Media franceze “OK Voyage”: Zbuloni 10 vendet më të mira që duhet të vizitoni në Shqipëri

Një perlë e vërtetë e Ballkanit, Shqipëria po shfaqet gradualisht në peizazhin turistik evropian, shkruan Maxime Aubin në një artikull të botuar në revistën franceze të udhëtimit “OK Voyage”.

Zbuloni listën tonë të 10 vendeve më të mira që duhet të vizitoni gjatë udhëtimit tuaj të radhës në “Tokën e Shqiponjave”.

Vizitoni kryeqytetin, Tiranën

Nëse jeni duke udhëtuar për në Shqipëri, ka shumë mundësi që së pari të shkelni në kryeqytetin shqiptar.

Atraksionet që duhen vizitoni në Shqipëri nisin me kryeqytetin e gjallë dhe plot ngjyra të këtij vendi të bukur.

Një vend i sekreteve të së shkuarës së palavdishme politike të vendit, Tirana ka arritur të modernizohet.

Ajo ofron një ndërthurje të historisë, argëtimit dhe gastronomisë.

 Shijoni panoramën nga maja e Malit të Dajtit

Nëse ju pëlqen kalërimi dhe mini golfi, Mali i Dajtit është vetëm një udhëtim me teleferik larg Tiranës.

Gjithashtu, ju mund të bëni një shëtitje relaksuese me teleferik – duke shijuar pamjet mahnitëse të të gjithë qytetit.

Eksploroni bunkerët e Shqipërisë

Kur Shqipëria drejtohej nga lideri i saj komunist Enver Hoxha, i gjithë vendi ishte i përgjuar dhe i mbushur me bunkerë.

Këto dëshmi historike janë sot muze të vërtetë. Nëse ndonjëherë ata duken të zymtë, ato duhet të kuptohen dhe të mos harrohen kurrë.

 Pushoni në Pogradec

Po sikur ta trajtonit veten me pak gjelbërim gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri?

Pogradeci duhet të renditet në mesin e 10 vizitave që duhet parë në Shqipëri.

Ju do të keni mundësi të vizitoni Liqenin e Ohrit dhe Liqenin e Pogradecit nga ku do të përjetoni qetësinë.

Shijoni kohën tuaj në Lin

Lini ndodhet rreth gjysmë ore me makinë nga Pogradeci.

Termi piktoresk do t’ju vijë lehtësisht kur t’u tregoni të dashurve tuaj për këtë fshat të vogël të mahnitshëm.

 Vizitoni qytetin e Beratit

Mistik dhe i pacënuar, qyteti piktoresk i Beratit na kthen pas në mesjetë.

“Qyteti i një mbi një dritareve” ka zakon të krijojë ëndrra në mendjet e vizitorëve të tij.

Kalaja e cila mbizotëron – ofron pamje që të lënë pa frymë dhe vizita në qytet është sa befasuese aq edhe paqësore.

Gjatë vizitës në kala drejtohuni në restorantin “Temi Albanian Food”.

Gatim i shijshëm me fruta dhe perime nga kopshti do t’ju serviret me buzëqeshje.

Shëtitje në Parkun Kombëtar të Valbonës

Pas këtyre vizitave, ju do të keni mundësi të merrni pak ajër të pastër.

Nëse plazhet shqiptare po bëhen gjithnjë e më popullore, “Alpet Shqiptare” siç quhen fillimi i zinxhirit ballkanik, ofrojnë shtigje të shumta për të gjitha nivelet që të çojnë në peizazhe përrallore.

Në veçanti, ju mund të zbuloni parkun madhështor Kombëtar të Valbonës duke marrë rrugën nga Valbona në Theth.

Udhëtimi zgjat gjashtë orë dhe pikënisja arrihet me traget pas një lundrimi dy-orësh në liqenin e bukur të Komanit.

 Shëtisni rreth liqenit të Komanit

Liqeni I Komanit ndodhet në fshatin me të njëjtin emër – dhe gjarpëron drejt Fierzës, jo shumë larg Valbonës.

Përpara se të kaloni nëpër malet e Ballkanit, zbuloni gjelbërimin e këtij liqeni – me kodrat përreth që i japin një atmosferë të një bote vetmitare.

Shijoni ushqimin shqiptar

Për ne, francezët, kënaqësia e kuzhinës dhe shijes së mirë, gastronomia gjatë udhëtimit zënë gjithmonë një vendin thelbësor.

Ushqimi në Shqipëri do t’ju kënaqë dhe befasojë vërtet.

Një kombinim i zgjuar i frymëzimeve greke dhe italiane, kuzhina shqiptare ndërthur shumë shije mesdhetare.

Rizbuloni musakën dhe provoni tavën e kosit me mish qengji.

Specat e mbushura dhe kungull i njomë do të kënaqin adhuruesit e perimeve.

Shqiptarët mikpritës

Nuk mund ta përfundoja këtë listë me vendet që duhen parë në Shqipëri pa përmendur njerëzit e saj.

Gjatë udhëtimeve të mia të shumta, rrallë kam takuar njerëz të tillë të buzëqeshur dhe mikpritës.

Shqiptarët janë shumë miqësorë dhe shumica e tyre flasin anglisht./atsh/KultPlus.com

Satoko Inoue, pianistja japoneze sjellë veprat e kompozitorëve shqiptarë në natën e katërt të Dam Festival

Vjollca Duraku

Mbrëmja e katërt e edicionit të 19-të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës DAM Festival, është mbajtur të shtunën mbrëma me pianisten profesioniste japoneze Satoko Inoue, në Atelienë e Pallatit të Rinisë.

Vepra të kompozitorëve të shquar shqiptarë e botërorë ishin pjesë e programit interpretues të pianistes Inoue. Me një natyrë shumë të thjeshtë në aspektin fizik, pianistja e filloi koncertin me një interpretim të ndjerë me veprën “Metamophosis 2” të Philp Glass, duke dhuruar tinguj njëtrajtshëm të qetë, harmonia e së cilëve ndryshonte përmes një tingulli të shpejtë i cili sikur i jepte kuptim tingujve që përthitheshin qetësisht nga publiku në sallë.  

Përveç tingujve të jashtëzakonshëm që emetoheshin nga solistja, pjesëmarrësit këtë radhë dëgjuan edhe zhurmë më të madhe seç ndodh zakonisht nga hapja e dyerve të tjera në objektin e Pallatit të Rinisë. Zhurma e një topi që rrokullisej në dysheme, zëra të njerëzve, dhe makinerive të ndryshme jehuan në sallë së bashku me notat e kompozitorëve të shquar. Ndërsa, një mjaullimë maceje, teksa po dhuroheshin tinguj mrekullisht të qetë mori vëmendjen e publikut, dhe shtoi buzëqeshjen në fytyrat e tyre, si një “zhurmë” e pranueshme nga ana e tyre.

Megjithatë, me koncentrim maksimal, pianistja Inoue vazhdoi performancën e saj për rreth 90 minuta me veprat e kompozitorëve shqiptarë Liburn Jupolli- Maya dhe Fati Fehmiju- Obscura Lacrimae (Acoustic version- premiere), dhe kompozitorëve botërorë: Akemi Naito- Rain, Calling Autumn, Jo Kondo- A  Straw Hat Dance, Hirokazu Hiraishi- A Rainboë in the Mirror, dhe Linda Catlin Smith- White Lace.

