21 Marsi, Dita Botërore e Poezisë

21 Mars, 2020 - 2:28 pm

Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashta poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor.

Për nder të kësaj dite, KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të njohura të Azem Shkrelit, ‘Katër këshilla vetes’, që flet pikërisht për faktin e të qenurit poet.

Azem Shkreli

-Katër këshilla vetes

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
Me secilin varg, të lindësh në secilën fjalë,
Ngrehu mbi veten
në do të rrokësh freret e erërave,

Të shkelësh shpërgajt e mërisë
dhe shtrëngatat e gjakut tënd.

Nëse dashurohesh,
dashurohu n’flakë e n’valë,

Jo n’sy të kaltër se bëhesh det i çmendur pendimi.
Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilin varg,
të vdesësh për secilën fjalë. / KultPlus.com

Të ngjajshme