Viti i Ri është festa që festohet në të gjithë botën dhe bën bashkë të gjithë njerëzit. Por nga ju krijua kjo festë? Le të kthehemi pas në kohë për të kuptuar origjinën e kësaj feste por edhe disa nga karakteristikat e saj.
Rreth festës së Vitit të Ri ka fakte dhe supozime të ndryshme për kohën dhe mënyrën se si festohet. Viti i Ri të cilin e festojmë ne dhe shumë vende tjera të botës bie me 1 janar dhe i takon kalendarit gregorian si vazhdim i kalendarit romak.
Por, vende të tjera si Kina, Japonia, India, Vietnami e përdorin kalendarin lunar, kalendar ky i cili bazohet në lëvizjet e hënës rreth tokës, dhe datat e festimit dallojnë dukshëm nga njëra tjetra. Disa Vitin e Ri e festojnë në pranverë me mbjelljen apo rritjen e të korrurave ose në vjeshtë për të festuar mbledhjen e tyre.
Në kulturën perëndimore bredhi i stolisur, babagjyshi dhe dhuratat janë karakteristike për festat e fundvitit.
Bredhi i stolisur
Tradita e bredhit ka orgjinë antike. Mendohet që egjiptianët e kanë kultivuar gjatë traditën e prezencës së bredhit në shtëpitë e tyre në dimër për të simbolizuar triumfin e jetës mbi vdekjen.
Romakët po ashtu e adhuronin bredhin dhe e festonin stinën e dimrit për nderë të zotit të bujqësisë që njihej me emrin Saturnus.
Traditë e tyre ishte që shtëpia të stolisej me drunj të gjelbër dhe drita si dhe të shkëmbenin dhurata. Në mesjetë, gjermanët dhe skandinavët vendosnin bredha jashtë dyerve të shtëpisë si simbol shprese për pranverën e ardhshme.
Babagjyshi dhe dhuratat
Dhënia e dhuratave që në shumë vende perëndimore është traditë e festës së krishtlindjes, tek ne praktikohet kryesisht gjatë festës së vitit të ri dhe vetëm për fëmijët.
Kjo mund të konsiderohet paksa e çuditshme, por duke i marrë parasysh supozimet që figura e babgjyshit dhe dhënia e dhuratave ka origjinë pagane.
Dhe që mirësia e plakut të dimrit qëndron tek kujdesi dhe dashuria e tij për fëmijët e varfër të cilët i ndihmon dhe gëzon me dhurata, bën që babagjyshi të konsiderohet një personazh përralle i Vitit të Ri./ KultPlus.com
“Më shumë parapëlqej të pikturoj sytë, sesa katedralet, sepse tek sytë, ka diçka që nuk e gjen te katedralet, edhe nëse ato janë madhështore dhe n’a sugjestionojnë…” Van Gogh
30 mars 1890, dita e lindjes se Vincent van Gogh në Auvers-sur-Oise.
Një ditë me Van Gogh në Auvers-sur-Oise
Po zbrisja fushat e shkreta të kodrinës në Auvers-sur-Oise, përmbytur nga korbat e zinj që ende vinin vërdallë në qiell. Ishte korrik, por fushat me grurë që pikturonte Vincent Van Gogh nuk ishin më. Ishin fusha të shkreta. Dëgjoja krakëllimat e korbave dhe zbrisja për tu ndalur pak më tej ku mendoja se pikërisht aty duhej ta kishte qëlluar veten Van Gogh…
Ishte 27 korrik i vitit 1890 kur ai shkrehu armën pa e prekur zemrën. Sigurisht, do të donte të vdiste menjëherë në atë fushë gruri. I rrëzuar, i ngritur, me hapa të hedhura si një i dehur, ai kishte mundur të vinte deri në bujtinën e tij. Poshtë, çifti Ravoux kalonte mbrëmjen si të gjitha mbrëmjet e tjera, në bisedat e rëndomta të një jete të plogësht fshati. Hyrja e tij ishte e çuditshme, ndryshe nga herët e tjera dhe ata e vunë re ikjen e hepuar të qiraxhiut të tyre piktor që shkoi pa i përshëndetur si zakonisht, ashtu si një hije. Ai u ngjit në dhomë dhe ata prisnin që të zbriste. Atëherë, meqë ai nuk zbriti dhe ora kaloi, zoti Ravoux u ngjit vetë në shkallët e drunjta, drejt asaj dhome të mjerë, të zhveshur, veç me një krevat, një komodinë, një karrige… E pyeti se ç’kishte. Atëherë Vincent hapi xhaketën dhe i tregoi plagën në gjoks: «Doja të vrisja veten por nuk arrita dot ta bëja këtë!” – i tha ai me një të qeshur të hidhët.
Ravaux zbriti me nxitim të thërriste një mjek. Kërkoi doktorin Gachet. Ai erdhi e bashkë me të, më pas dhe një mjek tjetër. Të dy mjekët i lidhën plagën. Gjaku u pastrua por plumbi ishte brenda në trup, diku… Vincent kërkoi llullën e tij dhe e ndezi. Nuk fliste. Ishte i humbur, i vetëm në këtë botë. Menjëherë Gachet kishte njoftuar një mikun e Théo-s, piktor dhe ky që më së fundi të lajmëronte Théo-n që ishte në Paris. Kur Théo hyri në dhomën ku ai ishte shtrirë, Van Gogh i tha: “Dështova përsëri!»… Théo qante për fatin e vëllait të tij. – «Mos qa vëlla! Kështu është më mirë. Më mirë për ju, e bëra për të mirën e të gjithëve». Orët kalonin. Meqë Vincent ndjehej gjithnjë e më keq, Théo njoftoi me një telegram gruan e tij Johana që të vinte dhe ajo. Por infeksioni i plagës po e linte atë pa frymë. Théo vinte rrotull pa mundur ta ndihmonte vëllain e mjerë e të pafat. I mori kokën në duar, i ledhatonte ballin… «Mos qa vëlla… – i thoshte përsëri Vincent, që dergjej në dhembje gjithnjë e më shumë, – doja të ikja për të mirën e të gjithëve, për mua, për ty, për Vincentin e vogël…» Pastaj, pas një kohë të gjatë me atë frymë të rënduar, Van Gogh gulçoi dhe vështroi nga vëllai: «Théo, mermë… Dua të kthehem në shtëpi!»
Erdhi mbrëmja dhe më pas ra nata. Ai nuk ndjehej më. Vallë ishte gjallë? Kishte vdekur?… Jo, ende… Më pas u dëgjua dhe një gulçimë e fundit. Me sa duket, e fundit. Ishte ora një e gjysmë e mëngjesit në një natë të errët, por me yje… si yjet që pikturonte Van Gogh. Ishte data 29 korrik. Auvers-sur-Oise flinte gjumë. Ata nuk e dinin se një piktor i madh sapo kishte vdekur në atë bujtinë të mjerë… Një artist në moshën 37 vjeçare sapo kishte vdekur. Tepër i ri, njëlloj siç do të vdiste një vit me vonë poeti Rimbaud, poeti i Zanoreve (Voyelles), që shikonte në to ngjyra, veç ngjyra… Në mëngjes, Ravoux, gruaja dhe vajza e tij, doktori Gachet, Théo, Johana e të tjerë, u mblodhën rreth të vdekurit. Gachet i vizatoi portretin. Meqë prifti nuk erdhi (ai nuk pranoi të varrosë një të vetvrarë – Zoti i madh nuk i pranonte ata!), Théo vendosi t’i bënin një varrim të thjeshtë dhe mos ta çonin atje, në atë kishë që ai e kishte pikturuar aq bukur, me ato ngjyra të rënda kobalti, pa e ditur se një ditë mund të ishte i shtrirë atje, në një arkivol të thjeshtë druri… Jo, nuk kishte ndodhur ashtu. Trupin e tij e nxorrën në heshtje dhe e përcollën drejt e në varreza, në majë të asaj kodrine që Vincent ngjiste çdo ditë, nën një diell të tmerrshëm që digjte dhe ku tutje, shquheshin ca lule dielli, lulet e dashura të tij. Kush i kishte pikturuar ato lule më bukur se ai në këtë botë? Cili vallë? Nga Parisi kishin ardhur disa miq të Théo-s, piktorë, që ju vinte keq për ikjen e atij artisti të vetmuar. Para varrit, doktor Gachet nuk arriti dot të fliste për pacientin dhe artistin e tij, pasi e mbytën lotët. Van Gogh hynte në dhé, mbulohej me dhé dhe tani një natë e errët ishte mbi kryet e tij, pa yje, një natë e zezë e pikturuar si në Saint Remy de Provence, dhe sytë e mbyllur përjetësisht. Artisti… Në shtypin periferik të qytezës Pontoise, jo larg Parisit, në L’Echo de Pontoise, një shënim i shkurtër ishte botuar të nesërmen: ”Auvers-sur-Oise. E djelë 27 korrik. Një i quajtur Van Gogh, hollandez dhe piktor, ka qenë kalimthi në Auvers dhe në fushë e qëlloi veten me revolver, por meqë u plagos, ai u kthye në dhomën e tij dhe të nesërmen vdiq.”
Vetëm 70 ditë në Auvers-sur-Oise të Van Gogh… dhe ato 70 ditë janë periudha e artë e veprës së tij, më prodhimtarja dhe koha kur u ngjizën pikturat më të jashtëzakonshme: Kisha e Auvers-sur-Oise, Fusha e Auvers-sur-Oise, Kështjella… Brenda dy muajve, 75 tablo të mëdha dhe 35 vizatime… një punë titanike! Kur ishte kthyer nga jugu i Francës në Paris, ai kishte qëndruar disa kohë në Paris, pranë vëllait të tij, por askush nuk kishte interes për pikturën tij, dhe ai e kuptonte dëshpërimin e të vëllait, edhe pse atë vetë kjo gjë nuk e dëshpëronte dhe aq shumë. Për të kishte rëndësi të jetonte me pikturën, të punonte, të zgjohej dhe të flinte pranë kavaletit të tij.
Ato ditë në Paris, Théo i kishte folur për krizën e shitjes së pikturave në përgjithësi dhe se shitja e tablove të artistëve të tjerë, por edhe të tij, nuk po ecte. Varfëria trokiste në derën e çiftit hollandez, në atë apartament të vjetër parisian ku banonte Théo me Johanën dhe Vincentin e vogël. Pra vëllai s’mund ta ndihmonte më si më parë, duke i siguruar bojrat, pëlhurat, duke e nxitur gjithnjë për artin e tij dhe se mundi nuk do t’i shkonte kot. Kjo gjë Van Gogh-un e dëshpëroi pa masë. Ndjeu një fajësi të madhe sikur ai ishte shkak i halleve të mëdha që e kishin pllakosur vëllain e tij. Edhe pse i kishte parë tablotë e tij të hedhura ashtu në atë apartament, nuk i kishte ardhur më keq, sesa kur pa fytyrën hijerëndë të të vëllait… Kur kishte shkuar në bodrumin e mikut të Théos, tregëtarit Tanguy dhe kishte parë tablotë e tij të hedhur atje, ishte tmerruar. Sikur kishin flakur fëmijët e tij. O Zot!… kishte pëshpëritur Vincent!… Dhe ashtu, me zemër të vrarë për të vëllain dhe pikturat e tij, ai ishte detyruar të nisej drejt Auvers-sur-Oise, rreth 60 kilometra larg Parisit, një vend paqeje dhe për piktorë të tjerë.
