Balada e Vitit të Ri

9 Tetor, 2017 - 9:51 pm

Poezi nga Ana Ahmatova / Përktheu: Petraq Kolevica

Dhe hëna e trishtime që lart, përmbi re,
Sheh dhomën, tryezën në qosh.
Mbi të ata gjashtë servile sheh,
Po njëri ndër ta është bosh.

Im shoq e un’ e miqtë përqark
Po presim tok vitin e ri.
Po pse i ndjej gishtat kështu, si në gjak,
Dhe vera më ngjan helm e zi?

I zot’ i shtëpisë ngre brokën përplot
Dhe foli serioz, zemërgjerë:
‘Për tokën e fushës e pij këtë sot,
Ku do të shtrihemi të tërë’.

Po tjetri më pa në sy e pastaj
Ç’mendoi një zot e di pse
Këlthiti: “Të pimë për këngët e saj
Ku rrojmë të gjithë ne’.

I treti që s’dinte asgjë
Se kur shkoi ai nga kjo botë,
Atë ç’po mendoja zuri të thotë:
‘Ne duhet për atë që s’është më
Ta pimë këtë gotë!’

Të ngjajshme