“Maya”, me tinguj mjaftë të veçantë, është një nga veprat e para të kompozitorit Fidan Jupolli me qasje më të fokusuar “minimaliste” me elemente folklorike shqiptare dhe ndjenja modale /xhaz.

“Shumë nga veprat e mija vijnë edhe si një lloj momenti kulmor dhe transformues në gjuhën time muzikore, veçanërisht për pianon nga rreth40 vepra të tjera për pianon që kisha shkruar në shkollën e mesme. Shumë nga këto  vepra, përfshirë edhe “Maya”-n, mbajnë “erërat”, “shpirtin” dhe ambientin e ndërveprimit tim me pianot e ndryshme, ndërtesat e vjetra të shkollës dhe atmosferën e përgjithshme”, citohet të ketë thënë kompozitori Jupolli,  duke theksuar se vepra “Maya” shquhet si një vepër më diatonike dhe si një risi me në shprehjen e tij muzikore”, citohet të ketë thënë kompozitori Jupolli.

Ndërsa, vepra e cila përmes notave muzikore paraqiste “Lotët e errësirës” nga kompozitori shqiptar, Fati Fehiju, i cili jeton dhe vepron në Japoni, është kompozim nga puna kërkuese e doktoraturës së tij, me temë Polistilizimi.

“Polistilizim- stil arti postmodern, i cili në muzikë paraqet një teknikë me dy ose më shumë teknika kompozicionale ose stile muzikore në një vepër të vetme. “Obscura Lacrimae” nga latinishtja do të thotë lot të errësirës. Puna kombinon disa stile muzikore dhe teknika kompozcionale të lidhura lirshëm, duke përfshirë minimalizmin, muzikën popullore dhe muzikën klasike, dhe kontraston muzikën atonale dhe tonale gjatë gjithë veprës”, citohet të ketë thënë kompozitori Fehmiju, i cili posedon titullin PhD në Departamentin e Kompozimit të Muzikës Kompjuterike- Sonologji, në kolegjin e muzikës Kuntachi, në Japoni.

Kurse vetë interpretuesja, Satoko Inoue, e cila është profesoreshë e kompozitorit Fati Fehmiju në një prononcim pas koncertit tha ndihej shumë e lumtur me që mori pjesë në këtë performancë në Prishtinë.

Fati është studenti im në Japoni ai ishte student në nivelin e doktoraturës. Ai është nga Turqia që ka ardhur në Japoni, por unë kam dëgjuar që ai është lindur në Kosovë. I kam thënë se nëse dëshiron mund të vij me mua. Sot kam luajtur veprën të cilën Fati e ka kompozuar për mua. Për veprën tjetër shqiptare në program, Dardani më ka dërguar akordet dhe e konstruktova programin e sotëm. Pjesët japoneze pianistike janë kombinuar me veprat tjera në program”, ka thënë pianistja duke potencuar se koncerti në përgjithësi ishte një përvojë e mrekullueshme.

Ishte audiencë e mirë, jam shumë e lumtur. Stafi I festivalit DAM ishin shumë ndihmues. U ndjeva si në shtëpi, pata mundësinë edhe të praktikoj këtu para koncertit. Kështu që ishte mrekullueshëm”, ka përfunduar pianistja Inoue. / KultPlus.com

Jungu: Zemra jote e di përgjigjjen

Thënie nga Carl Jung 

1. “Nuk ka recetë për të jetuar, e cila mund t’i përshtatet të gjitha rasteve.”

2. “Besimi, shpresa, dashuria dhe mendjehollësia janë arritjet më të larta të përpjekjes njerëzore.

3. “Edhe një jetë e lumtur nuk mund të jetë pa pasur brenda edhe një pjesë të errësirës.”

4. “Privilegji i një jete të gjatë është të bëheni ata që jeni me të vërtetë. “

5. “Gjithçka varet nga mënyra sesi i shikoni gjërat dhe jo se si janë ato në vetvete. “

6. “Vetmia nuk vjen nga ajo nëse nuk ke njerëz përreth.”

7. “Zemra jote e di përgjigjjen.”

8. “Ju nuk mund të ndryshoni asgjë nëse nuk e pranoni atë gjë ”

9. “Ne nuk jemi ata çfarë na ka ndodhur, ne jemi ata që zgjedhim të bëhemi”.

10 . “Ai i cili shikon jashtë, ëndërron; ai që shikon brenda, zgjohet”. /KultPlus.com

Doktoresha amerikane që u vlerësua me medaljen e ‘Urdhrit të Skënderbeut’

Dr. Lulu Hunt Peters lindi në Milford, Maine, SHBA, në vitin 1873. Ajo ndoqi Universitetin e Kalifornisë, Berkeley në vitin 1909 dhe Universitetin e Kalifornisë Jugore në vitin 1911.

Si një mjeke dhe edukatore e shëndetit publik, ajo filloi praktikën në vitin 1915 në Los Angjelos.

Gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, ajo punoi me Kryqin e Kuq në Ballkan, për të cilin u vlerësua me medaljen e Urdhrit të Skënderbeut të Shqipërisë, për punën e saj atje. Ajo vdiq në Londër në vitin 1930. / KultPlus.com

‘Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë’

Thënie nga Sami Frashëri

• Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

• Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

• Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

• Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

• Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

• Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

• Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

• S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

• Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

• Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

• Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

• Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

• Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

• Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

• Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

• Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

• Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

• Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

• Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

• Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

• Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

• Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

• Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

• Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

• Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

• S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

• Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

• Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

• Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

• Delen që ndahet nga tufa e ha ujku. 

/ KultPlus.com

Përkujtohet në 80 vjetorin e lindjes kolosi i muzikës folklorike Sali Mani

Kolosi muzikës folklorike mbarëshqiptare Sali Mani në 80 vjetorin e tij të lindjes u përkujtua në Malësinë e Madhe me një aktivitet të quajtur “Akademi për Sali Manin”.

Ai njihet si  një prej personaliteteve  më të shquara  të folklorit shqiptar ndërsa  ka krijuar me tekst e melodi 1300 këngë, një pjesë e të cilave kanë mbetur në memorien e kombit shqiptar.

Miqtë artistë të Sali Manit të ardhur nga gjitha trevat shqiptare e përkujtojnë atë si një prej këngëtarëve më të shquar të folklorit shqiptar….

Sali Mani është vlerësuar  me çmimin “Qytetar Nderi” i akorduar në 2019-ën nga Këshilli i Bashkisë Malësi e Madhe pas vdekjes.Sali Mani lindi në gusht të vitit 1944 në fshatin Dukë në Malësinë e Madhe ndërsa u nda nga jeta më 29 dhjetor të 2009-ës në moshën 65 vjeçare kur kishte ende shumë për të dhënë përmes artit të tij./abcnews.al/ KultPlus.com

Të falënderoj që s’më ke lënë…

Poezi nga Dritëro Agolli

Të falënderoj që në sajën tënde marr frymë,
Që ha këtë bukë të bardhë në sofër,
Që lulja s’m’u tha nga një brymë,
Që ngjita gjer lart atë kodër.

Të falënderoj dhe që pi nga mërzia
Të hidhurën kafe, të ligën cigare,
Të nxjerrë në muzg nga kutia,
Të blerë në treg me pak pare.