Në gjithë jetën e tij si piktor, Van Gogh kishte mundur të shiste vetëm një tablo dhe kjo ishte Hardhi e kuqe, për 400 franga. Kjo kishte ndodhur veç një muaj më parë… 400 franga, ja shpërblimi i gjithë atyre viteve punë, përpjekje, ëndrra… Kishte zbritur në stacionin e vjetër të atij vendi të gjelbëruar me katër telajo të bardha dhe një letër për doktor Gachet. Katër telajo dhe bota që i vinte vërdallë në kokën e tij me atë shpirt të trazuar. Katër telajo dhe një vend për të fjetur në katin sipër bujtinës me 3,5 franga nata përfshi dhe ushqimin. A nuk i kishte thënë Théo-s se “të pikturoj, kjo gjë do të ishte ilaçi më i mirë”? E megjithatë trishtohej dhe menjëherë i shkruante Theo-s: “Ndjehem i dështuar. Ky është fati im dhe kjo s’do të ndryshojë më… Megjithatë, duke lënë mënjanë ambicjen time, ne mund të jetojmë bashkë pa rrënuar njëri-tjetrin”. Përse vallë i shkruante kështu?…
Atje në Auvers-sur-Oise, buzë lumit Oise, Vincent kishte gjetur strehë në bujtinën e çiftit Ravaux, atje kishte gjetur dhe doktor Gachet që do të kujdesej për gjendjen e tij dhe ku ditë më vonë do të pikturonte portretin e tij. Atje do të bridhte nëpër fshat për të hedhur në telajo atë çka shikonte e pëlqente syri i tij, me ngjyrat që dote ai, me penelatat e tij ndryshe nga të tjerat, me atë shqetësim dhe dramacitet që ndihet në tablotë e tij. Théo i shkruante letra t’i ngrinte moralin, e po ashtu edhe Johana i shkruante. Atëherë Vincent i përgjigjej Teos se “letra e saj ishte evangjelike, si një çlirim nga një ankth në një kohë që të gjithë bashkë ndjejmë rrezikun për bukën tonë…”. Në një letër tjetër Vincent i shkruante të vëllait: “… U ktheva… mora fuçën, e cila pothuaj më bie nga dora… kam pikturuar tri tablo. Janë sipërfaqe të mëdha me grurë, me një qiell të shqetësuar, në një vetmi ekstreme…”
Jo shumë kohë më parë dy tablo të tij ishin paraqitur në “Sallonin e të Pavarurve” që organizohej atëherë në Paris. Vetëm dy tablo në një ekspozitë, ja jeta e një piktori të dëshpëruar… Megjithatë ato ishin tablo që do të hynin në historinë e mëvonshme: Irisët dhe Nata me yje… Dhe tani ai pikturonte fushën me grurë të kodrinës së Auvers-sur-Oise, “Fushë gruri nën një qiell me re (Champs de ble sous un ciel nouageux)… Pastaj po ajo fushë me grurë dhe korba, Fushë gruri me korba (Champs de ble aux corbeaux), qiej të shqetësuar dhe ato njolla të zeza që vinin rrotull në atë qiell të kaltër me re… Korbat!
Në letrën e tij, siç dukej bëhej fjalë për tablonë Fusha e grurit me korbat… Korbat si lajmëtarë zie. Njolla të zeza në atë të artë gruri. Qiej të thellë, blu e fortë, e errët, thellësi kuadri, dinamizëm i asaj që ishte atje tej si të ishte një qiell e tokë tjetër, ndoshta një vend tjetër për të shkuar… vallë dëshira e piktorit? Sigurisht… Tashmë edhe me doktor Gachet ishte zemëruar… Nuk e përmend më as në letrat e tij. Por doktori e donte hollandezin e gjorë. Dhe piktori i bindet. Punonte, ngjitej drejt kodrës në mëngjes dhe kthehet në bujtinë në muzg.
Adhuruesit e piktorit
Van Gogh nuk arriti t’i njohë adhuruesit e tij edhe pse e dinte se një ditë vepra e tij do të vlerësohej. Ata u shfaqën vonë. E kështu, gjithë bota do t’a adhuronte. Po kështu dhe shqiptarët… Më kujtohen gjithnjë tablotë e para që kisha parë nga veprat e piktorit. Sigurisht në revista. Në fillim, në shtëpinë e Ali Osekut, në një album të madh, ku piktori më tregonte me entusiazëm veprën e Van Gogh-ut. Atëherë në Tiranë, në fillimin e viteve 70-të, në rrethet e studentëve të artit si dhe ndër piktorët flitej ngado për këtë piktor. Vlash Droboniku, miku im i Kinostudios, fliste parreshtur për të e po kështu Gazmend Leka, Bujar Luca… Maks Velo na e tregon me një ironi therrëse sesi në hetuesi, i akuzuar për “joshjen ndaj artit dekadent borgjez” dhe “agjitacion e propaganda”, hetuesi i tij që e thoshte keq emrin e piktorit të madh e pyeste se cili na ishte ky Van Gong, pasi as që e kishte dëgjuar ndonjëherë në jetën e tij këtë emër. Ç’lidhje kishte Van Gogh me politikën e bunkerëve dhe të plumbit?… Të gjithë e adhuronin Vincent Van Gogh, piktorin me “veshin e prerë” kur ishte në jug të Francës dhe kur u grind me mikun e tij të ngushtë, piktorin Gauguin. Artur Muharremi, me të cilin punonim bashkë në Kinostudio, më kishte pikturuar një kopje të tablosë së piktorit Jeune fille au bois (Vajza në pyll) dhe Ullishtat të pikturuar nga Vincent kur ishte në Saint-Remy-de-Provence, të cilat i mbaja në dhomën time bashkë me nja dy pamje të prera revistash “Nata me yje” (Nuit etoilée) dhe “Kositësi” (Le Faucher). Ishin gjithnjë aty, të pranishme, ditën dhe natën, gjithnjë me magjepsjen pas penelit të trazuar, pas okrës dhe blusë së tij. Kur erdha në Paris që muajt e parë kërkova varrin e Van Gogh dhe aty mora vesh se Vincent nuk flinte në varrezat parisiane por 60 kilometra më larg, në Auvers-sur-Oise. Dhe unë shkova, mora rrugën për në Auvers-sur-Oise, midis një gjelbërimi të hatashëm.
Që nga ajo ditë pelegrinazhet e mia nuk kanë rreshtur, pasi sa herë vinin artistë shqiptarë në Paris unë i çoja te varri i piktorit të madh, aq sa m’u kthye në një lloj obsesioni. Kështu kam shkuar me Ali Osekun, Hasan Nallbani, Ilia Xhokaxhi, Edi Hila, Thoma Thomai, Vangjel Gjikondi… Kështu kam shkuar me miqtë e mi Artur Muharremi, Ylljet Aliçka e shumë të tjerë. Shkonim në varrin e piktorit, në atë varr ku krah tij, mbuluar të dy, përqafuar me një dredhëz jeshile të errët ishin dhe eshtrat e Teos, i cili pak kohë jetoi pas tij, pasi i sëmurë, i vrarë shpirtërisht dhe nga vdekja e vëllait, vdiq shpejt, duke lënë vetëm Johanën e tij bashkë me Vincentin e vogël, gjashtë muaj më vonë, në janar të vitit 1891… Dhe një ditë befasia ime ishte kur pikërisht në atë vend, gjeta dhe studion e një piktori shqiptar, Julian Tauland, të dashuruar pas Van Gogh… Dhe bashkë me të ne morrëm rrugën drejt fushës me grurë, atje ku piktori kishte qëlluar veten e tij… Ngritëm sytë në qiell dhe përsëri korbat… dhe Van Gogh që gjendej aty midis nesh, në imagjinatën tonë, në gjurmët e jetës së piktorit… Pikërisht ato ditë ishte rihapur legjenda sipas së cilës Van Gogh nuk kishte dashur të vriste veten, por se në kthim nga kodrina për në bujtinë, ai kishte ndeshur rrugës dy vëllezër të atij fshati që ziheshin dhe në përpjekje për t’i ndarë, dikush nga ata e kishte goditur padashje. Vallë e vërtetë? Historianët Steven Naifeh dhe Gregory White Smith thonë se kjo është e vërteta, por vështirë ta besosh, pasi Van Gogh do ia kishte thënë këtë ndodhi si zotit Ravaux ashtu dhe të vëllait Théo apo doktorit Gachet… Kisha e fshatit është po ajo që ka pikturuar Vincent në tablo që e bëri atë të njohur e ku gjithnjë vizitorët e shumtë nga e gjithë bota ndalojnë të bëjnë fotografi në oborrin e saj. Ti vështron kishën, fushat me grurë, qiellin e kaltër dhe të kujtohet paleta e këtij gjeniu të pikturës që kishte atë ndjesi të jashtëzakonshme të ngjyrës: “Në pranverë është e verdha, ngjyra e grurit të ri, me një jeshile të ngrohtë dhe mollët e kuqe rozë. Vjeshta ka konturin e gjetheve të verdha me tone ngjyrë vjollce. Dimri ka borën dhe personazhet e zeza. Pra, nëse në pranverë kemi ballafaqimin e ngjyrave blu me një element portokallie në grunajat ngjyrë bronxi të praruar, mund të bëjmë kështu një tablo që shpreh mirë atmosferën e stinëve me gjithë kontrastet e ngjyrave plotësuese (e kuqe dhe jeshile, blu dhe portokalli, e verdhë dhe vjollcë, e bardhë dhe e zezë)…”
Referenca universale
