Zerina Pozhegu është një flautiste e talentuar dhe premtuese nga shkolla e muzikës “Amadeus”. Zerina është vetëm 11 vjeç, por ka treguar një përkushtim dhe pasion të jashtëzakonshëm për artin muzikor.
Ajo ndjek mësimet e flautit me pedagogen Saranda Vllasaliu dhe ka nisur udhëtimin e saj muzikor që në moshën 7-vjeçare.
Zerina e ka zgjedhur flautin si instrument të saj të zemrës, duke u frymëzuar nga tingulli i tij melodioz, që për të përfaqëson një lidhje të veçantë midis natyrës dhe zërit njerëzor. Që nga fillimi i mësimeve, ajo ka shfaqur talent dhe potencial të lartë, duke u shquar si një muzikante e re por e dedikuar dhe punëtore.
Në shtator të vitit 2020, Zerina iu bashkua orkestrës së shkollës së muzikës “Amadeus”, ku luan rolin e flautistes së parë. Ky pozicion i rëndësishëm i ka dhënë mundësinë të tregojë aftësitë e saj të shkëlqyera si soliste dhe muzikante orkestri. Deri më sot, ajo vazhdon të mbajë me sukses këtë rol kyç, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në performancat e orkestrës.
Në qershor të vitit 2024, Zerina u shpërblye me vendin e parë në garat ndërkombëtare “Ars Kosova”, duke fituar njohje për talentin e saj në rritje. Një tjetër sukses madhor ishte pranimi i saj për të marrë pjesë në garat botërore të flautit në Bullgari “Moyse Flute Competition”, ku ajo u vlerësua lart nga juria profesionale dhe performoi përballë flautistëve nga vende të ndryshme të botës.
Përveç performancave solistike, Zerina është gjithashtu pjesë e ansambleve dhe muzikës kamertale të shkollës “Amadeus”, ku vazhdon të shkëlqejë në çdo koncert. Me përkushtimin dhe pasionin e saj, Zerina Pozhegu përfaqëson një model të shkëlqyer për muzikantët e rinj dhe një yll në ngritje në skenën muzikore./ KultPlus.com
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, bëri të ditur se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave këtë të enjte është miratuar akti për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Hoxha u shpreh se motivimi i Policisë së Shtetit do të jetë një ndër prioritetet e qeverisë, shkruan A2 CNN.
Sot Këshilla i Ministrave ka miratuar një akt shumë të rëndësishëm në lidhje me shpërblimin e punonjësve të policisë. Në gusht të vitit 2024, ligji i ri i Policisë së Shtetit miratoi të gjithë veprimtarinë, rregullimin, organizimin, për dhënien e shpërblimit të Policisë së Shtetit.
“Shumë shpejt dhënia e shpërblimeve do të unifikohet. Qeveria e përcakton shumë shprehimisht vullnetin e saj për misionin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit, roli i të cilës është shumë kyç dhe motivimi do të jetë prioritet i qeverisë shqiptare”, tha ministri Hoxhaj./ KultPlus.com
Ka përfunduar ndërhyrja restauruese në kishën e Shën Nikollës, Monument Kulture, Kategoria I, në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit.
Kisha e Shën Nikollës ndodhet në krahun perëndimor të kalasë së Beratit, pranë kishës bizantine të Shën Mëri Vllahernës. Periudha e ndërtimit sipas mbishkrimit që gjendet në murin e brendshëm i përket fundit të shekullit të 16-të.
Në përbërje të saj ka tri hapësira kryesore: në qendër ndodhet ambienti kryesor i qarkuar me mure dhe i mbuluar më çati 3-ujëshe ndërsa në të dy anët zhvillohen dy ambiente të tjera edhe këto të pajisura me absida në anën lindore të tyre. Pjesa e brendshme e mureve është e veshur me afresk i cili ruhet në gjendje të mirë konservimi.
Problematikat e shfaqura përpara ndërhyrjes restauruese ishin: degradimi i elementëve të mbulesës së çatisë, dëmtimi i tjegullave mbi murin rrethues të kishës, dëmtimi i materialit drusor të derës anësore të kishës.
Projekti i mirëmbajtjes hartuar nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, miratuar nga IKTK, synoi ruajtjen e vlerave arkitektonike dhe historike të kishës. Gjatë ndërhyrjes u realizua: qeramosja e çatisë me tjegulla vendi; vendosja e një ulluku për shkarkimin e ujërave të shiut dhe shmangien e lagështisë; u mbulua me mur guri me tjegulla vendi në pjesët e dëmtuara; u restaurua pjesërisht dera, me material drusor./ KultPlus.com
Ai lindi në Krujë në vitin 1892. Në 1912-ën përkrahu Esat Pashë Toptanin, ndërsa në 1920-ën u rreshtua krah Mustafa Krujës kundër Ahmet Zogut. Pavarësisht mospajtimeve mes tyre, pas ardhjes së Zogut në pushtet, Kupi u bë komandant i Krujës, e më pas major në xhandarmërinë e Durrësit në vitet 1932-1939.
Më 7 prill 1939, kur italianët zbarkuan në Durrës, Abaz Kupi, i njohur edhe si Bazi i Canës, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak, duke mbajtur qëndresë për 36 orë.
Me pushtimin e Shqipërisë u largua drejt Stambollit. Në qershor të vitit 1939 familja e tij u internua në Himarë. U rikthye në atdhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ-it. U bë nismëtari Konferencës së Mukjes, të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943.
Duke mos u pajtuar me qëndrimet e Enver Hoxhës, i cili në shtator 1943 hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit, në 19 nëntor 1943 Kupi u largua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit, që synonte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja dhe vajzat u internuan në Tepelenë e më pas nëpër kampet e Myzeqesë./ KultPlus.com
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Ceki, Albesjana Iberhysaj e shoqëruar nga dy vajzat e Anton Çettës, Agata dhe Donika Çetta kanë pasuruar Institutin e Etnologjisë në Pragë, me dhurimin e kompletit të veprave të Anton Çettës për këtë institucion.
Me dhurimin e këtij kompleti është shënuar edhe përvjetori i lidhjes së atdhetarit Anton Çetta. KultPlus ju sjell njoftimin e plotë nga ambasadorja Iberhysaj.
