‘Betohem me këngë, në dy sytë e mi’ (VIDEO)

Armend Rexhepagiqi është një prej këngëtarëve më unik në hapësirat mbarëshqiptare. Këngët dhe krijimtaria e tij janë tejkohore, pasi ato dëgjohen edhe sot siç janë dëgjuar vite më parë kur janë publikuar.

“Betohem me këngë” është këngë e njohur e Armendit e para shumë vitesh e cila ia vlen të dëgjohet edhe sot:

Asgje nuk kam pos ketij kujtimi t’hidhur n’ty
e me duhesh sikur uji me duhesh si liria.

A ka dikush qe dashurine edhe si ti e lendoi?
A ka dikush ne kete qytet qe dashurine si ti shqelmoi?
E une kur flas per dashuri vetem per ty di te flas,
xhelozi e thelle kur fati ju buzeqesh ca njerezve tjere.
Asgje nuk kam, asgje s’ka mbete,
lagjja jone ende flet per ne, nena ime tenden pershendet,
por asgje s’ka mbete vetem kjo barre qe e mbaj,
tere boten mbi shpine thuaj se e kam, i lodhur jam.
Dhe do te bie une ne mend nje dite kur fati ty te le,
por do t’jete vone dhe nese vuan pranë me kurr s’do te me kesh.

Ne emer te kujtimeve, ne emer te dashurise sone
te dikurshme shko, shko nga dhembja ime pergjithmone.

Betohem me kenge ne dy syte e mi,
kur jep dashuri me dashuri s’te kthehet s’ka aty drejtesi,
asgje n’mes nesh, asgje e shenjte,
ure me nuk ka, gremine e thelle neve na ndane.
Betohem me kenge, ne krenari,
loti nga guri do te rrjedh me pare se do t’rrjedh nga syt e mi,
hena si diell do te na djege,
deti pa kripe do te mbete shume me pare se qe do t’kthehem tek ti.

Ne emer te kujtimeve, ne emer te dashurise sone
te dikurshme shko, shko nga dhembja ime pergjithmone.

Betohem me kenge ne dy syte e mi,
kur jep dashuri me dashuri s’te kthehet s’ka aty drejtesi,
asgje n’mes nesh, asgje e shenjte,
ure me nuk ka, gremine e thelle neve na ndane.
Betohem ne kenge, ne krenari,
loti nga guri do te rrjedh me pare se do t’rrjedh nga syt e mi,
hena si diell do te na djege,
deti pa kripe do te mbete shume me pare se qe do t’kthehem tek ti.

Asgje nuk kam pos ketij kujtimi t’hidhur n’ty
e me duhesh sikur uji me duhesh si liria./ KultPlus.com

“Panairi i Librit: Tirana 2024” mbahet në nëntor

Panairi i Librit: Tirana 2024, do të mbahet nga 13 deri më 17 Nëntor, në Pallatin e  Kongreseve nga ora 09:00 deri më 20:00.

Synimi i këtij Panairi është t’i ofrojë akoma më tepër tituj dhe mundësi leximi publikut shqiptar por edhe të mundësinë që të vijë në kontakt me krijuesit e librave nëpërmes aktiviteteve të ndryshme.

Në eventin më të madh të librit në shqip, janë edhe Botimet e shtëpisë botuese ‘Akropoli i Ri’ që do ofrohen për publikun. Stenda e ‘Akropoli i Ri’ do të jetë në Katin 2, në Pallatin e Kongreseve.

La Gazetta di Puglia (1927)/ Fytyra e Ahmet Zogut shkëlqen si ajo e një artisti kur flet për zhvillimin e Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Tetor 2024

“La Gazetta di Puglia” ka botuar, të dielën e 22 majit 1927, në faqen n°3, një shkrim asokohe mbi kontributin e Ahmet Zogut në zhvillimin e Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Ahmet Zogu

Burimi : La Gazetta di Puglia, e diel, 22 maj 1927, faqe n°3
Burimi : La Gazetta di Puglia, e diel, 22 maj 1927, faqe n°3

Ahmet Zogu ka prerogativën e lakmueshme për të qenë kreu i shtetit më i ri  në botë. Ai është rreth tridhjetë vjeç dhe në manifestimet e vazhdueshme të veprimtarisë dhe vullnetit të tij ka mundur t’i japë vendit të tij, të ndarë deri tani nga anarkitë më konservatore, aspektin me të vërtetë të denjë për një shtet, i cili qoftë edhe i vogël, dëshiron të vendoset në nivelin e të tjerëve në fushën e qytetërimit dhe përparimit.

Në fakt, kushdo që shqyrton kushtet aktuale të Shqipërisë, veprat e rilindjes që po kryhen, organizimin e shtetit jo si një shprehje abstrakte, por si një autoritet që zëvendëson gjithçka, gjithë entuziazmin që zgjon energjitë e fshehura të raca në vendin e vogël të shtypur nga zgjedha turke për kaq shekuj, nuk mund të mos vërehet sesi flaka e gjithë këtij kompleksi aktivitetesh, qendra e gjallërimit, është Presidenti shumë i ri i Republikës.

Ai bën një jetë të vështirë pune. Nuk ka asnjë problem të madh apo çështje të hollësishme që nuk është shqyrtuar dhe zgjidhur personalisht nga ai. Dhe kështu ai fiton avantazhin për të sjellë gjurmën e personalitetit të tij vendimtar edhe në gjërat më modeste. Në godinën modeste që ruajnë truprojat dhe në dhomat e bardha që kanë pamjen e një shtabi ushtrie, me oficerët e paktë të shtëpisë së tij ushtarake, ai kalon orë e orë të tëra me këmbëngulje të frikshme dhe përpjekje fizike përhapur nëpër këto krahina, ku deri disa vite më parë mesjeta dukej se mbijetonte me gjithë barbarizmin dhe të gjitha kontradiktat e saj.

