Presidentja Osmani: Ushtria e Kosovës është e gatshme t’i bashkohet ushtrive aleate të NATO’s

Presidentja Vjosa Osmani nga kazerma “Adem Jashari” në “Ditën e Forcës” tha se FSK-ja është e gatshme t’i bashkohet ushtrive aleate të NATO-s.

Ajo tha se forcat e Kosovës janë të trajnuara me standardet më të larta të NATO-s dhe se i kontribuon paqes në rajon.

“Forcat e Sigurisë japin kontribut për paqe e siguri në rajon, por edhe përtej, duke shërbyer së bashku me forcat amerikane, britanike dhe ushtritë tjera aleate nëpër vende të ndryshme të botës në misione paqeruajtëse dhe kështu duke e dëshmuar se tashmë është e gatshme t’i bashkohet ushtrive tjera aleate në Aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit, në NATO”.

Osmani tha se është derdhur shumë gjak që Kosova të ketë ushtrinë e saj, prandaj edhe ushtarët aktualë janë krenarë që mbajnë uniformën e FSK-së, për të cilën, sipas Osmanit, janë të gatshëm të japin edhe jetën nëse është e nevojshme.

“Sot dita e FSK-së dhe është ditë krenarie për secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Është ditë kur ne me shumë krenari kujtojmë sakrificën jashtëzakonisht të madhe të popullit tonë, të Ushtrisë tonë Çlirimtare për të ardhur deri në këtë ditë. Është derdhur shumë gjak në mënyrë që Kosova ta ketë ushtrinë e saj, prandaj jam i bindur që secili ushtar dhe secila ushtare e mban këtë uniformë me shumë krenari dhe është i gatshëm të japë edhe jetën për atdheun, në qoftë se është nevoja”.

Si Komandante Supreme, Osmani tha se çdo kund dhe në çdo cep të botës shihet se sa me admirim vlerësohen sukseset e kësaj ushtrie, prandaj jam jashtëzakonisht krenare me të.

Ajo tha se bashkë me kryeministrin Kurti dhe krerët e FSK-së angazhohen për mirëqenien e ushtarëve, për trajnimet dhe shkollimet shtesë të tyre “që ushtria jonë të arrijë maja më të larta”./Express/ KultPlus.com

Osmani dhe Kurti arrijnë në `Ditën e Forcës`

Presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti kanë arritur në ceremoninë e shënimit të Ditës së Forcës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ata janë duke vizituar ekspozimin e armëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Sot institucioni i sigurisë ka hapur dyert për qytetarët, në mënyrë që të shohin pajisjet ushtarake.

“Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes./rtk/KultPlus.com

Atleti do të vrapojë nga Prishtina në Tiranë, Rama: Shprehje e vërtetë e dashurisë dhe respektit ndaj flamurit kombëtar

Atleti kosovar, Erzen Zyberaj do të vrapoj nga Prishtina në Tiranë për të nderuar Festën e Flamurit Kombëtar.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i ka uruar rrugëtim të mbarë Erzenit i cili do të përshkojë një distancë prej 260km.

Rama është shprehur se ky vrapim është një shprehje e vërtetë e dashurisë dhe rrespektit ndaj flamurit kombëtar.

“Vrapim për Flamurin Kombëtar!
I urova rrugëtim të mbarë atletit të pasionuar Erzen Zyberaj, i cili do të vrapojë nga Prishtina në Tiranë, duke përshkuar një distancë prej 260 km, për të nderuar Festën e Flamurit Kombëtar!
Ky vrapim është një shprehje e vërtetë e dashurisë dhe respektit ndaj flamurit kombëtar.
Atleti ynë po bënë një udhëtim të shkëlqyer për të sjellë bashkë me vete frymën e pavarësisë dhe lavdisë që flamuri simbolizon”, shkruan Rama. / KultPlus.com

Nxënësja kroate mëson atë turke si të gatuaj flinë shqiptare

Këto ditë nxënësit e Shkollës Finlandeze në Kosovë kanë mirëpritur nxënësit nga dega e saj në Turqi, Shkolla Finlandeze në Çanakala ku kanë shkëmbyer metodologji të mësimdhënies por edhe në të njëjtën kohe kanë mësuar rreth kulturave të ndryshme finlandeze, turke, si dhe kosovare e shqiptare. Pasi kjo vizitë rastisi, në vigjilje të shënimit të 28 nëntorit, nxënësit e Shkollës Finlandeze kanë realizuar aktivitete të shumta rreth gërshetimit të kulturës shqiptare dhe traditat dhe ushqimet shqiptare po i shijojnë edhe nxënësit e huaj në Shkollën Finlandeze. 

Si pjesë e lëndës ekonomia shtëpiake, nxënësit po mësojnë se si të gatuajnë edhe ushqimet tradicionale shqiptare si flija. Njëra nga nxënëset e Shkollës Finlandeze me kombësi kroate tashmë ka mësuar gatimin e flisë dhe tani ajo po mëson një nxënëse nga Turqia. “Eshtë kënaqësi të mësojmë për traditat e kulturave të ndryshme, dhe kjo është mënyra më e mirë: përmes ushqimit,” tha Ema Vlahovic, nxënësja kroate në klasën e 7 në Shkollën Finlandeze. “Gatimi i saj është mjaft i lehtë dhe është shumë e shijshme,” thotë nxënësja nga Turqia teksa përgatit rendet e flisë. 

Me këtë rast nxënësit nga Turqia mësuan edhe më shumë rreth traditave dhe kulturës shqiptare dhe kosovare. Në Shkollën Finlandeze, nxënësit inkurajohen në mësimin e kulturave dhe traditave të njëri-tjetrit, duke ndikuar kështu në një frymë tolerante dhe miqësore mes nxënësve të kombësive të ndryshme dhe në krijim të një mentaliteti global.

