Mësuesja i tha që të këndonte nëse dëshironte notë kaluese, sot student i dy drejtimeve

8 Dhjetor, 2020 - 5:30 pm

Medina Pasoma

Kujtesa e individit përgjatë fëmijërisë i ngjan një tabullarase, e që individi e gdhend çdo detaj në të. Që nga ajo kohë e deri tash në stadet akademike, pjesëtari i komunitetit egjiptian Valmir Rama është përballur me paragjykime prej më të ndryshmeve. Mirëpo, ai ka vendosur të dal nga kornizat që shoqëria tenton t’ua përcaktoj komuniteteve, dhe të jetë një student i dalluar, aktivist i shquar dhe një model përbrenda shoqërisë kosovare, shkruan KultPlus.

Ishte klasa e 4-të atëherë kur nuk do të vlerësohej pafajësia fëmijërore karshi orekseve diskriminuese të të tjerëve. Valmiri ani pse ishte një nxënës shembull në shkollën fillore në Mal të Zi, sërish u paragjykua për shkak të etnisë së tij.

“Kishte ardhur një mësuese për ta zëvendësuar mësuesen e historisë. Kur u prezantova dhe i tregova që i përkas komunitetit egjiptian, ajo pa shikuar fare në ditar më tha “nëse na këndon do ta mbylli notën kaluese dhe ty nuk do të pyesim fare”, fillon rrëfimin e tij Valmiri.

Mirëpo, urtësia e tij kishte bërë që e gjithë rrjedha paragjykuese të përfundoj me një kërkim falje.

“Në ato momente jam ndjerë shumë keq dhe i kam thënë ‘Mësuese unë nuk kam nevojë për notë kaluese, përkundrazi çdo notë unë e kam me meritë. Pastaj kur e hapi ditarin, i pa notat e mia, më kërkoi falje”, shpjegon Valmir Rama.

Ai beson se të njëjtën përvojë e ka çdo pjesëtar komuniteti në Ballkan dhe jo vetëm në Mal të Zi.

“As një shtet nuk dallon nga tjetri për nga diskriminimi ndaj komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian. Në të gjitha vendet perceptohemi si njerëz të cilët dinë veç të këndojmë, si të paarsimuar, njerëz të pa pastër, që punojmë veç punë të renda dhe të pista”, vlerëson Rama.

Problemin e këtyre perceptimeve ai e ndërlidh me diskursin, që iu qaset komuniteteve.

“Më së shumti ndikon edukimi i fëmijëve me frymën diskriminuese. “Mos u bë si maxhup”, “këtë e bëjnë veç maxhupët”, “je zhyt si maxhup” dhe shumë e shumë definicione tjera më të cilat i qortojnë fëmijët e tyre dhe pastaj në kokën e fëmijëve krijohet njëfarë ‘gogoli’ që ‘maxhupët’ janë të pa pastër, të pa aftë, të gjymtë dhe shumëçka tjetër”, shprehet  i riu nga Istogu.

Por, ai prapë është i bindur që nëse punohet, pikërisht aty ku edhe ai vet filloi të diskriminohej, në shkollë fillore, paragjykimet do të jenë më të vogla. Si individ, ai e ka arritur këtë, jo nëpërmjet ‘këndimit’ ashtu siç mësuesja e tij i pati kërkuar, por nëpërmjet ngritjes së zërit duke qenë një storie suksesi.

Djaloshi i cili refuzoi të këndoj dhe këmbënguli që të mësoj, sot është student në dy drejtime paralelisht. Dyert e Fakultetit të Filozofikut, përkatësisht degës së Sociologjisë dhe të Shkencave Islame në Universitetin e Prishtinës u hapën për të, për të lënë gjurmë të tij aty. Mirëpo, ai nuk mbeti vetëm student por morri edhe role drejtuese në kuadër të studimeve. Valmirin e përzgjodhën si kryetar të Departamentit në Sociologji dhe si nënkryetar në Filozofik për organizatën studentore “Paqja Studentore”.

“Unë nuk kam dashur që të jem kryetar i Departamentit,  por me propozimin dhe votimin e të tjerëve për ta pranuar këtë post, unë e kam mirëpritur. Jam befasuar jashtëzakonisht shumë, dhe të gjithë si nga profesorët ashtu edhe nga studentët më kanë uruar dhe e kanë pritur shumë mirë këtë emërim”, tregon me modesti Rama.

Tutje, ai thekson se i ka kushtuar kujdes çdo veprimi të tij sepse e ka ditur që kjo ndikon drejtpërdrejtë në formësimin e përshtypjeve për etninë të cilës i përket. Ndërkaq, periudha akademike i ka sjell edhe përvoja të mira edhe të këqija.