Ahmet Zogu nuk ka një pamje nga e cila të dallohet veçanërisht personaliteti i tij. Elegant, i thjeshtë, tek ai ka një dinjitet të veçantë që i mban në distancë ata që i afrohen. Në intimitet, megjithatë, ai është i sjellshëm, i ëmbël, i sjellshëm me të gjithë. Mirëpo, kur flet për vendin e tij, për atë që ka ndërmend të bëjë për Shqipërinë, atëherë fytyra e tij shkëlqen si ajo e një artisti që flet për punën e tij dhe nga sytë e tij të ftohtë e gri kalojnë llamba (shkëlqime – flakë) të gjalla.

Nga një familje e vjetër – ndoshta më e vjetra në Shqipëri – ajo që mbeti tek ai ishte siguria e sundimit që ishte tipike e atyre udhëheqësve të mëdhenj shqiptarë ndaj të cilëve, për t’i dashuruar ata, sulltanët tregoheshin bujarë me shpërblime dhe ndihma. Mirëpo, ky karakter i veçantë i sigurisë iu kalit me zakonet e udhëtimit dhe kontaktit me racat e tjera.

Një mik i sinqertë i Italisë, sepse e kupton se jeta dhe zhvillimi për vendin e tij janë të pamundura pa mbështetjen tonë vëllazërore, ai është një admirues entuziast i Musolinit dhe sa herë i afrohet një italiani nuk mungon ta pyesë me atë mprehtësi që e dallon për kreun e qeverisë sonë dhe për fashizmin.

Ahmet Zogu mezi afrohet. Jeta e tij e vështirë e punës e ndalon atë nga çdo shpërqendrim. Por herë pas here makina presidenciale ikën nga rrugët e Tiranës drejt detit. Ky është i vetmi argëtim që bën Kreu i Shtetit. Verës largohet në vilën e bardhë që zbukuron malin, rrëzë të cilit Durrësi gëzohet në diell; por edhe atëherë puna vazhdon : vetëm streha ka ndryshuar.

Kur Ahmet Zogu ishte ministër i Brendshëm në një qeveri apatike, pavarësisht se i njihte cilësitë e padyshimta, askush nuk do ta kishte menduar se ai i ri biond dhe elegant, me një pamje të qetë dhe paqësore, do të shfaqej më vonë për atë që në të vërtetë është sot animatori i Shqipërisë, transformatori i popullit të tij.

Në shtetin e tij të vogël, ai është siç ishte Pjetri i Rusisë në perandorinë e madhe dhe të përgjumur moskovite, dhe ka cilësitë e vullnetit këmbëngulës të Carit të madh.

Do të mjaftonte synimi për ta bërë Tiranën më të mirën ndër kryeqytetet ballkanike për të parë se çfarë flakë të lartë dhe çfarë këmbënguljeje të padiskutueshme ka në ndjekjen e ëndrrave të ambicieve të tij fisnike, pra për ta bërë Shqipërinë e deritanishme të braktisur, një komb të lulëzuar që me besim di të shikojë nga e ardhmja dhe të fitojë vendin që i takon në Evropë./ KultPlus.com

Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor në Berlin: T`i fuqizojmë të rinjtë

“Krahas aspiratave për integrim evropian dhe demokratizim të thelluar, të rinjtë në Ballkanin Perëndimor janë gjithashtu të bashkuar nga problemet e përbashkëta, ndaj bashkëpunimi i intensifikuar mes të rinjve është thelbësor për nxitjen e pajtimit dhe tejkalimin e sfidave të sotme”.

Ky mesazh u përcoll në Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur më 13 dhe 14 tetor në Berlin të Gjermanisë.

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, u organizua Forumi Rinor nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Zyra Rinore Franko-Gjermane (OFAJ DFJW) dhe shoqata jofitimprurëse Bürger Europas. Forumi Rinor mblodhi mbi 100 pjesëmarrës, duke përfshirë përfaqësues nga qeveritë rajonale, shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së, si dhe të rinjtë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet evropiane. Forumi i këtij viti u përqendrua veçanërisht në shënimin e dhjetëvjetorit të Procesit të Berlinit, duke ofruar një mundësi reflektimi për pjesëmarrësit mbi arritjet e përmbushura deri më tani dhe konsiderimi mbi hapat e ardhshëm për të përmirësuar më tej bashkëpunimin rinor në rajon.

Në fjalën e tij hyrëse, Sekretari i Përgjithshëm i RYCO-s, Albert Hani theksoi se Procesi i Berlinit si platformë, ka kontribuar shumë sa i përket bashkëpunimit rajonal në dhjetë vitet e fundit, por në fakt të rinjtë janë forca shtytëse e këtij procesi.

“Ju jeni arkitektë të së ardhmes dhe zëri i ndryshimit. Energjia, kreativiteti dhe vendosmëria juaj na frymëzojnë të gjithëve që të përpiqemi për një rajon më të mirë dhe më të begatë”, tha SG Hani dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve dhe partnerëve përkatës në rajon dhe BE të ofrojnë mbështetje edhe më të madhe për të siguruar pjesëmarrje më aktive të të rinjve në proceset e vendimmarrjes, zgjerimin e bashkëpunimit dhe tejkalimin e problemeve nga e kaluara.

Ai theksoi se krijimi i RYCO-s në kuadër të Procesit të Berlinit dërgoi një mesazh të fortë politik se qeveritë e rajonit duan të bashkëpunojnë, por që ekzistenca e RYCO-s nuk bazohet në interesa por në vlera. 

