Ka vdekur pionierja e karikaturës Luljeta Kujtim Goranci (1951-2025), dhe për vdekjen e saj është bërë e ditur nga faqja zyrtare e Galerisë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.
Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Luljeta Gorancit, karikaturistja e parë grua në Kosovë, një figurë e rëndësishme e arteve pamore në vend. Për më shumë se pesë dekada, ajo i kontribuoi skenës artistike me një praktikë multidisciplinare, duke i dhënë formë dhe ngjyrë realitetit ku vepronte, dhe zërit të grave përmes karikaturës, ilustrimit, qeramikës dhe pikturës. Lindur dhe rritur në Prizren, qytet që mbeti frymëzim i përhershëm për krijimtarinë e saj, Luljeta shprehej: “Prizreni është motivi im i përjetshëm. Sa herë mendon që e ke kapur tërësinë e tij, hapen edhe dhjetëra rrugë e motive të reja.”

Veprat e saj trajtojnë tematika feministe, politike dhe shoqërore, e përfshijnë edhe reagime të ndjeshme ndaj zhvillimeve globale si pandemia apo ngrohja klimatike ndër të tjera. Goranci ka ekspozuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Vojvodinë dhe më gjerë, duke prezantuar një praktikë që ishte përgjigje ndaj kohës dhe sfidave të saj.

Përveç kontributit të saj si artiste, Goranci ishte edhe një mentore dhe aktiviste e përkushtuar. Ajo mësoi vullnetarisht për shumë vite fëmijët me aftësi të veçanta, duke vepruar gjithmonë me frymën e Nënës Terezës, të cilën e kishte udhërrëfyese jetësore. Ajo besonte thellësisht se arti nuk duhet të ushqejë urrejtje, por të ngjallë tolerancë, dashuri dhe frymëzim.

Duke mos u ndalur së krijuari asnjëherë, Luljeta Goranci u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të çmuar kulturore e shpirtërore në kujtesën kolektive të një shoqërie që ajo e sfidoi dhe e preku përmes artit.

(1) Luljeta Goranci, Nëna Terezë, 2005. Qeramikë, 33 × 33 cm. Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës.
(2–5) Karikatura dhe shtojca shtypi nga arkivi personal i artistes, të dokumentuara gjatë një vizite në studion e saj në nëntor të vitit 2024 nga ekipi i Galerisë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com

