Babait s’ka kush t’i flasë

8 Shtator, 2018 - 11:40 pm

Poezi e shkruar nga Ndriçim Ademaj.

Eja, të bëjmë një copë udhë
nga rrudha ime e parë
tek rrudha jote e fundit…

Mjaft ke pritur trenat
që nuk kaluan kurrë nga shtëpia e vjetër
ngritur mbi fotografitë tua të fëmijërisë,
para shtëpisë nuk ka më as binarë
njerëzit tanë i kanë vjedhur, i kanë shitur për hekur…

Është fillimi i muajit
dhe nuk më bëhet vonë për nesër,
në të s’ëmës borxhet që na e zinin frymën
në fund të secilit muaj…

Ti nuk shkove në luftë
e unë mendoja se i frigoheshe vdekjes,
shumë nga ata nuk u kthyen më kurrë,
disa nuk e zunë më kurrë luftën në gojë,
të tjerët na e gërditën luftën,

më mirë që nuk shkove, plaku im,
ti ishe një fëmijë i vrarë në trupin e një burri
që mbështolli me krahët e tij gjithë fjalët e botës…

Kjo ështe një letër për ty
që s’po i shihet fundi, si lisave të prerë në mjegull
klithmë e pafundme
si gjithçka që kam nisur në jetë
dhe s’e kam çuar deri në fund,
edhe unë do të doja të isha doktor, më beso
por ja që jam i sëmurë
dhe ti këtë nuk do ta dish kurrë…

Nuk mbaj mend përqafimin tënd të parë,
vrapin tonë të parë,
as herën e parë kur t’i kam lagur farmerkat
shuplakën e parë, jo se jo
krejt çka më kujtohet janë sytë e tu fëmijërorë
që fshiheshin mbas vetullave të trasha
të një burri,
sytë e mbushur që iknin skutave të dhomës,
shikime që kacavirren për murin e shtrembër të shtëpisë
si fotografi të varura keq…

Eja, plaku im,
të bëjmë një copë udhë
nga vaji im i parë
tek dënesa jote e fundit…

Ty po të lënë sytë
dhe unë nuk të dukem më si njeri
që nuk bën për asgjë,
gjithë fjalët e rënda, nxjerrë pa dashur
ti m’i ke blerë shtrenjtë
me monedhat e fundit
të rrogës tënde të vogël…

Edhe po të takohemi një mijë herë
në korridoret e kësaj bote të rreme
ti kurrë s’do të jesh fëmijë në sytë e tu
e unë kurrë s’do të jem burrë në sytë e mi…

Eja i dashuri im,
të bëjmë një copë udhë
nga rrudha ime e parë tek rrudha jote e fundit,

nëna do të jetë duke na pritur
me kokën mbështetur në kolltukun e vjetër
dhe ne të dy do të zihemi prapë
nëse gjella ka sa duhet kripë,
fytas do të shkojmë
në këto pak ditë që na kanë mbetur
pse kaq pak dallojmë nga njëri-tjetri…

Të ngjajshme