“Misioni ynë është të thyejmë stereotipet, të kapërcejmë përcarjet dhe të fuqizojmë të rinjtë për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e rajonit. Duke i vendosur të rinjtë në plan të parë, ne po punojmë për të krijuar kushte për përparimin e rajonit dhe një mjedis në të cilin të rinjtë nga Ballkani janë krah për krah me bashkëmoshatarët e tyre nga vendet e BE-së”.

SG Hani solli në vëmendje organizimin e më shumë se 400 aktiviteteve gjatë viteve të fundit, përmes programeve dhe iniciativave të RYCO-s, ku rreth 60,000 të rinj janë përfshirë drejtpërdrejt ose fuqizuar dhe mbështetur, së bashku me mbi 240 organizata të shoqërisë civile. Ai gjithashtu tha se në të ardhmen RYCO do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë përmes projekteve dhe nismave të reja për të kontribuar më tej në fuqizimin e tyre.

Gjatë diskutimit në Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit, veçanërisht kur bëhet fjalë për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

“Ky bashkëpunim zhvillohet brenda vetë rajonit, si dhe në lidhje me vendet evropiane dhe këtë e shohim në aspektin e tregtisë, shkëmbimit dhe ndërveprimit”, theksoi Reiffenstuel.

Në Forum mori pjesë edhe Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe anëtar i Bordit Drejtues të RYCO. Gjatë fjalës së tij në panelin Procesi i Berlinit: “Pjesëmarrja e të rinjve dhe ndikimi i angazhimit të tyre”, – ministri Çeku theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe bashkëpunimi me BE-në janë thelbësore për prosperitetin kolektiv, dhe se e vërteta, paqja, toleranca dhe demokracia janë vlerat e të rinjve.

“Shumë sfida ende egzistojnë, ne duhet të jemi të hapur dhe të sinqertë. Por, në të njëjtën kohë, është bërë shumë. RYCO luajti një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin dhe dhe vendosjen e marrëdhenënieve rajonale. Ne besojmë fort se duhet të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe një platformë efektive për dialogun dhe shkëmbimin e të rinjve. Shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ata që punuan pa u lodhur për ta bërë RYCO shembull pozitiv për paqen e qëndrueshme në rajon”, tha ministri Çeku.

Gjatë fjalës së saj në të njëjtin panel diskutimi, përfaqësuesja rinore në Bordin Drejtues të RYCO, Donika Zogu, theksoi se Procesi i Berlinit shërben si platformë unike dhe se është përballur me sfida të mëdha, si uniteti social, punësimi dhe dialogu ndërkulturor, por që zgjedhjet e këtyre janë bërë duke kontribuar në dobi të të gjithë rajonit.

“Rruga nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Shumë të rinj në rajon ende luftojnë me pengesa si papunësia dhe mundësitë e kufizuara për të pasur një fjalë të vërtetë në vendimmarrje. Por falë platformave si Procesi i Berlinit dhe organizatave si RYCO, ne po i thyejmë këto barriera. Angazhimi ynë po nxit ndryshime pozitive dhe po kontribuon në zhvillimin e shoqërive tona në mënyra kuptimplota dhe të qëndrueshme,” tha Zogu duke shtuar se kupton çdo ditë e më shumë të punës së saj në rolin si përfaqësuese e të rinjve mbi potencialin e jashtëzakonshëm që kanë të rinjtë në Ballkanin Perëndimor dhe ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të fuqizojnë rininë.

Dita e parë e Forumit Rinor WB6 u përmbyll me ekspozitën “SIX STEPS UP” me portretet e të rinjve nga rajoni dhe perspektivat e tyre për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Forumi u parapri nga një Shkëmbim Ndërkombëtar Rinor i titulluar “Të jesh aktiv – Pjesëmarrja e të rinjve për një të ardhme demokratike”, i cili mblodhi së bashku 30 pjesëmarrës të rinj nga Ballkani Perëndimor me 12 bashkëmoshatarë nga Franca dhe Gjermania nga data 9-15 tetor. Përmes eksplorimit të zhvillimeve të fundit historisë të Gjermanisë, ata mësuan për sfidat e rivendosjes së marrëdhënieve rajonale dhe mënyrat për t’u lidhur në politikën lokale dhe shoqërinë civile për të vendosur paqe dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme.

Ndër pjesëmarrësit që patën mundësinë të takonin politikanë të rinj nga Bundestagu gjerman dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar pjesëmarrjen e të rinjve dhe rolin e politikës lokale në BE, ishin edhe pesë të rinj nga Shqipëria: Ema Mecaj, Diogjen Kolici, Kostian Jano, Fiorela Hoxhaj dhe Enia Hoxha.

Fokusi i ditës së dytë të Forumit ishte në qasjen e zgjeruar strategjike të RYCO-s për ndërtimin e paqes në Ballkanin Perëndimor, nga shkëmbimi i përvojës së shkuar deri te përcaktimi i objektivave për periudhën e ardhshme trevjeçare. Nëpërmjet një sërë panelesh, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi pozicionin e të rinjve në formësimin e bashkëpunimit dhe rivendosjen e marrëdhënieve rajona në Ballkanin Perëndimor dhe pozicionin e RYCO si një mekanizëm ndërqeveritar rajonal përgjegjës për bashkëpunimin rajonal rinor në të ardhmen.

Gjithashtu, Forumi shërbeu si një mundësi për të shpallur hapjen e Thirrjes së 6-të për organizatat e shoqërisë civile në rajon, si një përpjekje shtesë për të mbështetur të gjithë aktorët e interesuar në nivel rajonal dhe për të ofruar më shumë mundësi shkëmbimi për të rinjtë.

Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor mbahet për të disatën herë radhazi që nga viti 2021 si pjesë e Samitit të Procesit të Berlinit, duke shërbyer si një platformë unike për angazhimin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të të rinjve, si dhe profesionistëve që punojnë në sektorin e rinisë në nivel rajonal dhe evropian./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: 25 vjet pas, Serbia e mbyllur për fluturime komerciale për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti ka potencuar se 25 vjet pas luftës, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova.

Këtë ai e ka thënë në sesionin e dytë të Samitit të Procesit të Berlinit rreth Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Energjinë dhe Lidhshmërinë.

“25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova. Kjo nuk shërben pozitivisht as për marrëdhënie fqinjësore, as për adaptimin klimatik”, ka shkruar ai në facebook.

Tutje kryeministri ka njoftuar për objektivin rreth reduktimit të emetimeve të gazrave serrë për 36% deri në vitin 2030 dhe për t’i mbajtur rezervat nëntokë.

“Digjitalizimi mundëson tranzicionin e gjelbër dhe jemi vendi me digjiitalizimin më të shpejtë në rajonin tonë. Mbi 70% e kompanive të sektorit të teknologjisë eksportojnë shërbimet e tyre dhe kemi 100% qasje në rrjet me brez të gjerë”, vazhdon njoftimi.

Përshkallëzohet greva e Shoqatës Sindikale e Artistëve të TKK-së, paralajmërohet anulimi i të gjitha shfaqjeve

Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, ka njoftuar se shfaqja “1984” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që hap festivalin ITF “Skupi Festival” në Shkup, do të fillojë me një orë vonesë, si shkak i grevës së paralajmëruar për përmirësimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e institucionit.

Sindikata më tej ka njoftuar se në rast se nuk do të ketë reflektim nga institucionet vendimmarrëse për realizimin e kërkesave të tyre deri më 1 Nëntor, do të kalohet në grevë të plotë ku do të anulohen të gjitha shfaqjet e parapara në programin e TKK.

Një muaj më parë Sindikata e Artistëve pati njoftuar se në shenjë pakënaqësie për kushtet aktuale do të aplikojë vonesën e zhvillimit të provave prej dhjetë minutave, duke bërë të ditur se ky hap ishte paralajmërim i përshkallëzimit të grevës, deri në realizimin e kërkesave të aktorëve të këtij institucioni.

Shfaqja “1984” do të nisë në orën 20:00, dhe jo në 19:00 siç ishte paraparë fillimisht në program.

“Në shenjë solidariteti me kërkesat e Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, festivali ka zhvendosur për një orë të gjitha shfaqjet e festivalit . Falënderojmë drejtuesit e festivalit për mbështetjen e tyre ndaj kauzës sonë të drejtë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Aristëve./ KultPlus.com

Zhegrova: Në Prishtinë luajmë për fitore, për kombëtaren vij me kënaqësinë më të madhe

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, ka thënë që ekipi do ta japë maksimumin në ndeshjen e së martës në Prishtinë ndaj Qipros në Ligën e Kombeve.

“Kur vij me lujtë për kombëtaren, vij me lujtë me kënaqësinë më të madhe. Në ndeshjen e kaluar kemi mujtë me lu hala ma mirë”, ka thënë Zhegrova në konferencë për media, duke iu referuar përballjes ndaj Lituanisë të shtunën.

“Besoj që ndeshjen në Prishtinë që do ta luajmë, do e japim maksimumin, dhe normalisht luajmë për fitore. Shpresoj që të shënojmë sa më shumë gola në këtë ndeshje”.

“Koncerti”, shfaqja e Teatrit Eksperimental bazuar mbi romanin e Stefan Çapalikut

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqi në fundjavë dramën “Koncerti”, me regji e dramatizim nga Giacomo Pedini.

“Koncerti” bazohet mbi romanin “Një engjëll veshë me frak” i autorit Stefan Çapaliku.

Ngjarjet vendosen në Shkodrën e viteve pesëdhjetë. Evropa është e ndarë në dy blloqe politiko-ideologjike. Në Shqipërinë e dominuar nga Enver Hoxha, një burrë bie nga ballkoni dhe vdes. Në diktaturë “nuk ka” vetëvrasje. Kush ishte ky kompozitor i quajtur Pol Gjakova? Çfarë do të thotë të jesh kompozitor në diktaturë? Të kompozosh çfarë dhe për kë në Shqipërinë e viteve ‘50, apo sot në Evropë?

Mbi këto pyetje zhvillohet drama “Koncerti”, që erdhi si produksion i Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Tiranë.

Në shfaqje interpretuan aktorët Helidon Fino, Laert Vasili, Ilirda Bejleri, Matia Llupa dhe Ismail Shino./atsh/KultPlus.com

Komedia e Teatrit “Migjeni” inauguron sallën e re të Universitetit të Arteve

Komedia “Krimi është vetëm i imi”, e vënë në skenë nga Teatri “Migjeni” i Shkodrës, korri sukses edhe në Tiranë, dhe ishte pikërisht ajo që inauguroi sallën e re të Universitetit të Arteve.

Për shfaqjen pati një interes të jashtëzakonshëm nga artdashësit. Ajo shkaktoi të qeshura e duartrokitje pafund. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, ky produksion i suksesshëm, që erdhi nën regjinë e Driada Dervishit, bëri bashkë 11 aktorë të njohur e të rinj të skenës teatrore shkodrane.

