Asaj që iku…

26 Prill, 2018 - 4:00 pm

Poezi e shkruar nga Mikhail Yuryevich Lermontov.

Nuk të përulem, ka mbaruar,
Asnjë premtim i yti s’hyn dot
Në shpirtin tim për ta sunduar,
Jemi të huaj, sot dhe mot.

Ti ke harruar që lirinë
S’ia fal mashtrimit kurresesi,
Por dhe kështu, vite që s’vijnë
Për sytë e tu u bëra fli.

Edhe kështu tek ti pandehja
të gjeja shpirt e shok e short;
Dhe tërë botën e urreja,
Që të të doja ty me fort.

Gjithë ato çaste të qëndrimit
Tek këmbët tuaja, e beson?
Ia kam rrëmbyer frymëzimit
Më se po mi zëvendëson?

Nga ndonjë çast mendimbegatë
Dhe forc’e shpirtit s’ish çudi,
T’i jepje botës një dhuratë
Dhe të më jepte pavdekësi.

Pse doje pra të më ndërroje
atë kurorë lavdiplot?
Pse s’qe atëherë kur premtoje
E tillë siç je bërë sot?

Krenar jam, falmë është e kotë,
kërko një tjetër dashuri;
Për asnjë gjë në këtë botë,
Nuk mund të rri në skllavëri.

Nën qiell të jugut, në vend tjetër
Do të largohem, ndoshta shpejt.
Po jemi njohur pak si tepër,
Për t’u harruar ashtu krejt.

Që sot do të zë të argëtohem
Dhe të betohem paskëtaj,
Vetëm do qesh e do gëzohem
Dhe për asgjë nuk do të qaj.

Do rrej si djalli sa të dua,
Si desha, më s’do dashuroj,
A mund të dua më një grua,
Kur sot një engjull më tradhëtoi?

Të vdisja desha dhe të vuaj,
me botën desha të luftoj;
Që fort të voglën dorën tuaj,
I çmendur, të mundja ta shtrëngoj.

Pa të kuptuar dot mashtrimin,
Ta fala shpirtin mbushur plot;
Ia njohe këtij shpirti çmimin?
Ia njohe, une s’të njoha dot.

Të ngjajshme