Andërr

25 Qershor, 2019 - 10:30 am

Poezi nga Ndre Mjedja

Pezull prei qiellit fluturote e shkreta

E si dielli n’mjesditë rreze shpërdake;

Engjëll ndër cucat o nji çikë giake

Qi veç qielli numron ndër valle t’veta.

Arit i kishte flokët, e kish si zgjeta

Dritën e syve e mollzat rrumbullake,

E buzët e vocrra me të ngjyeme gjake,

Qi kur i pash krejt i mahnitun mbeta.

Mandej si njeri, qi prej gjumit ngrihet,

Mora zemër e e pveta me trimni:

“Engjëll a vajzë je ti, o bukurija?”

Qeshi goca nji herë, si vashë qi pihet,

Uli kryetin teposhtë e me dashtni

Motër e nanë, tha, m’ke – jam Shqyptarija!” /B.M./KultPlus

Të ngjajshme