Rreth Shkollës Finlandeze

Duke filluar nga kopshti e deri në edukimin në shkollën e mesme, Shkolla Finlandeze zbaton qasjen e veçantë finlandeze të bazuar në projekte dhe praktikë; Zhvillimit të kreativitetit përmes lojrave dhe metodave kreative; Avancimit në shkenca dhe matematikë përmes eksperimenteve praktike dhe zhvillimit të njohurive të avancuara në robotikë dhe kodim. Sot, modeli arsimor finlandez udhëheq në botë si sistemi më i mirë arsimor për shkak të dallimit nga modelet tradicionale të arsimit dhe aplikimit të teknologjive dhe metodologjive më të avancuara dhe moderne të arsimit. Inspiruar nga sistemi i arsimit finlandez, i cilësuar si “mrekulli e arsimit” nga Banka Botërore, Shkolla Finlandeze aplikon metodat më inovative dhe moderne të mësimdhënies në edukimin e nxënësve dhe rritjen e tyre intelektuale, emocionale, dhe shoqërore.

Me sistemin numër 1 në botë për edukim; me mësimdhënës të shkëlqyeshëm finlandez dhe ndërkombëtarë; me teknologji të avancuar dhe iPad edukativ për secilin nxënës; me mësimin e bazuar në fenomene e lojra, dhe jo vetëm lëndë; dhe me qasjen krejt ndryshe të të mësuarit dhe zhvillimit të shkathtësive të shekullit 21 tek fëmijët, Shkolla Finlandeze në Kosovë është shkolla ndërkombëtare më inovative në vend me sistemin arsimor më të avancuar në Kosovë.

Një përmallim vjeshte për nënën

Poezi nga Sali Bashota 

Nëna vjen prapë në Prishtinë
Me një copë qiell të vendlindjes
Me aromën e mollëve të verdha
Sytë i mbushen lot
Duke përtypur lutjen e pambaruar
Që t’i përshtatet klithjes së vet
Në të njëjtën pikë
Retë e zeza i lë në harresë
Si mallëngjimin e heshtjes
Nëna vjen në Prishtinë
Me të gjitha rrudhat në fytyrë
Duke fshehur ofshamën
Në shpirtin e saj
Kur vjen nëna në Prishtinë
Me vete e merr hijen e shtëpisë
Heshtja rri e vetmuar
Mbi krahët e erës së jugut
Vetëm një dhimbje nuk e harron
Te varri i babait tim 
Në Kodrën e Bashotëve
Asnjëherë nuk e harron
As shkrumbin e dorëshkrimeve të djegura
As vajin e fëmijëve të mi
Kur vjen nëna në Prishtinë
Me vete i merr të gjitha ëndrrat
Vetëm ëndrrën për Albumin e grisur
E lë në vend të sigurt
Derisa ta mësojë përmendsh 
Dhimbjen time të parë

( Prishtinë, 26 nëntor 2023)/KultPlus.com

Ndryshime në ligjin për librin, fond i dedikuar për pasurimin e bibliotekave publike

Ministria e Kulturës ka zhvilluar një konsultim publik me palët e interesit mbi disa ndryshime të propozuara në Ligjin për Librin në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë takim ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Piro Misha, drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, botues, autorë, përkthyes etj.

Ministrja ka theksuar se ndryshimet e propozuara kanë ardhur pas shumë konsultimesh dhe nga kërkesat e vazhdueshme për të rregulluar me ligj disa aspekte lidhur me funksionimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit duke specifikuar të drejtat dhe detyrimet e këtij institucioni.

Ndryshimet ligjore marrin në konsideratë pasurimin e bibliotekave publike duke nënvizuar që fondet e përvitshme dedikuar blerjes së titujve të rinj, në buxhetet e institucioneve të pushtetit vendor të mos tjetërsohen, por të përdoren vetëm për këtë qëllim.

Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe menaxhimi i kopjeve të detyrueshme të titujve të rinj që dorëzohen në Bibliotekën Kombëtare. Përmes këtij propozimi nga 5 kopje që entet botuese dorëzojnë, 2 shpërndahen në biblioteka publike.

Gjithashtu, do të reflektohet përmbushja e kërkesave të një kategorie lexuesish me aftësi ndryshe, çka përputhet dhe me qasjen me standardet e Bashkimit Europian./ atsh / KultPlus.com

‘Ta Zbardhi Ftyrën’ sonte live në RTK, sjell një natë magjepsëse me Elbenita Kajtazin

“Ta Zbardhi Ftyrën” tashmë si një ngjarje tradicionale e organizuar nga gazeta e parë online e kulturës në Kosovë, KultPlus, zhvillon nesër edicionin e saj të 6-të.

Pas pesë edicioneve të suksesshme, edhe kjo mbrëmje artistike do të vjen në formë të kompletuar, emocionuese dhe frymëzuese, sikurse që kanë sjell emocione të pashlyera edhe edicionet e mëhershme.

Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” do të jetë mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi, ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.

Sopranon Elbenita Kajtazi do ta shoqëroj pianistja franceze Camille Lemonnier, ndërsa me një pikë do të prezantohet edhe solistja Anna Krasniqi. Ndërsa për t’i dhënë madhështi kësaj mbrëmje, në skenë do të ngjitet edhe Kori i Fëmijëve “Okarina”.

“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet sot, më datë 27 Nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë) në Prishtinë. Kjo mbrëmje artistike ndahet në dy pjesë, bashkëbisedim dhe performancë, dhe pikërisht kjo ndërlidhje bën diferencën nga ngjarjet e tjera kulturore. Gjithashtu, për të gjithë ata që nuk kanë arritur të sigurojë vendin e tyre në këtë mbrëmje, KultPlus ka njoftuar se koncerti do të transmetohet live në Radio Televizionin e Kosovës.

