‘Agimet më gjejnë pa gjumë në shtrat, me shpirt të shkretuar nga dhembja’

13 Shtator, 2022 - 11:45 pm

Poezi nga Mitrush Kuteli

Më di a nuk më di se qaj,
më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
kur ngrihem i çmendur të shkruaj
me gjakun e zemrës të shkruaj.
Më di a nuk më di se agimet
më gjejnë pa gjumë në shtrat,
me shpirt të shkretuar nga dhembja,
e dhimbshëm i pres perëndimet,
me ankth i pres perëndimet.
Më di a nuk më di se sot
u drodha kur pashë pranverën, (vjeshtën)
që zbriste me flladet e prillit (tetorit),
e ëmbël siç ishte qëmot,
e hidhur siç ishte qëmot.
Më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
ku ndjehem nga jeta i huaj,
nga vendi i lemjes i huaj.
Më di a nuk më di… / KultPlus.com

Të ngjajshme