Sot 9 vite nga vdekja e Mark Krasniqit

Mark Krasniqi lindi më 19 tetor të vitit 1920. Ai ishte profesor, shkrimtar e akademik, shkruan KultPlus.

Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës Rilindja në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-1949 ka punuar në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor.

Mark Krasniqi ndër të tjera ishte edhe autor i përmbledhjes së poezive për fëmijë “Posta e porositur”.

Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993).

Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.

Akademik Mark Krasniqi ndrroi jetë më 28.08.2015 në Prishtinë./ KultPlus.com

82 vite nga lindja e poetit Ali Podrimja

Sot janë bërë 82 vite nga lindja e njërit ndër autorët më të shquar shqiptar, Ali Podrimja, shkruan KultPlus.

Autori Podrimja ka lindur në Gjakovë më 28 gusht 1942 dhe ka vdekur më 21 korrik 2012. Ai është  autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.

Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jetoi deri në fund të jetës. Periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi).

 Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:

Qaj rrafshi im i dashur, qaj!

Diellin tënd verbuar e kanë tytat.

E vatrat shkimbur deri më një…

Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik Hija e tokës, të cilin Ali Podrimja e shkroi në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, Lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.

Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si ZariBuzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).

 Poezia e Ali Podrimjës, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.

Publikimin e parë ai e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz, gjë që e intrigoi përkrahësin e talenteve të reja, Esad Mekulin,të merrej me të dhe të ndihmonte formimin e tij si poet.

Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, Lum Lumi.

Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

Ali Podrimja ishte Anëtar i Qendrës Europiane të Artit (EUARCE) të Greqisë. 

Më 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të pareshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, u gjet trupi i pa jetë i shkrimtarit. Ai vdiq në rrethana të pasqaruara.

Ndër veprat më të njohura të tij janë :

  • “Thirrje” 1961,
  • “Dhimbë e bukur” 1967,
  • “Sampo” 1969 ,
  • “Torzo” 1971,
  • “Folja” 1973,
  • “Credo” 1976,
  • “Sampo 2” 1980,
  • “Drejtpeshimi” 1981,
  • “Lum Lumi” 1982,
  • “Fundi i Gëzuar” 1988,
  • “Zari” 1990,
  • “Në bisht të sorrës” 1994,
  • “Buzëqeshje në kafaz” 1995,
  • “Ishulli Albania”,
  • “Pikë e zezë në blu” 2005/KultPlus.com

‘Duej, duej e vetëm duej’

Poezi nga Ndre Mjeda

Ëndërro. Njeri, sot ma Shumë se kurrë
Vepro. E Len prova t ‘prekshme

Fol. E t’nihet zani deri n’ skaje
Jeto. Atë jetë tanen, Jo tjerëve

Ngihu. Me gjanat Si tmushin zemrën
Pi. Bukurin e deteve e oqeaneve

Meso. E burimi dijes mos t’dij me shterur
Puno. Kopshtin e mendjes gjithmonë

Lexo. Poemat e shpirtit tanë
Kupto. Vuajtjen njerëzore t’ pakufi

Ndimo. At T’ paudhin t’ kthehet
Ndriço. Fike terrin

Urreji. Vetëm padrejtësitë
Duej. Duej e vetëm duej

Dashuno. Po mos jep arsye… / KultPlus.com

Microsoft më në fund konfirmoi veçorinë e re në Windows

Microsoft vazhdon të testojë dhe shtojë veçori të reja në Windows, por gjithashtu mbyll veçoritë që i konsideron të panevojshme.

Karakteristika më e fundit që do t’i shtohet listës së vjetruar është Paneli i Kontrollit të Windows, i cili i bashkohet aplikacionit Paint 3D të “dal në pension”.

Paneli i Kontrollit të Windows ka qenë në listën e mbylljes së Microsoft për disa kohë, dhe raportet e para për këtë filluan të shfaqen në vitin 2011.

Microsoft më pas planifikoi të zëvendësonte Panelin e Kontrollit me një opsion “Cilësimet e PC” dhe kjo veçori kishte opsione kontrolli me prekje.

Tani, si pjesë e një faqeje të re mbështetëse për mjete të ndryshme të Windows, Microsoft ka njoftuar se Paneli i Kontrollit është në proces të zhvlerësimit dhe do të zëvendësohet nga aplikacioni Settings.

Për më tepër, kompania thotë se ka disa arsye përputhshmërie pse aplikacioni më i vjetër ekziston ende, por përdoruesit inkurajohen të përdorin aplikacionin Cilësimet sa herë që munden.

Paneli i Kontrollit u prezantua për herë të parë në versionin Windows 1.0 në 1985.

“Veç për ty i dashur qaj pse s’vjen ma s’di çka të baj” (VIDEO)

Nexhmije Pagarusha është pa asnjë dyshim figura më historike e muzikës në hapësirën shqiptare, shkruan KultPlus.com

Janë rreth 150 këngë që ajo i ka interpretuar, mes tyre “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.

Sonte kur ikona e muzikës shqipe do t’i mbushte 87 vite po e kujtojmë atë me këngën “Sytë për ty i kam të njomë”, një këngë e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat i përçon tek publiku Nexhmije Pagarusha me zërin e saj unik, të papërsëritshëm. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me albanologët Leonardo Savoia dhe Francesco Altimari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me profesorët dhe albanologët Leonardo Savoia nga Italia dhe Francesco Altimari, i cili është arbëresh.

Sipas njoftimit nga ekzekutivi, diskutimi mes tyre ishte i hapur, i sinqertë dhe plot shkëmbime të dijes.

U bisedua rreth identitetit gjuhësor shqiptar e kulturës, si dhe rreth figurave pionere të Rilindjes dhe çështjes kombëtare, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e kultivimin e gjuhës, por edhe përhapjes së saj ndërkombëtarisht.

“Profesori i nderuar Leonardo Savoia, tha se e ka studiuar kulturën shqiptare dhe ndihet i lumtur që shpesh viziton Republikën e Kosovës, për të thelluar më shumë studimet dhe punën kërkimore të tij. Ai së bashku me z. Altimari, do të marrin pjesë në Seminarin e 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, thuhet në njoftim.

Profesori Savoia ka mbi 40 vite që merret me studimet mbi shqipen dhe arbërishten. Studime të tij janë botuar edhe nga Akademia e Shkencave të Kosovës e të njëjtat prezantohen kudo ku dëshmohet lashtësia dhe lidhja e shqipes me gjuhët e vjetra. Ndërsa z. Altimari është studiues dhe profesor i shqipes dhe letërsisë në Universitetin e Kalabrisë që prej vitit 1992, si dhe ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Napolit, Universitetin e Lecce-s, Universitetin e Triestes dhe Universitetin e Milano-Cattolica.

Poezia e Andon Zako Çajupi për shkrimtarin e madh Naim Frashëri

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Naim Frasheri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqiperi!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni

shqipetarka, shqipetare!

Naimne kur ta kujtoni,

mos pushoni duke qare!

…………………………….

Vdiq Naimi, gjithè thone,

qani turq, qani kaure!

Bilbil’ i gjuhese tone

s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi

trimërinë, Skënderbenë,

vdiq Naimi, qe lëvdoi

dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

o moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,

pse more të tillë burrë?

I ndritë shpirti për jetë,

mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

Kalaja e Porto Palermos atraksion turistik për të huajt

Kalaja mbi 200-vjeçare e Ali Pashës në Porto Palermo është atraksion turistik, dhe oaz qetësie për vizitorët e huaj.