“Në departamentin e sociologjisë jam pritur shumë mirë dhe kam pasur përkrahjen e tyre maksimale, kjo dëshmohet me përkrahjen si kryetar i departamentit për 3 vite radhazi. Por, ka pasur edhe profesorë e studentë që e kanë përdorur termin ‘maxhup’ por pasi reagoja, ata më kërkonin falje”, sqaron Valmir Rama.

Pikërisht kompleksiteti i shoqërisë dhe paragjykimet e diskriminimet ndaj komuniteteve të ndryshme ishte njëra nga arsyet që Valmirin e shtynë ta regjistroj sociologjinë.

“Si pjesëtar i komunitetit kam dashur që sa më shumë të ngritem dhe në këtë formë t’i mbroj interesat tona. Për këtë tregojnë edhe hulumtimet e mia gjatë studimeve, të cilat kanë pasur çdo herë synim të drejtat dhe jetën e komuniteteve”, thotë Rama.

Tutje ai përmend se të drejtat e komuniteteve sipas Kushtetuës së Kosovës, kultura dhe tradita e komunitetit egjiptian, ligjet për punësimin e komuniteteve, martesat e hershme, përfaqësimi politik i komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian kanë qenë disa nga temat në të cilat ai i shtriu hulumtimet e tij.

Përtej studimeve, ai e ka përdorur edhe pjesëmarrjen në shoqërinë civile si një mjet për ndërrim të mendësisë. Si banor i Istogut, ai fillimisht është marrë me organizata lokale, madje edhe duke pasur role drejtuese në to siç është rasti në organizatën “Creative Youth Group” në të cilën është edhe përgjegjës për komunitete.

“Në vitin 2014 kam filluar si vullnetar në organizata lokale. Pastaj kemi krijuar një grup për avokim me të rinjtë e Istogut, ku vazhdimisht kam pasur komunikim me njerëz dhe aty e kam vërejtur se duhet të angazhohem më shumë për ta përmirësuar gjuhën shqipe dhe të filloj me studime”, sqaron Rama.

Përqeshjet në rastin e gabimeve në shqiptim, Valmirin nuk e thyen, përkundrazi e forcuan në arritjen e qëllimeve të tij. Mirëpo, nuk janë të pakta rastet kur pjesëtarët e këtyre komuniteteve nuk mund t’i realizojnë ambiciet e tyre për shkak të kushteve financiare.

“Shumë djem dhe vajza të zotë dhe me potencial jashtëzakonisht të madh, për shkak  të gjendjes ekonomike nuk kanë pasur mundësi qe të vazhdojnë shkollimin e tyre më lartë. Kësisoj fillojnë të punojnë për mbijetesë. Por ajo që unë e kam vërejtur është se gjendja e tyre mund të përmirësohet vetëm nëpërmjet presionit ndaj institucioneve të shtetit dhe politikave të tyre. Puna me komunitetet nuk mund të jetë frytdhënëse kur defekti qëndron në krye të shtetit, e ai është ligji jo funksional”, shprehet Rama.

Edhe Valmiri si student i sociologjisë pajtohet se ndërrimi i shoqërisë kërkon një sërë procedurash, të cilat janë afatgjata. Një ndër to sipas tij është që ligjet të cilat janë të shkruara, të fillojnë të praktikohen.

“Gjendja e komuniteteve do të përmirësohej jashtëzakonisht shumë nëse do të plotësoheshin vendet e garantuara për ta në sektorin publik. 10% e të punësuarve në nivelin lokal dhe atë qendror të jenë nga komunitetet. Por, për fat të keq ky ligj nuk respektohet as për 2%”, vlerëson Rama.

E rëndësishme mbetet përfshirja dhe krijimi i empatisë me komunitetet, pa i paragjykuar ata.

“Diskriminimi si dukuri nuk mund të eliminohet plotësisht, por ulje të kësaj dukurie mund të kemi përmes informimit të nxënësve në shkollave fillore, futjes së artikujve për komunitete  në Edukatën Qytetare në lidhje me kulturën dhe traditat tona, duke i punësuar pjesëtarët nëpër shkolla, duke i vendosur të ulen fëmijët e komuniteteve me bashkëmoshatarë dhe jo në fund të klasës”, sqaron Valmiri.

Ai beson se nuk mund të ketë përfshirje të komuniteteve duke i inkuadruar ata pa pjesën tjetër të shoqërisë. Valmir Rama është njëri nga pjesëtarët e komunitetit egjiptian i cili nuk dëgjoi zërat kumbues të të tjerëve, por melodinë e ëndrrave të tij.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)/ KultPlus.com

Të ngjajshme