Kujtojmë që në muajin gusht të këtij vitit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka dekoruar sopranon Elbenita Kajtazin me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës me motivacionin: “Për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore Shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës Shqiptare gjithandej nëpër botë”.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Teatri Kombëtar i Kosovës, AMC, Coca-Cola HBC Kosovo, Ujë Rugove, Frutomania, AgroCoop dhe sponsori medial RTK.  / KultPlus.com

Rama: Nxënësit e çerdheve dhe shkollave tona kanë bërë mrekulli me punimet e tyre për 28 Nëntorin

Festa e 28 Nëntorit tashmë ka nisur. Nxënësit e çerdheve dhe shkollave tona sot janë zgjuar kuq e zi. Me punime të mahnitshme e me program të pasur sot në të gjitha shkollat do të festohet kuq e zi, shkruan KultPlus.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ndarë sot me mëngjes disa pamje nga punimet e nxënësve nëpër shkollat e kryeqytetit duke u shprehur se nxënësit me duart e tyre të arta kanë bërë mrekulli.

“Nxënësit e çerdheve dhe shkollave tona me duart e tyre të arta kanë bërë mrekulli me punimet e tyre për 28 Nëntorin.

Nxënësit kanë përgatitur punime fantastike dhe shfaqje të mrekullueshme artistike për të shprehur dashurinë dhe respektin ndaj flamurit shqiptar.

S’ka më mirë se të nisësh ditën me talentët tanë të jashtëzakonshëm dhe me energjinë e tyre pozitive”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com

FSK bashkë me qytetarë feston “Ditën e Forcës”

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e “Ditës së Forcës”, sot, duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 13:00 organizojnë “Ditën e Hapur”.

Manifestimi qendror do të mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetëror, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë.

“Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes.

Po ashtu, të hënën nga ora 19:00 do të mbahet edhe koncerti i bendit frymor të FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës, që do të mbahet në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë.

Jashari uron ushtarët  e FSK-së për “Ditën e Forcës”

Me rastin e “Ditës së Forcës”, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i ka uruar, djemtë dhe vajzat në uniformë, duke ritheksuar se vetëm përmes përkushtimit dhe punës së palodhshme, mund të arrihen qëllimet e përbashkëta.

Në këtë ditë të rëndësishme, Jashari ka shprehur respektin e tij të sinqertë për të gjithë personelin ushtarak dhe civil të FSK-së.

“Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, përkushtimi juaj i palëkundur dhe puna juaj e palodhshme që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për ushtrinë dhe vendin tonë, meritojnë  falënderim të veçantë dhe mirënjohje të pafundme. Në këtë ditë të veçantë, le të reflektojmë së bashku në të kaluarën tonë dhe të nderojmë sakrificat e të gjithë atyre brezave të cilët janë meritoret më të mëdhenj të lirisë të cilën e gëzojmë sot”, ka shkruar gjeneral Jashari në urimin e tij.

Ai thotë me tej se “vetëm përmes përkushtimit dhe punës tuaj të palodhshme do të mund të arrijmë realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta”.

“Urime Dita e Ushtrisë për  ju, djem dhe vajza të shkëlqyer të ushtrisë sonë!”, shkruan gjeneral i FSK-së./ KultPlus.com

Shkodra e veshur kuqezi për festat e mëdha të shqiptarëve

Atmosfera kuqezi, jo vetëm në dekor, por edhe me shumë aktivitete do të përfshijë Shkodrën për festat e 28 dhe 29 Nëntorit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga qyteti i Shkodrës i stolisur kuq e zi për festën e Pavarësisë.

“Shkodra e veshur kuqezi për festat e mëdha të shqiptarëve”, shprehet Rama krahas video nga qyteti verior.

Bashkia Shkodër ka programuar zhvillimin e një sërë aktivitetesh në kuadër të festave të Nëntorit. / KultPlus.com

Bëhuni gati për nesër, ‘Ta Zbardhi Ftyrën’ sjell një natë magjepsëse me Elbenita Kajtazin

“Ta Zbardhi Ftyrën” tashmë si një ngjarje tradicionale e organizuar nga gazeta e parë dhe e vetme e Kulturës në Kosovë, KultPlus, zhvillon nesër edicionin e saj të 6-të.

Pas pesë edicioneve të suksesshme, edhe kjo mbrëmje artistike do të vjen në formë të kompletuar, emocionuese dhe frymëzuese, sikurse që kanë sjell emocione të pashlyera edhe edicionet e mëhershme.

Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” do të jetë mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.

Sopranon Elbenita Kajtazi do ta shoqëroj pianistja franceze Camille Lemonnier, ndërsa me një pikë do të prezantohet edhe solistja Anna Krasniqi. Ndërsa për t’i dhënë madhështi kësaj mbrëmje, në skenë do të ngjitet edhe Kori i Fëmijëve “Okarina”.

“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet më datë 27 Nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë) në Prishtinë. Kjo mbrëmje artistike ndahet në dy pjesë, bashkëbisedim dhe performancë, dhe pikërisht kjo ndërlidhje bën diferencën nga ngjarjet e tjera kulturore.