Kalaja trekëndore unike, për llojin e saj të arkitekturës pret cdo ditë pushues të huaj , disa prej tyre të panjohur me historinë e saj e të tjerë nga kureshtja e historisë së dashurisë mes Pashait të Janinës e Vasiliqisë.

“Përshtypjet për kalanë janë shumë të mira, pamje e bukur, epoke e bukur ne histori me çfarë lexova nga ato që ishin shkruar në tabelën informuese, tani di për atë periudhe, di që është ndërtuar për dashurinë dhe kjo është mbresëlënëse. Kjo kala duket shumë e fortë dhe e pamposhtur”, thotw njw turist.

Për këtë turist francez nga arkitektura dhe emocionet qe përcjell kalaja e dashurisë, nuk ka një tjetër simotër. Ndërsa në Shqipëri arsyeja e udhëtimit është të mësoj më shumë mbi historinë.

“Erdhëm të vizitonim kalanë e Ali Pashës, sepse ne e duam historinë e Shqipërisë. Ne në Francë nuk kemi një kala të tillë, kaq të fortë dhe kaq emocionale. Arkitektura është fantastike, e rrethuar me det, me ullinj është një vend shumë i mirë për ta vizituar. Kalaja duket intime, e larte, me driten që hyn nga pjesa e siperme e kalasë. Tani që po mesoj se Vasiliqia paska pasur një plazh të sajin, dua të shkoj prap lart në kala dhe të mësoj më shumë”, shprehet turisti.

Kalaja e quajtur në disa emra, tërheq përmes vendndodhjes, pamjes, e historisë që vjen e gjallë në ditët e sotme nga muret e gurta, që rrëfejnë histori të së shkuarës. Rreth 100 vizitorë në ditë kryesisht të huaj, vizitojnë Kalanë në Porto Palermo./euronews/ KultPlus.com

Presidenti Begaj apel ambasadorëve: Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën

Presidenti Bajram Begaj u kërkoi sot ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm të Shqipërisë të qëndrojnë afër shqiptarëve kudo ku ndodhen.

Në fjalën e tij në pritjen e organizuar për ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Shqipërisë, Begaj tha se “nuk ka fenomen më të papranueshëm se sa një ambasadë apo konsullatë që nuk është në shërbim të plotë e të përhershëm për qytetarët e vet”.

“Si një popull që tashmë shumicën e ka me banim e punë jashtë vendit, shërbimet tuaja duhet të mbeten gjithnjë të aksesueshme për qytetarët tanë”, tha Begaj.

Begaj u shprehu ambasadorëve dhe konsujve mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e tyre të palodhur për të përfaqësuar Shqipërinë me nder e dinjitet.

“Falë angazhimit tuaj, ne kemi arritur të forcojmë pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare, si dhe të promovojmë interesat kombëtare në mënyrë më efektive”, tha Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh se “takimi i sotëm zhvillohet në kuadër të konferencës suaj të ambasadorëve. Me sa jam informuar, punimet kanë qenë të frytshme dhe besoj se keni projektuar një të ardhme në nivel me pritshmëritë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të kohës ku jetojmë”.

“E them këtë, – vijoi Begaj, – sepse brenda pak vitesh bota ka pësuar ndryshime rrënjësore.”

“Besoj e kemi ende të freskët kujtimin kur globalizimi ishte kryefjalë e ditës. Marrëdhëniet shumëpalëshe, ose multilateralizmi, qëndronin në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare. Teknologjia e informacionit e lehtësoi ndjeshëm punën, njerëzit komunikonin më lehtësisht dhe mediat sociale u bënë instrument kryesor për ndërlidhjen e tyre. Investimet më të mëdha ishin kryesisht në teknologji, tregti e sipërmarrje. Bota ishte e ndërlidhur aq natyrshëm, sa diplomacia duhet të rishpikte veten. Ndryshe, diplomatët tradicionalë rrezikonin të ktheheshin në relike. Pakkush e parashikoi ndryshimin që do të pasonte”, nënvizoi Begaj.

Më tej Begaj tha se “skena botërore, deri dje e bashkuar, sot po përjeton uljen e perdes së harruar të hekurt. Multilateralizimi ka marrë goditje të njëpasnjëshme. Globalizimi është krisur nën trysninë e forcave rajonale. Teknologjia tregoi anën e saj të errët teksa filloi të përdorej edhe për qëllime negative, si përhapja e informacioneve të rreme dhe influencimi i zgjedhjeve demokratike. Për më tepër, çështje të mprehta si pabarazia shoqërore, siguria kibernetike, shpopullimi, ndryshimet klimatike dhe lindja e inteligjencës artificiale e kanë bërë edhe më të ndërlikuar gjetjen e zgjidhjeve”.

Begaj u shpreh se “agresioni rus kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka. Në Evropë u rikthye lufta për herë të parë që prej 1945-ës. Po kështu, në Lindjen e Mesme, pas një periudhe relativisht të qetë, u riaktivizua konflikti Izrael-Hamas, duke rrezikuar seriozisht të zgjerohet”.

Gjeopolitika u kthye në skenë, vijoi Begaj, e bashkë me të edhe roli i pazëvendësueshëm i diplomacisë dhe i diplomatit, sepse lufta bëhet nga ushtarë, por paqja nga diplomatë.

“Roli juaj si diplomatë lidhet me ekspertizën tuaj. Në botën moderne ka shumë aktorë që merren me politikë të jashtme, por vetëm ju ushtroni diplomacinë. Përdoreni si duhet këtë epërsi”, iu drejtua Begaj ambasadorëve dhe konsujve.

Sot, vijoi Begaj, është sfiduese të bësh diplomatin proaktiv, modern në teknologji, por tradicional në këmbënguljen për realizimin e objektivave strategjike në shërbim të interesit kombëtar.

“Rreziku që vjen nga inercia apo letargjia profesionale është real dhe i dëmshëm jo vetëm për ju profesionalisht, por edhe për vendin. Ky është një profesion që kërkon zell, përkushtim dhe, mbi të gjitha, dashuri për profesionin, Shqipërinë dhe shqiptarinë. Shqipëria nuk është më ajo e 30 vjetëve më parë. Shqipëria gëzon prestigj dhe një vend të merituar në arenën ndërkombëtare. Vendi ynë tregoi pjekurinë gjatë kryesimit të OSBE-së dhe gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Bashkëpenëmbajtja me aleatin tonë strategjik, SHBA-në, për Ukrainën për çështjen e paqes dhe sigurisë, ishte kulmimi i maturimit të politikës sonë të jashtme. Jam i bindur se bazuar në këto arritje diplomacia jonë do të jetë e aftë të ecë me hapin e politikës sonë të jashtme. Ndërtoni mbi sukseset e mëparshme”, tha Begaj.

Duke folur për rajonin, Begaj theksoi se “situata e paqes dhe sigurisë rajonale apo globale mbetet fluide, por interesat tona kombëtare, partneritetet strategjike, roli si vend anëtar i NATO-s apo objektivi i anëtarësimit në BE mbeten të pandryshuara, si shtyllat kryesore të politikës sonë të jashtme dhe aksionit tonë diplomatik. Rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku shqiptarët kanë një zë të fuqishëm dhe rol vendimmarrës, mbetet realiteti politiko-ekonomiko-shoqëror, ku diplomacia shqiptare duhet të thotë fjalën e vet me gjithë fuqinë e mundshme dhe me argumentet bindëse për të garantuar të ardhmen euroatlantike të kësaj pjese të shqiptarisë”.