Të falënderoj dhe që ti s’më ke lënë,
T’i hyj lakuriq dëshpërimit të thellë.
Për krahu me zor më ke zënë,
Të dalim me vrap nga kjo shpellë./ KultPlus.com

Charles Erickson: Popullit shqiptar kurrë nuk iu dha mirënjohje për atë që i dhanë historisë

Nga Charles Telford Erickson

Populli shqiptar i ka përshkuar shekujt duke punuar si trim dhe i talentuar; ai kapi lartësitë e Republikës Greke, ato të Mbretit të Persisë dhe të Babilonit.

Me ndihmën e Princeshës së Maqedonisë, ata i dhanë fund pushtetit të Romës, hoqën qafe mizoritë e Tarantinit, frenuan për një farë kohe në emër të krishtërimit përparimin e shpejtë të islamit.

Ata mbrojtën fronin e Mbretit të Siçilisë, ngritën atë të Greqisë, dhe përsëri atyre kurrë nuk iu dha mirënjohje për atë që i dhanë historisë. / KultPlus.com

Parada shqiptare “Rrënjët e zemrës” në Asti të Italisë

Në qytetin Asti të Italisë, ASSO Albania Piemonte dhe Qendra Kulturore “Margarita Xhepa” organizuan gjatë kësaj fundjave paradën e tretë me këngë dhe valle popullore nga të gjitha zonat e Shqipërisë me titullin “Rrënjët e zemrës”.

Në këtë manifestim madhështor morën pjesë dhjetëra organizata kulturore, artistike dhe arsimore të shkollave shqipe në Itali, në mesin e së cilave edhe Shoqata Kulturore “Zëri Atdheut”, që vepron në qytetin Montebelluna.

Me iniciativën e shoqatës “Zëri Atdheut” është bërë përkthimi në italisht i romanit “Eskadronët e vdekjes”, i autorit Bardhyl Mahmuti ku rreth 1000 kopjet e botimit të parë janë shpërndarë falas.

Në këtë paradë kuqezi në rrugët e qytetit italian, morën pjesë grupet folklorike nga zona të ndryshme të Shqipërisë si dhe shqiptarë të cilët jetojnë dhe punojnë në qytete të tjera të Italisë./atsh/ KultPlus.com

‘Lonely Planet Italia’: Shqipëria mes vendeve më të mira evropiane për t’u vizituar në vjeshtë

Udhëtimi në Evropë në vjeshtë ka një bukuri të veçantë – falë kombinimit të përsosur të kulturës, natyrës dhe gastronomisë.

Zbuloni listën tonë – një mini guidë me destinacionet më të mira evropiane për t’u vizituar në këtë stinë magjike, sipas një artikulli të botuar në “Lonely Planet Italia”.

Festivalet e vjeshtës në Evropë

Në Shqipëri vjeshta shënohet nga festat lokale kushtuar prodhimeve të tokës.

Në zonën e Beratit, një nga qytetet më të vjetra të vendit, prodhohen verëra të shkëlqyera nga varietete të rrushit vendas.

Ne ju rekomandojmë të bëni një turne nëpër bodrume.

Rajoni i Korçës, megjithatë, është i njohur për prodhimin e mollëve – dhe festat në tetor janë një mundësi për të provuar këtë produkt të veçantë vendas.

Qytetet më të mira evropiane për t’u vizituar në vjeshtë sipas renditjes së revistës “Lonely Planet Italia”:

Berati dhe Korça, Shqipëri
Amsterdami, Holandë
Vjena, Austri
Berlini, Gjermani
Barcelona, Spanjë
Praga, Republika Çeke
Selva de Oza, Francë
Budapest, Hungari   /atsh/ KultPlus.com

Evelyn de Morgan, historia unike e gruas që u bë piktorja e fuqisë së ngjyrës

Nga Albert Vataj

Sot dua t’i shtoj historisë së Evelyn de Morgan, një artiste që lindi nga para-rafaelitët, si të thuash nga një etapë që i dha pikturës thellësi dhe forcë komunikimi koloristik.

Pikturat e saj janë zbukuruar vazhdimisht me blogje ose artikuj të ilustruar rreth para-rafaelitëve dhe personazheve nga mitet e lashta. Për më tepër, në mënyrë rigoroze, ajo nuk ishte kurrë një para-rafaelite – ajo ishte ndjekëse e tyre dhe ndjej brenda forcës së shpirtit krijues impulsin e tyre.

Ajo hyri tinëzisht në ëndje e adhuruesve, për të rrëmbyet vend të privilegjuar duke qenë më se e suksesshme, kësisoj gjykuar nga fakti se pikturat e saj njihen mirë, ironikisht edhe nga ata që nuk e dinin fare për ekzistencën e saj.

Evelina de Morgan ishte një vajzë me një ëndërr, së cilave ju dha me mish e me shpirt.

Në vitin 1855, një anglez patentoi idenë e qumështit pluhur, dy suedezë ndërtuan kompjuterin e parë mekanik, Aleksandri II u kurorëzua në Rusi dhe në Britani, një vajzë Evelyn lindi në familjen e një avokati të suksesshëm, Percival Pickering dhe gruas së tij tipike viktoriane, Anna Maria, motra e artistit para-rafaelit, John Spencer Stanhope, dhe kjo shkrep në mënyrën më të papritur për familjen Pickering.

Në atë kohë, në Britani ishte zakon që djemtë të dërgoheshin në shkolla me konvikt dhe vajzat – përveç nëse përgatiteshin të ishin guvernante të fëmijëve të njerëzve të tjerë ose shoqëruese të zonjave të moshuara – të arsimoheshin në shtëpi. Prindërit e Evelyn panë të ardhmen më të mirë – në martesë, kështu që ajo studioi në shtëpi. Sidoqoftë, nëna e saj kishte pikëpamje mjaft të gjera për edukimin e grave dhe edukimi i saj nuk ishte i kufizuar në bojëra uji dhe frëngjisht. Evelyn studioi frëngjisht, gjermanisht, italisht me greqishten e vjetër dhe latinishten, studioi mitologjinë antike së bashku me historinë.

Në përgjithësi, ajo premtoi të ishte thjesht një grua e shkëlqyer për një zotëri të shkëlqyer të rrethit të saj, nëse jo për një të metë: që nga fëmijëria, ajo ëndërronte të bënte një karrierë si artiste. Për të vizatuar fotografi, ndoshta edhe për para. Tmerrësisht e turpshme për një vajzë të klasës së saj!

Evelyn gjeti mirëkuptim vetëm nga xhaxhai i saj i pabindur, një artist. Para-rafaelitët në përgjithësi i mirëpritnin gratë në pikturë. Në vitin 1870, parlamenti britanik miraton një ligj për frekuentimin e detyrueshëm të shkollës për të gjithë fëmijët e vendit, ndërkohë Parisi është i mbërthyer nga trazirat në rrugë që protestojnë kundër monarkisë, në kundërshtim me rregullat e Universitetit të Berlinit, një profesor merr përsipër të mësojë Sophia Kovalevskaya. John Spencer Stanhope i jep fshehurazi mbesës së tij pesëmbëdhjetëvjeçare mësime pikture.