Kujtojmë që në muajin gusht të këtij vitit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka dekoruar sopranon Elbenita Kajtazin me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës me motivacionin: “Për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore Shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës Shqiptare gjithandej nëpër botë”.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Intelektualja shqiptare

Poezi nga Petraq Kolevica

O grua intelektuale shqiptare!
Sa himne mund të thuren për ty!
Poezia, piktura, muzika, simfonia,
nuk t’i këndojnë dot ato vetija
ty, që lexon e mëson duke larë e
shpëlarë, duke të qarë fëmia.
Ty, që jep provime, mbron tema,
doktorata, me orë të ngrëna nga nata.
Shpesh je shtrënguar librin ta mbash në
dorë, gjellën duke trazuar.
Mbete duke nxituar për të shkuar 
në punë, në Institut, në zyrë.
Herët zgjohesh po kohë s’ke, kur krihesh,
të shihesh në pasqyrë.
Nxiton të kthehesh në shtëpi, po rrugës
ndal e ble ç’arrin të gjesh.
Shpesh, tok me çantën lustrafin, mban
edhe rrjetën me presh…
Pa vimë ne pastaj, burrat e martuar,
të shkolluar,
kërkojmë këmishë të kollarisur,
kostum të varur në kremastar,
shaminë të hekurosur, palosur, vendosur në sirtar.
Po, kur s’i gjejmë kështu,
i varim buzët të inatosur dhe prej asaj
buze lëshojmë romuze.
Ti dëgjon e shkon kokulur e mbyllesh në banjë e qan
dhe para se të dalësh fytyrën lan, që të mos kuptohesh.
Ti kur të gjitha i mbaron, natën vonë, gjen qetësinë.
Ulesh në tavolinë e lexon, studion e shkruan referate
dhe veten e ndjen fajtore, kur ndonjë nate,
këputur nga lodhja, të mbërthen gjumi në divan…

Vjeshtë, 1980 /KultPlus.com

“Bashkëpunim në film e muzikë” ZKM jep detaje për bisedat e Kurtit me Rita Orën, Taika Waititin dhe aktoren Odessa Rae

Zyra e kryeministrit ka dhënë më shumë detaje për takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur të dielën me yllin botëror të muzikës , Rita Ora, bashkëshortin e saj Taika Waititin si dhe aktoren Odessa Rae.

Rita Ora e vizitoi vendlinjen në rastin e ditëlindjes së saj. Ajo vazhdimisht nëpër intervista në media ndërkombëtare ka përmendur Kosovën.

Siç ka njoftuar ZKM-ja në këtë takim është folur edhe për bashkëpunimet potenciale në fushën e muzikës dhe filmit, sidomos për mbështetje të artistëve kosovarë.

Më poshtë komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim artisten e mirënjohur nga Kosova, Rita Ora, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj regjisori Taika Waititi, si dhe aktorja e producentja Odessa Rae, të dy fitues të çmimeve Oscar, e po ashtu edhe nga babai i saj, Besnik Sahatçiu si dhe motra Elena Ora. I pranishëm në takim ishte dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Drejtorja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. 

Një e diel e veçantë, ku Rita Ora feston dhe ditëlindjen e saj të 33-të. Gjatë këtij takimi miqësor, ata folën për fushën e artit e kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e qeverisë për zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës.

U trajtuan dhe mundësitë e format e  bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj.

Kryeministri Kurti e cilësoi këtë të diele të këtij takimi të paharrueshme. Duke e uruar dhe për ditëlindjen e saj, ai tha se Rita Ora na bën krenarë të gjithëve, me punën e kontributin e saj.

Nga ana e saj, Rita Ora tha se kjo ishte një mënyrë e jashtëzakonshme për të kaluar këtë ditë të veçantë për të, si dhe veçoi ardhjen e saj në Kosovë sot si dhe takimin me Kryeministrin duke i quajtur frymëzues.

Ajo theksoi dëshirën për t’u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit. /KultPlus.com

‘1000 pranvera, e vera ia fala’ (VIDEO)

Këngëtarja nga Prishtina, Blertina Shabani edhe pse ishte e pranishme në skenën muzikore për një kohë të shkurtë, la disa këngë të cilat edhe sot e kësaj dite dëgjohen nga adhuruesit e muzikës së saj, dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Ajo tashmë prej vitesh është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka filluar një karrierë të re prej disenjatoreje.

”1000 pranvera” është ndër këngët më të njohura të këngëtares. E cila me një emocion e zërin e saj të fuqishëm i dha jetë tekstit të kësaj këngë.

Sot, KultPlus e sjell pikërisht këtë këngë, e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Si rrugicat bregdetare bukur nuk ka
sikur miku erdh korriku, dorë për dore na pa
është Dhërmija e Ulqini, s`ka rëndësi
kur takohen e dorëzohen dy shpirta të ri.
Puthja e parë e imja u bë e tija
e blertë sikur pranverë
e dyta shkoi zjarr e diell si verë.

REF:
1000 pranvera e vera e vera e vera ia fala (2X)
Por çdo moment në këtë jetë, shkrihet sikur bora e majit
shpejtë sa shpejtë..
1000 pranvera e vera e vera e vera ia fala (4X)

Në rrugicat bregdetare gushti vajtojë
egoiste është vera, shkoi e udhëtoi
E në njërën anë të botës unë me vetminë
Larg prej syve, larg prej zemrës thonë për dashurinë.

REF:
1000 pranvera e vera e vera e vera ia fala (2X)
Por çdo moment në këtë jetë, shkrihet sikur bora e majit
shpresa…shpresë…
1000 pranvera e vera e vera e vera ia fala (4X)
(sa vera..sa vera..sa vera 4X)

Sikur i pastrehi që ëndërron shtëpinë
sikur çdo lypsarë që ëndërroka pasuri
sikur luftëtarë që ëndërron lirinë
mu ashtu çdo vashë enderroka dashurinë!

REF:
1000 pranvera e vera e vera e vera ja fala
. / KultPlus.com

Gazeta spanjolle rekomandon Shqipërinë si destinacion për t’u vizituar në 2024

Një tjetër media evropiane sugjeron Shqipërinë si destinacionin turistik 2024.