Presidenti Begaj theksoi veçanërisht rolin aktiv që duhet të vazhdojë të luajë diplomacia jonë në marrëdhënie me Kosovën.

“Kosova nuk duhet të mbetet si një talking point e përsëritur, por duhet të jetë pjesë integrale e aksionit tonë diplomatik. Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështetet kurdo e kudo, në çdo rrethanë apo situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë e rajonale, si dhe për njohje të reja të saj”, tha Begaj./ atsh/ KultPlus.com

‘Dikush mund të jetë mjeshtër i asaj që bën, por kurrë i asaj që ndjen’

Thënie nga Gustave Flaubert:

Dikush mund të jetë mjeshtër i asaj që bën, por kurrë i asaj që ndjen.

Mos lexoni, siç bëjnë fëmijët, për t’u argëtuar, ose si ambiciozët, me qëllim mësimi. Jo, lexoni për të jetuar.

Jini të qëndrueshëm dhe të rregulluar mirë në jetën tuaj në mënyrë që të jeni të ashpër dhe origjinal në punën tuaj.

Nuk ka asnjë grimcë të jetës që nuk mban poezi brenda saj.

Zemra, ashtu si stomaku, dëshiron një dietë të larmishme.

Fjalimi njerëzor është si një kazan i plasaritur mbi të cilin ne krijojmë; ritmet e vrazhda për arinjtë për të kërcyer, ndërsa ne dëshirojmë të bëjmë muzikë që do të shkrijë yjet.

Të udhëtuarit e bën njeriun modest. E shihni se çfarë vendi të vogël zini në botë.

Ajo donte të vdiste, por gjithashtu donte të jetonte në Paris.

Dyshimi… është një sëmundje që vjen nga dija dhe çon në çmenduri.

Eshtë e vështirë të komunikosh diçka saktësisht dhe kjo është arsyeja pse marrëdhëniet e përsosura mes njerëzve janë të vështira për t’u gjetur.

Jam irrituar nga shkrimet e mia. Unë jam si një violinist veshi i të cilit është i vërtetë, por gishtat e të cilit refuzojnë të riprodhojnë saktësisht tingullin që dëgjon brenda.

Arti i të shkruarit është arti i zbulimit të asaj që besoni.

Një pafundësi pasioni mund të përmbahet në një minutë, si një turmë në një hapësirë ​​të vogël.

Të jesh budalla, egoist dhe të kesh shëndet të mirë janë tre kërkesa për lumturinë, edhe pse nëse mungon marrëzia, gjithçka humbet.

Eshtë gjithmonë e trishtueshme të largohesh nga një vend në të cilin dihet se nuk do të ktheheni më. Të tilla janë melankolitë e udhëtimit: ndoshta ato janë një nga gjërat më shpërblyese në udhëtime.

Detyra e dikujt është të ndiejë atë që është e madhe, të çmojë të bukurën dhe të mos pranojë konvencionet e shoqërisë me poshtërimin që na imponon.

Nuk ka të vërtetë. Ka vetëm perceptim.

Kënaqësia gjendet së pari në pritje, më vonë në kujtesë.

Unë u përpoqa të zbuloja, në thashethemet e pyjeve dhe dallgëve, fjalë që njerëzit e tjerë nuk mund t’i dëgjonin dhe nxorra veshët për të dëgjuar zbulesën e harmonisë së tyre.

Marrëzia qëndron në dëshirën për të nxjerrë përfundime.

Ju duhet të shkruani për veten tuaj, mbi të gjitha. Kjo është shpresa juaj e vetme për të krijuar diçka të bukur.

Unë nuk besoj se lumturia është e mundur, por unë mendoj se qetësia është.

Por, në jetën e saj, asgjë nuk do të ndodhte. I tillë ishte vullneti i Zotit! E ardhmja ishte një korridor i errët, dhe në skajin e largët dera ishte mbyllur.

Ajo do të kishte dashur të mos ishte gjallë, ose të ishte gjithmonë në gjumë.

Ne duhet të qeshim dhe të qajmë, të gëzojmë dhe të vuajmë, me një fjalë, të prekemi në kapacitetin tonë të plotë … Unë mendoj se kjo do të thotë të jesh vërtet njeri.

Trishtimi është një ves.

Sa më shumë që i afroheni pafundësisë, aq më thellë depërtoni në terror.

Pikërisht kur perënditë kishin pushuar së ekzistuari dhe Krishti ende nuk kishte ardhur, ishte një moment unik në histori, midis Ciceronit dhe Markus Aurelius, kur njeriu qëndronte vetëm.

Për të, universi nuk shtrihej përtej perimetrit të petkut të saj.

Ajo ishte aq e ngopur me të sa ai ishte lodhur prej saj. Ema kishte zbuluar në tradhëti bashkëshortore të gjithë banalitetin e martesës.

Mendimi është kënaqësia më e madhe – vetë kënaqësia është vetëm imagjinatë – a keni shijuar ndonjëherë diçka më shumë se ëndrrat tuaja?

Fjalitë duhet të trazojnë një libër si gjethet në një pyll, secila e dalluar nga secila pavarësisht nga ngjashmëria e tyre.

Të jesh i thjeshtë nuk është çështje e vogël.

Sipas mendimit tim, romancieri nuk ka të drejtë të shprehë mendimet e tij për gjërat e kësaj bote. Në krijimin, ai duhet të imitojë Zotin: të bëjë punën e tij dhe pastaj të heshtë.

I urrej heronjtë e zakonshëm dhe ndjenjat e moderuara, ato që ekzistojnë në jetën reale.

Askush nuk duhet të shikojë humnerën, sepse në fund ka një bukuri të pashprehshme që na tërheq.

Ema nuk ishte në gjumë, ajo pretendonte se ishte në gjumë; dhe, ndërsa ai po flinte në anën e saj, ajo u zgjua, duke ëndërruar ëndrra të tjera./ KultPlus.com

Admirali Munsch takon Kurtin, bisedojnë për sigurinë dhe dialogun Kosovë-Serbi

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali amerikan Stuart B. Munsch, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.

Në një postim në profilin zyrtar të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X.

“Admirali Stuart Munsch u takua me z. Kurti në Prishtinë, për të diskutuar mbi aktivitetet e KFOR-it për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet” Kosovës dhe Serbisë, është thënë në njoftim.

Për dallim nga Kurti, presidentja Vjosa Osmani nuk ka mundur të takohet me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admiralin amerikan Stuart B. Munsch.

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, për Klankosova.tv ka pohuar se presidentja është e prekur me grip sezonal dhe se takimin e paralajmëruar me Admiralin Munsch e pati të pamundur ta zhvillojë.

“Takimi në mes të Presidentes Osmani dhe Admiralit Munsch ka qenë i konfirmuar për sot në orën 15:00, por nuk do të mund të realizohet sot për shkak se Presidentja e kishte të pamundur të dalë në zyrë shkaku i një virusi sezonal”.

“Presidentja ka biseduar me Admiralin Munch nëpërmjet telefonit dhe do të takohet me të së shpejti në njërin nga udhëtimet e radhës”, ka thënë Kupina.

Admirali amerikan Stuart B. Munsch, po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ai është pritur nga komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ndërsa lajmi për këtë takim u bë i ditur nga misioni KFOR-i.

