3 Gusht, 2025 - 4:22 pm
Poezi nga Ajne Iberhysaj
Ana – Engjëjt që lufta ua vrau ëndrrat
Dhimbja i ngjan një mjegulle që s’pyet për kufij.
Në xhamat e thyer të mëngjesit,
ku agu i këndon ditës me rrobë mortore,
ajo ecën pa fjalë e heshtur mes shekujve.
Në cep të oborrit, sytë më mbetën pezull,
ku luhaja priste hijen e saj.
Ana luante me fluturat.
Muret dëgjuan e panë, por duar nuk patën.
Lulet ranë në tokë si të pashpirta,
dhe bilbilit iu këput kënga.
Anaaa, çika ime! … një copë diell u vra!
Thirrja copëtoi qiellin pash më pash.
Thirrjet u bënë shungullimë lutjesh,
nën të, dheu u përmbys.
Në qiell… askush s’e ndjeu.
Një kor i zi korbash u lëshua
mbi trupin e nënës me të bijën dardane.
“Ana…”, thashë me vete, u dridha nga ethet!
Mjegull…flakë…më zunë sytë.
Lotët derdheshin si një faj i fshehur,
që as koha s’e shlyen dot.
Mëkati, dhimbja…
pa mëshirë, e përvëluan tokën tonë.
Britma, si klithmë legjendash ndër shekuj,
u ngrit drejt kupës së qiellit.
Ana! As lisat nuk u përkulën më.
Vetëm shi dhimbje e një nëne, dhe lotët…
që përqafohen me dhé baladash.
Zëri me hijen e saj endet ndër ne.
një erë e egër,
si fryma e fundit e një epoke.
Sakrament lutjesh ngushëlluese, edhe sot.
Toka i ruan si dëshmi.
Ana!
Shndrit…si shenjtore, me sy drejt diellit.
Ana!
Fluturo në qiellin e tokës dardane,
fluturat t’i mbajnë krahët hapur.
Për 1133 fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së Kosovës
(1024 fëmijë u vranë dhe 109 ende konsiderohen të zhdukur)/KultPlus.com