Adoleshentët entuziastë mendojnë në terma universalë. Në ditën e ditëlindjes së saj të shtatëmbëdhjetë, Evelyn do të shkruajë në ditarin e saj: “Arti është i përjetshëm, jeta është e shkurtër!” dhe shton: “Duhet të filloj tani, nuk ka asnjë minutë për të humbur”. Pas tre vitesh studimi me xhaxhain e saj, Evelyn mori trajnim të mjaftueshëm për të hyrë në Shkollën e Arteve të Bukura Slade, studentja më e re në institucion. Për fat të saj, vajzat sapo kishin filluar të pranoheshin atje.

Shumë shpejt, ajo merr drejtimin dhe fiton çmim pas çmimi. Prindërit duken me pak të shqetësuar, por – gjithsesi, vajzat e rrethit të saj nuk martohen kaq herët dhe menjëherë pas diplomimit do të jetë e përshtatshme të filloni të kërkoni një dhëndër dhe të krijoni një familje.

Menjëherë pas mbarimit të shkollës, Evelyn niset për në Itali, për të jetuar me dajën e saj. Në Firence, ku ai jeton, mund të jetë e vështirë të gjesh një zotëri të mirë anglez për t’u martuar, por ka plot kryevepra të Rilindjes. Evelyn inspekton gjithçka që mund të shihet, flet me xhaxhain e saj për artin dhe kthehet në Londër për ekspozitën e saj të parë reale. Pas udhëtimit ajo pikturon edhe pikturën e parë që e bëri të famshme: Ariadne në Naxos.

Falë xhaxhait të saj dhe ekspozitave, Evelyn vazhdimisht komunikon me para-rafaelitë si Dante Gabriel Rossetti ose William Hunt. Ajo e kishte njohur Watts, një klasik i pikturës britanike, që në fëmijëri. Pothuajse të gjitha njohjet e saj të reja janë shumë larg botës së avokatëve të suksesshëm – ata flasin me të për komplotet, teknikat e pikturës, evolucionin e ardhshëm të artit dhe të gjitha ato gjëra.

Më 1883, Nicola Tesla shpiku një gjenerator të rrymës alternative, Galton – një bilbil që lëshon ultratinguj, shpërthimi i Krakatoa vrau dyzet mijë njerëz. Evelyn Pickering u takua me William de Morgan, ai ishte gjashtëmbëdhjetë vjet më i madh, e fitonte jetesën duke shkruar, por e konsideronte veten, para së gjithash, një artist qeramike. Nëna e tij ishte një shkrimtare dhe aktiviste e modës spiritualiste që luftoi për të drejtat e fëmijëve. Babai i William ishte një matematikan i famshëm – në fakt, ligji i Morgan-it mban emrin e de Morgan Sr. Motra e Uilliamit ishte gjithashtu një shkrimtare – autore e përrallave të errëta, të cilat nuk u bënë kurrë të njohura për shkak të përfundimeve të tyre të palumtura. Po, ndër të njohurit e babait, Evelyn nuk kishte asnjë shans të ndeshej me dikë si Uilliami dhe familja e tij!

Pas katër vitesh komunikim, Evelyn dhe William u martuan dhe menjëherë filluan gjënë më interesante: eksperimentet me bojëra. Evelyn dëshironte që pikturat e saj në vaj të dalloheshin nga një ngjyrë e ndritshme dhe e pastër – por industria e bojës në atë kohë nuk ishte aq e mirë sa tani. Së bashku me William, Evelyn gjeti një teknikë shumë komplekse duke përdorur glicerinë, e cila më në fund dha efektin e dëshiruar. Të dy ata gjithashtu – si e gjithë Anglia Viktoriane – ishin të dhënë pas misticizmit dhe spiritualizmit.

Çifti nuk kishte fëmijë, pasi siç e keni kuptuar tashmë ishin shumë të zënë. Ose Evelyn po kërkonte para për eksperimentet e qeramikës së burrit të saj, ose Uilliami po mbante më tepër një tarifë letrare në shtëpi, në mënyrë që Evelyn të mund t’i blinte vetes bojëra (dhe glicerinë) për një kryevepër tjetër.

Mjerisht, me ardhjen e shekullit të ri, popullariteti i Evelyn filloi të zbehet. Bota tani donte modernitetin. Sidoqoftë, gjatë Luftës së Parë Botërore, artistja arriti të fitonte mjaftueshëm nga puna e saj për t’i transferuar të ardhurat e saj në Kryqin e Kuq pa turp. Pas Luftës së Parë Botërore, bota ndryshoi plotësisht. Ndoshta de Morganët thjesht u ndjenë të panevojshëm – por ata vdiqën, një nga një. Ai në 1917, ajo në 1919. Asnjëri prej tyre nuk e kishte idenë se një ditë do të shpikeshin rrjetet sociale dhe pikturat e Evelyn do të ishin perfekte për ta, siç edhe e shihni dhe e ndjeni fuqinë e bojës, shkëlqimin dhe shpimin e dritës.

Panairi i mjaltit në Librazhd bashkon 200 fermerë

Zona e Librazhdit është një nga prodhuesit kryesor të mjaltit në qarkun e Elbasanit.

Janë 6 mijë koshere në të gjithë territorin ku qindra fermerë vazhdojnë traditën e tyre në prodhimin e mjaltit, falë edhe kushteve të përshtatshme të zonën me bimësi të pasur, çka i mundëson bletës ushqim të pastër e për pasojë një mjaltë cilësor.

Bashkia e Librazhdit tashmë e ka kthyer në traditë të përvitshme organizimin e “Panairit të Mjaltit”.

Edicioni i 7-të i këtij eventi që u mbështet nën kujdesin e kryebashkiakut Mariglen Disha, bëri bashkë mbi 200 fermerë e subjekte të ndryshme bujqësore, që sollën në këtë panair jo vetëm mjaltë cilësor, por edhe produkte të tjera bio të zonës.

Në këtë aktiviteti ishin të pranishëm ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, e institucioneve të linjës.

Panairi e ndoqën vizitorë të ndryshëm, por edhe turistë të huaj që provuan mjaltin e përpunuar përmes mënyrës tradicionale, por edhe teknologjisë moderne nga bletërritësit.

Kryebashkiaku Mariglen Disha, u shpreh se “tradita e këtij panairi ka ndihmuar bletërritësit të krijojë klientë të qëndrueshëm nga e gjithë Shqipëria dhe të promovojnë, jo vetëm mjaltin, por të gjithë prodhimet e tyre bujqësore dhe prodhimet artizanale”.

Disha vuri theksin në mbështetjen e fermerëve dhe sektorit të bujqësisë.

“Ne do të ndihmojmë gjithë bletërritësit,fermerët për gjithë produktet që prodhojnë dhe për daljen në tregje të reja” tha ai./atsh/ KultPlus.com

‘Jeta e tyre ishte lavd për dashurinë’, Kurti kujton Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në 26-vjetorin e rënies së tyre.

Kurti është shprehur se ‘jeta e tyre ishte lavd për dashurinë; lavd për dashurinë për lirinë; lavd për dashurinë për lirinë e Kosovës. Lavdi Fehmi Lladrovcit dhe Xhevë Krasniqit – Lladrovcit, të rënë heroikisht, këtu e 26 vjet më parë!’, transmeton Klankosova.tv.