Në shënim të përvjetorit të lindjes së atdhetarit të paepur, plakut të urtë, mbledhësit të shquar të folklorit dhe pajtuesit të palodhur të gjaqeve, profesor Anton Çetta, në Institutin e Etnologjisë të Akademisë së Shkencave të Çekisë, në Pragë, nderuam jetën dhe veprën e tij duke i dhuruar bibliotekës së Institutit një komplet të veprave të profesor Çettës.
Veprat e Çettës janë një kontribut i jashtëzakonshëm në mbledhjen e folklorit, si një thesar i kulturës sonë shpirtërore që ia përcjellim me krenari brezave të ardhshëm.
Dhurimi i kësaj serie librash për Institutin e Etnologjisë në Pragë është një moment i rëndësishëm, pasi këto vëllime janë më shumë se tekste – ato janë një dritare që shpalos kulturën dhe traditën tonë, gjithashtu dhe një ftesë për të eksploruar thesarin e krijimtarisë sonë njerëzore. Ndërsa këta libra e gjejnë shtëpinë e tyre brenda një instituti prestigjioz, le të shërbejnë si burim frymëzimi e studimi dhe si një kujtesë e përgjegjësisë sonë të përbashkët për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë dhe kulturën tonë. Vepra e Profesor Çettës do të mbetet përjetësisht në historinë tonë kombëtare. Ai do të kujtohet përherë si personalitet i jashtëzakonshëm, ndërsa përkushtimi i tij ndaj atdheut do të mbetet udhërrëfyes për breza të tërë.
Dorëzimi i veprave iu bë drejtorit të Institutit, z.Jiří WOITSCH, me të cilin u diskutua mbi mundësi të tjera bashkëpunimi mes .
Një falënderim i veçantë për drejtuesen e Seksionit të gjuhës shqipe në Universitetin e Karlit në Pragë, Dr. Orkida Backus Borshi, Prof. Dr.Jaroslav Otčenášek dhe vajzat e
Profesor Çettës, Agata Çetta dhe Donika Çetta me mbështetjen e të cilëve u mundësua realizimi i këtij aktiviteti. / KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se konkursi për prezantimin e projekteve për sheshin monumental “Adem Jashari”, do të hapet përsëri këtë muaj.
Ai ka njoftuar se asnjë nga projektet e paraqitura në konkursin e kaluar, nuk janë vlerësuar si të përshtatshëm nga përfaqësuesit e familjes Jashari.
Komuna, sipas tij e ka buxhetin prej 150 mijë eurove që ta rihap konkursin për këtë çështje.
“Sheshi monumental i Adem Jasharit ne e kemi pasur konkursin edhe kemi pasur projekt propozime, si pjesë e procesit ne kemi qenë sensitiv edhe ndaj çështjes dhe familjes së Adem Jasharit, edhe e kemi pasur edhe reprezentuesin e familjes ku në bazë të procesit nuk e kanë parë familja asnjë projekt që meriton me ec përpara edhe për këtë arsye nuk kemi ec përpara, gjithë ato projekte që kanë qenë. Buxhetin e kemi 150 mijë euro që ta rihapim konkursin prapë dhe këtë do ta bëjmë në këtë muaj”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe ne lidhje me lëshimin e lejes së ndërtimit për qendrën tregtare “Central Park”, për të cilën ka thënë se leja është lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit duke respektuar ligjet dhe rregulloret.
“Sa i përket lejes për Central Park, unë informatat që i kam, Drejtoria e Urbanizmit ka lëshuar leje në bazë rregullative. Nuk jam në dijeni që ka diçka jashtëligjore”, ka thënë ai. /EO/ KultPlus.com
Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj. Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë Që shpirti im mund të arrijë, kur merr pjesë i padukshëm Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes ideale.
Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt. Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton për drejtësi. Të dashuroj me pastërti, si dikush që nga lutja kthehet.
Të dashuroj me pasionin që hidhja Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin e fëmijërisë sime. Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur, Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen, Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! – e nëse Zoti do dojë, Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com
Zjarret shkatërruese që rrethojnë Los Anxhelosin janë përhapur në Kodrat e Hollivudit, pasi zjarret e tjera në zonë vranë të paktën pesë persona, shkatërruan qindra shtëpi dhe shtrinë burimet e zjarrfikësve dhe furnizimet me ujë në kufijtë e tyre.
Më shumë se 100,000 njerëz janë urdhëruar të evakuohen pasi erërat e thata dhe me forcë uragani po pengojnë operacionet e shuarjes së zjarrit dhe kanë ndezur zjarret që kanë shpërthyer pothuajse të papenguara nëpër zonat e goditura nga thatësira që nga e marta.
“Ky zjarr është masiv,” tha kryebashkiaku i Los Anxhelosit Karen Bass në një konferencë për shtyp.
Shtrirja e zjarrit mund të shihet në hartën interaktive të Departamentit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Pylltarisë në Kaliforni.
Një zjarr i ri shpërtheu në Hollywood Hills të mërkurën mbrëma, tha shefi i zjarrfikësve Kristin Crowley në një konferencë shtypi, duke detyruar më shumë evakuime dhe duke e çuar numrin e zjarreve në gjashtë në kontenë e Los Angeles.
Katër prej tyre po digjen jashtë kontrollit, duke përfshirë dy zjarre të mëdha në anët lindore dhe perëndimore të qytetit që vazhduan të përhapen të mërkurën kur ra nata.
Një zjarr në Hollywood Hills dogji 20 hektarë të mërkurën, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve në Kaliforni. Ekuipazhet e helikopterëve po hidhnin ujë mbi flakët dhe dukej se po ngadalësonin zjarrin.
Departamenti i Zjarrfikësve në Los Anxhelos ka lëshuar një urdhër evakuimi për njerëzit në një zonë brenda Hollivudit që është shtëpia e vendeve të famshme që lidhen me industrinë e filmit dhe argëtimit.
Brenda asaj hapësire është Teatri Dolby, ku mbahen çmimet Oscar. Shpallja e nominimeve për Oscar është vonuar për shkak të zjarrit, thanë organizatorët.