Bëhet fjalë për të përditshmen spanjolle “El HuffPost”, ku Presidenti i Shoqatës së Agjencive të Udhëtimeve “Albacete”, Ignacio Tarraga rekomandon destinacione të reja për t’u vizituar gjatë vitit të ardhshëm.

Agjencia ofron fluturime direkte nga Spanja drejt Tiranës, një destinacion që revistat e specializuara të udhëtimeve e kanë cilësuar si “Karaibet e panjohura evropiane”.

Në shkrimin e së përditshmes spanjolle thuhet se udhëtimi në Shqipëri ofron akomodim për shtatë net, që mund të jetë në plazh ose turne të planifikuara që përfshijnë vizita kulturore.

Mes rekomandimeve të saj, agjencia spanjolle rendit argumentet pse Shqipëria është konsideruar si “Karaibet e panjohura evropiane” dhe sipas saj, ka disa arsye bindëse.

Së pari, Shqipëria ka një vijë bregdetare më shumë se 300 kilometra të gjatë, me plazhe me rërë të bardhë, ujëra të kristaltë dhe shkëmbinj të thepisur.

Së dyti, është një vend relativisht i panjohur dhe së treti, është një vend i përballueshëm.

Çmimet për hotelet, ushqimin dhe aktivitetet janë shumë më të ulëta se destinacionet turistike të Karaibeve dhe sipas të përditshmes spanjolle, kjo e bën atë një alternativë tërheqëse për udhëtarët që kërkojnë të kursejnë para.

Ky vit është quajtur si bumi turistik për Shqipërinë ku vetëm nga janari e deri në gusht numri i turistëve arriti mbi 7,2 milionë në vetëm 8 muaj.

Por gjatë 2023-it, përveç shifrave të larta, Shqipëria ka përjetuar edhe një ‘bum’ të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike, deri tani shumë pak të zbuluara për botën./RTSH

8 metra në vit, qyteti ku bie më shumë borë se kudo tjetër në botë

Qyteti Aomori, në veri të Japonisë, është vendi ku bien më shumë reshje dëbore në botë.

Sipas portalit “Lugares de nieve”, në këtë qytet me gati 300 000 banorë bien mesatarisht 8 metra borë në vit, shumica midis janarit dhe shkurtit.

Zona të tjera të Japonisë, veçanërisht ishulli verior i Hokkaido, regjistrojnë sasi reshjesh dëbore edhe më të larta, me deri në 15 metra borë në vit, por jo në qytet.

Sasia e borës që bie në këto zona i ka bërë ato që të jenë nga më të përgatiturit për të përballuar efektet e saj. Në fakt, ata arrijnë të ruajnë linjat e tyre hekurudhore falë një sistemi që çon ujë të ngrohtë në shinat e trenit.

Japonia është vendi i dytë me më shumë resorte skish në botë. Në total, arkipelagu japonez ka më shumë se 500 vende për të ushtruar këtë sport.

Nuk është për t’u habitur që Japonia ka pritur dy herë Lojërat Olimpike Dimërore. / KultPlus.com

“Zojë”, rrëfimi për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë

“Zojë” titullohet dokumentari i shfaqur këto ditë në Tiranë, me autore Luljeta Prognin, dedikuar nënës së saj, Zojë Progni, gruas fisnike, që jetoi afër një shekull, e i rezistoi me heroizëm e dinjitet solemn diktaturës komuniste.

Premiera e filmit dokumentar “Zojë”, një rrëfim për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë, përcjell emocione dhe mesazhe të forta mbi përballjen tonë me të shkuarën komuniste.

Një histori sa personale për skrenaristen Progni, pasi ishte historia e nënës së saj, Zojë Progni, e rrëfyer në vetë të parë, po aq edhe universale mbi fatin e shumë grave, nënave dhe vajzave, që janë përballur me dinjitet dhe i kanë sfiduar me forcë e vetëmohim, regjimet totalitare, në të gjitha kohërat.

Zojës, pa i mbushur 20 vjeç, i arrestuan të shoqin, Gjelosh Progni, ndër intelektualët e parë në zonën e Nikaj-Mërturit, i arsimuar në Itali. Kur Gjeloshi u arrestua, Zoja kishte djalin e vogël, Nikën, ndërsa ishte shtatzënë dhe jetoi me nënën e të shoqit, Sofinë. Zoja lindi një vajzë, e cila jetoi 3 muaj, për tu larguar prej kësaj bote për shkak të pamundësisë së n]nës së saj për ta ushqyer. Zoja, bashkë me vjehrrën e saj përjetuan një kalvar vuajtjesh, që në përceptimin e Luljetës dhe shkëmbinjtë e Nikaj-Merturit i kishin gërryre, po ajo prap s’u mposht.

Asaj i vdiq vajza urie, iu desh të ndahej përsëgjalli me djalin e vogël, Nikën, të cilin ja lëshoi në duar një të panjohuri, që i tha se i njihte të shoqin e që nuk duhej ta merrte me vete të birin foshnje, pasi atje ku do ta çonin ai nuk do mund të mbijetonte. I premtoi se do t’ja çonte së ëmës në Legbibaj, një zonë e thellë malore në Tropojë. Ajo i besoi, edhe pse e tmerruar nga frika se mund të humbiste edhe djalin si vajzën nga uria e sëmundjet, dhe pak çaste para se t’a hipnin mbi një makinë për t’a degdisur drejt Tepelëns, ja lëshoi dorën Nikës.

E prap u qëndroi. Të gjitha format e persekutimit që ranë mi të, jo vetëm se thyen, se përulën, por e bënë edhe më të fortë bijën e maleve të Nikaj-Mërturit, që u betua të mos e linte kurrë me u fik zjarrin në votër, e mos me i mbyll derën e kullës burrit të saj.