“Ata të dy vdiqën për atë që jetuan: për lirinë e Kosovës. Vdekja e tyre ishte një rënie e njëhershme, ashtu siç jeta e tyre ishte një vepër e përbashkët, kryevepër për dashurinë dhe lirinë. Fehmi Lladrovci (1956) nga Gllanasella e Drenasit dhe Xhevë Krasniqi (1955) nga Drenoci i Malishevës ishin një çift i kulluar, që ashtu siç e shikonin njëri-tjetrin në sy me plot dashuri, bashkë shikonin drejt një synimi, lirisë së Kosovës. Ashtu siç e ka titulluar Fehmiu letrën e tij nga burgu për Xhevën, “DRITA E SYTRIT TIM XHEVË!”, ku ndër tjera ai i ka shkruar Xhevës: “Të përshëndes e të përqafoi nga larg SHPIRTI IM XHEVË! TË DUA SHUMË XHEVË””, ka shkruar Kurti në Facebook.

Vjeshta

Poezi nga Ndre Mjeda

Dhe ju po shkoni,
Bylbyla, kshtu!
Po tretni këndynaj,
Dallndysha, ju!

Dekën mendova
Se m’vjen kurdo;
Se m’leni vetun
S’mendova, jo

Por ma fort zemrën
Ma bren nji idhnim:
Çerdhen qi i leni
Kujdesit tim.

Ndoshta, kur t’ktheni
Mue vorri m’mba,
E ju kërkoni
Çerdhën qi s’a./KultPlus.com

“Vrite lopën”, një rrëfim nga filozofia Zen

Rutina shpesh na bllokon dhe na kufizon. Por është aq komode dhe e sigurt sa mësohemi aq shpejt dhe harrojmë. Megjithatë, rrëfimi Zen i lopës është një nga ato anekdota që funksionon si një këmbanë. Një zgjim për atë që nuk mund ta shohim në jetën tonë të përditshme, por që na prek më shumë sesa mendojmë. 

Falë kësaj historie Zen, zbulojmë simbolikën e vërtetë të lopës, çfarë do të marrim prej saj dhe shkallën e varësisë që mund të zhvillojmë ndaj gjithçkaje. Por, mbi të gjitha, do të na ndihmojë të zbulojmë se cila është lopa e jetës sonë. 

Rrëfimi Zen i lopës tregon për një Mësues të mençur që po ecte nëpër fusha me dishepullin e tij. Një ditë, të dy u gjendën përballë një shtëpie prej druri ku banonte nga një çift me tre fëmijët e tyre. Ata ishin të gjithë në gjendje të keqe, me rroba të grisura dhe të pista. Këmbët e zbathura, mjedisi përreth tyre tmerrësisht i varfër. 

Mësuesi e pyeti kryefamiljarin se si ia dilnin të mbijetonin, duke qenë se aty pranë nuk kishte asnjë industri apo tregti, si dhe nuk shihej asnjë pasuri rretherrotull. 

Me shumë qetësi, babai iu përgjigj: “Shiko, ne kemi një lopë që na jep disa litra qumësht në ditë. Një pjesë e shesim dhe me ato para blejmë gjëra të tjera, ndërsa pjesën tjetër e konsumojmë. Kështu që ne mund të mbijetojmë”. 

Mësuesi e falenderoi për informacionin, tha mirupafshim dhe u largua. Teksa ikte, i tha dishepullit: “Kërko lopën, çoje buzë greminës dhe shtyje”. I riu u habit, lopa ishte mjeti i vetëm ku mbështetej ajo familje e varfër.

Por ai mendoi se Mësuesi kishte arsyet për t’i kërkuar një veprim të tillë dhe, me përpjekje të mëdha, e çoi lopën drejt greminës dhe e shtyu poshtë. Ajo skenë e tmerrshme mbeti e ngulitur në mendjen e tij për shumë vite. Shumë kohë më vonë, dishepulli, duke u ndjerë fajtor për atë që kishte bërë, vendosi të linte Mësuesin, për t’u kthyer në atë vend dhe për t’i kërkuar falje familjes, së cilës i kishte shkaktuar dëme të mëdha. Kur u afrua, vuri re se gjithçka kishte ndryshuar.

Një shtëpi e bukur me pemë përreth, shumë fëmijë që luanin dhe një makinë e parkuar jashtë. I riu u ndje edhe më i trishtuar dhe i dëshpëruar, duke menduar se ajo familje e gjorë kishte shitur gjithçka për të mbijetuar. Kur pyeti për ta, i thanë se ishin gjithmonë aty, se nuk ishin larguar. Ai vrapoi në shtëpi dhe kuptoi se ajo ishte me të vërtetë e banuar nga e njëjta familje, si dikur.

Ai e pyeti kryefamiljarin se çfarë kishte ndodhur dhe ky i fundit, me një buzëqeshje të madhe u përgjigj: “Ne kishim një lopë që na jepte qumësht dhe me të cilën përballonim jetesën. Por një ditë lopa ra nga shkëmbi dhe ngordhi. Që nga ai moment, e gjetëm veten të detyruar të bënim gjëra të tjera, të zhvillonim aftësi të tjera që nuk e kishim imagjinuar kurrë se i kishim. Pra, filluam të ishim të suksesshëm dhe jeta jonë ndryshoi.”

Lehtësia për të bërë “gjithmonë të njëjtën” 

Ndoshta, ashtu si dishepulli, edhe ju u tmerruat nga vendimi i Mësuesit për ta hedhur lopën nga shkëmbi. Megjithatë, kjo histori është një metaforë se si të veprojmë me atë që na bën të ndihemi rehat, por, në të njëjtën kohë, na kufizon. 

Kur ajo familje e varfër mbeti pa ushqimin me të cilin mbijetonin, nuk u mbetej gjë tjetër veçse të kërkonin alternativa. Në vend që të përballeshin me më shumë varfëri, familjarët gjetën një mënyrë për të përparuar, diçka që nuk e imagjinonin kurrë. Nëse lopa nuk do të ishte zhdukur kurrë nga jeta e tyre, ata do të kishin vazhduar të jetonin në varfëri, pa dalë prej saj, pa besuar se mund të shkonin më tej. 

Shumë njerëz janë mirënjohës për ato momente të jetës që, megjithëse të dhimbshme dhe të vështira, i kanë detyruar të largohen nga ajo zonë e sigurt në të cilën ishin vendosur dhe kishin mbetur të mbërthyer. Si qenie njerëzore, ne kërkojmë siguri, rehati, atë që nuk na bën të jetojmë në pasiguri. Por, kur e gjithë kjo shembet, zbulojmë aftësi dhe cilësi që nuk do t’i kishim imagjinuar kurrë, që kishin mbetur të fjetura brenda nesh.