Pothuaj para një viti u hap në Paris një ekspozitë e Van Gogh duke vendosur krahë veprave të tij dhe interpretimin me tekstin e shkruar të Antonin Artaud. Dhe drejtori i Musée d’Orsay, Guy Cogeval kishte bërë një përzgjedhje të përkryer për të na treguar një tjetër “facete” apo këndvështrim në gjykimin e veprës së piktorit të famshëm. Edhe pse dukej se teksti i Artaud ishte disi i harruar, i shkruar në vitet e para pas lufte, ai tekst kishte një interpretim të jashtëzakonshëm të veprës së artistit të margjinalizuar nga shoqëria, pasi shkrimi i Artaud ishte një britmë e madhe e njeriut të dëshpëruar, Brenda saj ishte dhe britma e një poeti si Nerval apo vetë atij, pasi shoqëria i largoi këta artistë, sepse ata e shqetësonin atë. Antonin Artaud e shkroi tekstin Van Gogh, le suicidé de la société (Van Gogh, i vetvrari i shoqërisë) në shkurt të vitit 1947, brenda tri javëve dhe për më tepër i shtyrë nga një revistë, e cila kishte botuar esenë e një psikiatri që e cilësonte Van Gogh-un si një “artist të dezikuilibruar”. Dhe kjo e tërboi atë. Atëherë, në Orangerie des Tuillerie në Paris sapo ishte hapur një ekspozitë e piktorit, pas shumë e shumë dekadash. Dhe kur Artaud kishte nxituar drejt asaj retrospektive dhe i kishte parë ato tablo, ishte magjepsur dhe tronditur njëkohësisht nga forca e gjeniut, pasi gjeti aty shëmbëllimin e vetes, në një periudhë të rëndë psikike, pas një rënie të madhe morale, edhe pse ai ishte një intelektual i rendit të parë, aktor dhe poet. Dhe ai tekst i shkruar në dhomën e tij të trishtë, ishte një klithmë e artistit kundër institucioneve, pasi siç shkruante Artaud, duke iu referuar dhe poetit Gerard de Nerval-it, «ai nuk ishte një i çmendur, por u akuzua si i tillë sepse po bëhej gati të tregonte ca të vërteta »… Vallë ishte kështu? Mundet, pasi raste të tilla artistësh e shkrimtarësh kanë ndodhur në botën e artit, ashtu siç çoheshin në çmendinë jo pak artistë në Bashkimin Sovjetik, apo Kasem Trebeshina dhe Selman Vaqarri në Shqipëri. Por sigurisht, Van Gogh s’kishte asnjë lidhje me politikën, por ishte e vërtetë që ai e ndjeu përjashtimin që i bënte shoqëria dhe së pari rrethi i artistëve zyrtarë. Pikërisht kundër kësaj ngrihej i revoltuar Artaud. «Van Gogh nuk ishte i çmendur! – shkruante ai në atë tekst të botuar si libër më vete, ku në kopertinë ishte një fushë me grurë. “Van Gogh, është poeti më i vërtetë i të gjithë piktorëve… Organist i një stuhie të ngrirë (në një telajo)!” Dhe padyshim, po të shohësh vetëm tablonë Fushë gruri me korba e kupton fare mirë thelbin e thënies së Artaud për Van Gogh si një “organist të një stuhie”… «Tani që po shkruaj këto rreshta, – vazhdonte më poshtë Artaud, – shoh fytyrën e përgjakur të poetit që vjen drejt meje, në një murale luledielli të zgaflluar… ai pikturon në konvulsion e sipër »…
Stuhia… po, një stuhi pikturale që vështirë të krijohet në kuadrin e një telajo, brenda një tabloje. Por kjo “stuhi” e Van Gogh, vinte pas një pune shumë vjeçare mbi paletën e tij, pas një pune të palodhur dhe udhë të shumta në një ethe të përhershme, siç dhe i shkruante vëllait të tij në një letër nga Borinage, më 1880: “Duhet të vazhdoj në këtë rrugë që kam nisur, pasi nëse nuk bëj asgjë, nëse nuk studjoj, nëse nuk kërkoj, atëherë jam i mbaruar. Mjerë unë atëherë! Ja si i mendoj gjërat: duhet të vazhdoj, të vazhdoj gjithnjë. Kjo është e nevojshme. Po cili është qëllimi përfundimtar, do thuash ti? Ky qëllim bëhet më i përcaktuar dhe ai skicohet ngadalë, por me siguri, ashtu si një “croquis” që kthehet në vizatim, si një vizatim që bëhet pastaj një tablo, punë që bëhet duke pikturuar seriozisht, duke kërkuar e duke u thelluar në idenë e turbullt të fillimit, disi fluturake e kalimtare gjersa ajo fiksohet mirë…” Dhe kështu nga viti në vit, nga tabloja në tablo, artisti ngjitej në rrugën drejt gjenialitetit. “Van Gogh, – shtonte Artaud, – është nga të vetmit që e ka tejkaluar pikturën, artin “inert” për të paraqitur thjesht natyrën, pasi ai bën të shfaqet me hov një forcë vibruese, një element i marrë drejtpërdrejtë nga thelbi i vet, nga zemra”… A nuk ishte kështu kur peneli i Van Gogh i jepte një tjetër “forcë vibruese” të njëjtës tablo që ai kopjonte nga Millet, duke e transformuar atë? A nuk thoshte ai se “në vend që të riprodhoj ngjyrat që kam para syve, unë i përdor ato në mënyrë arbitrare, që ta shpreh veten akoma më me forcë”?… Kjo ishte gjenia e tij. Sigurisht, Van Gogh kishte problemet e tij, lidhur me ndjeshmërinë e jashtëzakonshme të tij, një brishtësi që sot konsiderohet si një “shqetësim bi-polar”, për çka disa herë u detyrua në Arles e gjetkë të ndiqej nga një psikiatër, dhe kjo kishte gjurmët e veta, gjurmë që vinin nga fëmijëria… Vallë një ndjesi faji, një hije që e ndiqte pas? Hija e vëllait që kishte vdekur para tij, pas lindjes dhe që i kishin quajtur me emrin Vincent? Dhe meqë ai nuk jetoi, më pas, kur ai lindi, i vunë po emrin Vincent? Vincent duhej të mbijetonte… dhe ja, piktori që endej nëpër Hollandë e Francë me emrin e një vëllai të vdekur, sikur ta mbante dhe atë në kurriz gjatë gjithë një jete, edhe pse një jetë fare e shkurtër, në erë e furtunë. Nga ai korrik i vitit 1890 e deri sot kanë kaluar 126 vjet dhe fama e atij piktori të “mjerë” pushtoi jo vetëm botën pikturale por gjithë rruzullin. Tablotë e harruara të tij diku në një depo të Théo-s, do të ishin tablotë më të çmuara dhe më të shtrenjtat në historinë e pikturës. Dy stërnipa të Van Gogh erdhën këtë vit në Auvers-sur-Oise në jubileun e piktorit dhe përjetuan dhe njëherë ato imazhe të ditëve të fundit të Van Gogh, atë bujtinë të thjeshtë të çiftit Ravaux, atë dhomë gati bosh, me një krevat dhe një karrige të vizituar sot nga miliona njerëz, ku siç thotë Dominique-Charles Janssens, “Këtu s’ka asgjë për të parë, por gjithçka për të ndjerë”. Dhe ai që viziton atë dhomë përjeton vërtet një shpirt që endet në botën e tij të trazuar… Në vitin 1985, bujtina e çiftit Ravaux ishte në shkatërrim të plotë, një kafene e rëndomtë me mbishkrimin e vjetër “Commerce de vins-Restaurant” («Dyqan vere dhe restorant») por që mbarte një histori të madhe. Dhe ky njeri, me dashurinë për artin dhe së pari për veprën e Van Gogh, e bleu atë për ta kthyer në një vend pelegrinazhi për njerëzit e gjithë botës. Dhe turistët janë me mijra, si lumi i Oise, që rrjedh aty pranë, përjetësisht.
Duke u kthyer nga Auvers-sur-Oise, me një katalog në duar dhe një qiell të kaltër mbi sy, përpara m’u shfaq papritur pamja e asaj lule dielli të pikturuar nga artisti. Dhe menjëherë m’u kujtua ai fragment teksti ku Artaud shkruante: «Lule dielli në ngjyrë bronxi janë pikturuar nga ai. Janë pikturuar si luledielli dhe asgjë më shumë, por që të kuptosh një lule dielli të natyrës, tashmë duhet t’i rikthehesh Van Gogh-ut, ashtu si për të kuptuar stuhinë, nuk mund të mos i drejtohesh përsëri atij…» Kjo thënie mishëronte gjithçka ngjizte vërtet peneli i Van Gogh, pasi piktura e tij nuk ishte thjeshtë filozofi, poetikë, abstraksion, por që nga fillimet e veta e deri në fund, bota e tij ishte njeriu, fushat, mbledhësit e patateve, gratë e përvuajtura dhe njerëzit e vetmuar në ato dhoma të errta, pa dritë apo ato figura të përkulura mbi fushat e jetës, ishin korrësit dhe mbjellësit (Semeur au soleil couchant – Mbjellës në perëndim të diellit), pasi Van Gogh me mbjellësit e tij, mbillte kështu farën e një arti human… / Luan Rama / KultPlus.com
Poezia ‘Interpretimi i natës’ nga Jean-Joseph Rabearivelo
Do të vijë një ditë kur ndonjë poet i ri Do të lexojë vjershat tua të pamundura Për të njohur librat tu Të rrallë si lulet e nëntokës Librat tu të shkruar për disa miq Ai do të të lexojë Në hijen e gjirit Në dritën drithëruese të zemrës së tij përmes së cilës do të rrahë zemra jote
Ai nuk do të të kërkojë Në dallgët e mëdha Plot humbella detare pa rreze dielli As në rërë e as në tokën e kuqe As nën shtigjet e mbuluara me leshterikë Të cilët përhapen në të gjitha anët Deri tek toka e të gjallëve Të verbër e të shurdhër që nga zanafilla e Botës
Ai do të ngrisë kokën Dhe do të kuptojë që në kaltërsinë e qiellit I ngatërruar në yjet dhe në erërat është ngritur varri yt.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump i kërkoi Gjykatës së Lartë të premten që të ndalë hyrjen në fuqi të ndalimit të mundshëm të platformës TikTok në Shtetet e Bashkuara derisa administrata e tij të mund të gjejë një “zgjidhje politike” për këtë çështje.
Kërkesa e tij vjen pasi si TikTok edhe administrata e Presidentit Joe Biden i janë drejtuar Gjykatës. Kompania argumenton se Gjykata duhet të rrëzojë një ligj që deri më 19 janar mund ta ndalojë platformën, ndërsa qeveria këmbëngul tek qëndrimi i saj se ndalimi është i nevojshëm për të eliminuar rreziqet ndaj sigurinë kombëtare.
“Presidenti Trump nuk ka një qëndrim të caktuar për meritat në bazë të kësaj mosmarrëveshjeje. Ai kërkon në mënyrë të respektueshme që Gjykata të marrë në konsideratë të bëjë një pauzë lidhur me zbatimin afatit të 19 janarit 2025 për shitjen, ndërkohë që konsideron faktorët e kësaj çështjeje”, thuhet në dokumentin që është hartuar në emër të Presidentit të zgjedhur Trump, nga D. John Sauer, i zgjedhuri i tij për postin e përfaqësuesit kryesor juridik të administratës pranë Gjykatës së Lartë.