Për 16 vite me radhë, çdo tre muaj, Zoja shfaqej para derës së burgut të Gjeloshit me strajcat e mbushura me ato pak ushqime që i përgatiste e ëma. Pak miell i përzier me t’ lyen, i tharë.

Zoja e ruajti forcën brënda vetes, për t’ja nis edhe një herë nga fillimi, kur i shoqi u lirua.

Skenaristja e këtij filmi dokumentar, Luljeta Progni tha se nuk ishte e lehtë për të, të trajtonte këtë temë gati autobiografike dhe realizonte këtë vepër, ku personazhi kyç ishte nëna e saj.

“Zoja fliste rrallë për vuajtjet e saj. Gjatë viteve të fundit u përpoqa disa herë ta intervistoja, por nuk munda të kem një intervistë shteruese. Shpesh ajo përlotej që pas pyetjes së parë dhe nuk fliste më. Dhe ndonjëherë kur fillonte të tregonte, mikrofoni nuk ishte aty. Por ashtu siç i di unë ato vuajtje, disa prej të cilave edhe i kam përjetuar, mendoj se duhet t’i dinë edhe të tjerët. Kam mësuar prej shumë historive të tjera, se Zoja nuk ishte e vetme. Shumë gra të tjera kanë vuajtur dhe janë përballur me persekutimin e diktaturës komuniste, kanë vajtuar fëmijët e tyre, kanë mbajtur gjallë shpirtin e bashkëshortëve dhe djemve nëpër burgje dhe e kanë mbrojtur familjen me shumë sakrifica”, rrëfen studiuesja dhe gazetarja Luljeta Progni në dokumentarin ‘Zojë’ ku rrëfehet drama e persekutimit të familjes së saj nga regjimi komunist.

Zoja nuk kërkoi kurrë mëshirë, as vëmendje, se jeta, e gjithçka e rrethoi prej kur u lind, e mësuan të qëndronte kryelartë, me pas nderin për ushqim, forcën për mbijetesë, e Zotin për shpëtim.

Thonë, që prej lindjes, emri që na e japin, na shoqëron deri në vdekje,…e Zoja, lindi, jetoi, e shkoi te Zoti, Zojë. /ATSH /KultPlus.com

11 këngët thelbësore të Tina Turner (VIDEO)

Si shumica e ikonave më të mëdha pop, Tina Turner, e cila vdiq më 24 maj të këtij viti në moshën 83 vjeçare, kishte më shumë se një karrierë të thjeshtë.

Ajo filloi si një këngëtare R&B dhe si një kërcimtare e pakapërcyeshme, që bashkë me bashkëshortin e saj Ike, bëri shfaqjen më të emocionueshme në skenë, anëtare e James Brown. Pastaj ajo u bë një heroinë rok, që këndoi në turne me Rolling Stones dhe shërbeu si Rregjina e Acidit për grupin The Who. Dhe në fund ajo u bë e mbijetuara përfundimtare – gruaja e abuzuar që e braktisi burrin e saj dhe, pa kërkuar falje, mori një kurorë vetëm për vete, shkruan The New York Times, transmeton KultPlus.

Këtu janë disa nga momentet më të mëdha muzikore të Tina Turner.

Ike dhe Tina Turner, “A Fool in Love” (1960)

Hitet e hershme R&B të Ike dhe Tina janë momente elektrizuese të fuqisë muzikore të papërpunuara, por retrospektivisht ato gjithashtu janë thellësisht të shqetësueshme në përmbajtjen e tyre lirike. Singlli i parë i duetit paraqet vokalin e shënuar të Tinës dhe e lë të këndojë për një marrëdhënie të trazuar në të cilën burri i saj e keqtrajton dhe “më bën të buzëqesh edhe pse zemra ime vuan”, megjithatë ajo ende premton të “bëj çdo gjë që ai dëshiron”. Fjalët janë shkruar nga Ike Turner, i cili ka kredi të vetme si autor i këngëve.

Ike & Tina Turner, “I Idolize You” (1960)

Tekst më i çuditshëm dhe i pakëndshëm: Tina pranon jo dashurinë, por adhurimin dhe thotë se në këmbim, “vetëm pak vëmendje, ti e di, do të më ndihmojë të kaloj”. Qarja e thellë e Tinës mbi një linjë basi kërcuese ishte tingulli më i seksit dhe më i pakontrolluar në muzikë në atë kohë, por është pothuajse e pamundur të dëgjosh këto këngë tani pa nxirë fytyrën nga spektakli i tmerrshëm që Tinë më vonë do të përshkruante për martesën e saj me Ike.

Ike dhe Tina Turner, “It’s Gonna Work Out Fine” (1961)

Hiti më i madh i viteve të hershme të Ike & Tina – ai shkoi në vendin e dytë në tabelën R&B të Billboard dhe u rendit në Top 20 pop – është një rutinë më e lehtë për një çift që ngulmon në problemet e tyre. Përsëri, epo. Por të paktën këtë herë kënga nuk ishte e Ike. Ai u shkrua nga Rose Marie McCoy së bashku me Joe Seneca dhe James Lee, dhe dyshja R&B Mickey & Sylvia u përfshinë në regjistrim.

Këngë tjetër është ajo “River deep-mountain high” e vitit 1966.

Phil Spector e kishe parë drejtpërdrejtë këtë shfaqje me një energji të lartë. Ajo regjistroi ketë këngë të shkruar nga Jeff Barry dhe Ellie Greenëich,në bashkëpunim më labelin, Philles. Kjo këngë cilësohet si dështim, gjë që bëri që albumi që mban të njëjtin titull, të vonohej të dilte në treg për 3 viteve.

Këngë  tjetër kemi Ike dhe Tina Turner, me “Proud Mary”, 1971

Për të prezantuar këtë hit, Tina u shpreh: “Ne kurrë nuk bëjmë asgjë të këndshme dhe të lehtë. Ne e bëjmë gjithmonë mirë dhe ashpër.”