Edhe pse relativisht i vogël në krahasim me të tjerët, ky zjarr po digjet pikërisht mbi bulevardin Hollywood dhe Walk of Fame. Kalimi i autostradës do të rrezikonte shenjën e Hollivudit në kodër si dhe Observatorin Griffith./ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë gjatë vitit që lamë pas priti më shumë se 35 mijë vizitorë vendas e të huaj.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, i cili bëri publike këtë shifër përmes rrjeteve sociale, tha se ky muze është një nga hapësirat më të bukura muzeore dhe një nga destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore.
Filo bën të ditur se të shumtë kanë qenë vizitorët edhe në ditët e para të këtij viti, të cilët janë mrekulluar nga objektet e ekspozuara në këtë muze.
Në fondin e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar gjenden mbi 7000 ikona kulti dhe arti, kryesisht ikona të krijuara në Mesjetën e Hershme.
Kjo qendër muzeore, që është një nga më të rëndësishmet në vend, u përurua më 24 prill 1980. MKAM ka 4 pavijone, disa laboratorë ekzaminimi dhe konservimi si dhe mjedise të fondeve.
Në sallën e ekspozitës së përhershme gjenden rreth 200 objekte arti. Ky muze është unik në llojin e vet në rajonin e Ballkanit, për sa i përket fondit që disponon, i vlerësuar nga profesionistët e huaj për punën që bëhet për ruajtjen e ikonave, në kushte ideale, profesionale dhe të standardeve botërore./ KultPlus.com
Një nga të evakuuarit duke ikur nga zjarret shkatërruese që kanë përfshirë Los Anxhelosin e ka përshkruar situatën në Hollywood Hills si “kaotike”.
Zjarret kanë vrarë të paktën pesë persona dhe kanë zhvendosur më shumë se 100,000.
Zjarret e reja shpërthyen të mërkurën pranë Hollywood Hills dhe Runyon Canyon. Këto janë ndër pjesët më të famshme të Los Anxhelosit dhe janë edhe vendet ku ndodhet shenja ikonë “Hollywood”.
Shefi i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit, Anthony Marrone tha se ekuipazhet e tij ishin të habitur nga shkalla dhe shpejtësia me të cilën po përhapeshin zjarret.
Shuarja e zjarrit po vështirësohet nga era dhe mediat amerikane raportojnë për nevojën për sasi më të mëdha uji. Për këtë arsye është paralajmëruar për shkak të presionit të ulët të ujit për shkak të rritjes së konsumit.
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka mobilizuar mbi 7,500 zjarrfikës dhe personel emergjence.
Gati 1,500 ndërtesa janë djegur nga zjarret që kanë shpërthyer rreth qytetit të dytë më të madh të Amerikës, duke detyruar më shumë se 100,000 njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Më shumë se 300,000 familje mbetën pa energji në rajon, sipas uebsajtit outage.us. Kompanitë e shërbimeve në Kaliforni shpesh mbyllin linjat e energjisë gjatë erërave të forta për të zvogëluar rrezikun e zjarreve të reja.
Krye bashkiaku i Los Anxhelosit Karen Bass tha në mediat sociale të mërkurën mbrëma: “Ne po vendosim oficerë të LAPD për të ndihmuar në zbutjen e trafikut të evakuimit në Hollywood. Ne po punojmë urgjentisht për të mbyllur rrugët, për të devijuar trafikun dhe për të zgjeruar aksesin për automjetet LAFD.”
Zona është shtëpia e disa atraksioneve për tu vizituar nga turistët, duke përfshirë Teatrin Kinez TCL dhe një pjesë të Walk of Fame në Hollywood.
Zjarri dogji të paktën 50 hektarë afër kodrave të Hollivudit, sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni.
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom ka mobilizuar mbi 7,500 zjarrfikës dhe personel emergjence./ KultPlus.com
Parku natyror i Liqenit të Ulzës do të shndërrohet në një nga atraksionet më të bukura për turistët në çdo stinë të vitit.
Kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj bëri të ditur bëri të ditur se rehabilitimi i parkut do të sjellë edhe zhvillim ekonomik për zonën.
“Një investim tejet i rëndësishëm për Matin, pasi falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me zbatimin e këtij projekti, vendi ynë do të ketë një zhvillim të konsiderueshëm të turizmit”, theksoi Malaj.
Sipas tij, Ulza është perla turistike e zonës, por me krijimin e zonës së plazhit dhe shëtitores do të shndërrohet në një nga atraksionet më të bukura turistike për turistët në çdo stinë të vitit.
Projekti për rehabilitimin e Parkut Natyror “Liqeni i Ulzës” dhe zonave përreth tij synon të arrijë rikualifikim dhe rikompozim të parkut duke kryer edhe ndërhyrje specifike në infrastrukture, ngritjen e qendrës së informimit duke aplikuar struktura në harmoni me natyrën, ngritjen e mjediseve çlodhëse si dhe argëtuese për vizitorët, si dhe identifikimin dhe krijimin e shtigjeve natyrore.
Parku Natyror “Liqeni i Ulzës” dhe zonat përreth tij ofrojnë një potencial shumë të mirë për zhvillimin e turizmit natyror, të kombinuar me kulinarinë, hiking, lundrimin në liqen, etj.
Nëpërmjet këtij projekti synohet të realizohet ruajtja në gjendjen natyrore të peizazhit, sistemet ekologjike dhe karakteristikat natyrore të zonës./ KultPlus.com
Embargoja e planifikuar mbarëkombëtare ndaj TikTok-ut është një “shpërdorim i pushtetit” dhe do të shtypë lirinë e fjalës, paralajmëron opozita, sipas “Politico”.
Nuk është vetëm Uashingtoni apo Bukureshti. Shqipëria ka planifikuar ndalimin e TikTok-ut – një lëvizje që mund të tërheqë vëmendjen e Brukselit, ndërsa vendi po punon për të pastruar pengesat në mbrojtjen e të drejtave civile për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Edi Rama njoftoi në fund të dhjetorit se do të bllokonte TikTok-un për një vit.
Vendimi i tij u nxit nga vrasja me thikë e një 14-vjeçari në nëntor – pas një sërë argumentesh që adoleshenti pati në media sociale.
Pas sulmit me thikë, në TikTok u shfaqën video që tregonin të rinjtë që shprehnin mbështetje për vrasjen.