Javën e kaluar Trump u takua javën e kaluar në Mar-a-Lago të Floridës me shefin ekzekutive të TikTokut, Shou Chew. Ai ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj aplikacionit popullor, pasi u përpoq ta ndalojë atë gjatë mandatit të tij të parë në detyrë lidhur me shqetësimet për sigurinë kombëtare. Ai hapi një llogari në TikTok gjatë fushatës së tij presidenciale 2024 dhe ekipi i tij e përdori praninë e tij në aplikacion për t’u lidhur me votuesit më të rinj, veçanërisht votuesit meshkuj.
Trump tha në fillim të këtij viti se ai vazhdonte të besonte se kishte rreziqe të sigurisë kombëtare të lidhura me TikTokun, por u shpreh kundër ndalimit të tij.
Kërkesa e tij vjen përpara se të paraqiten argumentet të planifikuara për në 10 janar për të përcaktuar nëse ligji, i cili kërkon kërkon që TikToku të shkëputet nga kompania nën pronësinë e të cilit është aplikacioni me qendër në Kinë ose të përballet me një ndalim, kufizon në mënyrë të paligjshme lirinë e fjalës në shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane.
Ligji u nënshkrua nga Presidenti Joe Biden në prill pasi miratimit nga Kongresi me mbështetje të gjerë dypartiake. TikTok dhe ByteDance paraqitën më pas një sfidë ligjore.
Në fillim të këtij muaji, një trupë prej tre gjyqtarësh federalë të një Gjykate të Apelit për Qarkun e Uashingtonit, e mbështeti unanimisht ligjin, duke bërë që TikTok të apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë./VOA/ KultPlus.com
“Arsyeja e ka arritur atë ç’ka mund të arrinte, për të gjetur një ligj të përshtatshëm e për ta popullarizuar atë, por i takon energjisë së vullnetit dhe zjarrit të ndjenjave të zbatojë këtë ligj.
Nëse e vërteta duhet të ruaj fitoren në konflikt me forcën, atëherë ajo fillimisht duhet të bëhet vetë forcë, dhe të kthejë njërin nga instinktet e njeriut në kampionin e saj, në perandorinë e fenomeneve; sepse instinktet janë të vetmet forca lëvizëse në botën materiale.
E nëse deri më sot e vërteta e ka treguar aq pak forcën e vet ngadhënjyese, ky nuk është faji i gjykimit, që nuk e ka zhvilluar atë, por i zemrës që ka qëndruar e mbyllur ndaj saj dhe instinktit që nuk ka mundur të veprojë bashkë me të.
Artisti është bir i kohës së vet, por është keq për të nëse ai njëkohësisht është dishepull apo i përkëdheluri i saj…”/ KultPlus.com
Sizifi, mbreti i Efirës, ishte i famshëm në mitologjinë greke për zgjuarsinë e tij. Ai ishte aq i zgjuar sa që mashtroi 2 herë vdekjen, duke i zemëruar Perënditë. Ata u kundërpërgjigjën duke e dënuar Sizifin me një torturë të përjetshme: Atij iu desh të ngjiste një gur të madh në majën e një kodre.
Sapo arrinte në majë, guri rrokullisej sërish poshtë, dhe Sizifi detyrohej t’ia fillonte nga e para, pafundësisht. Sot çdo detyrë që ndërthur lodhjen, luftën, stresin dhe kotësinë mund të quhet një “torturë e Sizifit”. Mendoni pak për ata që punojnë në kompanitë e shërbimit ndaj klientit, dhe që detyrohen të merren gjatë gjithë ditës me njerëz të zemëruar, ndërkohë që kushtet që krijojnë këtë sjellje agresive të klienti nuk ndryshojnë kurrë.
Por dikush mund të thotë gjithashtu se e gjithë jeta jonë është një torturë sizifiane:ne hamë për të qenë sërish të uritur, bëjmë dush për t’u bërë sërish pis, ditë pas dite, deri në fund të jetës. Absurde, apo jo? Albert Kamy, filozof dhe babai i një shkolle të tërë mendimi të quajtur absurdizëm, mendonte kështu.
Në librin e tij të vitit 1942, Miti i Sizifit, Kamy e identifikon Sizifin si ikonën e absurdit, duke vënë në dukje se “përçmimi i tij për Zotat, urrejtja për vdekjen dhe pasioni i tij për jetën, i dhanë atij dënimin e papërshkrueshëm, tek i cili mbështetet e gjithë qenia, për të mos arritur në fund asgjë.
Ndryshim i këndvështrimit
Do të ishte e lehtë të arrihej në përfundimin se një pikëpamje absurde mbi jetën e përjashton lumturinë. Por në librin e tij, Kamy thotë që ne “duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur”. Mund të duket e pamundur, por në fakt kjo kthesë e papritur në filozofinë e jetës dhe lumturisë së Kamy mund t’ju ndihmojë të ndryshoni këndvështrimin tuaj dhe t’i shihni në një mënyrë të re dhe më të qetë përpjekjet tuaja të përditshme.
Vuajtja dhe pakënaqësia e pafundme kuptohen si temat mbizotëruese të jetës në filozofitë lindore dhe perëndimore. E vërteta e parë fisnike e Budizmit është se jeta është vuajtje. Po ashtu filozofi i krishterë i shekullit XVII Blez Paskal shkroi mbi palumturinë e vazhdueshme dhe përpjekjet tona të kota për ta luftuar atë: “Qeniet njerëzore kërkojnë qetësi kur janë duke u përballur me vështirësitë; dhe kur i kanë mposhtur këto të fundit, qetësia bëhet e padurueshme”. Në të dyja traditat, lumturia nuk është veçse një ndërprerje e shkurtër në ritmin e trishtuar të jetës.
Në vend se të dëshpërohemi për kotësinë e jetës, Kamy na thotë të pranojmë dimensionin e saj qesharak
Në librin e tij Kamy e pranon kotësinë e detyrës së Sizifit si dhe paralelet e dukshme të saj me jetën tonë të përditshme. Por ai argumenton se pavarësisht nga vështirësitë e kësaj bote, qeniet njerëzore përjetojnë rregullisht lumturinë e vërtetë. Në situata të vështira, njerëzit kanë dashuri për njëri-tjetrin.
Ata kënaqen me rikrijime të thjeshta. Sipas Kamy edhe Sizifi ishte i lumtur “sepse përpjekja e tij për të arritur një kulm mjafton për të mbushur zemrën e një njeriu”. E thënë thjesht, ai kishte diçka që e mbante të zënë. Ky përfundim e çoi Kamy drejt një strategjie jetese që është krejtësisht në kundërshtim me shumicën e filozofëve ekzistencialistë të dy shekujve të fundit. Në vend që të dëshpërohemi mbi kotësinë e jetës, Camus na thotë të pranojmë dimensionin e saj qesharak. Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jetojmë, kjo është e vetmja rrugë drejt lumturisë, emocioni më absurd nga të gjithë.
Ne nuk duhet të përpiqemi që t’i japim një kuptim universal rutinave tona të pandërprera: blerjes, shpenzimeve, ngrënies, punës, shtytjes së gurëve tanë të vegjël lart kodrave tona të vogla, thotë ai. Në vend të kësaj, duhet të qeshim me zë të lartë se çdo gjë që bëjmë nuk ka kuptim, e megjithatë prapë të jemi të lumtur.
Për Kamy lumturia është një deklaratë e pavarësisë ekzistenciale. Në vend se të na këshillojë “Mos u shqetëso, ji i lumtur”, ai na thotë “Thuaji Universit të kthehet diku tjetër, ji i lumtur”. Nëse pranimi i dimensionit qesharak të kësaj bote ju duket i pamundur, Kamy thotë se kjo është vetëm për shkak të krenarisë suaj.
“Ata që vendosin parimet përpara lumturisë së tyre, refuzojnë të jenë të lumtur, pavarësisht nga kushtet që u duken thelbësore për të qenë të tillë”- shkroi ai disa vjet pas esesë së tij mbi Sizifin. Për më tepër, “nëse e gjejnë veten të lumtur, e cilësojnë veten të pafuqishëm, të palumtur, sepse janë privuar nga pakënaqësia e tyre”.
Këshilla praktike që vijon është e qartë: nëse keni një moment të pashpjegueshëm lumturie në një botë të vështirë, gëzojeni pa menduar shumë për të. Ne duhet të jemi në gjendje të bëjmë më mirë sesa vetëm të mbështetemi tek qetësia për të përfituar lumturinë e rastësishme. Realiteti është se secili prej nesh mund ta zbatojë me vetëdije absurditetin e Kamy për të krijuar një jetë më të lumtur. Ja cilat janë 3 mënyra praktike për të gjetur lumturinë në qesharake.
Rezistojini lodhjes
Kur përjetoni një palumturi ekzistenciale – një ndjenjë se gjithçka është e pakuptimtë – heqja dorë nga jeta mund të duket si strategjia më e thjeshtë. Por këtu duhet të hyjë në lojë apeli i Kamy për rebelim. Njeriu nuk mund të ndryshojë domosdoshmërisht perceptimin e tij mbi botën, por siç e përmenda më lart, mund të ndryshojë mënyrën e reagimit ndaj këtij perceptimi. Trajtojeni ndjenjën e mungesës së shpresës me një moto personale, p.sh. “Nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, por e di që jam gjallë në këtë moment, dhe nuk do ta humbas këtë moment”. Përsëriteni me zë të lartë, në mënyrë që ta kuptoni plotësisht dhe me vetëdije.
Kërkoni mundësinë për të bërë diçka të mirë
Ndjenja e pavlefshmërisë rritet kur përqendroheni tek gjërat e mëdha që nuk mund t’i kontrolloni – luftërat, fatkeqësitë natyrore, urrejtja – në vend të gjërave të vogla që mund të bëni. Midis këtyre gjërave të vogla është ndihma për të tjerët. Për shembull, nëse udhëtimi juaj është një makth ekzistencial që të mbyt shpirtin, mos villni vrer për makinat e parkuara para jush. Në vend të kësaj, përqendrohuni në krijimin e hapësirës për atë idiot të gjorë të mbërthyer në korsinë e gabuar që po përpiqet dëshpërimisht ta korrigjojë gabimin e tij.