Rrëfimi mbi lopën është i jashtëzakonshëm, sepse na lejon të reflektojmë mbi mënyrën se si jetojmë.Sidomos nëse ankohemi për jetën tonë. Nuk është e nevojshme të presim që të vijë një Mësues për ta hedhur nga shkëmbi atë lopë që na kufizon kaq shumë. Sot, ne mund të shohim përtej rehatisë sonë për t’u ndërgjegjësuar për potencialin që kemi.Sepse ne nuk kemi kufij. Ne vetë i krijojmë vetes pengesa. /bota.al/ KultPlus.com

“Shkodra dhe biçikleta një dashni e përjetshme”, murale me simbolikën e qytetit nga artistja Nermin Shurdha

Shkodra vijon prej vitesh të ruajë me fanatizëm traditën e biçikletës, një simbol që lidhet ngushtësisht me historikun e nisjes së përdorimit të dyrrotakut në vendin tonë, pikërisht nga qyteti verior.

Në kuadër të programeve për Javën Evropiane të Lëvizshmërisë, një murale me simbolikën e saj i është shtuar Shkodrës që konsiderohet si qyteti më i madh i biçikletave në Shqipëri dhe një ndër qytetet më të mëdhaja të Ballkanit për nga përdorimi i tyre.

Kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka shpërndarë në rrjetet sociale muralen e punuar me mjeshtëri nga artistja Nermin Shurdha ku shihet një burrë me një fëmije mbi biçikletë.

“Shkodra dhe biçikleta një dashni e përjetshme”, shprehet Beci.

Historia e biçikletave të para në vendin tonë ka nisur nga qyteti i Shkodrës. Sipas një fotoje të publikuar nga “Marubi” e vitit 1897 shihen dy burrave me veshje kombëtare shqiptare me biçikleta dhe në vitet e mëvonshme, në 1907.

Me rritjen e numrit të biçikletave, disa qytetarë shkodranë krijuan në vitin 1920 sportin e çiklizmit i cili ishte rrethi i parë çiklistik në vendin tonë dhe i treti në Europë pas Francës e Italisë./ KultPlus.com

15 qytetarë betohen për shtetësinë shqiptare, Veliaj: Tirana pret 1 milion turistë në muaj

15 qytetar janë betuar pasi kanë marrë shtetësinë shqiptare para kryetarit te Bashkisë së Tiranes, Erion Veliaj.

Në ceremoninë e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj u shpreh se ky është një moment ideal për t’u bashkuar me qytetin, i cili sot është në ditët më të mira dhe numëron rreth 1 milion turistë në muaj.

“Krejt papritur nga një ‘katund’ i vogël ose qytezë me 10 mijë banorë, sot jemi mbi 1 milion. Pra, në 104 vite kryeqytet jemi rritur 104 herë. Sot mjafton të dalësh nga dera e bashkisë dhe shikon se sa turistë ka, rreth 1 milion në muaj. Imagjinoni se çfarë ndryshimi dhe se çfarë transformimi ka pësuar qyteti çdo vit, duke u rritur dhe duke u bërë më kozmopolitan, më përfaqësues i të gjitha realiteteve dhe i të gjitha prurjeve dhe kombësive të ndryshme. Sot në Tiranë kanë rezidencën 144 kombësi. Nga një Tiranë e 91-shit, ku ishim vetëm ne tanët në një Tiranë që sot ka 25 mijë italianë dhe shumë e shumë kombësi të tjera që e quajnë dhe ata shtëpinë e tyre”, u shpreh Veliaj.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që bënë betimin që të japin kontributin për Tiranën, e cila gëzon tituj të ndryshëm falë punës së të gjithëve.

Veliaj tha se mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë, si një mënyrë modeste për të kontribuar tek energjia e madhe e Tiranës.

“Sot Tirana është presidenca e B40, që është rrjeti i bashkive të Ballkanit, para dy vitesh ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës. Në qoftë se keni kontribute për të dhënë për secilin prej tyre titujve, jeni mëse të mirëpritur. Agjencia Europiane e Mjedisit e renditi Tiranën qytetin e 10-të në të gjithë qytetet e Europës, si qyteti që ka mbjellë më shumë pemë kohët e fundit. Edhe sikur mos të keni ndonjë talent të veçantë, si puna ime, mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë, kur keni përvjetorin apo kur keni ditëlindjet e fëmijëve, një mënyre modeste për të thënë dhashë edhe unë një kontribut tek kjo energjia e madhe e Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku./ KultPlus.com

Helen Maria Turner, gruaja amerikane që sfidoi mbretërit e impresionizmit

Helen Maria Turner e nisi pikturën në moshën 22-vjeçare dhe rrugëtoi në eterin e artit deri në vitin 1949, derikur katarakti do t’i dobësonte të parit deri në verbim.

Udhëtoi në art, modestish dhe ngulmueshëm, duke krijuar një emër dhe një identitet krijues unik.

Pavarësisht se modelet e saj ishin gratë dhe vajzat e familjes dhe tematika nuk e tejkaloi realitetit e përditshmërisë, realizimet punë mjeshtërore.

Bëri gjeniun pa ditur se çfarë saktësisht ishte ajo që po bënte.

Kujtojmë se ajo u gjet në art si një përjashtim, ndoshta nga një ëndërr, nga një goditje fati, apo diçka që shpesh kritikët nuk i gjejnë shpjegim, por nuk e përjashtojnë. Teknika e aplikuar dhe realizimi janë mbresëlënëse, janë mëtime të atyshme arti që marrin jetë në një dimension mistik. U tha dhe u provua se tablotë e Turner janë impresioniste dhe jo më impresionuese është e vetë artistja, te gruaja dhe mësuesja.

Çfarë bënë më shumë se Helen Maria Turner, etrit e impresionizmit, Claude Monet, Pierre-Auguste Renoir, Alfred Sisley, and Frédéric Bazille, apo Camille Pissarro, Paul Cézanne dhe Armand Guillaumin. Ndryshe nga Turner, ata e dini se ç’po bënin, gjithashtu ata e shitën poetikën e ngjyrës dhe befasinë e depërtimit të dritës, lojën e furçës dhe zhdërvjelltësinë e pastelit, dinamikën e panoramës dhe pulsin e portretit, me çmimin e lavdisë. E gjithë kjo gamë lexueshmërie e mjeshtërisë së pikturimit, në përgjithësi dhe impresionizmit në veçanti, ndodhen të shkrira në tablotë e amerikanes Helen Maria Turner.

Gratë në tablonë e Helen Turner kanë një statikë që përshkohet nga një dritë që reflekton çdo penelatë si në çdo pore, duke i bërë ata inkandeshente dhe të njëtrajtshme me sfondin. Ngjyra është shkrirë me dritën dhe hera-herës, ajo ndizet duke krijuar një lojë manipulimit të efektit mbi shkasin, të subjektit me sfodnin, të tipareve me njësimin e elementeve që interferojnë në tablo.

Punët e Helen Maria Turner dallojnë për natyrshmërinë e lojës endëse të ngjyrshmërisë që sendërgjon imazhin, për theksimin e butë dhe përshkues të dritës dhe efektet e perceptueshëm, të kësaj akrobacie në kohje dhe këndshikim. Njerëzorja merr shkas në tablotë e piktores me një atyshmëri dhe puls të gjallë, sikur mijëra penelat dalin nga spektri i shpërthimit të dritës, që godet duke e ngrirë çastin.  

Cila është Helen Maria Turner?