“Vendimi bazohet në një model shumë shqetësues në TikTok – dhe prek shqetësimet në rritje se si media sociale ndikon në shëndetin mendor dhe sigurinë e të rinjve”, tha Rama.
Por, ndalimi i TikTok-ut ka shkaktuar debat mes politikanëve të opozitës dhe vëzhguesve të të drejtave të njeriut.
“Është një akt i pastër elektoral dhe shpërdorim i pushtetit – për të shtypur lirinë e fjalës në Shqipëri”, tha Ina Zhupa, deputete e opozitës.
Ruslan Stefanov, drejtor programi në Qendrën për Studimin e Demokracisë – me qendër në Sofje – tha se fajësimi i TikTok-ut për tragjedinë ishte një veprim tipik populist.
“Mungesa e një procesi të rregullt ligjor ose provave të forta që mbështesin ndalimin e planifikuar është simbol i korrupsionit sistemik dhe dobësive institucionale të vendit”, tha Stefanov.
Një zëdhënës i TikTok-ut tha se nuk ishte gjetur asnjë provë – që autori apo viktima kishte një llogari në TikTok – dhe raportet e shumta kishin konfirmuar se videot që kishin nxitur këto incidente po postoheshin në një platformë tjetër, dhe jo në TikTok.
Ndalimi i planifikuar i TikTok-ut ka të ngjarë të tërheqë vëmendjen në Bruksel, ku zyrtarët e Bashkimit Evropian po vlerësojnë respektimin e Shqipërisë për standardet e BE-së për shtetin e së drejtës dhe liritë themelore.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha në një deklaratë se ekzekutivi i BE-së kishte marrë parasysh planin e Shqipërisë për të bllokuar TikTok-un – duke e quajtur atë një vendim sovran.
“Në BE, çdo ndalim i shërbimeve digjitale mund të konsiderohet si mjeti i fundit dhe në lidhje me një shkelje të detyrimeve të ligjit për transparencën dhe llogaridhënien, jo si një përgjigje ndaj çështjeve individuale dhe pjesëve të përmbajtjes në internet”, theksohet në deklaratë.
“BE po kryen hetimin e vet sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale, përfshirë në lidhje me vlerësimin dhe uljen e rrezikut për mirëqenien fizike dhe mendore të përdoruesve”, shtoi zëdhënësi.
Komisioni Evropian aktualisht po vlerëson shtetin e së drejtës dhe të drejtat civile në Shqipëri me synimin drejt pranimit të saj në BE – një nga qëllimet më të mëdha politike të Ramës.
Shqipëria ka qenë një vend kandidat për në BE që nga viti 2014 dhe zyrtarisht hapi procesin e saj të anëtarësimit në vitin 2022, me raundin e parë të negociatave që u zhvillua tetorin e kaluar.
Rama synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.
Kryeministri Rama këmbënguli se ndalimi i TikTok-ut nuk ishte provokuar nga një incident i vetëm.
“Ky vendim ishte në përputhje me atë që dëshironte shumica dërrmuese e prindërve dhe ishte pjesë e një plani më të gjerë për t’i bërë shkollat më të sigurta”, tha ai.
Zyra e Ramës nuk dha detaje teknike se si dhe kur do të zbatohet vendimi për ndalimin e TikTok-ut.
Kryeministri tha në dhjetor se qeveria e tij kishte bërë të gjithë kërkimin teknologjik dhe se do të duheshin gjashtë deri në tetë javë për të siguruar që TiKTok-u të mos ishte më i aksesueshëm në Shqipëri.
“Liria e fjalës dhe mundësitë e marketingut nuk do të pushojnë së ekzistuari pa TikTok-un”, tha Rama./ KultPlus.com
Një gjë sa më perfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.
Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.
Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta rikujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.
Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në Parajsë.
Dashuron pak ai që mund të numërojë dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.
Vendet më të nxehta në Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale.
Zoti është Një; Universi është një mendim i Zotit; Universi është pra Një i tillë. Të gjitha gjërat vijnë nga Zoti. Të gjithë marrin pjesë, pak a shumë, në natyrën hyjnore, në varësi të qëllimit për të cilin janë krijuar. Njeriu është më fisnik nga të gjitha gjërat: Zoti ka derdhur më shumë në të nga natyra e tij sesa te të tjerët. Çdo gjë që vjen nga Zoti priret për përkryerjen e saj për të cilën ai është i aftë. Kapaciteti për përmirësim tek njeriu është i papërcaktuar. Njerëzimi është Një. Zoti nuk bëri asgjë të padobishme; dhe duke qenë se ekziston një njerëzim, duhet të ketë një qëllim të vetëm për të gjithë njerëzit, një punë që duhet të realizohet nga të gjithë ata. Njerëzimi, pra, duhet të punojë së bashku në mënyrë që të gjitha forcat intelektuale të shpërndara në të të marrin zhvillimin më të lartë të mundshëm në sferën e mendimit dhe veprimit. Prandaj, ekziston një fe universale e natyrës njerëzore .
Në origjinën e saj, poezia është shkenca e gjërave njerëzore dhe hyjnore, e kthyer në një imazh fantastik dhe harmonik.
Oh krijesa marrëzie sa injorancë ka në fyerje!
Tri gjëra kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.
Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata, por e ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë.
Kur Jean-Marie Le Pen kandidoi për herë të parë në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 1974, ai mori vetëm 0.75% të votave. Gjysmë shekulli më vonë, vajza e tij, Marine Le Pen, udhëheq partinë më të madhe në parlamentin francez dhe është një kandidate serioze për presidencën.
Jean-Marie Le Pen, i cili ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare, ishte për dekada një figurë kontroverse e së djathtës ekstreme në politikën franceze. Me një qëndrim të hapur racist dhe antisemit, ai shpesh dukej më i interesuar të ngjallte polemika sesa të fitonte pushtet.
Megjithatë, trashëgimia e tij është e rëndësishme. Një vështrim i shkurtër mbi vendin që mban sot e djathta ekstreme në politikën franceze dhe evropiane tregon fuqinë e jashtëzakonshme të mesazhit të tij anti-emigracion, anti-elitë, anti-globalizim dhe anti-BE.
