, një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së paraqiti një raport që mbështeste teorinë e laboratorit.

Lothar Wieler, ish-presidenti i institutit ”Robert Koch” të Gjermanisë (RKI) gjithashtu e konsideron teorinë laboratorike si më të mundshme, në një prononcim për edicionin e së dielës të gazetës gjermane ”Frankfurter Allgemeine Zeitung”./ KultPlus.com

Begaj uron besimtarët për Pashkë: Drita dhe mirësia triumfojnë mbi errësirën

Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët e krishterë shqiptarë me rastin e festës së Pashkës, duke përcjellë një mesazh të mbushur me shpresë, paqe dhe solidaritet.

“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë! Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat,” shkruan Presidenti në urimin e publikuar në rrjetet sociale.

Kreu i shtetit ka përfshirë në urimin e tij të gjithë besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, duke u dëshiruar atyre një festë të ndriçuar nga drita dhe e mbushur me bekime familjare.

“Festojeni këtë Pashkë plot dashuri, kujdes e vëmendje ndaj atyre që keni përzemër dhe që kanë nevojë!”, përfundon Presidenti Begaj, i cili ka ndarë gjithashtu edhe një fotografi të një shporte festive të përgatitur nga disa zonja të besimit ortodoks, në respekt të traditës./ KultPlus.com

Golashënuesit më të mirë të Ligës së Kampionëve

Futbollisti nga Guinea, Serhou Guirassy, i ekipit gjerman Borussia Dortmund, gjendet në krye të listës së golashënuesve më të mirë në UEFA Ligën e Kampionëve me 13 gola, pavarësisht se ekipi i tij u eliminua nga turneu para gjysmëfinales.

Skuadra gjermane humbi 4-0 nga Barcelona e Spanjës në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve dhe u eliminua pavarësisht se fitoi ndaj ekipit kundërshtar 3-1 në ndeshjen kthyese me golat e Guirassy.

Edhe pse gjendet në krye të tabelës me hat-trick të shënuar kundër Barcelonës, futbollisti 28-vjeçar guinean, shpejt mund të humb vendin e tij, pasi dy futbollistë të klubit spanjoll po e ndjekin atë prej afër.

Në garën për golashënuesin më të mirë përpara gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve paraqitjet e anësorit të majtë brazilian 28-vjeçar të Barcelonës, Raphinha dhe sulmuesit polak 36-vjeçar nga e njëjta skuadër, Robert Lewandowski, po tërheqin vëmendjen.

Në Barcelona, ekipi me më së shumti gola të shënuara këtë sezon, Raphinha gjendet në vend të dytë me 12 gola, kurse Lewandowski me 11 në rend të tretë.

Barcelona është skuadra që ka shënuar më shumë gola në këtë sezon në Ligën e Kampionëve, me 37 gola të shënuar deri në gjysmëfinale. Klubet gjermane Borussia Dortmund dhe Bayern Munich ndjekin skuadrën spanjolle me nga 31 gola secili.

Përfaqësuesi anglez Arsenal dhe ai francez PSG që do të përballen në gjysmëfinale kanë shënuar nga 30 gola. Klubi italian Inter, me 19 gola arriti të ngjitet deri në gjysmëfinale.

Në gjysmë finale do të përballet Barcelona me Interin, si ekipet me më së shumti dhe më së paku gola të shënuar deri në fazën e çerekfinales.

Futbollistët që gjenden në tre vendet e para ndeshjeve të gjysmëfinales janë Serhou Guirassy me 13 gola, Raphinha me 12 dhe Lewandowski me 11 gola./ KultPlus.com

Ish-futbollisti Artur Lekbello nderohet me titullin “Legjendë e Futbollit”

Artur Lekbello, një nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar është nderuar me titullin “Legjendë e Futbollit”. Për shkak të problemeve shëndetësore, ish-mbrojtësi nuk ka pasur mundësi të tërhiqte titullin në Shqipëri.

Për të nderuar dhe respektuar kontributin e tij, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe zyrtarë të tjerë të FSHF-së udhëtuan drejt Selanikut, ku u takuan me Lekbellon për t’i dorëzuar atij zyrtarisht titullin “Legjendë e futbollit”.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast dhe në një atmosferë shumë miqësore, ku morën pjesë edhe familjarë e miq të ish-futbollistit, Presidenti Duka i shprehu mirënjohjen e tij Artur Lekbellos për karrierën e jashtëzakonshme dhe gjurmën që ka lënë në futbollin shqiptar.

Artur Lekbello ka qenë një nga mbrojtësit më të spikatur të futbollit shqiptar në vitet 80’-90’. Ai ka luajtur 30 ndeshje me Kombëtaren. Në rang klubesh, Artur Lekbello ka luajtur për ekipin e 17 Nëntorit dhe Arisit të Selanikut./ KultPlus.com