Komedia përveç se në Shkodër ishte shfaqur më parë edhe në KokoFest, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë. “Krimi është vetëm i imi” bazohet mbi një komedi franceze të shkruar në vitet ’30 të shekullit të kaluar, nga George Berr dhe Louis Verneil, vepër e cila ka frymëzuar edhe disa realizime kinematografike.

Regjisorja Driada Dervishi kishte përzgjedhur një kast aktorësh të mirënjohur si Olta Daku, Neritan Liçaj, Linda Jarani, Romir Zalla etj., të cilëve iu bashkua dhe aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Besnik Çinari./atsh/KultPlus.com

Eja trishtim

Poezi nga Bilal Xhaferri

Eja, trishtim,
eja me hapa fletësh që bien nga degët,
eja me hapa shiu që këputet nga fletët…
Eja trishtim,
eja me hapa tingujsh që dridhen në mbrëmje,
eja me hapa zemrash që rrahin me dhimbje…
Eja, trishtim,
o prehër i ëmbël që nuk më braktise kurrë,
o strehë e qetësisë sime,
o ëndërrime të mia,
o gji i shpresës sime.
Eja, trishtim,
trishtim,
eja./ KultPlus.com

Baleti “Bukuroshja e fjetur” shfaqet në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës

Trupa e Baletit të Teatrit Shtetëror të Varnës solli para artdashësve të shumtë të Durrësit “Bukuroshen e fjetur”, baletin me muzikë të Çajkovskit, bazuar në një përrallë me princër, princesha e magji.

Baleti klasik “Bukuroshja e fjetur” u shfaq në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Performanca e balerinëve bullgarë elektrizoi sallën përmes lëvizjeve plot elegancë. Shfaqja ishte si një dhuratë për qytetin bregdetar dhe një mënyrë për të promovuar artin e bukur të baletit dhe muzikës klasike.

Kjo shfaqje nuk ishte vetëm një interpretim artistik, por një rikthim në magjinë e fëmijërisë, ku të gjithë mund të besojnë në fuqinë e dashurisë dhe të ëndrrave të bukura.

Më herët e njëjta shfaqje u ngjit edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit në Tiranë. Triumfi i dashurisë mbi të keqen tërhoqi vëmendjen e publikut besnik të operës, duke i shitur biletat në kohë rekord.

Bashkëpunimi i TKOB me Teatrin e Varnës, ka nisur që në vitin 2023 dhe ka rezultuar me shkëmbime të suksesshme artistësh dhe produksionesh./atsh/KultPlus.com

“Zërat e Kulturës”, Gonxhja: Sfidat e promovimit të teatrit drejt skenës ndërkombëtare

Në 17 tetor, në sallën “Central” në ArtTurbina do të nisë një seri takimesh në kuadër të Dialogut Kulturor dhe Artit Skenik, njofton në rrjetet sociale ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Aktiviteti vjen si pjesë e një serie takimesh publike, të bashkorganizuara nga MEKI dhe United Nations Association Albania që kanë për qëllim përfshirjen e zërave të artistëve në vendimmarrje për çështjet e kulturës.

Trajtimi i sfidave dhe perspektivat për zhvillimin e teatrit dhe arteve skenike do të jetë vetëm një nga shtyllat ku do të përqendrohet e gjithë seria e takimeve.

“Në këtë takim, do të mblidhen aktorë, regjisorë, dramaturgë, skenografë dhe profesionistë të tjerë të skenës për të diskutuar vështirësitë në prodhimin e shfaqjeve, financimin e projekteve teatrore, mungesën e infrastrukturës dhe rolin e edukimit artistik në formimin e gjeneratave të reja të artistëve. Gjithashtu, do të diskutojmë mbi nevojën për mbështetje institucionale dhe promovimin e teatrit shqiptar në skenën ndërkombëtare”, thuhet në postimin e ministrit Gonxhja.

Ministri shton se “ky takim është një mundësi e rëndësishme për të diskutuar çështje të tilla si mbështetja financiare për teatrin, roli i kritikës në ngritjen e standardeve artistike dhe mënyrat për të krijuar bashkëpunime ndërkombëtare”.

MEKI e mbyll njoftimin me një thirrje për artistët, regjisorët, aktorët apo dramaturgët që të jenë të pranishëm në këtë event, pasi “zëri juaj është thelbësor për të formuar politika që do të ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të teatrit dhe arteve skenike”./atsh/KultPlus.com

Manastiri i Mesopotamit, ndërhyjet konservuese zbulojnë disa afreske

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se janë zbuluar piktura murale në kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam. Pikturat më herët kishin qenë të mbuluara nga llaçi dhe lyerjet me gëlqere.

Ndërhyrjet në këtë kishë, i përkasin fazës së parë të punimeve të parashikuara në një projekt, i cili është planifikuar të vazhdojë edhe në vitin 2025.

Bëhet fjalë për projektin “Studimi për konservimin e pikturës murale, elementeve dekorative me mermer të arkitekturës dhe dyshemenë e kishës bizantine të Shën Nikollës në Mesopotam”, në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit nënshkruar mes ish-Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Europiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine.

Në Manastirin e Mesopotamit ndërhyrjet nisën prej datës 27 gusht dhe fokusohen në ndërhyrje konservuese/restauruese në pikturën murale të kësaj kishe./atsh/KultPlus.com

10 vjet nga ngritja e flamurit “Autochthonous” mbi Beograd

10 vjet më parë, kur ora shënonte 21:27 e kur një stadium i tërë brohoriste pa pushim në kor “vr**ini, vr**ini Shqiptarët”, në “zemër” të Beogradit u shfaq ai dron me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit.

KultPlus ju sjell edhe këngën e Elvana Gjatës që ishte realizuar po mbi atë motivim.

