Akrepat e orës

28 Shtator, 2017 - 9:13 pm

Poezi e shkruar nga Ag Apolloni.

Nuk di si ta nis këtë poezi për ty
Vërtet nuk e di
Nuk di as kur nisëm me u dashtë
Ne dy
Njimend
nuk më kujtohet koha
Për herë të parë ku jemi prekë
Për çudi, unë s’e di as kur kam me vdekë
(Sigurt mrenda nji kohe që e mat ora me zembrek)

Fillimi s’ka formë
E fundi asht fantazmë të cilën unë s’e ndjek

Si thue nëse shkruj in medias res
Pa fillim, pa fund, po drejt e në mes?

Mesi ka konfliktin, kulmit i hap udhë
Fryma e Shekspirit duket në konflikte
Portreti yt s’ka ende asnji rrudhë
Po lashtësinë tande e shoh në instikte

Bota edhe koha kanë formë rrethore
Ne jetojmë dhe vdesim n’akrepat e nji ore

Kur t’shoh ty, mendoj kopshtin edenik
Atë kopshtin e parrethuem me tel
Mandej parajsën e jetoj në dhomë
Kur nis me t’i zbutë tekat në çdo krelë

Nganjiherë më duket
sikur me duert e mia t’kam ba
M’dukesh tamam skulpturë
Po skulpturë që lshon zâ

Klimaksi arrihet kudo, jo vetëm në dramë
Ne kanibalë s’jemi, po njani-tjetrin e hamë

Akti mishngranës asht lumtuni,
t’ban me i thanë akrepit të orës “ndal!”
Po ti e di që koha asht e ambël kur rrjedh,
Unë e di se asht tik-taku i orës që më mban gjallë. / KultPlus.com

Të ngjajshme