Figurë kontraverse
Ish-parashutist dhe më pas deputeti më i ri në Francë në moshën 27-vjeçare, Le Pen u shfaq si një kundërshtar i fortë i Charles de Gaulle, duke e akuzuar atë për “zvogëlimin e Francës” me dhënien e pavarësisë Algjerisë.
Në vitin 1972, ai bashkë-themeloi Frontin Kombëtar (FN), një parti që përfshinte mbështetës nga fondamentalistët katolikë deri te nostalgjikët e qeverisë kolaboracioniste të Luftës së Dytë Botërore. Le Pen u paraqit si trashëgimtar i një ideologjie ultra-nacionaliste franceze.
Në vitet ’80, partia e tij filloi të tërhiqte një bazë më të gjerë, veçanërisht nga votuesit e klasës punëtore të veriut të Francës, të cilët ndiheshin të zhgënjyer nga rënia ekonomike dhe rritja e emigracionit. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2002, ai tronditi vendin duke hyrë në balotazh, ku fitoi 16.7% të votave – një tërmet politik për Francën.
Pengesa më e madhe për partinë e tij: vetë Le Pen
Megjithatë, stili i tij provokues dhe polemikat e pafundme ishin një pengesë për rritjen e mëtejshme të partisë. Ai u dënua disa herë për nxitje të urrejtjes racore dhe mohimin e krimeve të luftës. Deklaratat e tij për Holokaustin si një “detaj i historisë” dhe pretendimet se emigracioni afrikan do të “mbytë” Francën, shkaktuan zemërim të gjerë.
Në vitin 2011, Jean-Marie Le Pen u tërhoq nga politika aktive, duke ia kaluar drejtimin vajzës së tij Marine. Marine filloi një fushatë për të “de-demonizuar” partinë, duke e distancuar atë nga trashëgimia e babait të saj. Në vitin 2015, pas një konflikti publik mbi deklaratat e tij për Holokaustin, ajo e përjashtoi nga partia që ai kishte themeluar.
Në një lëvizje përfundimtare për të rinovuar imazhin e partisë, ajo edhe i ndryshoi emrin partisë. Strategjia e saj ka dhënë rezultate: Marine Le Pen ka arritur në balotazhin presidencial dy herë, në vitin 2017 dhe 2022, duke marrë përkatësisht 34% dhe 41% të votave. Ajo është një nga favoritet për zgjedhjet e vitit 2027.
Trashëgimia e Jean-Marie Le Pen
Ndërsa Jean-Marie Le Pen mbetet një figurë thellësisht përçarëse, platforma e tij politike është normalizuar në mënyrë alarmante. Politika anti-emigracion dhe retorika nacionaliste që ai promovoi tani janë përqafuar nga partitë kryesore të djathta në Evropë.
Partitë e ekstremit të djathtë, që ndajnë një vizion të ngjashëm anti-BE dhe nacionalist, aktualisht udhëheqin qeveritë në tre vende të BE-së, janë pjesë e koalicioneve në tre të tjera dhe mund të fitojnë pushtet në disa vende të tjera.
Në një nga vëzhgimet e tij më të mprehta, Le Pen deklaroi në vitin 1990: “Në përgjithësi, njerëzit preferojnë origjinalin ndaj kopjes.” Historia ka treguar se kjo thënie e tij ka qenë profetike./ KultPlus.com
Ndonëse rruga s’merr kurrë fund, bëj një hap përpara dhe vazhdo të ecësh, mos u tut nga largësia. Në këtë rrugëtim, lëre zemrën të jetë udhërrëfyesja jote kur trupi ngurron dhe është mbytur nga frika.
Ti erdhe papritur dhe vodhe prej meje tri gjëra. Durimin nga zemra, ngjyrën nga fytyra dhe gjumin nga sytë.
Jo vetëm ata që flasin të njëjtën gjuhë, por edhe ata që ndajnë të njëjtat ndjenja e kuptojnë njëri-tjetrin.
I thashë natës, “Nëse je e dashuruar me hënën, kjo sepse kurrë s’qëndron gjatë”. Nata u kthye dhe më tha, “Nuk është faji im. Kurrë nuk e shoh diellin, nga ta di që dashuria është e pafund?”
Ji i çmendur dhe i dehur me dashuri, nëse je shumë i kujdesshëm, dashuria nuk do të të gjejë.
Duhet të vazhdosh ta thyesh zemrën derisa të hapet.
Lerë heshtjen të të çojë në bërthamën e jetës.
Duhet të hesht. Të hesht. Dhe ta lë dashurinë të përshkruajë vetveten: nën një përshkrim të lumtur, të gëzuar që s’merr fund kurrë.
Kurrë mos e humb shpresën, zemra ime, mrekullitë burojnë nga e padukshmja.
Mjaft me fjalë! Hap dritaren në qendër të kraharorit… Lëri shpirtrat të hyjnë dhe të dalin.
Mund të mësosh të dashurosh vetëm duke dashuruar.
Nëse fjalët dalin nga zemra, ato do të hyjnë në zemër.
Duke bërë si më thanë të tjerët, u verbova. Duke shkuar kur të tjerët më kërkonin, humba. Më pas u largova prej të gjithëve, edhe prej vetes. Kështu i gjeta të gjithë, edhe veten.
Unë nuk jam këto flokë, nuk jam kjo lëkurë, jam shpirti që jeton brenda tyre.
Nëse ke shumë, fal prej pasurisë tënde. Nëse ke pak, dhuro prej zemrës.
Bëhu si lulja që ia jep aromën edhe dorës që e këput.
Detyra jote nuk është të kërkosh dashuri, por të kërkosh dhe të gjesh të gjitha pengesat që vetja jote ka ndërtuar kundër dashurisë.
Nuk kam fe. Feja ime është dashuria. Çdo zemër është tempulli im.
Unë buzëqesh si një lule, jo vetëm me buzë, por me tërë qenien.
Mos u gënje nga bukuria ime, drita që më sheh në fytyrë vjen nga qiriu i shpirtit tim.
Kur bota të gjunjëzon, je në pozicionin e duhur për t’u lutur.
Përse po troket në çdo derë? Jepi, trokit në derën e zemrës tënde!