Kemi Ike dhe Tina Turner, “Nutbush City Limits” ,1973

Tina si kantautore e vlerësuar tregon për herë të parë historinë e saj, duke treguar edukimin e saj në fshatin Tennessee, ku tregon se shkonte në fushë gjatë ditëve të javës. Kënga tregon një përfytyrim, duke mos imagjinuar kurrë një jetë përtej thjeshtësisë së qytetit të vogël.

“The Acid Queen” 1975

Këngë që ishte pjesë e versionit filmik “Tommy”,ku Tina luan rolin e ”ciganës’ .Ajo përdor seks dhe drogë për të kuruar djalin. Tina pas kësaj, del si simbol i seksit dhe famës botërore. Pak kohë pas kësaj ajo u largua nga Ike.

“What’s Love Got to Do With It”, 1984

Kjo këngë doli kur Tina ishte diku 40 vjeçare dhe marka e saj ishte mbijetesa. Këngët ne albumin “Privat Dancer”, u shkruan kryesisht nga burrat, por u përshtaten në mënyrë të përkryer me rolin e një gruaje të pavarur që nuk heq dorë nga të qenurit vetëm. Kjo këngë tregon historinë e një gruaje me zemër të thyer, e cila dhe pse tundohet ka frikë të provojë dashurinë përsëri.

“Better Be Good to Me” ,1984

U shkrua nga Holly Knight dhe u publikua nga grupi i saj Spider. Paraqet një kërkesë të sigurtë dhe sfiduese për një burrë. Ajo lëshon vargun e vrullshëm “Should I ?”,pra “Duhet unë ?”

“We Don’t Need Another Hero (Thunderdome)” ,1985

Kënga në aspektin tematikë është muzikë e pastër e viteve 80.Kostumin e bardhë që vesh Tina në këtë videoklip, ajo e mban.

“The Best” ,1989

Këngë e regjistruar fillimisht nga Bonnie Tyler. ”The best” është këngë lavdërimi për një të dashur. Mirëpo nëse mbylli sytë është kënaqësi për vete. Ashtu siç shprehet Tina:” “Ti je thjesht më i miri, më i mirë se të gjithë të tjerët”. / KultPlus.com

Halili, taksisti në Tiranë që i ktheu kuletën e humbur regjisorit Fatos Berisha

Fatos Berisha, drejtues i PriFest dhe regjisor i njohur, ka ndarë një histori nga vizita e tij e fundit në Tiranë. Duke udhëtuar me një taksi, Berisha tregon se kishte humbur kuletën bashkë me dokumentet e tij. Megjithatë, taksisti, Halil Hafuzi nga Kukësi, e gjeti kuletën dhe pasi e identifikoi, bëri një përpjekje të madhe për ta kthyer atë në dorë të pronarit.

Regjisori shprehet për mënyrën e papritur dhe admiruese si taksisti mori përgjegjësinë për të gjetur kontaktin në internet dhe ia dorëzoi kuletën në atë adresë.

“Dje në Tiranë. Mora taxi për te TullaCulture dhe me taksistin (me prejardhje nga Kukësi) bëmë bisedë të këndshme rreth Kosovës, Kukësit, Londrës, çmimeve e të ngjashme. Zbrita te Tulla, dhe ai aty e kuptoj çfarë dhe ku ishte Tulla. Por, unë nuk kuptova që në atë taksi më kishte rënë kuleta (me gjitha kartelat e leternjoftimin). Ndërkohë, taksisti kishte gjetur kuletën, nga ID ime e kuptoi e kujt ishte, dhe mori mundin të hulumton në internet për të gjetur ndonjë kontakt të Tulla Center. E gjenë dhe u shkruan, duke lënë kontaktin e tij. Dhe krejt në fund, edhe ma sjell kuletën aty ku më kishte lënë. Ai quhet Halil Hafuzi. Ende ka njerëz të mirë. Një qytetar i ndershëm i Tiranës që duke bërë vepër të mirë i bën nder edhe qytetit”, shkruan regjisori i njohur nga Kosova Fatos Berisha.

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, ka ripostuar këtë mesazh, duke e vlerësuar si një shembull të thjeshtë të mikpritjes dhe sigurisë në këtë qytet.

“Tirana qyteti më i sigurt në rajon, meritë e njerëzve të thjeshtë që kuptojnë se Tirana mikpritese është formula e suksesit tonë”, shkruan Veliaj.

Shqipëria vazhdon që të jetë një vend ku turistët mund të ndjehen të sigurt, pavarësisht se në cilin qytet janë. /KultPlus.com

Dervishaj propozon vendosjen e një statuje të Rita Orës në sheshin e Prishtinës

Këshilltari i Ministres në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Valdrin Dervishaj, ka propozuar që të vendoset një statuje e Rita Orës në sheshin kryesor të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Rita Ora së fundmi ka zgjuar ngazëllim te shumë qytetarë, duke ardhur për ta festuar ditëlindjen e saj në Kosovë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Dervishaj ka shkruar duke thënë se ylli më i madh shqiptar, Rita Ora, e meriton ta ketë një statujë në sheshin kryesor të Prishtinës.

Postim i plotë:

“Pse mos të vendosim një statujë në sheshin kryesor të Prishtinës për yllin më të madh shqiptar, Rita Ora?

Kosova nuk është vetëm luftë dhe vuajtje , është më shumë. Është kulturë, sport, art dhe humanizëm.

Atraksioni kryesore në Portugali është statuja e Ronaldo-s në Madeira (vendlindja e tij). #RitaNeShesh“, thuhet në postimin e tij.