Jini plotësisht të pranishëm tek ajo që bëni çdo ditë
Absurditeti tenton vetëm që të lëndojë nëse e vëzhgojmë “nga jashtë”. Për shembull, kur mendoni se sa marrëzi është lani enët çdo ditë vetëm për t’i gjetur ato të pista pak më vonë, imagjinoni larjet e panumërta të enëve që do të ndodhin në pjesën tjetër të jetës tuaj. Njeriu ndihet më rehat kur përballet me absurdin në një mënyrë të vetëdijshme. /The Atlantic/ KultPlus.com
“Kurrë nuk e dashurojmë dikë konkretisht. Dashurojmë veç idenë që kemi formësuar vetvetiu për dikë. Ky është thjesht një koncept i yni vetjak, domethënë që përmbledhtas, pikërisht vetveten, ne dashurojmë. Kjo gjë vërtetohet në çdo lloj dashurie. Në dashurinë seksuale, synojmë kënaqësinë vetjake, që mundësohet përmes një trupi të huaj. Kurse në dashurinë jo seksuale, synojmë kënaqësinë tonë vetjake, të mundësuar nga idetë tona gjithsesi. Marrëdhëniet midis një shpirti dhe një shpirti tjetër, që mishërohen përmes disa gjërave tejet të brishta dhe kundërthënëse si fjalët e rëndomta dhe gjestet që ne bëjmë, janë diçka fort e koklavitur. Në vetë thelbin e aktit të njohjes, jemi çnjohur mirëfilli. Thonë dy të dashuruarit “Të dua”, dhe gjithçka e thonë dhe e mendojnë në formë të këmbyeshme, teksa secili synon të thotë diçka të ndryshme, një jetë mbase të ndryshme, ndoshta edhe një ngjyrë dhe një aromë të ndryshme, sipas përmbledhjes abstrakte të përshtypjeve që përbëjnë botën shpirtërore”.
Fernando Pessoa – “Livro do Desassossego”./ KultPlus.com
Është zhvilluar edicioni i 8-të i konkursit “Novelat Grafike Shqiptare”, ku juria e përzgjedhur vlerësoi punët e 26 pjesëmarrësve dhe ndau 5 çmimet fituese.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale emrat e fituesve.
Fituesit janë: Çmimi i parë: Rei Kërçova, për frymën filozofike të fabulës, mesazhin optimist që transmeton, si edhe për origjinalitetin e konceptimit filozofik të veprës.
Çmimi i dytë: Gert Simoni, për risjelljen e historisë dhe figurës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu me një trajtim të ri si naracion dhe grafizëm.
Çmimi i tretë: Melisa Koyun, për frymën poetike të fabulës dhe trajtimin e pasur pikturor të saj.
Çmimi i katërt: Xhoen Hajdaraj, për risjellje në vëmendje të figurës historike të Shote Galicës, nëpërmjet trajtimit të fuqishëm grafik.
Çmimi i pestë: Peter Duka, si pjesëmarësi më i ri në këtë edicion, për sinqeritetin e trajtimit vizual dhe lidhjes së fabulës me traditën letrare të së shkuarës.
Në ceremoni u shpërndanë certifikatat për të gjithë pjesëmarrësit ne konkurs, si edhe albumi përmbledhës i punëve të paraqitura në këtë edicion./ KultPlus.com
Elita 5 është pa asnjë dyshim grupi më emblematik i muzikës në Kosovë, veçmas rreth viteve 90-ta, shkruan KultPlus.
Elita 5 ka realizuar një mori këngësh, të cilat edhe sot e asaj dite vazhdojnë të mbesin shumë të kërkuara.
“Ti e vrave dashurinë”, është një nga hitet e vitit 2000 qe ky grup kishte lansuar në treg. KultPlus, këtu ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:
“Me kot ti kerkon meshiren Dhe pse vishesh me te bardha Shpirti yt noton n’shkretire Nuk je prape ajo e para. Shpirti yt noton n’shkretire Nuk je prape ajo e para
Tash vjen edhe ti me lutesh Kerkon falje hic pa turp Nuk e di ku merr guximin Qe serisht te kthehesh tek une
(refren) Se ti e vrave dashurine Edhe shkove pas nje horrit Paqe mes nesh s’mund te shtijne As ushtaret e UNPROFOR-it (x 2)
Se ti ndenjat tua i nxorre mall pa vlere ne treg te zi dashuria humb kuptimin kur hyjne zemrat ne llogari
Jo, jo nuk po t’i dua, lot’ e rende t’i shoh ne sy, se ka vajza plot Tetova e nuk mbahet veç me ty“ / KultPlus.com
Më 10 dhjetor të vitit 1979, e Shenjta Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqe në Oslo të Norvegjisë. Ndërsa po dilte nga manifestimi solemn, pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj shkroi këto fjalë:
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”.
I ati i saj vdiq në mënyrë misterioze, kur ajo ishte vetëm 8 vjeçe. Disa mendonin se atë e vranë për qëllime politike, por ende sot nuk dihet arsyeja e vërtetë e vdekjes së tij. Gjithsesi, kjo ngjarje shërbeu për ta afruar më shumë Nënë Terezën me të ëmën, e cila ishte një e krishterë e devotshme që i mësoi vajzës së saj rëndësinë e bamirësisë. Aq i madh ishte ndikimi i së ëmës, saqë në moshën 12 vjeçare, Nënë Tereza vendosi t’i shërbente plotësisht besimit. Ajo, madje u përfshi edhe në një urdhër për t’u mësuar murgeshave të tjera mbi besimin e krishterë. U shndërrua kështu në një mësuese, duke i shërbyer këtij profesioni për 20 vite të jetës së saj.
Por jeta e saj ndryshoi rrënjësisht, kur ajo mori një “thirrje” prej Zotit, siç edhe vetë Nënë Tereza e ka quajtur, e cila e nxiti të linte mënjanë rolin e dishepullizueses për murgeshat e reja dhe të shkonte të jetonte në vendet më të varfëra në botë. Viti i parë në Kalkuta ishte tepër sfidues për të. Iu desh madje të lypte për ushqim, njësoj me njerëzit e atij vendi, të cilët jetonin në varfëri ekstreme. Edhe pse shpesh herë është shprehur se i kishte kaluar nëpër mendje të hiqte dorë nga diçka, sërish nuk e bëri, pasi ishte e vendosur të vazhdonte.
Reputacioni i saj filloi të rritej nga momenti, kur ajo filloi të hapte shtëpi strehimi për të pastrehët dhe për ata që ishin tepër në nevojë. Ajo madje shkoi në mes të natës t’i lutej biznesmenit më të fuqishëm në San Franciscos për ta kthyer një shtëpi të braktisur në një shtëpi banimi për të pastrehët. Kur ai i tha: “Këtë punë do ta shohim nesër në mëngjes”, Nënë Tereza u përgjigj: “Puna e Zotit nuk mund të presë deri nesër në mëngjes”.
Data e 17 tetorin e vitit 1979, na kujton ditën, kur Juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen Shenjtën shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën.
Në motivacionin e ndarjes së Çmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se: ”Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën gjithashtu një kërcënim për paqen”.
Edhe pasi u nderua me çmimin “Nobel” për paqen, ajo refuzoi të realizohej banketi tradicional, në mënyrë që paratë e harxhuara për të, të përdoreshin për personat në nevojë. As sëmundjet si pneumonia, malarja, apo sëmundjet kardiake nuk e ndalën atë. Puna e Nënë Terezës vazhdoi në mënyrë të palodhur deri në vitin 1997, në të cilin ajo ndërroi jetë. Nga 13 murgesha, të cilat i mësonte mbi besimin, në shumë pak kohë ajo arriti t’i shërbente më shumë se 5000 njerëzve në mbi 130 vende të botës.
Ende në ditët e sotme, ajo njihet si një simbol i dashurisë dhe humanizmit. Ajo është një shembull se edhe roli i një drejtuesi, mund të bëhet me mirësjellje, humanizëm dhe dashuri.
Fjalimi i Nënë Terezës me rastin e marrjes së Çmimit Nobel:
“Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, është aborti. Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur.
Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin.
Fëmijët tanë… ne i duam ata, por çfarë mund të thoni për miliona të tjerë? Shumë, shumë pak njerëz janë të shqetësuar për fëmijët e Indisë, për fëmijët e Afrikës, ku vdesin një numër i madh prej tyre, ndoshta nga uria, ushqimi i keq dhe kështu me radhë.
Por jo vetëm kaq! Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj në Indi, apeloj kudo!
Le t’i sjellim fëmijët përsëri dhe ky vit të jetë viti i fëmijëve. Të reflektojmë: çfarë kemi bërë ne për fëmijët?
Në fillim të vitit, kudo ku m’u dha mundësia të flisja thashë: “Këtë vit le t’i bëjmë të gjithë fëmijët e lindur dhe të palindur të ndjejnë dashuri .
Dhe tani që jemi në fund të vitit, a e kemi bërë këtë?
Nuk besoj se jemi me të vërtetë punonjës socialë. Ndoshta bëjmë punë sociale në sy të njerëzve, por në të vërtetë jemi soditës në zemër të botës, pasi ne po e prekim trupin e Krishtit 24 orë në ditë. Jemi 24 orë në prezencën e Tij, unë, po kështu dhe ju.
Edhe ju duhet të përpiqeni ta sillni prezencën e Hyjit në familjen tuaj, pasi familja që lutet së bashku, qëndron së bashku!
Besoj se ne në familjen tonë nuk kemi nevojë për armë dhe bomba. Nuk kemi nevojë për të shkatërruar që të sjellim paqe, por mjafton të mblidhemi së bashku, të duam njëri-tjetrin e kështu sjellim paqen, gëzimin… Sjellim atë forcë në prezencën e njëri-tjetrit në shtëpi.
Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta mposhtim forcën djallëzore që është në botë.
Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë varfëri dhe ne me lutjet tona, me sakrificat tona duhet ta fillojmë ndryshimin që në shtëpi. Dashuria fillon në shtëpi ku nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në veprimet që bëjmë.
Për Hyjin nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, pasi Ai është infinit, por sa shumë dashuri vendosim në ato veprime. Sa shumë japim prej Tij në personin të cilit po i shërbejmë!
Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit.
Të varfrit fillimisht në familjen tonë, në vendin tonë dhe në botën tonë. Në mënyrë që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, Motrat tona, jeta jonë duhet të jetë e ndërthurur me lutje. Ajo duhet të jetë e ndërthurur me Krishtin, në mënyrë që të kuptohet, që të ndjehet.
Për shkak se sot ka kaq shumë vuajtje, unë ndjej se pasioni i Krishtit po jetohet përsëri.
A jemi ne atje ta ndajmë atë pasion, ta ndajmë atë vuajtje me njerëzit?
Varfëria është në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e varfra, sepse unë kam gjetur varfëri edhe në Perëndim, aty ku është ndoshta më vështirë të hiqet.
Kur marr nga rruga një person të uritur, i jap një pjatë me pilaf, një copë bukë, e ngop. Atij i heq urinë.
Por një person i lënë jashtë, që ndihet i padashur, i padëshiruar, i tmerruar, person që është përzënë nga shoqëria… ajo varfëri të vret kaq shumë dhe kaq fort, dhe kjo mua më duket më e vështirë.