Ndryshe nga artistë të tjerë të penelit, Helen Maria Turner e gjen veten në pikturë në një moshë kur zakonisht të tjerët kulmojnë. Megjithatë mosha 22-vjeçare kur ajo trokiti në portat e mëdha është një kapërcyell i hovshëm impulsesh dhe vetëdijësimesh. Pas ka mbetur rinia, kanë mbetur përvojat e netëve të gjata e ditëve zjarrvënëse të pasionit. Pas ka mbetur gjithçka dhe përpara ajo ka artistin, ka sfidën të bëhet një piktore që do të ketë emrin e famën e Helen Maria Turner. Mësuesja amerikane në pikturë, u bë e njohur për punët e saj në borja vaji, pastel, me të cilat ajo krijoi miniatura, peizazhe, dhe portrete, shpesh në stilin impresionist .

Jeta dhe karriera

Turner lindi më 13 nëntor 1858 në Louisville, Kentucky ndërsa prindërit e saj, Mortimer Turner dhe Helen Maria Davidson, ishin në një vizitë familjare në qytet. Ajo ishte stërmbesa e John Pintard nga Nju Jorku, mbesa e një mjeku të njohur të New Orleans dhe vajza e një biznesmeni të pasur nga Luiziana.

Turner kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj të hershme, midis Aleksandrisë, Luiziana dhe Neë Orleans, dhe shumë shpejt u bë refugjate nga situata e provokuar e Luftës Civile Amerikane, e cila shkatërroi pasurinë e babait të saj dhe çoi në humbjen e biznesit të saj.

Nëna e saj vdiq në 1865 pas një sëmundjeje të gjatë. Ishte vetëm 13 vjeç kur humbi edhe babain, duke mbetur nën kujdesin e një xhaxhai beqar nga New Orleans, i cili jetonte në “varfëri fisnike”.

Si aspirante për piktore filloi të merrte mësime falas të ofruara nga Universiteti Tulane, duke vazhduar nën drejtimin e Andres Molinary dhe Bror Anders Wikstrom, Gjithashtu ajo studjoi në Shoqatën e Artistëve në New Orleans .

Vdekja e xhaxhait më 1890 i hodhi mbi supe gjithë barrën e jetës. Kosokohe ajo zuri një pozicion si mësuese arti në St. Mary’s Institute, një shkollë vajzash në Dallas, Texas, duke filluar nga viti 1893. U transferua në New York City më 1895 për studime të mëtejshme dhe ndoqi Lidhjen e Studentëve të Artit ku u pranua pavarësisht se ishte mbi kufirin e moshës, Cooper Union dhe Universiteti Columbia; mësuesit e tij përfshinin Arthur Wesley Dow, Kenyon Cox, William Merritt Chase dhe Douglas Volk.

Motra e saj Laurette, një artiste tekstili, erdhi më të në Nju Jork. Turner udhëtoi me Chase dhe klasën e tij në Itali më 1904, 1905 dhe 1911, një udhëtim që nuk la gjë tek ajo.

Turner dha mësim në YWCA për shtatëmbëdhjetë vjet, duke filluar me një kurs të ri në hartimin e kostumeve. Nga viti 1906 ajo qëndroi në Koloninë e Artistëve në Cragsmoor, Nju Jork, ku u prezantua nga Charles Courtney Curran, duke vazhdaur atje me pak ndërprerje, deri në vitin 1941.

Në vitet e hershme mori me qira një hapësirë ​​atje, por më 1910 arriti të ndërtonte një shtëpi dhe studio të quajtur Takusan. Motra e saj Lettie vdiq në vitin 1920. Më 1926 ajo u kthye në New Orleans dhe u vendos atje, duke udhëtuar në veri vetëm për sezonin e verës. Në New Orleans ai vazhdoi të jepte mësim në Klubin e Arteve dhe Artizanatit.

Ajo u zgjodh anëtare e Akademisë Kombëtare të Dizajnit më 1913, duke marrë 61 nga 64 vota, dhe u zgjodh gjithashtu anëtare me të drejta të plota më 1921, duke qenë kështu gruaja e tretë me këtë status dhe një nga akademiket e para në Shtetet e Bashkuara jugore.

Për më tepër, mund të shtojmë se më 1916 William T. Evans e quajti atë Anëtare e Artistëve të Jetës në Klubin Kombëtar të Arteve, duke patur privilegjin të ishte gruaja e parë që ju dha ky nder.

Ajo vijoj të pikturonte deri në vitin 1930. Problemet me shikimin të cilat erdhën gjithnjë duke u agravuar e vranë përdhunshëm tek ajo të drejtën për të hedhur art në tablo. Vdes më 31 janar 1958. /albertvataj/ KultPlus.com

“Hani i Gështenjave” në Qafë Plloçë, eksperiencë unike për turistët

“Hani i Gështenjave”, një tjetër sipërmarrje agroturizmi, ka hapur dyert në Qafë Plloçë të Pogradecit, e ngritur në një pikë strategjike nga ku mund të shihet i gjithë qyteti dhe liqeni i Pogradecit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot pamje nga ky agroturizëm që ofron një eksperiencë unike për turistët vendas e të huaj.

“Mes natyrës përrallore të zonës, mikpritjes së ngrohtë pogradecare dhe ushqimit tradicional të gatuar me mjeshtëri, me produkte nga kopshti direkt në tavolinë, “Hani Gështenjave” ofron një eksperiencë unike për turistët vendas dhe të huaj”, tha Denaj.

I rrethuar me bukuri natyrore, peizazh piktoresk, objekte historike dhe kulinari tradicionale kjo zonë ofron shumë mundësi edhe për turizmin e aventurës.

Agroturizmi është një mundësi e mirë për zhvillimin e kësaj zone, ku investimet në vepra publike, rrugë rurale, ujësjellës nuk mungojnë dhe bukuritë natyrore ruhen me fanatizëm nga banorët e fshatit./ KultPlus.com

Media italiane “TTi Viaggi”: Shqipëria – parajsa tokësore me bukuri dhe autenticitet të jashtëzakonshëm

A e dini se vetëm 56 minuta larg nga Italia ekziston një vend ku mund të jetoni dhe ta vizitoni për vetëm 20 euro në ditë?

Më pak se një orë larg me rrugë ajrore nga Italia qëndron një parajsë tokësore – që ndoshta shumë prej jush ende nuk e dinë: Shqipëria, shkruan Susanna Bargiacchi në një artikull të botuar në revistën italiane të udhëtimeve “TTi Viaggi”.

Kjo tokë me bukuri dhe autenticitet të jashtëzakonshëm po shfaqet si një nga destinacionet më ekonomike dhe magjepsëse për turistët që kërkojnë aventura me kosto të ulët.

Me një kosto prej vetëm 20 euro në ditë, vendi i vogël mesdhetar ju ofron mundësinë të jetoni një eksperiencë ëndrrash, duke eksploruar plazhe të pacenuara, male të gjelbëruara dhe qytete të pasura me histori.

Shqipëria është sekreti i ruajtur në Ballkan dhe, ndryshe nga shumë destinacione të tjera evropiane, ofron një ndërthurje unike të natyrës, kulturës dhe kuzhinës pa boshatisur portofolin tuaj.

Plazhet e Rivierës Shqiptare: një parajsë tokësore me kosto të ulët

Mrekullia e parë që tërheq vizitorët në Shqipëri është bregdeti i saj i mrekullueshëm.