Shakohoxha, cfare po ndodh realisht, na thuaj dicka?
Ti je aty prane, e ke pare me mire se cfare ka ndodhur
Cfare ishte? Ai, ai flamur! Ajo banderol!
Nuk e di cfare mund ta quajme
Valvitej tek ai, mini-helikopter le t’themi
Ai ishte flamuri me i bukur ne bote, Alban


Jemi ne, jemi ne
Vijmë nga trojet tona
Nuk na ndan dot askush
Fluturon shqiponja
Po therrët toka jonë
Lisat edhe malet
Se ne jemi një komb
Shqipëri e madhe


Unë jam kuq e zi, kuq e zi
Jam unë dhë ti, kuq e zi
Me gjithë zemër të kemi sot
O flamuri më i bukur në botë
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri më i bukur në botë


Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej



Jemi një force, jemi një gjak
Asnjëher nuk ike
Jemi ne, jemi ne
Shqipëri etnikë
Po therrët toka jonë
Lisat edhe malet
Se ne jemi një komb
Shqipëri e madhe


Unë jam kuq e zi, kuq e zi
Jam unë dhë ti, kuq e zi
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri me i bukur në botë
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri me i bukur në botë



Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej


Unë jam kuq e zi, kuq e zi
Jam unë dhë ti, kuq e zi
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri me i bukur në botë
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri me i bukur në botë
./KultPlus.com

https://youtube.com/watch?v=7s8pMXrNDtY%3Ffeature%3Doembed

Ilirike

Agim Vinca

Më shumë se i Babait dhe i Nënës
Jam bir i Diellit dhe i Hënës.

Altar kam Tokën, ku bie e ngrihem përditë
Unë, pagani i vogël, që përbuz Perënditë.

Më fort sesa i Nënës dhe Babait
Jam fryt i Dheut, Ujit, Ajrit.

Të falem, o Tokë, ty nënëmira ime
Me grimca statujash e tumash ilire.

Më shumë se i Babait dhe i Nënës
Jam bir i Diellit dhe i Hënës.


Altar kam Tokën, ku bie e ngrihem përditë
Unë, pagani i vogël, që përbuz Perënditë./ KultPlus.com

“Pikë uji” u prezantua me premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Varshavës, i nominuar në tri kategori

I nominuar në tri kategori: për regjisorin më të mirë, filmi më i mirë dhe çmimi special i jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, filmi “Pikë uji” është prezantuar mbrëmë premierë në këtë festival prestigjioz, shkruan KultPlus.

Me skenar të Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja e me regji të Robert Budinës, filmi është një bashkëproduksion i Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, dhe Rumanisë, ku luajnë aktorët kryesorë nga Kosova dhe Shqipëria, përfshirë Gresa Pallaska, Arben Bajraktaraj, Adem Karaga dhe Astrit Kabashi.

Po ky film tashmë është propozuar nga shteti shqiptar për çmimin Oscar, ndërkohë, pas premierës në Shqipëri, kjo është paraqitja e parë në nivel ndërkombëtar.

Për premierën e këtij filmi ka shkruar në rrjete sociale edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, i cili poashtu ka ndarë edhe fotografi nga ceremonia./ KultPlus.com

Teatri “Migjeni” merr çmimin e medias në festivalin MESS në Sarajevë

Teatri “Migjeni” shpallet fitues nga MESS Festival. Ky ishte edicioni i 64-t i këtij festivali që zhvillohet në Sarajevë dhe që renditet në festivalet e kategorisë A.

Me marrjen e lajmit, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci u shpreh se ndihej krenar për këtë arritje dhe falenderoi të gjithë trupën e shfaqjes.

Çmimi i medias “Oslobodenje” iu dha shfaqjes “Vizita” të teatrit “Migjeni”, me regjisor Davide Iodice. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria mori pjesë në festivalin MESS.

“Ky është moment historik për të gjithë ne”, shkroi teatri “Migjeni” në faqen e tij online.

Kjo shfaqje ishte premierë absolute një vit më parë, në teatrin “Migjeni” të Shkodrës dhe më vonë në ArTurbina në Tiranë.

Shfaqja “Vizita” e mbështetur në kryeveprën e H.G. Wells “Vizita e mrekullueshme” dhe u vu në skenë nga Davide Iodice, një nga regjisorët më të suksesshëm të teatrit bashkëkohor.

Vepra është përkthyer në shqip nga Zija Vukaj. “Vizita” është një bashkëprodhim i teatrit të Sardenjës dhe teatrit “Migjeni”, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë./atsh/KultPlus.com

At Shtjefën Gjeçovi, intelektuali françeskan i vrarë nga shovinistët serbë

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Shtjefën Gjeçovit.

At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik, të vitit 1874. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.

At Shtjefën Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore, etj. At Shtjefni ka botuar këta libra: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933).

At Shtjefën Gjeçovi u bë i famshëm me librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hylli i Dritës”. Ai u vra nga shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famulltar./KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullat postare “Pyjet dhe rudinat”

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot emisionin e ri të pullave postare me temën “Pyjet dhe rudinat”. Ky emision përbëhet nga dy pulla postare dhe një bllok filatelik, duke sjellë në vëmendje bukurinë e mahnitshme të resurseve pyjore dhe minerale të Kosovës. Kjo iniciativë është një përpjekje për të nderuar dhe promovuar pasurinë natyrore të vendit, e cila ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm.

Sipas të dhënave të Agjencisë Pyjore të Kosovës, vendi ynë mbulon rreth 481 mijë hektarë pyje, ose 44.7% të territorit të përgjithshëm. Shumica e këtyre pyjeve ndodhen në jugperëndim të Kosovës, veçanërisht në rajonet e Maleve të Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna. Këto zona janë të njohura për peizazhet e tyre të bukura dhe diversitetin e larmishëm të florës dhe faunës.