Motrat tona po punojnë mes atyre njerëzve në Perëndim. Prandaj duhet të luteni për ne që të mund të jemi ai lajmi i mirë, pasi nuk mund ta bëjmë këtë pa ju. Ndërsa ju… Ju duhet ta bëni këtë këtu, në vendin tuaj. Ju duhet t’i njihni të varfrit.
Ndoshta njerëzit tanë këtu kanë të mira materiale, gjithçka, por besoj se nëse të gjithë hedhim një sy para shtëpive tona, sado të vështirë ta kemi ndonjëherë për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit, duhet ta bëjmë dhe ajo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.
Nuk kam për ta harruar asnjëherë atë që ka ndodhur disa kohë më parë, kur katërmbëdhjetë profesorë erdhën nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.
Ata erdhën në shtëpinë tonë dhe ne biseduam për dashurinë, dhembshurinë, pastaj njëri prej tyre më pyeti: “Më thoni, nënë, ju lutem na thoni diçka që ta mbajmë mend” dhe unë i thashë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit dhe gjeni kohë për njëri-tjetrin në familjen tuaj.” Buzëqeshini njëri-tjetrit! Dhe pastaj njëri prej tyre më pyeti: A jeni e dashuruar? Dhe unë i thashë: “Po, dhe ndonjëherë më duket e vështirë t’i buzëqesh Jezusit, për shkak se ai ndonjëherë bëhet shumë kërkues.
Kjo është diçka e vërtetë dhe në atë vend ku vjen dashuria, kur dashuria është kërkuese, atëherë mund t’ia japim Atij me gëzim.
Besoj se duhet të jetojmë jetë të përsosur, pasi kemi Jezusin me vete dhe Ai na do ne.
Sikur vetëm të kujtonim se Hyji na do ne, dhe se ne kemi një mundësi për të dashur të tjerët ashtu siç Ai na do, nuk do të bënim gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Nëse bëheni një dritë që digjet për paqen në botë, atëherë me të vërtetë meritoni Çmimin Nobel për Paqen. Zoti ju bekoftë!”, kishte thënë Nënë Tereza./ KultPlus.com
“Pasqyra është mikja ime më e mirë, sepse kur unë qaj ajo kurrë nuk qeshë”, është një nga thëniet më të dëgjuara nga Charlie Chaplin, shkruan KultPlus.
Lindur në vitin me 16 prill 1889 në Londër, ai ndërroi jetë në Zvicër në vitin 1977 – gjatë jetës ai përjetoi shumë suksese në kinematografi, por edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Hollywood. Filmi i tij “Etja për ar”(1925) tematizon pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.
Shumica e veprave të Chaplin u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për „Dritat e qytetit“ ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por Chaplin nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: Mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot tek filmat e Chaplin.
Charlie Chaplin ishte i dhënë pas grave dhe është martuar gjithsej katër herë. Yllin e ri të kinematografisë e tërhiqnin gjithmonë vajzat e reja. Kjo shpesh herë i ka krijuar telashe. Në SHBA dhe në atdheun e tij në Angli, apostujt e moralit e kanë kritikuar ashpër atë.
Gruaja e dytë e tij Lita Grey Chaplin dhe dy fëmijët – 1913.
Vetëm në filmat e tij të vjetër Chaplin luante karaktere të pakëndshëm. Shumë shpejt ai iu përkushtua roleve, që karakterizuan më pas filmat e tij: ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si „Kohët moderne“ (1936) ai ushtron edhe një kritikë të thellë shoqërore – njeriu në ingranazhet e industrializimit./ KultPlus.com
Kushdo që mban “Lindjen” e Caravaggio-s nuk do të mund ta shfaqë kurrë atë në publik. Megjithëse sipas një vlerësimi të FBI-së, piktura do të kishte një vlerë prej rreth 20 milionë dollarë, në fakt nuk ka asnjë.
“Posedimi i një pikture me vlerë kaq të madhe – shkruante më 30 tetor 1969 në raportin e tij Marshall Guelfo Giuliano Andrei – përbën një rrezik të vazhdueshëm, të tillë që të anulojë çdo vlerë tregtare”.
Por mund të kishte shkuar ndryshe. Pikërisht për shkak të vlerës së saj, vepra e dytë e artit më e kërkuar në botë mund të jetë prerë në disa pjesë dhe rishitur te koleksionistët e paskrupullt.
Ndoshta falë ndërmjetësimit të një trafikanti zviceran, të thirrur për këshilla nga bosët e Cosa Nostra. Piktura u vodh në Palermo nga një bandë kriminelësh./ KultPlus.com
Imagjinoni sikur energjia elektrike të ndërpritej papritur dhe të mos kthehej për orë, ditë apo javë të tëra. Vështirësitë fillestare, si mungesa e televizorit apo frigoriferit, do të shndërroheshin shpejt në një katastrofë globale: spitalet paralizohen, Interneti nuk funksionon, Gps-të janë të padobishëm, trenat dhe avionët ndalojnë së lëvizuri. Ndërkohë, në qiell do të shfaqeshin aurora spektakolare, por çmimi do të ishte i lartë. Ky skenar nuk është fantashkencë, por një mundësi reale në rast të një stuhie diellore ekstreme.
Ngjarja e Carrington-it
Për të kuptuar këtë fenomen, duhet të kthehemi pas në kohë. Dielli ynë, megjithëse duket i qëndrueshëm, është vendi i aktiviteteve të dhunshme që shpesh nuk i vërejmë. Në shtator 1859 ndodhi një ngjarje e tillë, e njohur si Ngjarja e Carrington-it, kur një stuhi diellore e fuqishme goditi Tokën. Në atë kohë, teknologjia ishte e kufizuar tek telegrafi, dhe efektet përfshinin ndërprerje të linjave dhe shkëndija nga shtyllat e telegrafit. Ndërkohë, urora boreale u panë deri në Kubë, Hawaii dhe Xhamajka.
Fenomenet e dhunshme diellore në të kaluarën
Stuhia diellore e vitit 1859 ishte rreth 10 herë më e fuqishme se një ngjarje e ngjashme që ndodhi në maj 2024. Në shekullin e 20-të dhe të 21-të ka pasur raste të tjera të fuqishme, si stuhia gjeomagnetike e marsit 1989, që shkaktoi një ndërprerje 10-orëshe të energjisë elektrike në Quebec dhe problemet e sistemit elektrik në SHBA. Një tjetër stuhi, në maj 1921, shkaktoi zjarre dhe dëme në linjat telegrafike.
Studimet mbi izotopet radioaktive në shtresat e akullit tregojnë se në 1,000 vitet e fundit ka pasur stuhi edhe më të forta se ajo e Carrington-it. Megjithatë, këto fenomene janë të paparashikueshme dhe mund të ndodhin në çdo moment.
Skenari i “stuhisë perfekte”
Një stuhi ekstreme fillon me shfaqjen e njollave të mëdha në sipërfaqen e Diellit, të cilat çlirojnë energji magnetike dhe përfundimisht plazma të nxehura. Kur ky material arrin Tokën, ai ndërvepron me fushën magnetike të planetit, duke shkaktuar stuhi gjeomagnetike.
Efektet përfshijnë:
Dëmtim të satelitëve: Rrezatimi i lartë energjik ngroh dhe zgjeron atmosferën, duke shkaktuar më shumë fërkim mbi satelitët.
Probleme për astronautët dhe avionët: Rrezatimi paraqet rrezik për ata që ndodhen në orbitë ose në udhëtime mbi polet.
Prishje të rrjeteve elektrike: Rrymat induktive të gjeneruara nga stuhitë geomagnetike mund të dëmtojnë transformatorët dhe linjat elektrike.
Pasojat e një ndërprerjeje globale të energjisë
Nëse një stuhi e tillë ndodh sot, efektet do të ishin katastrofike. Transformatorët e dëmtuar nuk mund të zëvendësohen shpejt, pasi prodhimi i tyre kërkon muaj të tërë. Pa energji elektrike, ndalen jo vetëm pajisjet shtëpiake, por edhe transaksionet bankare, sistemet telefonike dhe transporti publik. Supermarketet boshatisen shpejt dhe mungesa e ujit të pijshëm bëhet një problem i madh.
A jemi të përgatitur?
Për momentin, burimet për monitorimin e “moti hapësinor” janë të kufizuara. Satelitët aktualë si Soho dhe Solar Dynamics Observatory janë të vjetër dhe nuk mund të japin të dhëna në kohë reale. Misioni Vigil i ESA-s, planifikuar për vitin 2031, mund të përmirësojë situatën, por aktualisht parashikimet janë të kufizuara në një sistem të quajtur “nowcasting”—thjesht vëzhgimi i çfarë po ndodh në moment.
Si të kufizojmë dëmet?
Strategjitë për të përballuar këto fenomene përfshijnë monitorimin e vazhdueshëm dhe ndarjen e rrjetit elektrik në segmente për të parandaluar përhapjen e dëmeve. Megjithatë, ndërgjegjësimi dhe përgatitja për një skenar të tillë mbeten të ulëta në shumicën e vendeve./bota.al/ KultPlus.com
Bileta fituese me vlerë 1.22 miliardë dollarë është shitur në SHBA, si xhekpoti i pestë më i madh në histori, njoftoi organizatori i lotarisë Mega Millions.
Prej tre muajsh askush nuk ka nxjerrë kombinimin fitues të kësaj shorti.
Bileta u shit në shtetin e Kalifornisë, sipas organizatorit Mega Millions, i cili shpalli gjashtë numra fitues mbrëmë: 3, 7, 37, 49, 55 dhe 6.
Identiteti i fituesit nuk është bërë i ditur. Është gjithashtu e paqartë nëse ai e di se ka biletën fituese të xhekpotit dhe do të marrë çmimin e tij.
Bileta e lotarisë është blerë në një pikë karburanti në Cottonwood, rreth 200 kilometra në veri të qytetit të Sacramento, njoftoi kompania Mega Millions.
Fituesi mund të kërkojë të gjithë 1.22 miliardë dollarë, të paguara në pagesa vjetore gjatë 30 viteve, ose të zgjedhë një pagesë një herë në para prej 549.7 milion dollarë. Shumica e fituesve zgjodhën opsionin e dytë.
Ky është xhekpoti i pestë më i madh në historinë e lotarisë amerikane të organizuar nga kompania Mega Millions, e cila shet bileta në 45 shtete amerikane.
Bileta më e madhe e çmimit të parë të Mega Millions ishte 1.6 miliardë dollarë dhe u shit në gusht 2023.
Dy çmime për lotarinë e dytë amerikane Powerball ishin më të larta se kjo shumë./abcnews.al/KultPlus.com
Atmosfera festive ndjehet në çdo qytet të Shqipërisë në prag të ndërrimit të viteve.
Prej thuajse një muaji sheshet dhe rrugët e qyteteve të vendit janë dekoruar me pemën e Krishtlindjes dhe dritat vezulluese.