“Ulutash ilustroi aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe mbështetjen e saj për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë”, thuhet në njoftimin e postuar në llogarinë e KFOR-it në Facebook.

Ndërkaq, në llogarinë e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X, u tha se në takimin Munsch – Ulutash, “diskutimet u fokusuan në përkushtimin e KFOR-it për stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Fragment nga romani ‘SHITËSI’ i autorit Andrin Aliu

Nga Andrin Aliu

‘SHITËSI’

-A do të thotë kjo se shoqëria ndërmjet njerëzve qenka e përkohshme? – fola unë, pasi zonja Fazile nuk vazhdoi më gjatë.

-Nuk e mbarova, – u përgjigj ajo. – Kam ende për të thënë.

-Në rregull. Mund të vazhdosh.

-Natyrisht, ekziston edhe shoqëria e përjetshme, e cila arrin t’u rezistojë furtunave të kohës, për një shkak që është vetë domethënia e pakapërcyeshme e saj: kjo shoqëri ka një qëllim të përbashkët. Nuk ka rëndësi nëse je psikolog, filozof, aktor apo shkrimtar. Të gjithë bashkohen rreth asaj që ata duan ta realizojnë. Madje janë të gatshëm edhe të flijohen në përmbushjen e qëllimit të tyre. Kjo shoqëri është e ndërtuar mbi besën e dhënë se përkundër gjithckaje, do të qëndrojë e pathyeshme. Atë e përbëjnë shokët me karakter të hekurt dhe të sprovuar, që kanë hequr dorë nga vetvetja, por jo edhe nga qëllimi. Quhet e përjetshme , ngaqë përpjekja është kësisoj. Këta shokë janë të zhveshur nga interesi individual dhe janë betuar që halli i njërit shok, do të jetë edhe halli edhe halli i të tjerëve. E mira dhe e keqja, trishtimi dhe gëzimi, vuajtja dhe lumturia, sipas tyre s’mund të peshojnë vetëm mbi supet e njërit shok, por do të peshojnë barabartë mbi supet e të gjithëve. Përvec qëllimit, të përbashkëta do t’i kenë edhe ditët e panumërta që i presin solemnisht në vargun e gjatë të pështjellimeve jetësore. Do të hanë dhe do të pinë të pandarë; do të enden si një grup turistësh në qytetin ku kanë lindur dhe s’kanë ndërmend ta braktisin kurrë; do të dremitin mbrëmjeve në shtëpinë e madhe të shokut fatlum; do të zgjohen të nesërmen ende pa zbardhur mëngjesi dhe do të vrapojnë rrugëve të boshatisura, me vrullin e kënaqësisë së përhershme rinore; do të ëndërrojnë për atë që s’është dhe që një ditë doemos do të bëhet; do të shkelin me këmbët zbathur në tokën e qullur nga shiu veror; do të bërtasin gjer në kupë të qiellit, duke i riprodhuar shpesh e më shpesh frazat magjike të besnikërisë së ciltër e të betonuar ndërmjet tyre; do të qeshin dhe do të qajnë si të marrë nga ndjenjat e përziera shpirtërore të mposhtjes dhe të ngadhënjimit; do të tranden prej pafuqisë njerëzore për t’i ndryshuar rregullat absurde të mendjeve mediokre; do të mallkojnë pasditet e ngrysura dhe do të urojnë ato vezulluese; do të vdesin së bashku, kur casti vendimtar do t’iu troket në derën e mynxyrës së llahtarshme. Me sy të mbyllur do të treten në shkulmat e harresës së përbotshme, për të mos kujtuar më askush se c’kohë e pështirë i përpiu pamëshirshëm në llurbëtirën e vet.

Një pikë loti i rrëshqiti nga cepi i syrit të majtë dhe përshkoi ethshëm faqen e saj të bardhë. Instinktivisht e fshiu këtë pikë me mollëzën e gishtit të vogël, ndërsa dukej se po luftonte brenda vetes, për të vënë nën kontroll shpërthimin tinëzar të emocioneve.

-Shoqëria e përjetshme! – thashë unë, i kapluar nga keqardhja për zonjën Fazile.

-Do të mbetet përherë kështu: e përjetshme, – ma ktheu ajo, tejet e vendosur.

-Duhet të jeni me fat që miqësia mes jush dhe xhaxhit Mursel ka arritur t’i mbijetojë pengesave të kohës.

Tundi kokën në shenjë pohimi dhe nxori një buzëqeshje të lehtë.

-A të shëtisim sërish? – më pyeti krejt papritur.

-Ku dëshironi të shkojmë?

-Nuk ka rëndësi, – tha e shpërqendruar. – Mjafton të ecim rrugicave, sic bemë më parë./ KultPlus.com

Në kuadër të manifestmit tradicional ‘Drita e Gonxhës’, biblioteka ‘Hivzi Sylejmani’ promovon katër botime për Shën Nënë Terezën

Sot, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani“, në kuadër të manifestmit tradicional kulturor – shkencor ”Drita e Gonxhës “ u promovuan katër botime kushtuar Shën Nënë Terezës, si dhe është hapur ekspozita me fotografi nga rrugëtimi i saj jetësor.

Librat e promvuar sot janë: “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, e autorit Dom Lish Gjergji, ”Gjon Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamenti për studimne trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”, e autorëve Anton Nikë Berisha dhe Skender Asani si dhe numri i tretë i revistës “Drita e Gonxhës”.

Drejtoresha e bibliotekës Naime Beqiraj, duke ju drejtuar të pranishmëve foli për frymëzimtarinë e figurës së Nënës Tereze.

Kurse, drejtoresha për Kulturë e Komunës së Prishtinës Sibel Halimi u ndal te forca e dashurisë dhe sa e rëndësishme është empatia për njeriun.

“Në një kohë, kur bota po zë n’thua dhe po e humbë arsyen, mendimi për Nënën Terezë na rikthen në rrugën e paqes dhe të drejtës si vlerat më sublime të shoqërisë sonë. Ajo ishte një luftëtare e vërtetë për njerëzit e braktisur nga atdhetë, fetë dhe kombet e tyre. Me punën dhe veprën e saj, frymëzoi miliona njerëz në mbarë botën”, ka thënë drejtoresha Halimi.

Për librat që u promovuan folën Don Lush Gjergji dhe Emin Azemi.

“E veçanta e këtyre titujve, është sepse secili prej tyre ngërthen nga një fabulë dhe përmbajtje të veçantë, me ngjarje e protagonistë gjithashtu të veçantë. Ndërkaq e përbashkëta e këtyre botimeve është sepse të gjitha kanë një kryepersonazh në qendër, Gonxhe Bojaxhiun – Nënën Tereze, e cila ka intriguar vëmendjen e autorëve, me famën dhe bëmat e saj”.

Kryeredaktori i revistës “Drita e Gonxhës”, publicisti Emin Azemiu u ndal tek rëndësia e kësaj reviste me shkoqitjen tematike e përmbajtësore të saj. Në vazhdim ai paraqiti edhe disa vlerësime edhe për librin “Si dhe pse lindi Departamenti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”.

Kurse Dom Lush Gjergji i cili foli në cilësinë e autorit të librit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”. Ai elaboroi telegrafikisht tërësinë përmbajtësore të këtij libri dhe u angazhua që figura e Nënës Tereze të jetë vazhdimisht e pranishme në jetën tonë publike e kulturore.