Resurset pyjore të Kosovës kanë rëndësi të madhe, jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit, prodhimin e oksigjenit dhe sekuestrimin e karbonit. Ato ndihmojnë në mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe në sigurimin e ujit të pijshëm për popullatën. Po ashtu, këto pyje janë të rëndësishme për biodiversitetin e Ballkanit, pasi Kosova është shtëpi e një spektri të gjerë të florës dhe faunës, shumë prej të cilave janë të rrezikuara ose endemike.

Ky emision i pullave postare është realizuar me mbështetje të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe është një hap për të rritur vetëdijen për ruajtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore. Pullat do të mbeten në qarkullim deri në konsumimin e plotë të stokut, duke u ofruar të apasionuarve pas filatelisë dhe natyrës mundësinë për të kontribuar në promovimin e kësaj çështjeje të rëndësishme. Kjo iniciativë është një shembull i angazhimit për ruajtjen e natyrës dhe burimeve natyrore, duke e theksuar rëndësinë e tyre për brezat e ardhshëm./KultPlus.com

38 vite nga vdekja e poetit Bilal Xhaferri

Më 1 maj 1935 lindi shkrimtari Bilal Xhaferi. Ai lindi në fshatin Ninat afër Konispolit. Në vitin 1967 botoi vëllimi me poezi “Lirishta e kuqe”, por nuk u vu kurrë në qarkullim.

Po atë vit konkurroi me romanin “Krastakraus” në konkursin letrar të mbajtur me rastin e 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, por nuk fitoi. Ky roman u botua në vitin 1993.

Më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria për në Greqi. Në vitin 1970 shkoi në SHBA, në Boston, ku deri më 1972 punoi në gazetën “Dielli”. Më 1974 u vendos në Çikago ku themeloi revistën “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame të cilën e drejtoi, botoi dhe redaktoi për 39 numra në dy gjuhë, shqip e anglisht. Vdiq në Çikago më 22 gusht të vitit 1986.

Më 6 maj 1996 shkrimtari Shefki Hysa, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare nisi dhe organizoi ceremonialin e rikthimit në atdhe të eshtrave të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri që tanimë prehet në vendlindje, në Sarandë.

Më 2014 shtëpia e tij në Ninat të Sarandës u bë Shtëpi Muze, dhe më 2 nëntor u inaugurua busti pranë shtëpisë.

Në vitet 1962-1963 botoi poezitë dhe tregimet e para në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, në revistat “Nëntori”, “Ylli”, etj.Më 1963 debutoi me romanin Rrugë dhe fate,ndërsa 1966 botoi një vëllim me tregime Njerëz të rinj, tokë e lashtë, Tiranë 1966, vepër me mendim e me nivel artistik, por ndoshta tepër realiste për kohën.

Në të përkohshmen “Krahu i Shqiponjës” botoi shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime, romane, skeçe, vizatime, karikatura, foto artistike, etj. Aty botoi fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” dhe “Hëna e kantjereve”. Në vitin 2017 u botua libri i shkruar nga e motra, Antike Hoxha, “As vdekja nuk e shoi dot urrejtjen”, që i kushtohet të vëllait./ KultPlus.com

20 vite nga tragjedia e Maturantëve të Malishevës

Sot, janë bërë 20 vite kur 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri”, nga Malisheva kanë humbur jetën nga rënia në humnerë e autobusit, në Fushë Arrëz të Pukës, gjatë një ekskursioni në Shqipëri, KultPlus.

Më 14 tetor 2004, rreth orës 14:00 në Fushë Arrëz të Pukës është shënuar aksidenti, nga i cili 15 maturantë mbetën të vdekur dhe 34 të lënduar.

Pas identifikimit të trupave të maturantëve të vdekur nga shteti shqiptar, të nesërmen trupat e tyre u përcollën nga ushtria shqiptare deri në kufi me Kosovën, nga ku TMK i kishte sjellë në lokalet e shkollës.

Varrimi i maturantëve të Malishevës është bërë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit./KultPlus.com

“El Tiempo”: Shqipëria – destinacioni turistik me plazhe ëndrrash, male dhe arkeologji

E vendosur në Gadishullin Ballkanik, “Karaibet e Evropës”, Shqipëria mirëpret gjithnjë e më shumë vizitorë dhe po konsolidohet në hartën turistike të Kontinentit të Vjetër, sipas një artikulli të botuar në revistën kolumbiane “El Tiempo”.

Dikur një vend i mbyllur në orbitën e dikurshme komuniste, në juglindje të Gadishullit Ballkanik, Shqipëria po shfaqet në turizmin ndërkombëtar si “Karaibet e Evropës”.

Ndërkohë që agjencitë turistike vazhdojnë ta ofrojnë gjithnjë e më shumë, Shqipëria po konsolidohet si destinacioni i zgjedhur nga mijëra vizitorë nga e gjithë bota – që vijnë për të zbuluar plazhet e saj të ëndrrave.

Shqipëria është një vend i vogël me brigje në detet Adriatik dhe Jon. Shumë ekspertë të udhëtimeve i kanë i krahasuar plazhet e saj me kartolinat idilike me ujëra të pastra kristal me pamje nga Republika Domenikane, Kuba apo Meksika.

Por, kjo lloj rerë evropiane është e shpërndarë mes peizazheve malore, me Alpet Dinarike që përshkojnë brendësinë e tyre, mes zonave arkeologjike, kështjellave dhe qyteteve antike plot histori.

