Malli i Nanës

30 Prill, 2019 - 4:00 pm


Poezi nga Jeton Musliu.

Qëndron, e heshtur, ulur e strukur,
Aty, në atë vend, gjithmonë rri,
Pranë votrës se vjetër, ti edhe pret,
Se pritja për ty, aty rrënjë ka zënë,
E shpirtin, malli, ka vite që ta djeg,
Për aromën e djalit,
Oh, dhe nipit tënd!
Të vetmit janë lotët, mallin ta kuptojnë,
Mall që brenda teje, zien e shpesh shpërthen,
Andaj ngadalë, ata, mbi faqe rrëshqasin,
E nxjerrin jashtë vajin, që derdhet si llavë,
Që as uji i Drinit, freskinë s’mund t’ia kthejë!

E kështu,
Në heshtje, të ngrohtë, ashtu pa zhurmë,
Lotët e tu, rrjedhin dalëngadalë,
E ty, janë ata, të vetmit, merzinë ta lehtësojnë,
Lotët janë ngushëllimi, që ta shuajnë këtë mall,
Këtë mall të hidhur, që si gurë qëndron,
Në shpirtin prej fisnikeje, që hiç pa të drejtë,
Kjo kohë e pakohë, vendosi të të dënojë,
Që mos ta kesh pranë djalin,
Oh, dhe as nipin tënd!

E ti,
Aty e heshtur, vazhdon të qëndrosh,
Të jesh ende mbretëreshë, por hiç pa ushtri,
Se ushtrinë e fortë, që dikur ti kishe,
Ta mori gurbeti, t’i la veç kujtimet,
Kujtimet e kohës, çuditërisht të bukur,
Me fëmijët rrotull, pa çka atëherë ti kishe,
Veç pak bukë në sofër,
Por shumë dashuri!

E tani,
Tani e heshtur, vazhdon të qëndrosh,
Se ende je mbretëreshë, por veç e shpirtit tënd,
Këtij shpirti të lodhur,
Të dërmuar, nga halli e malli,
Që jetes ia shkurton, ditët një nga një,
E dërmuar, aty, ti ende rri,
Mes lodhjes, që për ty, sjellin ditët, vitet,
Mundohesh, të gjesh, së paku, pak shpresë,
Kur mes betejë vuajtjesh, në mendjen tënde të lodhur,
Kujton zërin e djalit,
Oh, dhe të nipit tënd!

Keshtu ti,
Aty e heshtur, vazhdon të qëndrosh,
Pranë votrës se nxirë nga tymi, pret e vetme, pret,
Se diçka tjetër, s’ke më çfarë të bësh,
Thjeshtë të mendosh, e me zemër të mallkosh,
Ligësinë ndaj teje,
Që pati ky gurbet!

E jeta,
Sa shumë e padrejtë,
Jeta ish për ty!
Po pra, për ty jeta, kjo e padrejta jetë,
Që tash qëllim të vetëm, për ty ka lënë një rrugë,
Rrugën e fundit, që mbaron diku,
Atje diku, poshtë, në ndonjë tatpjetë,
E ti, çfarë tjetër, ke mundësi të bësh,
Veç të presësh, ulur, aty në atë vend,
Në atë gur të nxirë nga tymi, rri me duar në gji,
Aty, në atë vend që në rininë tënde, të vonë,
Kur ti bashkë me copëzen tënde të shpirtit,
Lozje, e qeshje me zë,
Por tani, ti vetëm pret, që një ditë mëngjesi,
Ai gur të vendoset, jo për diçka tjetër,
Por te jetë gjithmonë, një nishan për ty!

Tani,
Mbi qerpikët e tu, malli ka zënë vend,
Për ballin e nipit që s’ia puthë më dot,
Se në rrugët e botës, me të, djali yt u tret,
E ti vazhdon të presësh,
Në vendin e njëjtë,
Ku për herë të fundit,
Mes vaji e dënese,
Fjalën më të hidhur, ende e kujton!
Rrugë e mbarë, i the
Shko ti bir, ti shko,
Se në këtë botë të rrejshme,
Vështirë se do të shihemi,
Andaj në atë tjetrën,
U pjekshim biro! / KultPlus.com


Të ngjajshme