Në tribunë diskutuan edhe të ftuar e të pranishëm të tjerë me ç’rast, secili prej tyre shprehu vlerën e patjetërsueshme të nobelistes shqiptare duke përfshirë edhe Gjon Antonin – familjar Nënës Terezë nga të dy prindërit duke sjellë para të pranishmëve kujtesë nga takimet me Nënën Tereze ku i fundit ishte në Romë – tre muaj para se të ndërronte jetë nobelistja shqiptare.

Gjithashtu, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” u hap ekspozita me fotografi nga rrugtimi jetësor i Nënës Tereze e cila do të qëndrojë e hapur 10 ditë./ KultPlus.com

‘Të jesh i pavarur nga opinioni publik është kushti i parë për të arritur ndonjë gjë të madhe’

Thënie nga Georg Wilhelm Friedrich Hegel:

Pasi të jetë themeluar shteti, nuk mund të ketë më asnjë trim. Ata vijnë në skenë vetëm në kushte të paqytetëruara.
Asgjë e madhe në botë nuk u arrit pa pasion.
Historia na mëson se ne nuk mësojmë nga historia.
Të jesh i pavarur nga opinioni publik është kushti i parë për të arritur ndonjë gjë të madhe.
Natyra njerëzore është që t’i shtyjë njerëzit në dakordësi me njëri tjetrin, dhe ekzistenca e njerëzimit varet nga përbashkimi i vetëdijes që e ka krijuar.
Tragjeditë e mirëfillta në botë nuk janë konflikte midis së drejtës dhe së gabuarës. Ato janë konflikte midis dy të drejtave.
Ajo që na mëson përvoja dhe historia është se njerëzit dhe qeveritë nuk kanë mësuar kurrë asgjë nga historia, ose kanë vepruar sipas parimeve të nxjerra prej saj.
E vërteta nuk gjendet as në tezë dhe as në antitezë, por në një sintezë emergjente e cila i pajton të dyja.
E keqja qëndron në vetë shikuesin që e percepton të Keqin rreth vetes.
Vetëm një burrë më ka kuptuar njëherë, kur ai tha se nuk më ka kuptuar.
Edukimi është arti për ta bërë njeriun etik.
Vetëm duke rrezikuar jetën fitohet liria; . . . individi që nuk ka dhënë jetën e tij ose të saj, pa dyshim, mund të njihet si Person; por ai ose ajo nuk e ka arritur të vërtetën e kësaj njohjeje si një vetëdije e pavarur.
Trimëria që lufton është më e mirë se dobësia që duron.
Kur përmendet liria, ne gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm për të vëzhguar nëse nuk është futja e interesave private që përcaktohet në këtë mënyrë.
Shumë e drejtë për t’u adhuruar, shumë hyjnore për t’u dashur.
Bufi i Minervës fillon fluturimin e saj vetëm me ardhjen e muzgut.
Njerëzit të cilët janë tepër të shpejtë në drejtim të fundit nuk e arrijnë kurrë realitetin, por zgjaten në abstraksion dhe drita e tyre vdes.
Një ide është gjithmonë një përgjithësim, dhe përgjithësimi është një veti e të menduarit. Të përgjithësosh do të thotë të mendosh.
Amerika është pra vendi i së ardhmes, ku, në epokat që shtrihen para nesh, barra e Historisë së Botës do të zbulojë vetveten.
Historia nuk është toka në të cilën rritet lumturia. Periudhat e lumturisë në të janë faqet bosh të historisë.
Arti nuk e zbulon thjesht Zotin: ai është një nga mënyrat me të cilat Zoti zbulon, dhe kështu aktualizon veten e tij.
Historia në përgjithësi është pra zhvillimi i Shpirtit në Kohë, pasi Natyra është zhvillimi i Idesë është Hapësirë.
Gjatësia e udhëtimit duhet të përballohet, sepse çdo moment është i nevojshëm.
Leximi i gazetës së mëngjesit është lutja e mëngjesit të realistit. Dikush orienton qëndrimin e tij ndaj botës ose nga Zoti ose nga ajo që është bota. E para jep po aq siguri sa e dyta, në atë që di se si qëndron.
Ajo që është e arsyeshme është reale; ajo që është reale është e arsyeshme.
Anti-njeriu, thjesht kafsha, konsiston në qëndrimin brenda sferës së ndjenjës dhe të qenit në gjendje të komunikojë vetëm në atë nivel.
Shpallja e paqes dhe dashurisë pa angazhim praktik ose institucional është mashtrim, jo ​​virtyt.
Të menduarit është, në të vërtetë, në thelb mohimi i asaj që është para nesh.
Njerëzit e pashkolluar kënaqen me argumentin dhe gjetjen e gabimeve, sepse është e lehtë të gjesh faj, por është e vështirë të njohësh të mirën dhe domosdoshmërinë e saj të brendshme.
Çdo vetëdije ndjek vdekjen e tjetrit.
Eshtë më lehtë të zbulosh një mungesë tek individët, në shtetet dhe në Providencën, sesa të shohësh peshën dhe vlerën e tyre reale.
Ligësia qëndron gjithashtu edhe në vështrimin që e percepton veten të pafajshëm dhe të rrethuar nga ligësia.

Ministrja Nagavci: Mbi 194 mijë prindër aplikuan deri më tani për subvencionim të librave

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka bërë të ditur se është duke vazhduar subvencionimi për tekste dhe materiale shkollore.

Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se deri tani kanë aplikuar gjithsej 194.180 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.

“Ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 171.200 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar edhe sot. Çdo rast i adresuar në numrin e telefonit dhe në email adresën [email protected] është trajtuar me prioritet dhe u është ofruar ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve”.

“Ashtu siç e kemi thënë, asnjë nxënës nuk do të mbetet pa tekste shkollore dhe si asnjëherë më parë gjithçka është gati për fillimin me kohë e të mbarë të vitit shkollor”, ka thënë Nagavci.

Rruga e re turistike drejt parkut arkeologjik të Bylisit, nxitje zhvillimit të zonës

I shtrirë në kodrat e Mallakstrës, si një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit ilir, Bylisi, tashmë më afër vizitorëve vendas dhe të huaj, pas rikonstruksionit të aksit rrugor “Parku Arkeologjik Bylis – Levan – Tepelenë”.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndau në rrjete sociale, pamje të zonës ku shihet peizazhi i mrekullueshëm i bukurive natyrore që ndërthuren në këtë rajon dhe investimi në aksin rrugor që e bën më të prekshme këtë aset historiko- turistik, nga vizitorët dhe turistët.

Rikonstruksioni i rrugës “Parku Arkeologjik Bylis – Levan – Tepelenë”, është financuar nga Qeveria Shqiptare përmes një kredie nga BERZH, në kuadër të projektit të turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri.

Projekti i rrugës është realizuar bazuar në studime gjeologjike e mjedisore si dhe është bashkëpunuar dhe me përfaqësues të Parkut Arkeologjik Bylis, në mënyrë që të evitohet çdo impakt i mundshëm negativ në zonat me rëndësi për trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë.

Parku Arkeologjik i Bylisit, një thesar i fshehur në gjirin e Mallakastrës, ofron një pamje të mrekullueshme të historisë dhe kulturës së lashtë ilire.

Ky destinacion është një magnet për turistët që janë të interesuar për të zbuluar thesarin e pasur të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë.

Në hyrje të parkut, vizitorët përballen me një peizazh të shkëlqyer natyror, me kodra të gjelbëruara që rrethojnë vendin. Në horizont, pamjet e rrënojave të lashta bëjnë që zemra të dridhet me emocion.