Ai që vë intelektin mbi dëshirat është më i lartësuar se engjëjt, ai që vë dëshirat mbi intelektin, është më pak se një kafshë. /KultPlus.com
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci priti në një takim zëvendëspresidentin e Federatës Italiane të Volejbollit, Adriano Bilato, së bashku me Presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
Në takim ishte i pranishëm edhe koordinatori i Beach Volley në Itali, Fabio Galli.
Gjatë takimit u diskutua për veprimtaritë që do të nisin së shpejti në kuadër të “Shkodra, Qytet Evropian i Sportit 2025”.
“Për volejbollin gjatë këtij viti do të ketë një sërë aktivitetesh ndërkombëtare, një prej të cilave do të zhvillohet në plazhin e Velipojës, ku do të organizohet Beach Volley gjatë sezonit veror”, tha Beci në një postim në rrjetet sociale./ KultPlus.com
Në një përmbledhje të politikës së jashtme të amerikane gjatë katër viteve të fundit nën udhëheqjen e Presidentit Joe Biden, zëvendës-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jon Finer tha të mërkurën se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet “një shqetësim i madh për Shtetet e Bashkuara.”
I ftuar për të diskutuar çështjet e ndryshme globale në institutin ndërkombëtar Chatham House, me seli në Londër, zoti Finer, i cili ka shërbyer në këtë pozitë të lartë në Shtëpinë e Bardhë, u pyet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, ndikimin rus dhe kinez në rajon dhe konfliktin e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se “ekzistojnë dy vija kryesore ndarëse për të cila jemi më të shqetësuar se për të tjerat” në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që theksoi se Presidenti Biden mbetet i përkushtuar në çështjet e sigurisë së këtij rajoni që nga koha kur kryesonte Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.
“Njëra është situata në Kosovë, një aleat thelbësor i Shteteve të Bashkuara, që është në tehun e thikës”, deklaroi zoti Finer.
Finer tha se sa i përket Kosovës, është qëndrim amerikan që ajo “duhet të jetë edhe sovrane edhe të respekojë komunitetet pakicë të cilat ekzistojnë përbrenda asaj që është një Kosovë sovrane”.
Finer theksoi se këto janë çështje që administrata e Presidentit Biden është angazhuar “t’i menaxhojë, shpesh nën radar përmes diplomacisë së kujdesshme përgjatë tërë (mandatit) të kësaj administrate” dhe se ato mbesin sfida të cilat duhet vëzhguar dhe ku situata vazhdon të jetë shqetësuese.
Ai tha se shqetësim tjetër për SHBA-të në këtë rajon “është ndarja e mundshëm,” e Bosnjës, “ku të paktën njëri nga udhëheqësit, zoti Dodik, të paktën në formë retorike po ndjekë një agjendë që bën thirrje për shpërbërjen e shtetit, të cilin ne e kundërshtojmë fuqishëm”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë që “nuk ka qasje më të mirë se (Marrëveshja) e Dejtonit për të ruajtur paqen në Bosnjë”. /VOA/ KultPlus.com
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, ka mbërritur në Shqipëri këtë të mërkurë.
“Sapo mbërrita në Shqipërinë e bukur! I lumtur që të nis vizitën time dhe të punoj me partnerët tanë në forcimin e demokracisë, sigurisë dhe mbështetjen e atyre që janë në nevojë”, tha Verma./ KultPlus.com
Sigurisht, meqenëse nuk kishte asnjë teknologji regjistrimi në kohën e Shekspirit, ne kurrë nuk mund ta dimë me të vërtetë se si tingëllonin bardi dhe bashkëkohësit e tij, transmeton KultPlus.
Por duke përdorur parimet gjuhësore, ne mund të mendojmë. Shekspiri pothuajse me siguri nuk tingëllonte si John Gielgud, Laurence Olivier, apo ndonjë nga interpretuesit e tjerë të mëdhenj të veprës së tij. Në vend të kësaj, ai me shumë gjasë tingëllonte disi më shumë si një folës i anglishtes amerikane të Atlantikut të Mesëm, veçanërisht në zonat ku vendbanimi Irlandez ishte i shquar, sesa ai që fliste një anglisht i lidhur tani me luginën e tij të lindjes në lumin ”Thames” të Anglisë jugore.
Atëherë, si mund të hyjnojmë se si mund të kenë tingëlluar lojtarët e Shekspirit në skenën e Teatrit Globe? Një e dhënë janë fjalët që ai rimoi, si në këto rreshta nga njëra prej soneteve të tij:
If this be error and upon me proved I never writ, nor no man ever loved.
Qartë “të provuar” dhe “të dashur” kanë për qëllim të rimohen. Sidoqoftë, mënyra se si të veprohet kështu, mbetet një burim debati. Përveç rimave të drejtpërdrejta, mund të ekstrapolohet nga evolucioni i dialekteve të sotme britanike, duke parë tekste origjinale bashkëkohore siç janë ”Jeta e Shkurtër ” e John Aubrey si dhe dramat e vetë Shekspirit.
Ne e dimë gjithashtu se Shekspiri jetoi në kohën kur ajo që gjuhëtarët e quajnë ”Ndryshimi i Madh i Zanoreve”, një aspekt i kalimit nga anglishtja e mesme në anglishten moderne, ishte ende në proces, kështu që gjatësia e zanoreve në fjalët e tij ishte ndryshe nga tonat. Besohet gjithashtu se anglishtja e kohës ishte ”Rhotike” – domethënë se tingulli “r” ishte i shquar.
Nga të gjitha ato drita, siç sugjerojnë këto fragmente nga ”Bordi i Bibliotekës Britanike”, anglishtja e Shekspirit mund të ketë tingëlluar diçka si një kryqëzim midis anglishtes së Thomas Hardy dhe asaj të James Joyce – jo shumë amerikan, domethënë, por i njohur ndryshe nga dialekti standard të Londrës sot. Hulumtimi i kryer nga Paul Meier, një specialist i dialektit dhe teatrit në Universitetin e Kansas, e lëviz zërin një hije më afër brigjeve amerikane, por shtresa që ne shoqërojmë me Irlandën është shumë e pranishme edhe në rindërtimin e tij.
Kështu që ne mund të jemi të sigurt – në mënyrë të arsyeshme, por jo plotësisht të sigurt – që Hamleti tingëllonte diçka si kjo:
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato zhvilluan sot një takim mbi shkëmbimin e ideve dhe perspektivave për zhvillimin dhe promovimin e turizmit.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së e prezantoi ambasadorin Gonzato me një panoramë të arritjeve të vitit 2024 në promovimin e Shqipërisë turistike.