Riviera Shqiptare, me plazhet e bardha dhe ujërat e kristalta, është një nga perlat më të bukura të Mesdheut.

Vende të tilla si Ksamili dhe Dhërmiu ofrojnë peizazhe si në kartolina, me detin bruz dhe plazhet ende pa shumë njerëz, sidomos jashtë stinës së verës.

Dhe gjëja e mrekullueshme është se, edhe me një buxhet të kufizuar, ju mund të shijoni gjithë këtë luks.

Një natë në bujtinë apo apartament kushton mesatarisht më pak se 15 euro, ndërsa një vakt në një restorant lokal, me peshk të freskët dhe perime të stinës, mund të shijohet për vetëm 5 euro.

Qytetet e pasura me histori dhe kulturë: Tirana dhe Berati

Shqipëria nuk ka vetëm det. Qytetet e saj ofrojnë një ndërthurje magjepsëse të historisë dhe modernitetit.

Tirana, kryeqyteti i gjallë, është një shembull i përsosur sesi tradita dhe progresi mund të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike.

Këtu, ju mund të vizitoni muzetë, galeritë e artit dhe monumentet historike, si Piramida e Tiranës apo Kulla e Sahatit.

Qyteti është gjithashtu plot me bare dhe restorante ku mund të shijoni kuzhinën tipike shqiptare pa shpenzuar shumë.

Rreth dy orë larg Tiranës ndodhet Berati, një nga qytetet më të vjetra dhe më piktoreske në Shqipëri, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve” për shkak të shtëpive të tij osmane me pamje nga lumi Osum.

Qendra historike e Beratit është vendosur në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe duke ecur nëpër rrugët e tij të ngushta me kalldrëm – do të ndiheni sikur jeni kthyer pas në kohë.

Edhe këtu, kostot janë tepër të ulëta. Ju mund të akomodoheni duke përfshirë mëngjesin për më pak se 10 euro në natë – dhe të hani drekë në një restorant lokal për më pak se 5 euro.

Malet dhe Parqet Natyrore

Nëse e doni natyrën, Shqipëria ofron shumë më tepër se brigjet e saj të mrekullueshme.

Brenda vendit shqiptar dominojnë malet dhe parqet natyrore impozante – të cilat janë një parajsë e vërtetë për adhuruesit e ecjes dhe aventurave.

Parku Kombëtar i Valbonës, për shembull, është një nga destinacionet e preferuara për vizitorët që kërkojnë qetësi dhe peizazhe mahnitëse.

Këtu mund të eksploroni shtigje të natyrës, me pamje spektakolare të maleve dhe liqeneve alpine.

Edhe në këto zona, çmimet janë jashtëzakonisht të përballueshme. Një dhomë në një bujtinë tradicionale kushton pak më shumë se 10 euro për natë – dhe ushqimet janë po aq të lira./ KultPlus.com

Flamingot rikthehen në Pogradec

Flamingot janë rikthyer edhe për këtë sezon në liqenin e Pogradecit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje të hijshme nga liqeni i Pogradecit, i cili është kthyer në ndalesën e radhës së flamingove.

Vitet e fundit flamingot janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.

Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur.

Në vendin tonë habitati i këtij lloji është Laguna e Nartës, Karavasta.

Prej disa vitesh tashmë, flamingot frekuentojnë edhe liqenin e Pogradecit për një periudhë të shkurtër kohore, edhe pse ai nuk përbën habitatin e tyre natyror./ KultPlus.com

Rama: Interpretim bashkëkohor i jashtëzakonshëm i “Liqenit të Mjelmave”

 “Liqeni i Mjelmave”, pjesë e International Dance Festival që po mbahet në Tiranë dhuroi emocione për publikun në sallën e Teatrit Kombëtar të Opera dhe Baletit.

Kryeministri Edi Rama ndërsa përcolli në rrjetet sociale foto të magjishme nga ky balet, shprehu edhe vlerësimin për interpretimin bashkëkohor të jashtëzakonshëm të klasikes së baletit, “Liqeni i Mjellmave”, nën koreografinë e mjeshtrit shqiptar me famë ndërkombëtare, Angjelin Preljocaj.

Një përzierje e përsosur e elegancës dhe dramës, e shoqëruar nga tingujt e pavdekshëm të Tchaikovsky-t, që mbushi skenën me emocion dhe art.

International Dance Festival do të sjellë një sërë shfaqjesh magjike për tre javë në Tiranë, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të kulturës ndërkombëtare.

Ky program mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Tiranë.

Publiku duartorkiti gjatë artistët në skenë, ndërsa surprizat dhe emocionet do të vijojnë në TKOB që tashmë me shfaqjet e veta po mbledh gjithnjë e më shumë artdashës. / KultPlus.com

‘U zhduk vapa, shkoi vera, dhe bilbili më s’këndon, erdhi vjeshta me të tjera, syri ynë që i shikon’

Poezi nga Asdreni

U zhduk vapa, shkoi vera,
dhe bilbili më s’këndon.
erdhi vjeshta me të tjera,
syri ynë që i shikon.

Teret koha, hapen retë,
ngjyra plumbi përsëri,
duket prapë tjetër jetë,
që natyra ndërron tashti.

Era fryn, fletët bien,
pemët zhvishen si nga mot,
mali, fusha më s’ka hijen,
që e kishin gjer’ në sot.

Bukurite janë zhdukur,
shiu e bryma zuri vend,
bari lulet kopshti i bukur,
u ndryshuan në cdo kënd.

Por e mirë është vjeshta,
sepse bujku gjithmon’ punon,
për të vjelur sot ka vreshta,
nesër arat po lëron.

Njerëzit në cdo anë,
posa ngrihen në mëngjes,
nëpër fusha cdo gjë kanë,
rendin, mbledhin me kujdes.

Pra me punë gjith’ të rrojmë,
se vec puna ne na vlen,
sepse ndryshe s’trashëgojmë,
verën tjetër që po vjen. /KultPlus.com

“Dy gjigantët e historisë sonë”, Osmani kujton Xhevë dhe Fehmi Lladrovcin në 26-vjetorin e rënies

“Xhevë dhe Fehmi Lladrovci janë gardianët e përjetshëm të lirisë dhe Republikës së Kosovës”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani për dy heronjtë në 26-vjetorin e rënies së tyre.

“Sot shënojmë 26-vjetorin e rënies heroike të dy gjigantëve të historisë së kombit tonë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që kemi sot. Ata ranë së bashku pikërisht në këtë ditë, të bashkuar edhe në përkushtimin e palëkundur për çlirimin e Kosovës”.

Osmani tha se Xheva dhe Fehmiu ishin më shumë se luftëtarë – simbole të shpresës dhe forcës për të gjithë ata që ëndërruan dhe dëshiruan një Kosovë të lirë dhe të pavarur.

|Trashëgimia që kanë lënë pas Xheva dhe Fehmiu i tejkalon kohët. Ata kurorëzuan veprimtarinë e tyre patriotike me aktin e heroizmi të rënies në krye të betejës. Në çdo cep të Kosovës ndihet sakrifica e tyre – në lirinë që jetojmë, në shtetin që kemi ndërtuar dhe në shpresën për një të ardhme më të ndritur. Lavdi e përjetshme Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit!”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com