Gjithashtu, në krahasim, është relativisht më lirë se sa të vizitosh vendet e tjera në Evropë. Dhe nëse udhëtoni nga Kolumbia, nuk keni nevojë për vizë të veçantë për të hyrë në Shqipëri – nevojitet vetëm një leje për të qëndruar në vend për 90 ditë.

Bumi i verës

Qoftë për të zbuluar historinë përmes mbetjeve arkeologjike të qytetit antik të Apolonisë apo për të pushuar në një nga plazhet e Rivierës Shqiptare, koha më e mirë për të vizituar vendin është midis majit dhe shtatorit.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën kiwi.com, bazuar në rezervimet e bëra muajt e fundit, për udhëtimet gjatë verës 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, Tirana, në Shqipëri, është ndër vendet më të preferuara nga turistët spanjollë për verën e ardhshme.

Që nga pandemia, vendi ballkanik ka shënuar një rritje progresive të turzimit prej rreth 20-30 për qind çdo vit.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së, në vitin 2023 – Shqipëri ishte vendi i katërt që regjistroi rritjen më të madhe të numrit të turistëve ndërkombëtarë – me një rritje prej 56 për qind krahasuar me vitin 2019.

Në vitin 2022, vendi u vizitua nga 7,5 milionë turistë ndërkombëtarë dhe në vitin 2023 u regjistruan 10,1 milionë, pa dyshim, shumë larg destinacioneve të tjera tradicionale, por me shifra të theksuara rritjeje.

Përtej atraksioneve të tjera të saj, plazhet e Shqipërisë duken të frymëzuara nga disa destinacione të Karaibeve dhe janë arsyeja kryesore e projeksionit të saj të fortë drejt turizmit ndërkombëtar.

Në jug të vendit, bregdeti i detit Jon formon një peizazh të paharrueshëm për shkak të bukurisë së tij që ndërthuret me elementë të tjerë.

Brenda kësaj zone, një nga pikat më të spikatura është Ksamili, në Rivierën jugore Shqiptare – dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, i njohur për ishujt e tij të vegjël të arritshëm me not ose varkë, ujërat e tij bruz dhe rërën e bardhë.

Në të njëjtën kohë, plazhi i Dhërmiut shquhet si një nga destinacionet më të njohura në Rivierën Shqiptare, me një mjedis impozant malesh dhe ujërash blu – ideale jo vetëm për qetësi por edhe për aktivitete ujore.

Qendra e saj e vogël historike është një tjetër atraksion ideal për një ditë pushimi në plazh.

Përveç kësaj, ju mund të vizitoni qytetin e Himarës, me plazhe të pabesueshme dhe një qytet të vjetër plot me monumente historike.

Gjithashtu, Tirana, kryeqyteti, paraqet një larmi atraksionesh turistike që plotësohen edhe nga plazhet urbane.

Pika e nisjes për ta eksploruar mund të jetë Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, nga ku mund të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar dhe lagjen shumëngjyrëshe të Bllokut, i famshëm për jetën e tij të natës.

Berati, “qyteti i një mbi një dritareve”, shquhet si një tjetër peizazh urban i dukshëm për t’u vizituar.

Është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, i njohur edhe nga UNESCO për arkitekturën e tij unike.

Ndër xhevahiret e këtij qyteti janë Kalaja e Beratit, e djegur nga romakët në vitin 200 para Krishtit; Muzeu i famshëm i Onufrit – i vendosur brenda katedrales së “Shën Mërisë” e shekullit XVIII; dhe objekte të tjera të shenjta si Xhamia e Plumbit, Xhamia e Mbretit dhe Xhamia e Beqarëve apo ura e Goricës mbi lumin Osum, si një nga vendet më të veçanta të Beratit.

Për adhuruesit e ecjes dhe natyrës, një tjetër pikë kryesore është Parku Kombëtar i Llogorasë, me pamje panoramike të detit Jon dhe Rivierës mahnitëse Shqiptare.

Ndërkohë, kureshtarët për historinë do të gjejnë në qytetin e Butrintit rrënoja arkeologjike nga epoka greke, romake dhe bizantine./atsh/KultPlus.com

‘Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet’

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/bota.al/KultPlus.com

Kometa e parë për herë të fundit nga neandertalët mund të jetë e dukshme gjatë fundjavës

Një kometë që ishte e dukshme për herë të fundit nga Toka kur neandertalët ishin gjallë, mund të dallohej me sy të lirë këtë fundjavë, thanë shkencëtarët.

Kometa A3 (Tsuchinshan-ATLAS) është quajtur “kometa e shekullit” për shkak të asaj se sa e ndritshme dhe e dukshme mund të jetë, sipas Shoqatës Mbretërore Astronomike (RAS).

Astronomët thanë se do të kishte qenë i dukshëm nga planeti ynë rreth 80 000 vjet më parë dhe u zbulua vetëm në janar 2023.

”Vëzhguesit e yjeve në Hemisferën Jugore kanë parë tashmë kometën A3, por tani ajo mund të shihet edhe në Hemisferën Veriore”, tha ajo.

Midis 12 dhe 30 tetorit, njerëzit mund të jenë në gjendje ta shohin kometën duke përdorur dylbi apo edhe me sy të lirë.

Në një video në faqen e internetit të shoqërisë, zëvendësdrejtori Robert Massey tha se marrja e fotove të kometës mund të jetë e mundur, veçanërisht nëse përdorni një aparat fotografik dixhital me një lente refleks (DSLR).

Sipas RAS, kometa vjen nga Reja Oort – një guaskë sferike gjigante që rrethon sistemin tonë diellor dhe përmban miliarda objekte duke përfshirë kometat./ KultPlus.com