“Unë e vlerësoj thellësisht angazhimin e përbashkët për të nxitur rritjen e qëndrueshme në këtë sektor jetik dhe shpresoj për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen”, u shpreh Çela.
Ambasadori i BE-së Gonzato mirëpriti një projekt bashkëpunimi të paraqitur nga drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Çela, në kuadër të promovimit të turizmit shqiptar në mbarë Evropën.
Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Turizmit, ambasadori Gonzato shfaqi interes lidhur me ndryshimet që do të ketë Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe konkretisht mbi procedurat e saj të funksionimit që parashikohen në strategji.
Biseda u përqendrua edhe tek pritshmëritë dhe paraqitja e Shqipërisë në Panairin e Turizmit më të madh në botë – ITB Berlin 2025, ku Shqipëria për herë të parë mban rolin e rëndësishëm si “vend i nderit”./ KultPlus.com
Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin e tij të tretë universitar të titulluar: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues dhe redaktorëve të profesionalizuar.
Autori në parathënien e librit ka thënë se libri i radhës, “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, po vjen në një kohë kur media kosovare në përgjithësi është e mbuluar dhe e përcjellë me shumë gabime e të meta, që shkojnë në dëm të etikës gazetareske.
“Libri, gjithashtu, erdhi si rezultat i punës sime të palodhshme disavjeçare, gjatë së cilës jam përpjekur ta avancoj etikën, në të gjitha dimensionet. Përvoja ime mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe atë hulumtuese, përvoja tjetër mbi 13-vjeçare si themelues i një portali me ndikim dhe po kaq vite si pjesë e Bordit të KMSHK-së, më mundësuan të mësoj shumë për gabimet e përditshme që bëjnë portalet dhe të metat e shumta, që shfaqen gjatë të bërit gazetari online”.
Profesori dhe publicisti Musa Sabedini ka thënë se në libër ka shtjelluar e trajtuar rolin e etikës në gazetari, në media, rolin e etikës në jetën e përditshme, në shkrime e tekstet tona, që i plasojmë çdo çast.
“Etika është thelbi i gazetarisë profesionale, sepse nëse gazetari nuk ka etikë personale, ai do ta ketë të vështirë ta zbatojë etikën kolektive ose të respektuarit të etikës në jetën publike.
Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe media, është ilaç për një shoqëri të emancipuar. Kuptohet etikën nuk duhet ta ruajnë apo ta avancojnë vetëm mediat e gazetarët, sepse ajo duhet të respektohet edhe nga lexuesit, dhe ata që i kemi sy e vesh, për punën tonë të përditshme” ka shkruar profesori Sabedini.
Ai është shprehur se gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur që etikën ta kem në plan të parë, pa anashkaluar shkrimin e fuqishëm ose hulumtues.
“Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Kam marrë referenca nga qindra studiues amerikanë, kanadezë, japonezë, turq, gjermanë, austriakë, indianë, kroatë, shqiptarë, studiues e ekspertë të fushave të ndryshme që ndërlidhen me etikën. Pra, në libër kam trajtuar edhe shumë raste e shembuj të shkeljes së etikës dhe kam ofruar edhe raste se si duhet të ruhet etika. Synim imi gjithmonë është alternativa e kompletuar, duke mos e lënë në qiell atë zotësinë, dijen e përvojën time të gjatë në gazetari. Kam folur me shumë kompetencë, mbi shumë dukuri devijante në gazetarinë online në Kosovë dhe në rajon dhe kam ofruar analiza, rezultate e pasqyra të dobishme për studentët, studiuesit, redaktorët e pronarët e portaleve.
Libri është ndërtuar nga arkiva ime shumëvjeçare, me katër çmime të fituara në fushën e gazetarisë hulumtuese dhe është kurorëzuar me vitet e fundit të jetës sime aktive në Kolegjin UBT, si ligjërues i katër lëndëve të gazetarisë, ku sigurisht që e kam avancuar edhe më shumë gazetarinë e nivelit akademik e studimor, duke marrë pjesë edhe në 12 konferenca me karakter ndërkombëtar” ka nënvizuar Sabedini.
Por cila është porosia e gazetarit shumëvjeçar dhe pedagogut, që përcolli shumë gjenerata në UBT.
“Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë. Unë kam bërë diçka, që deri më tani ka munguar në Kosovë, sepse libër për Etikë të gazetarisë, me përjashtim të përkthimeve, autorë shqiptarë, sa unë kam njohuri, nuk ka, por kjo nuk do të thotë që të mos ecet tutje. Të tjerëve u takon që të shkruajnë e të debatojnë për etikën në televizione, në radio, për etikën në komunikim” ka shkruar tutje Sabedini.
Ndryshe libri ka tre kapituj dhe secili prej tyre ngërthen tema, që kryekëput ndërlidhen me Etikën.
Në kapitullin e parë kam trajtuar e ballafaquar teorinë mbi etikën, sferën e etikës, kodet dhe parimet e saj, përkufizimet e etikës, rëndësinë që ka ajo në gazetari, thelbi i etikës, rëndësia e saj, sfidat që bartë me vete, kam shkruar gjerë e gjatë mbi gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, privatësinë, shpifjen, lajmet e rreme, për vlerat etike të lajmit, për parimet etike, për raportimin jo etik në mediet e Kosovës, për dëmet ligjore që shkakton etika, për shkeljet etike, për sfidat e gazetarisë etike.
Kurse, në kapitullin e dytë jam marrë me kredibilitetin e gazetarit, për etikën në gazetari e media, për plagjiaturën dhe copy-paste lajmet, kam ofruar shumë shembuj praktikë të portaleve që kanë bërë shkelje të kodeve të etikës, kam ofruar udhëzime e qëndrime të KMSHK-së, KPM-së, si dy mekanizma që merren me vetërregullimin e mediave online dhe atyre televizive, për etikën në foto, video dhe videografi, për sharjet e dhunën banale në televizionet tona, për vdekjet e personaliteteve nga bota, tek të cilët është shkelur etika dhe raste studimore të vdekjeve, edhe të njerëzve të famshëm në Kosovë, që ishin atakuar me shkelje të etikës nga mediat, për ndershmërinë e gazetarit dhe problemet që medie digjitale ka në zbatim të etikës, për avantazhet dhe disavantazhet e kodeve të etikës.