Kjo zonë është një muze i hapur nën qiell, që ofron një udhëtim emocionues nëpër kohë për të zbuluar pasurinë e lashtë të Bylisit.

Në brendësi të parkut, vizitorët ndeshen me strukturat e mrekullueshme të qytetit ilir të Bylisit. Ndër të tjera, një pamje e mahnitshme është amfiteatri i lashtë që ngrihet përpara tyre. Ky amfiteatër i lashtë ka një pamje impresionuese, duke u ngritur midis kështjellës së shkëlqyer dhe fushës së hapur. Kur shikon përgjatë mureve të tij të lashta, ndihesh i kapur nga ndjenja e përjetshme e historisë.

Përtej amfiteatrit, ruajtjen e mrekullueshme të strukturave të tjera arkitekturore të qytetit të vjetër ilir bëjnë të qartë që Bylisi ishte një qendër e rëndësishme në periudhën antike.

Rrënojat e tempujve dhe të banesave janë një dëshmi e fuqisë dhe kulturës së këtij qytetërimi të lashtë. Duke shkuar më tej në brendësi të parkut, vizitorët zhyten në historinë e lashtë të qytetit. Pikturat murale dhe skulpturat e zbuluara në vendngjarje tregojnë historinë e përvitshme të jetës dhe kulturës së popullsisë së lashtë ilire.

Pamjet e mrekullueshme të Parkut Arkeologjik të Bylisit nuk janë vetëm një shfaqje e këndshme për sytë, por ato shpalosin thellësinë e një trashëgimie të pasur historike dhe kulturore. Në këtë mjedis të pazakontë, vizitorët ndihen të lidhur ngushtë me kohën dhe historinë, duke bërë që kjo përvojë të jetë një udhëtim i paharrueshëm nëpër epokat e lashta të Shqipërisë.

Shqipëria gati për të qenë qendra e promovimit global të turizmit 2025

CEO i “MESSE Berlin” Mario Tobias së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të ITB Berlin, Debora Rothe po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Tiranë, për të diskutuar mbi bashkëpunimin në promovimin e Shqipërisë si vendi i nderit i panairit “ITB Berlin” 2025.

Ekipi u prit nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, duke vijuar më tej takimet me kryeministrin Edi Rama dhe sektorin privat.

Ministrja Kumbaro, gjatë takimit ku morën pjesë gjithashtu operatorë turistikë dhe përfaqësues të Shqipërisë në panarin e Berlinit 2025, u shpreh se falë një pune shumë të gjatë dhe një komunikimi intensiv mes palëve, tashmë është avancuar në elementë e detaje që lidhen me programin e promovimit, brandimin e Berlinit me imazhin e Shqipërisë, stendën, ceremoninë e hapjes, etj.

“Mbas një pune njëvjeçare të një periudhe shumë intensive kemi avancuar me shumë elemente që kanë të bëjnë me vendin ku do të ndodhet stenda jonë që do të jetë shumë më e madhe, me programin, me cermoninë e hapjes, me mënyrën si do të brandohet Berlini, por edhe panairi me Shqipërinë. Është një punë intensive e bërë midis ekspertësh, midis ekipit të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe gjithë ekipit të ITB Berlin. Nuk lë pa theksuar që komunikikmet që kemi pasur me operatorët, qoftë të botës së promocionit apo turizmit, janë ushqimi me të cilin ne kemi ndërtuar deri tani mënyrën e prezantimit të Shqipërisë në Berlin”, tha ministrja Kumbaro,

CEO i Messe Berlin, Dr. Mario Tobias, u shpreh se Shqipëria është një vend në vëmendjen dhe kuriozitetin e mbarë botës duke shtuar se ITB do të mbështesë palën shqiptare për të realizuar pritshmëritë si vendi i nderit i “ITB Berlin” 2025.

“Ne jemi të etur për të mësuar pak më shumë për idetë tuaja dhe sigurisht t’ju mbështesim në mënyrën më të mirë në realizimin e qëllimeve tuaja. Besoj që do të jetë një sukses i madh për Shqipërinë, prandaj po presim me padurim”, u shpreh Tobias.

Programi i promovimit të Shqipërisë turistike do të kulmojë në mars përgjatë tre ditëve të ITB Berlin, platforma më e madhe e promovimit të turizmit që në vitin 2025 pritet të ketë mbi 100 mijë pjesëmarrës, me përfaqësimin e më shumë se 190 vendeve e rajoneve, 5.600 stendave ekspozuese dhe 3.500 përfaqësuesve mediatikë e blogerëve./atsh/KultPlus.com

“Bota jonë”, filmi përmbyllës i edicionit të 16-të të PriFest

Filmi përmbyllës i edicionit të sivjetmë është filmi ‘Bota jonë’ i regjisores dhe skenaristes së mirënjohur Luana Bajrami.

Filmi ‘Bota Jonë’ do të shfaqet në natën e fundit, para ndarjes së çmimeve, me datë 15 shtator nga ora 19:00.

‘Bota jonë’ është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Francës dhe trajton tema të rëndësishme si kërkimi për liri personale, miqësia, dhe sfidat e rritjes në një mjedis ku mundësitë janë të kufizuara.

Zoen dhe Volta, dy kushërira, të cilat vendosin ta braktisin fshatin dhe familjen për të studiuar në Prishtinë, por më shumë se kaq ato kërkojnë ta gjejnë veten dhe vendin të cilit i takojnë. Me njëra – tjetrën në krah, entuziaste e me ëndrra plot, ato marrin rrugën drejt Prishtinës. Megjithatë, ikja nga fshati e fillimet në Prishtinë për Zoen dhe Voltan nuk ishin edhe aq të lehta. Ky rrugëtim sa ambicioz, ishte edhe i vështirë e i shoqëruar me kriza e probleme të shumta shoqërore e ekonomike.

Regjia dhe skenari Luana Bajrami, producentë të filmit janë: Val Rahmani, Eric Toledano, Olivier Nakache, Nicolas Duval Adassovsky dhe Hervé Ruet.

Aktorët kryesorë; Albina Krasniqi, Elsa Mala, Don Shala, Aurora Ferati dhe Gani Rrahmani.

Ky është filmi i dytë i gjatë i Luana Bajramit dhe premierën botërore e pat vitin e kaluar në festivalin e Venecias. Filmi i saj i parë ‘Luaneshat e kodrës’ kishte premierën në festivalin e Cannes, si dhe fitoi dy çmime në PriFest 2021.

Edicioni i sivjetmë i PriFest do të mbahet prej 10 deri mw 15 shtator 2024./ KultPlus.com

Edicioni i dhjetë i ‘HapuFest’ fillon nesër, do të mbahen disa aktivitete

Edicioni i dhjetë i Festivalit i cili shndërron hapësirat publike, HapuFest, këtë vit do të mbahet nga data 28 deri më 31 gusht.

Gjatë këtyre tri ditëve do të mbahen aktivitete kulturore në kuadër të Festivalit, duke përfshirë përformancë koreografike për shtëpitë e të moshuarve e titulluar ‘Baladë’ nga Sauf Le Dimanche, Francë.

Vazhdohet me përformancat Eva Bubla (Hungari), Florent Glfier (Çeki), Electrico 28 (Spanjë), Donika Rudi (Kosovë, Belgjikë), 600 Highwaymen nga Nju Jork, ShBA do të prezantojnë “Mijëra mënyra: Një Asamble”, një analizë intime se sa të vegjël jemi përball forcave natyrore mahnitëse si dhe vartësisë tonë të ndërsjellë.