Tirana, Durrësi Korça, Shkodra, Vlora, Berati, Lezha, dhe qytete të tjera me dekoret e tyre festive kanë dhuruar një atmosferë magjike për qytetarët si dhe për turistët vendas e të huaj.
Gjatë ditëve të fundit të vitit në sheshet kryesore të qyteteve po zhvillohen aktivitete të shumta festive, me muzikë live dhe performanca të ndryshme, që do të kulmojnë në natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor.
Përgjatë gjithë muajit dhjetor në këto sheshe janë hapur edhe panaire dhe shtëpiza nga bizneset me produktet bio të zonave ku jetojnë, duke i dhënë hov edhe ekonomisë lokale.
Me moton “Shkodra në festë,” qyteti verior ka tërhequr qindra qytetarë në sheshet dhe rrugët e tij. Mbrëmjet në Shkodër janë shoqëruar me muzikë live dhe performanca të ndryshme si dhe aktivitete për fëmijë.
Saranda ka marrë një pamje mbresëlënëse në këtë muaj të fundit të vitit, ku dekoret festive i kanë shtuar bukurinë qytetit bregdetar që tërheq mijëra turistë gjatë gjithë vitit. Zbukurimet që ndriçojnë qytetin, të cilat përfshijnë fasadat e ndërtesave, rrugët dhe shëtitoren e bregdetit kanë .
Në Vlorë, sheshi pranë Shtëpisë së Pavarësisë është ndriçuar nga qindra drita të bredhit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Edhe në Vlorë, atmosfera festive ka vijuar gjatë gjithë muajit për të kulmuar më 31 dhjetor, me koncertin e fundvitit ku do të jenë të ftuar këngëtarë të njohur të skenës shqiptare.
Qyteti i një mbi një dritareve ka sjellë krijuar një atmosferë magjike, me ndriçimin e qendrës historike dhe urave mbi lumin Osum. Dritat shumëngjyrëshe që reflektojnë mbi ujë kanë shndërruar qytetin në një destinacion të preferuar për vizitorët. Turistë të shumtë vendas e të huaj kanë zgjedhur të kalojnë ndërrimin e viteve në qytetin historik të Beratit. Shtëpizat me drita të krijuara si kuti dhuratash, babagjyshi me karrocën e tij, arushi gjigand si dhe tuneli me drita përgjatë lulishtes, janë kthyer në një nga atraksionet më të preferuara për t’u fotografuar nga turistët.
Ndërkohë edhe në qytete të tjera si Durrësi, Fieri, Lezha, Korçë atmosfera festive ndihet kudo, në rrugët dhe sheshet e mbushura me qytetarë dhe vizitorë./atsh/ KultPlus.com
Shërbimi ChatGPT, nga OpenAI, tashmë është i disponueshëm edhe brenda WhatsApp.
Përdoruesit tani mund të shtojnë 1 (800) CHAT-GPT në listën e tyre të kontakteve në WhatsApp nëse duan të përdorin chatbotin ChatGPT brenda aplikacionit të mesazheve të Meta.
Në këtë version, ChatGPT është i kufizuar vetëm në futjen e tekstit, kështu që nuk ka modalitet të avancuar të zërit ose hyrje vizuale, por të gjitha opsionet AI të modelit ChatGPT o1-mini janë ende atje.
WhatsApp ChatGPT tani është i disponueshëm kudo ku OpenAI ofron chatbot-in e tij dhe përdoruesi nuk ka nevojë për një llogari. OpenAI po punon për të mundësuar një mënyrë për përdoruesit ekzistues që të verifikohen përmes WhatsApp, por nuk është shpallur asnjë afat kohor se kur mund të bëhet i disponueshëm ky opsion.
Përveç kësaj, një opsion i linjës telefonike ChatGPT është i disponueshëm për përdoruesit amerikanë dhe ofrohet 15 minuta përdorim falas i linjës telefonike ChatGPT.
“Ne sapo kemi filluar me aksionin për ta bërë ChatGPT më të aksesueshëm për të gjithë,” vuri në dukje Hevin Weil – Shefi i Produkteve në OpenAI.
Një llambë vaji qeramike e dekoruar në mënyrë të ndërlikuar dhe që daton 1 700 vite më parë, e zbukuruar me simbole të lidhura me tempullin hebre, u zbulua gjatë një gërmimi arkeologjik pranë Malit të Ullinjve të Jerusalemit, njoftoi Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit.
“Kjo llambë unike vaji, e cila në një mënyrë emocionuese mban simbolet e Tempullit, lidh dritat e së kaluarës me festën e sotme Chanukah dhe shpreh lidhjen e thellë dhe të gjatë të kombit të Izraelit me trashëgiminë e tij dhe me kujtimi i tempullit”, tha ministri i Trashëgimisë, rabini Amichai Eliyahu.
Festa tetëditore e Chanukah, e cila filloi të mërkurën, shënon revoltën e suksesshme të Makabeve kundër mbretit Seleucid Antiochus IV dhe ripërkushtimin pasues të Tempullit të Dytë.
Festa festohet duke ndezur një menorah, një shandanë me nëntë degë.
Dekorimet e llambës qeramike paraqesin menorahun e tempullit, një temjan dhe një lulav – dega e palmës së hurmës e përdorur në ritualet hebraike gjatë festës së Sukkot.
“Punimi i hollë artistik i llambës, i cili u gjet i paprekur, e bën atë një zbulim të jashtëzakonshëm”, tha drejtori i gërmimit Michael Chernin.
Simbolet që zbukurojnë llambën e lidhin atë në mënyrë të pagabueshme me tempullin hebre dhe traditat e tij. Kjo është veçanërisht e habitshme sepse ne kemi prova të kufizuara të një pranie hebreje në Jerusalem gjatë kësaj periudhe.
Pasi perandori romak, Hadriani shtypi revoltën e Bar Kochba në vitin 135 të es, hebrenjtë u dëbuan nga Jeruzalemi. Dëshmitë arkeologjike të pranisë së tyre në rajon gjatë shekujve III-V të erës sonë janë të pakta, duke e bërë këtë llambë një artefakt të vlefshëm për të kuptuar jetën hebreje në zonë.
Llamba është klasifikuar si një lloj “Beit Nattif”, i quajtur sipas një punishteje prodhimi të zbuluar pranë Bet Shemeshit në vitet 1930.
Sipas Benjamin Storchan, një arkeolog i kërkimit të Autoritetit të Antikiteteve, “prodhuesi i llambave përdori kallëpe guri gëlqeror të gdhendur në mënyrë të ndërlikuar, të punuar me mjete precize si dalta. Format, të prodhuara në dy pjesë, lejonin dizajne të rafinuara dhe dekorime të ndërlikuara. Pasi argjila u shtyp në kallëpe dhe u bashkua, llamba u ndez, gati për përdorim”.
Simbolet sugjerojnë se pronari i saj ka të ngjarë ta blejë atë për rëndësinë e tij fetare dhe si një përkujtim personal për Tempullin.
Storchan vuri në dukje se imazhi i menorah u bë një simbol i spikatur pas shkatërrimit të Tempullit të Dytë, duke u shfaqur shpesh në sendet personale.
“Si një enë për ndriçim, llamba mund të ketë ngjallur ndjenjën e ndriçimit të menorahut të Tempullit”, shpjegoi Storchan.
Llamba do t’i paraqitet publikut në Jerusalem gjatë Chanukah./atsh/ KultPlus.com
Zef Kolombi lindi më 9 mars 1907, në Sarajevë, në një familje shkodrane. Babai i tij, Gjoni, ishte pronar i një hoteli në Sarajevë, ndërsa e ëma, Stefania, ishte sllovene. Në vitin 1910 i vdes babai dhe një vit më vonë dhe nëna. Zefi në moshën 4-vjeçare, bashkë me motrën e tij Verën, kthehen në Shkodër tek gjyshja. Pas humbjes së gjyshes, për dy jetimët Kolombi kujdeset nuni i tyre, Sokrat Shkreli.
Në Shkodër mbaron shkollën fillore-jetimore të hapur nga austriakët, dhe tre vjet mëson në gjimnazin e jezuitëve. Më pas i përkushtohet pikturës, pasionit të tij, por me shumë vështirësi. Ai shkon në Itali, dhe fillon të punoi për të mbijetuar dhe ndërkohë viziton muzetë, galeritë e arteve dhe ekspozitat e pikturës. Nëpër këto institucione arti tërheq vëmendjen e rojeve dhe disa të rinjve të cilët e ndihmojnë për t’u regjistruar në një shkollë nate. Por, e largojnë nga Italia dhe ai kthehet sërish në Sarajevë, ku punon si ndihmës-këpucëtar. Pas kësaj, ai punon tri vjet pranë një dekoratori dhe gjatë kësaj kohe ai krijon veprat e para, si dhe kopje të klasikëve. Në moshën 18 vjeçare, Zef Kolombi kthehet në Shkodër, i përkushtohet artit të pikturës ku punon edhe si nëpunës në hotelin “Grand”.
Më 1929, Zef Kolombi sërish niset për Itali, ku fillon të studiojë në akademi. Me përfundimin e Akademisë së Arteve në Romë, kthehet në Shqipëri dhe emërohet mësues vizatimi në shkollën normale të Elbasanit, ku qëndroi 10 vjet. Në vitin 1936 martohet dhe ka një djalë, Julianin, ndërsa nga martesa e dytë pati djalin tjetër Gjovalinin. Vazhdon të pikturojë dhe njëkohësisht kryente detyrën e mësuesi.
Zef Kolombi ka pikturuar me materiale të tilla si beze, kanavacë, karton e kompensatë, ndërsa më së shumti vepra e tij është në vaj. Ka përdorur më shumë ngjyrën e kuqe, kafe, të gjelbrën e të bardhën. Vepra e Zef Kolombit ndodhet kryesisht në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Dy vitet e fundit të jetës i kaloi i sëmurë nga astma dhe tuberkulozi, derisa u nda nga jeta, më 23 janar 1949. /Hejza/ KultPlus.com
Ministria e Kulturës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) kanë garantuar vazhdimësinë e funksionimit të Kino ABC-së në Prishtinë, duke marrë me qira hapësirat e saj, në përputhje me vendimin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ky hap është pjesë e angazhimeve për mbrojtjen dhe zhvillimin e kinemave publike, siç përcaktohet në Ligjin e ri mbi Kinematografinë.
Marrëveshja siguron shfrytëzimin e aseteve në interes publik, ndërsa AKP-ja ka aprovuar qiranë sipas rregulloreve përkatëse. Puna në Kino ABC do të vazhdojë, duke u orientuar drejt zhvillimit të kulturës së përgjithshme të filmit.