Edhe kapitulli i tretë përbëhet nga materiale interesante, ku kam trajtuar dilemat e etikës, për dëmet që sjell TikTok, për rrjetet sociale e mediat sociale, që përshkruhen me shkelje ekstreme të etikës, për etikën në Bllog dhe bllogerët, për abuzimin gjatë aksidenteve, vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës në familje, për vetërregullimin dhe standardet e medies online, për parimet më të pranuara etike, për konfliktin e interesit dhe kualitetin e portaleve në fushën e etikës etj.
Kurse recensenti i librit dr. Safet Zejnullahu ka thënë se libri: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, një libër i ri i, tashmë, i veteranit të gazetarisë në shqip në Kosovë, Musa Sabedini, i shtohet radhës së studimeve e hulumtimeve të bollshme e kualitative të dekadës së fundit mbi gazetarinë në gjuhën shqipe në vend.
“Por, tema që trajton e bën atë të veçantë dhe të ndryshëm. Sepse trajton një temë e cila, si kudo në botë, i ndihmon gazetarët të mos gabojnë ose të gabojnë minimalisht, pasi edhe gabimet njerëzore janë, i ndihmon mediat të bëhen më të mira dhe më profesionale, sepse këtë e kanë obligim parësor, pa çka se nganjëherë e harrojnë, me ose pa qëllim” ka nënvizuar profesor Zejnullahu.
Sipas tij libri vjen si sublimim i një përvoje të gjatë mbi tridhjetëvjeçare të autorit në të bërit gazetari aktive të terrenit, të të qenit pjesë e trupave rregulluese të gazetarisë në Kosovë, si dhe i profesorit të gazetarisë, që e bën atë të trajtojë temat e shtruara për diskutim nga të trija rrafshet, të veçanta secila: duke praktikuar gazetarinë profesionale e pa shkelje, duke monitoruar shkeljet e të tjerëve, si dhe duke parë në praktikë cilat cilësi e parime u duhen sot më së shumti gazetarëve të rinj.
“Vetë dedikimi i librit “gazetarëve profesionistë dhe atyre që kanë etikë në të shkruar, që e përjetojnë etikën me mish e shpirt dhe punojnë gjithmonë në shërbim të gazetarisë objektive, të paanshme dhe balancuese” na tregon qasjen që ndjek autori nga fillimi deri në fund. Duke bërë një hulumtim të gjatë dhe shterues në praktikat ndërkombëtare, autori ka sjellë qasjen që ka bota e përparuar në rregullimin ose në vetërregullimin e medias, duke e bërë atë të mbrojtur e të pandikuar nga pushtetet, por duke e bërë atë të përgjegjshme ndaj publikut e profesionale. Ndërsa, duke sjellë shembuj të shumtë dhe konkretë, autori ia ka dalë të japë një pasqyrë të plotë të gjendjes së medias në Kosovë, në kohën e internetit, kur gazetaria, sikur edhe shumë fusha të tjera të jetës, janë rrezikuar fuqishëm nga qasja “shpejtësia para profesionalizmit” dhe nga qasja e gabueshme “të gjithë ata që publikojnë diçka janë gazetarë” ka shtuar Zejnullahu.
Profesor Zejnullahu ka thënë se Teknologjia dhe rrjetet sociale e mundësojnë këtë, por gazetarët profesionistë dhe trupat rregulluese e vetërregulluese janë ato që duhet të ndihmojnë në këtë periudhë transitore shumë të rëndësishme të medias në Kosovë, duke minimizuar “gazetarinë amatore” dhe duke qëndruar fuqishëm në parimin e gazetarisë profesioniste, të cilën e krijojnë, e zhvillojnë dhe e mbrojnë vetëm profesionistët.
“Duke u nisur nga përmbajtja, literatura e bollshme dhe referente e shtjelluar nga autori, shembujt meritorë dhe porosia se vetëm profesionalizmi e mbron gazetarinë, besoj se libri “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale” do të jetë një mjet i fortë në duart e atyre që bëjnë gazetari, për të bërë gazetari të mirë e profesionale dhe për të eliminuar lëshimet që, edhe i bëjnë keq gazetarisë, edhe e ngufatin mendimin e lirë në një vend në tranzicion e në zhvillim, siç është Kosova.Gazetaria e Kosovës është shumë e mirë, krahasuar me rrethanat në të cilat zhvillohet. Hulumtimet dhe librat si ky i kolegut Musa Sabedini ndihmojnë shumë që ajo të bëhet edhe më e mirë, edhe më profesionale” ka përfunduar Zejnullahu.
Ndryshe libri ka 520 faqe ndërsa botues është UBT./ KultPlus.com
Mbreti i i muzikës ‘Rock & Roll’, Elvis Presley ishte ylli përfundimtar i viteve ‘50, ‘60 dhe ‘70, ai ka disa këngë legjendare në karrierën e tij, ndërsa fansat e tij ishin pak si shumë të fiksuar pas zërit dhe pamjes së tij, transmeton KultPlus.
Më poshtë do të gjeni disa fotografi të rralla dhe shumë të bukura të yllit të muzikës, Elvis Presley. / KultPlus.com
Nuk të dua si kristal kripe rozë, as si gur të çmuar E as si shigjetë karafilash që përhap zjarrin : Të dua siç duam ca gjëra të errëta, Fshehtas, ndërmjet hijes dhe shpirtit. Të dua si bima që nuk lulëzon Dhe e mbart në vete, të fshehur, dritën e këtyre luleve, E falë dashurisë tënde në trupin tim jeton aroma E errët dhe e fortë që ngjitet nga toka. Të dua pa e ditur si, kur dhe nga ku, Të dua troç, thjesht e pa mburrje : Të dua kështu se unë s’di të dua ndryshe, Në mos në këtë mënyrë pa qenë unë e pa qenë ti, Aq pranë sa dora jote mbi gjoksin tim është e imja, E aq pranë sa sytë e tu mbyllen mbi timen ëndërr./KultPlus.com