Gjithashtu më 31 gusht pjesë të aktiviteteve janë edhe Cristina Maldonodo (Çeki, Meksiko), Juan Ignacio tula (Francë, Argjentinë) dhe koncerti përmbyllës i edicionit të dhjetë në të cilin përformojnë grupi ZWADA.

HAPU fest, është një festival i cili tenton që hapësirat publike të kryeqytetit t’i shndërroj në hapësira të performancave artistike me artistë nga brenda e jashtë Kosovës./KultPlus.com

Iluzioni i vezëve 

Ilir Muharremi, kritik i artit  

Në zemër të një rrethi, si një tempull i heshtur, një televizor i vjetër mbart peshën e kohës, mbuluar nga vezët e thyera që derdhen ngadalë, si lotët e një kujtese të humbur.  

Gjurmët e të verdhës pikojnë mbi ekranin e ftohtë,  njollat e jetës sfidojnë atë që dikur ishte burim i imazheve të largëta, iluzione të pakapshme. Sislej Xhafa, me duar që lëvizin butësisht si në një rit të vjetër, thyen vezët një nga një, duke lëshuar në rrjedhë brishtësinë e jetës mbi xhamin e fortë.  

Krisja e çdo veze është një thirrje e padukshme, një përplasje e heshtur mes natyrës së gjallë dhe teknologjisë së vdekur. Shkallët përreth, të hijshme dhe të plota,  ngjyrosen nga gurët që i japin hije rrethit,  dhe në mes të kësaj simetrie të përsosur,  qëndron ky akt i vogël rebelimi,  një poezi e mbështjellë me kaosin e një gjesti të thjeshtë.

Rrjedha e së verdhës dhe e bardhës shkrin kufijtë e së ngrirës,  duke sjellë një ndjenjë gjallërie në një ekran të zymtë,  ku dikur ngjyrat shpërndaheshin si iluzione që na robëronin mendjen. Tani, vetëm piklat e vezës që rrëshqasin,  krijojnë një peizazh të ri — të çrregullt, të papërsosur, por të vërtetë. Në këtë kontrast të butë, ku teknologjia përkulet para natyrës,  poezia nuk gjendet në fjalë,  por në heshtjen që pason thyerjen,  në brishtësinë që sfidon çdo strukturë të ngrirë, duke na kujtuar se edhe ekrani më i fortë thyhet nën peshën e jetës së vërtetë./ KultPlus.com

“La Belle De L’Adriatique” me 120 turistë francezë ankorohet në Durrës

Anija turistike “La Belle De L’Adriatique” është ankoruar ditën e sotme në portin e Durrësit.

Autoriteti Portual i Durrësit bëri të ditur se 120 turistët francezë, pasagjerë në këtë anije do të vizitojnë Shqipërinë dhe do të njihen me sitet turistike të Durrësit, Tiranës e Beratit.

““La Belle De L’Adriatique”, vizitorja jonë besnike është rikthyer sot në Autoritetin Portual Durrës” me 120 turistë francezë që do të njihen me sitet turistike të Durrësit, Tiranës, Beratit, etj”, njoftoi APD.

Sezoni turistik vijon të sjellë flukse vizitorësh nga mbarë bota, të cilët zgjedhin transportin detar për të eksploruar vendin tone

Të gjithë operatorët portualë janë të angazhuar për të mirëpritur me qindra vizitorë çdo ditë.

Mbi 6.3 milionë të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë për ta vizituar gjatë 7 muajve të këtij viti, nga 5. 1 milionë që e vizituan atë në të njëjtën periudhë të një viti më parë./atsh/KultPlus.com

Lamtumirë

Poezi nga Lasgush Poradeci

Më del e zë pshon me të fshehtë,
Një brengë hije-rëndë mbi sy
Përbrenda në zemrën e shkretë
M’i shtje drejt-për-drejt që të dy.

E loti prej syve të tua
Rëngjethet valome perdhe:
M’ja ndjen vështrimin-bukur-pallua
Ti zemres greminen e re…

Po këngët qe sot më nuk janë,
Stolisen me mall në mërgim.
Përmbytur mjerimesh pa ana,
Ndrin Yll’ i të rriturit t’im./ KultPlus.com

Mësimet e dashurisë

(Përsiatje për librin e Don Lush Gjergjit, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, Drita dhe ITSHKSH, 2024)

Ndue Ukaj

Nënë Tereza është shkollë madhështore e dashurisë, pa një të dytë përreth, prandaj, një libër i ri për të, është një shteg që të ecim udhëve të reja e një dritare e re që të shohim pamje të reja; të mësojmë nga ky art i të jetuarit dhe nga kjo shkollë e provuar dashurisë njerëzore.

Don Lush Gjergji, si punëtor i palodhshëm kulturor e shpirtëror, tash e sa kohë, punon pareshtur që të çelë shtigje të reja drejt njohjes së Nënën Terezës, të hapë dritare të reja, që të soditet bukuria e jetës, përmes zemrës së Nënë Terezës.

Si biografi më i shquar i saj  e studiues i rëndësishëm, tash e sa vjet, ai e shpalos përmasën e dashurisë së pakufishme të Gonxhes sonë dhe na thërret, të mbjellim kopshtin tonë, me dashuri, ngaqë, siç thotë Nënë Tereza e na kujton autori i librit, “dashuria është mjekim për çdo sëmundje.”

Libri i porsa botuar, “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”, me shënimin domethënës, “Në e 45-vjetorit të dhënies së Çmimit Nobel për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 1979”, vjen përpara lexuesit si njëlloj navigator i përditësuar dhe e ndihmon atë që të hyjë në botën e madhe të shenjtëreshës shqiptare, duke shpalosë aspekte të rëndësishme të jetë së Shën Nënë Terezës:  botën shpirtërore, dashurinë për njeriun e Jezusin, aftësitë e saj për të zhvilluar dialog, lidhjen me kombin shqiptar, dëshmi që paraqitet në faqet e para, përmes testamentit që Nëna Tereza dha në Oslo, përpara botës, kur pohoi se ishte shqiptare, duke paralajmëruar kështu një përlindje të madhe kombëtare. Dhe 45-vjet pas, ky libër, përveç se aktualizon personalitetin shumëdimensional të Nënë Terezës, vjen mes nesh, edhe si një mësim i mirë kundër harresës.

Duke u nisë nga fakti empirik se mësimi më i mirë është mësimi nga njerëzit e mirë, libri i Don Lushit paraqet përpara lexuesit një njeri të mirë, me vepra e mësime praktike të mira, ku shtjellohen e përditësohen vlerat sublime: dashuria e cila rrezaton si shtylla kryesore e veprimtarisë së Nënës Terezë. Libri na tregon  se “mëkati më i madh është mungesa e dashurisë”  dhe duke na treguar këtë të vërtetë, na grish që të hyjmë në udhën e bukur të mësimeve të Nënë Terezës, të hyjmë në kopshtin e saj të magjishëm e të ushqehemi me vlera jetëdhënëse.

Don Lushi përmes këtij libri të bukur, me fotografi të bukura, e ri sjell portretin e shenjtores, vajzës që doli nga gjiri ynë e nga tokat tona, dhe në kohë trazimesh të mëdha globale, u nis në dhenat e huaja të Indisë, për t’u kthyer në vendin e saj, si nënë frymëzuese.

