Ankim

2 Tetor, 2019 - 6:40 pm

Poezi nga Herman Hese

Përktheu: Aristidh Ristani

S’qëndrojmë dot në një vend. Jemi vetëm rrëke,
rrjedhim e marrim çdo formë që kudo ndeshim,
ditë e natë, ndër shpella e ndër tempuj mbi dhe,
përherë të etur duam të rrimë paksa e të presim.

Formë pas forme mbushim e s’ndalemi një herë,
por asnjëra s’na bëhet shtëpi, lumturi a mjerim.
Si shtegtarë dhe mysafirë mbetemi ne paprerë,
pa arë e plug, as mbjellim, as korrim në amshim.

Se çfarë ka ndër mend Krijuesi, këtë ne s’e dimë,
pareshtur luan me ne duke mbajtur prore në duar
atë argjilë memece, që as qesh e as qan një grimë,
e mbrun mirë e mirë e s’e pjek në furrë të pashuar.

Eh, në u kthefshim në gur një ditë! Sikur të rrimë!
Mall të pasosur për këtë lloj metamorfoze ne kemi,
veçse ajo na lë përherë një të frikshme drithërimë,
që na kaplon e s’na shqitet kurrë në rrugën ku jemi.

Të ngjajshme