Ajo lutej në melodinë e shiut…

3 Korrik, 2018 - 5:00 pm

Poezi nga Mevi Rafuna.

Ajo lutej në melodinë e shiut
dhe priste diçka
që nuk dinte si ta emëronte.
Ditë e netë të shumta
i kaloi në ankthin e pritjes
ndërsa mbathte qorapet e tejdukshme
për t’u nisur sokakut
një zë brenda në shpirt
ja ndaloi hapin.
Dritarja e hirtë me xhamin e thyer
sikur dëftonte fatin
e frikshëm,
dhe një moment buza i pikoi gjak.
S’ishte që qante
as nuk ishte që dehej
madje kishte harruar të dashuronte.
Ngadalë shiu lagte tokën, pranvera jepte shenjë që po vinte, me barin e njomë që merrte formë mbi baltën,
poshtë dritares veturat kalonin pa ndalë,
zhurmat përziheshin me zëra fëmijësh,
flokët i ranë mbi sy
dhe pamja mori ngjyrën e zezë,
një merimangë i ecte mbi qafë, sikur kjo të ishte preja e saj.
Lehtas u largua nga dritarja
mbathi këpucët
dhe u nis.
Askush nuk e pa
askush nuk e pashëndeti,
askujt nuk i tha lamtumirë./KultPlus.com

Të ngjajshme