Dhe Don Lushi duke qenë bashkudhëtar i saj e njohësi më i përthelluar, porositë e Nënë Terezës, si mësime dobiprurëse, i  sjell mes nesh, që të galdojmë për bukuritë e jetës, sepse, thotë Nënë Tereza: “Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët edhe për ne, është flaka e dashurisë.”

Pra, Gonxhja, ajo vajza e re, që e donte poezinë e këngën, e këputur nga kopshti me lule i tokave të hershme dardane, që herët mbillet si lule diku në një vend të largët të botës, në një mjedis ku varfëria e mjerimi kishin vizatuar fytyrën më të shëmtuar, dhe nga ajo lule e vockël, u bë një kopsht madhështor, që sot lulëzon anë e kënd botës. Gonxhja, vajzë e re, që herët, braktisi hiret e vajzërisë, i dha një lamtumirë të pikëlluar nënës Drane e familjes dhe përmes dallgëve të forta të jetës, në shekullin e egërsisë, u kthye në nënë për gjithë njerëzimin; nënë për të gjitha kombet, gjuhët, fetë e shtresat sociale.

Ajo duke vepruar e duke e parë në secilën qenie njerëzore të mirën, i la botës testamentin madhështor të humanizmit; e mësoi njeriun që ta dojë jetën, ashtu siç është,  plotësisht, pa pretendime, siç bëri ajo përditë, me njerëz të uritur, të braktisur, të lënë pasdore, dhe me ta, krijoi simfoninë e shpresës, një himn të dashurisë e të solidaritet njerëzor.

Libri i Don Lushit është një aktualizim domethënës në rrethanat tona, sepse, siç thotë autori, jeta e saj “është një porosi në vazhdimësi për mbarë botën, sidomos për ne shqiptarët”, që të mësojmë se dashuria është mjekimi i çdo sëmundje dhe falja vlerë e epërme njerëzore, sidomos  në një kohë, kur duket sikur sillemi të trullosur përballë botës e vetvetes, në një kohë kur e kemi humbë aftësinë që të bisedojmë me botën e me njëri-tjetrin. Në këtë aspekt, libri e thërret lexuesin shqiptar, të mendojë udhën e gjatë që bëri kombi ynë, për të fituar lirinë, për çka, Nënë Tereza është shumë meritore, dëshmi kjo e pohuar nga udhëheqës botërorë.

Shën Nënë Tereze është e përbotshme, por neve si pakkujt na takon të bëhemi nxënës të kësaj shkolle, të mësojmë nga ajo e të marrim energji për të mirën tonë e të njerëzimit, e në ç’drejtim, ky libër ndihmon shumë.

Porositë e Nënë Terezës, këshillat e thjeshta prej nëne, janë vlera ushqyese për zemrën e mendjen njeriut, çdo herë e në çdo kohë, sepse burojnë nga një zemër e madhe e me përvoja të forta, nga një zemër që pati vend për të gjitha dhimbjet dhe gëzimet e botës. Ja një nga to: “Mos më thuaj se në botë ka luftë. Mos më thuaj se njerëzit veniten nga uria. Mos më thuaj se njerëzit vriten nga urrejtja. Mos më thuaj se njerëzit gërgasin dhe përndjekin njëri-tjetrin, por vetëm më thuaj: Ç’bën ti?“

Nëna Terezë, nuk vulviti flamuj ideologjikë, partiakë, shtetërorë, ajo jetoi e punoi nën flamurin e dashurisë njerëzore, atë flamur ia dhuroi botës, duke e bërë fuqinë e tij të rrezatojë kudo e kurdo, edhe nën rrebeshin e armëve, aty ku dora fuqisë së shkencës, e parasë dhe e politikës, nuk mund të depërtonte. Don Lush Gjergji këtë flamur e ka sjellë mes nesh dhe na pyet: ç’bën ti me të?

Dhe sot, në një ditë si kjo, tek kujtojmë lindjen e shenjtëreshës sonë dhe përurojmë librin e Don Lushit, si shkrimtar, më takon të them pak fjalë për profilin krijues të Nënë Terezës, sepse, ajo kishte një shpirt të madh krijues e artistik. Ajo ishte poete me mendim të thella, një krijuese, në kuptimin më të lartë të fjalës, që kënaqej me fuqinë e artit e të poezisë, dhe botës i la vargje magjepse e një filozofi mahnitëse.

Poezitë e saj mund të shërbejnë si ilaç për t’i kuruar vuajtët njerëzore, për t’i bërë ato më të përballueshme, për të mësuar nga jeta dhe njëkohësisht për t’iu gëzuar çdo momenti. Në këtë aspekt, siç thotë Papa Gjon Pali i Dytë te “Letra dërguar artistëve”, Nënë Tereza, na shfaqet edhe “një rojtare e së bukurës në botë.”

Po ashtu, lë të kujtojmë se Nëna Terezë, fal veprimtarisë së Don Lush Gjergjit është bërë pjesë e edukimit të një breznie të tërë, që na vitet nëntëdhjeta, kohë kjo e thyerjeve të mëdha dhe e transformimeve shpirtërore e politike. Asokohe, për ne që jetonim në Kosovë, filloi një kalvar i vërtetë i vuajtjeve, dhe ne, si nga një e çarë qiellore, shihnim një dritëz shprese, të një forcë të epërme, që na injektonte me besim. Ishte Nënë Tereza ajo që u shfaq mes nesh, me mësimet e buta e shpresëdhënëse, të Nënës, dhe siç thoshte presidenti ynë i papërsëritshëm, Ibrahim Rugova, ajo u bë “është engjëll i rojës për Kosovën dhe për popullin shqiptar.”

Libri i Don Lushit na ndihmon të ofrohemi me nënën tonë të dashurisë, na mundëson të udhëtojmë në jetën e saj, në historinë e familjes së saj, në kontekstin sociale e kulturor shqiptar, na tregon se “buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë” dhe si i tillë meriton të lexohet, për dashurinë që transmeton te lexuesi, për faktet e meditimet domethënëse rreth përmasës shpirtëror të shenjtës sonë, për gjuhën e rrjedhshme e të qartë me të cilën është shkruar, dhe para se gjithash, për dashurinë e pafund me të cilën Don Lush Gjergji i blatohet Shën Nënë Terezës dhe kombit të tij.

(Prishtinë, 26 gusht, 2024, në Akademinë Solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës,)/ KultPlus.com

Sibel Halimi: Lokacionet publike po shndërrohen në hapësira artistike e kulturore

Në lagjen Dardania një hapësirë publike nga mbrëmë është shndërruar në kinema verore, ku shumë të pranishëm shijuan kinemanë.

Sibel Halimi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës ka njoftuar për këtë nismë, e cila ka theksuar se kinemaja e hapur për fëmijë është një mundësi që të nxitë imagjinatën e tyre.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të Halimit.

Mbrëmë parku ishte i mbushur plot fëmijë, lumturia e të cilëve i jepte gjallëri tërë zonës.

Ndjenjë e mirë që lokacionet publike të kryeqytetit po shndërrohen në hapësira ideale për aktiviteteve artistike dhe kulturore.

Kinemaja e Hapur për Fëmijë është një mundësi e jashtëzakonshme që atyre t’u ofrohen filma që nxisin kureshtjen dhe imagjinatën e tyre, për mendim kritik./ KultPlus.com