Ajër me kokëdhembje

6 Maj, 2021 - 8:56 pm

Nga Dije Demiri-Frangu

Oksigjeni i rralluar  si mendje pleqsh

Si flokë të një shëndetligu

Verë e ashpër ajër me kokëdhembje

Kishte vërshuar

Gjetheve hënës zogjve ju kish rënë tensioni

Ikona mesjete ishin bërë vetëm t’i shohësh

Zhegu punonte orkestronte milingonat

Që vrisnin me muzikë toke qetësinë e lodhur

Një re e zezë kërkohej

Zogj zëra fëmijësh pleqsh thërrisnin-oj ree

Një që dinte të qaj e të dënesë me të madhe kërkohej

Që të vajtojë zëshëm  mbi kufomën e asaj dite që po ikte

Bashkë me ajrin e rralluar si mendje pleqsh./ KultPlus.com

Të ngjajshme