Agjencia hapësinore e Shteteve të Bashkuara (NASA) tha se sonda e saj diellore, Parker, është “e sigurt” dhe po operon normalisht në afrimin më të afërt me Diellin të bërë nga ndonjë objekt i ndërtuar nga njeriu.
Anija kozmike kaloi vetëm 6.1 milionë kilometra nga sipërfaqja diellore më 24 dhjetor, duke fluturuar në atmosferën e jashtme të Diellit, të quajtur korona, në misionin që synon të ndihmojë shkencëtarët që të mësojnë më shumë për yllin më të afërt me Tokën.
Agjencia tha se ekipi i operacioneve në Laboratorin për Fizikë të Aplikuar të Johns Hopkins ka pranuar një sinjal nga sonda pak para mesnatës të enjten.
Anija kozmike pritet të dërgojë të dhëna të detajuara telemetrike për gjendjen e saj më 1 janar, shtoi NASA.
Duke lëvizur me një shpejtësi prej 692.000 kilometra në orë, anija kozmike duroi temperatura deri në 982 gradë Celsius, sipas ueb-faqes së NASA-s.
“Në studimin nga afër të Diellit sondës Parker i mundësohet të bëjë matje që do të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si materiali në këtë rajon nxehet në miliona gradë, të gjurmojnë origjinën e era diellore [një rrjedhje e vazhdueshme e materialit që ikën nga Dielli] dhe të zbulojnë se si grimcat energjetike përshpejtohen në shpejtësi pothuajse të dritës”, shtoi NASA.
Sonda Parker u lansua më 2018 dhe gradualisht po rrotullohet më afër Diellit, duke përdorur rrotullimet e Venerës për t’u tërhequr në mënyrë gravitacionale në një orbitë më të ngushtë me Diellin.
Shkrimtari Jusuf Buxhovi është shpallur fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu” për vitin 2024.
Juria letrare në përbërje me Ibrahim Kadriun, Albina Idrizin dhe Sabit Rrustemin pas një shqyrtimi të tërësishëm të listës së shkrimtarëve të propozuar për këtë çmim, unanimisht ka rënë në dakord që sivjet Çmimi “Beqir Musliu” t’i jepet shkrimtarit dhe historianit, Jusuf Buxhovi.
Ky çmim, i cili ndahet nga Komuna e Gjilanit, është një nderim për autorët që kanë kontribuar në zhvillimin e letërsisë dhe kanë lënë gjurmë të dukshme përmes veprave të tyre.
Jusuf Buxhovi është një personalitet i rrallë gjithë shqiptarë i cili, më shumë se gjysmë shekulli i është përkushtuar letërsisë në cilësinë e tregimtarit, dramaturgut dhe romancierit, duke vazhduar me përkushtim të madh në studimet e çështjeve historike shqiptare, për të vënë në binarë normal të ndodhurat nëpër shekuj në trojet e shqiptarëve, e veçanërisht në Kosovën tonë. Në fushën e historisë u angazhua në fund të shtatëdhjetave pasi, në vitin 1968 u diplomua në Universitetin e Prishtinës në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Por studimet e mëtutjeshme, pra, ato pasuniversitare, i vazhdoi në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës ku magjistroi në temën “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane.”
Siç mund të kuptohet nga këto të dhëna telegrafike, nga këto shënime të shkurta, Jusuf Buxhovin e shohim të angazhuar në dy fusha të krijimtarisë, të asaj imagjinare të rrumbullakuar me vepra letrare, me aq shumë vepra letrare, dhe të asaj historike me të cilat sfidoi konceptet e të dhënave labile në fushën e historisë duke i zëvendësuar ato me argumentime reale, me dëshmi konkrete përmes të cilave vihen në dyshim shumë qasje pa mbështetje serioze në periudhat përmes të cilave definohet rrugëtimi i etnitetit tonë. Në këtë aspekt përmes veprave historike të Jusufit na ofrohen dëshmi që nga antikiteti deri në ditët e sotme me shtrirje në Kosovë, por edhe në Maqedoni. Vepra këto të cilat janë përkthyer edhe në anglisht dhe janë shpërndarë në botë.
Jusuf Buxhovi është i lindur në Pejë (më 1946). Më 1972 botoi librin e parë me tregime me titull “Cirku”. Më tutje, vazhdimisht botoi libra me drama, tregime, vështrime e romane, me dhjetëra romane, siç janë “Matanëkrena”,”Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Nata e shekujve”,. “Galeria e të vdekurve”, “Libri i të mallkuarave”, “Prapë vdekja” (tre libra), “Qyteti i dënuar me vdekje”, “Kodi i dashurisë”, “Libri i Bllacës”- trilogji, “Libri i Gjakovës”, “Lufta e fundit e Bashkim Kosovës”, “Mona”, “Rrushja” e tj, mandej dramat: “Dinozauri”, ”Pranvera e zhveshur” e shumë vepra historike, siç janë “Kongresi i Berlinit 1878”, “Kthesa historike” tre vëllime, “Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane”, “Kosova” në njëmbëdhjetë vëllime, “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, “Dardania – Antika, Mesjeta” e “Kosova – histori e shkurtër” .
Veprat e Jusufit u përkthyen edhe në gjuhë të huaja. “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, për shembull – u përkthye në gjuhët: serbokroate, sllovene, frënge, italiane, kurse romani “Dosja B” u përkthye në anglisht, sikur edhe veprat histerike “Kosova I,II,III dhe “Maqedonia antike”.
Jusuf Buxhovi për veprimtari letrare u nderua edhe me çmimet: “Hivzi Sulejmani”, me çmimin vjetor të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, me Çmimin kombëtar “Azem Shkreli” e tj.
Çmimi letrar “Beqir Musliu” që jepet për vlera të mirëfillta letrare dhe prurje të reja në letërsi nga radha e shkrimtarëve tanë që kanë ndèrtuar një karierë të gjatë letrare, nderon jo vetëm fituesin e sivjemë, Jusuf Buxhovin, po edhe vetë emrin e bashkëvendasit tone, shkrimtarit të nderuar që tashmë me decenie prehet në amshim, Beqir Musliut./ KultPlus.com
Galeria ODA, një qendër e njohur arti që ka mirëpritur artistë nga vende të ndryshme të botës, këtë fundvit u bë mikpritëse e një ekspozite mbresëlënëse nga artisti i njohur Agron Mulliqi. Me një CV të pasur dhe një qasje autentike në artin bashkëkohor, Mulliqi solli në këtë hapësirë krijuese ekspozitën “Symphony of Ethnos,” një homazh i fuqishëm për traditën dhe shpirtin shqiptar, i ndërthurur me mjeshtërinë dhe vizionin e tij bashkëkohor.
Hapja e një ekspozite të tillë në një qytet si Shkodra, me një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, është një kontribut i rëndësishëm për pasurimin e jetës artistike dhe kulturore të qytetit. Shkodra, si një nga qendrat më të njohura të artit dhe kulturës në Shqipëri, i jep një kuptim të thellë çdo eventi artistik, duke krijuar një dialog mes traditës së saj të lashtë dhe shprehjeve moderne që vijnë përmes artit bashkëkohor. Ekspozita e Mulliqit, me një ndërlidhje të fortë mes së kaluarës dhe vizionit bashkëkohor, është një dëshmi e fuqisë së artit për të lidhur breza dhe për të frymëzuar në një qytet ku arti ka qenë gjithnjë një pjesë e pandashme e identitetit të tij.
Krijimet e tij, të ndërtuara me përpikëri dhe harmoni të jashtëzakonshme, reflektojnë një sintaksë unike artistike, ku vijat, simbolet dhe figurat gjeometrike rrëfejnë historitë e një etnosi të pasur. Elementet tradicionale shqiptare – nga flamuri kombëtar te furkat dhe djepat – shfaqen si pjesë të një mozaiku kulturor që ruan dhe celebron identitetin kombëtar. Këto motive krijojnë një ndërlidhje të thellë mes së kaluarës dhe së tashmes, duke i ofruar artdashësve një përvojë që është njëkohësisht nostalgjike dhe e freskët.
Pikturat e Mulliqit shpesh të ftojnë në misterin e një pazëlli, ku ti, si shikues, bëhesh pjesë e procesit krijues, duke vendosur pjesën që mungon. Përmes kësaj qasjeje, Mulliqi krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me publikun, duke i dhënë artit të tij një dimension interaktiv dhe reflektues.
“Shijoni atë që kam shprehë përmes vijave, simboleve, figurave gjeometrike” – ky është mesazhi i qartë i Mulliqit, që i fton vizitorët të zhytën në artin e tij dhe të përjetojnë një dialog estetik përtej fjalëve. Ekspozita, e mirëpritur me entuziazëm dhe kuriozitet, e ngre artin në një nivel ku emocionet dhe tradita kombëtare përjetohen përmes një gjuhe universale, duke konfirmuar mjeshtërinë e veçantë të artistit./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve, u shpreh se Serbia, me mbështetje të hapur nga Rusia, ka ngritur një rrjet narrativash që synojnë të dëmtojnë Kosovën dhe të pengojnë përparimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Lidhur me këtë, ai u bën thirrje diplomatëve që të vërtetën ta kenë ta gatshme përherë, e mbi të gjitha të jenë të shpejt e të qartë në atë që tregojnë, njofton Klankosova.tv.
“Është e rëndësishme që rolin e diplomacisë ta shohim jo vetëm si angazhim me qeveritë e vendeve ku shërbehemi, por edhe si ndërveprim me njerëzit. Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë dhe gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë, sigurisht që kanë rritur dhe forcuar lidhjet mes shteteve dhe popujve tanë”.
“Jemi në epokën e rrjeteve sociale dhe të komunikimit të menjëhershëm e të pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet , dhe për më keq i lë hapësirë propagandës edhe dezinformatës. Raportet që ju tregoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të brehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni, më parë se gjatësia e dokumenteve”, u shpreh i pari i qeverisë.
“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtme, dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë dhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme, që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi që të jeni të shpejt në reagime. Për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë”.
Aktorja Olivia Hussey, e cila fitoi famë ndërkombëtare si adoleshente për rolin e saj në versionin e njohur filmik të vitit 1968 të “Romeo and Juliet”, ka vdekur në moshën 73-vjeçare.
Aktorja me origjinë argjentinase, e cila u rrit në Londër, vdiq të premten e rrethuar nga të dashurit e saj, thuhet në një deklaratë të postuar në Instagramin e saj, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Hussey fitoi çmimin “Golden Globe” për aktoren e re më të mirë për rolin e saj si Juliet, por dekada më vonë ajo paditi Paramount Pictures për abuzim seksual pasi ishte vetëm 15 vjeç kur filmoi skenë nudo në film.
Roli tjetër i saj më i dukshëm në ekran ishte si Maria, nëna e Jezusit, në miniserialin televiziv “Jezusi i Nazaretit” të vitit 1977.