Ora pritet që të sjellë projekte të reja madhore në Prishtinë. /KultPlus.com

Themeluesi i Wikipedia-s ankohet në ChatGPT: Shkrimi i artikujve është katastrofik

Inteligjenca artificiale aktualisht nuk po e ndihmon Wikipedian, madje po i shkakton kokëdhimbje.

Jimmy Wales, themelues i platformës Wikipedia, tha se ChatGPT është mjet jashtëzakonisht popullor, por është “katastrofë” kur përdoret për të shkruar artikuj në këtë platformë.

“Artikujt e shkruar me ChatGPT janë të tmerrshëm dhe nuk kuptohen fare”, ka thënë ai, raporton euronews.

Wales beson se në të ardhmen Inteligjenca Artificiale (Al) ka më shumë gjasa të mbështesë aktivitetet intelektuale sesa t’i zëvendësojë ato.

Ai ka shpreh edhe shqetësimin për largimin dhe kthimin nga puna të CEO dhe bashkëthemeluesit të OpenAl, Sam Altman, në një kohë të tensionuar për kompaninë.

Wales shpreh optimizmin se ky është një mësim i mirë për bizneset fillestare, për të menduar në një fazë shumë të hershme për qeverisjen dhe stabilitetin e kompanisë.

Ndryshe, kompania më e fuqishme në botë në fushën e inteligjencës artificiale ka paralajmëruar se po punon shumë për të sjellë risi të tjera. /KultPlus.com

Sot lermëni të ndjehem i lumtur dhe kaq

Pablo Neruda

Lermëni i lumtur të jem këtë herë,
asgjë, askujt s’i ka ndodhur
asgjëkund nuk kam shkuar,
por, ja që i lumtur jam,
deri thellë në zemër i lumtur.
Eci, fle a shkruaj,
çfardo që bëj, i lumtur ndjehem.
Më keq se bari lëndinave jam shkelur,
lëkura si lëvore peme m’është bërë
i shkon ujët tek rrënjët dhe zogjtë ka në majë,
deti si unazë e qarkon jetën time,
si tokën, bërë me bukë dhe gurë
dhe ajri si kitarrë këndon.

Ti ulur krah meje mbi rërë, si rëra je,
këndon dhe je kënga.
Bota sot më është shpirti
këngë dhe rërë, bota sot në buzët e tua është,
lermë mbi buzët e tua dhe mbi rërë
i lumtur të jem,
të jem i lumtur… sepse jam,
sepse marr frymë, merr edhe ti,
i lumtur sepse t’i prek gjunjët
si trupin e kaltër të qiellit ta prek
dhe freskinë e tij.
Sot lermëni të jem i lumtur dhe kaq,
vetëm o me të tjerë, i lumtur ndjehem me barin
dhe rëra e lumtur të jetë me ajrin dhe tokën,
të jem i lumtur me ty, me buzët e tua,
të jem i lumtur. /KultPlus.com

Reuters: Britanikët po e ruajnë kufirin Kosovë-Serbi me ndërrime 18 orëshe

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” raporton se trupat ushtarake britanike po patrullojnë me vigjilencë të shtuar në kufirin Kosovë-Serbi për të parandaluar futjen e armëve ilegale në Kosovë.

Ky patrullim vjen për shkak të shqetësimeve të shtuara se dy fqinjët mund të futen përsëri në një konflikt të hapur, pasi diçka e ngjashme ndodhi në shtator të këtij viti kur grupe kriminale të armatosura vranë një polic të Kosovës në Banjskë.

NATO pas këtyre ngjarjeve dërgoi trupa shtesë nga Britania e Madhe dhe Rumania.

NATO ka dërguar 1,000 trupa shtesë në Kosovë, duke e çuar praninë e saj në 4,500 paqeruajtës nga 27 vende të ndryshme.

Reuters raporton se tani “ushtarët britanikë po vendosen në turne 18-orëshe për t’u siguruar që asnjë armë apo grup i armatosur të mos hyjë në Kosovë”.

“Aktualisht jemi këtu në një patrullë rutinore, e cila ka për qëllim të kuptojmë mënyrën e jetesës në këtë vend, pastaj marrim informatat e nevojshme për çdo aktivitet të paligjshëm ose të dyshimtë që më pas i raportohet KFOR-it (misioni i NATO-s) dhe strukturave tjera më të larta,” tha për Reuters nga kufiri me Serbinë togeri Joss Gaddie nga ushtria britanike.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve raporton se serbët lokal shpeshherë janë përleshur me organet e sigurisë që veprojnë në Kosovë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse ndërkombëtare.

Ata refuzojnë të njohin autoritetin e institucioneve të Kosovës dhe madje refuzojnë edhe regjistrimin e veturave me tabela legale.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka vendosur një afat përfundimtar më 1 dhjetor për rreth 10,000 automjete me targa ilegale që të kalojnë në tabela ilegale ose do të përballen me dënime të rënda. /KultPlus.com

Nesër shënohet “Dita e Forcës”, e pranishme do të jetë Presidentja Osmani

Më 27 Nëntor shënohet “Dita e Forcës”, ku do të mbahet edhe një manifestim qendror në kazermën “Adem Jashari”, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga ora 10:00 deri në orën 13:00 do të organizohet “Dita e Hapur”, ku qytetarët janë ftuar që të marrin pjesë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në këtë manifestim nga ora 11:00.

Njoftohet se deklarimi për media i personaliteteve të larta shtetërore, me rastin e kësaj dite, do të bëhet nga ora 11:50-12:10.

“Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 19:00, Ministria e Mbrojtjes ka ftuar qytetarët të pasqyrojnë koncertin e bendit frymor të FSK-së dhe të Filarmonisë së Kosovës, që do të mbahet në Sallën e Kuqe – Pallati i Rinisë. /KultPlus.com