Barbara

7 Gusht, 2020 - 11:20 pm

Poezi nga Jacques Prevert

Mos harro Barbara,
Binte shi atë ditë në Brest.
E ti e qeshur ecje,
E lehtë, e gëzuar, e bërë qull
Nën litarët e shiut…

Mos harro Barbara!
Shiu s’pushonte në Brest,
E ne u pamë në rrugën Siam.
Ti qeshje
E unë të buzëqesha.

Ty që nuk të njihja
Ti që nuk më njihje.
E mban mend,
Patjetër e mban mend atë ditë!
Një burrë nën’ një portë qe strehuar
Dhe thirri emrin tënd:
– Barbara!

E ti rende drejt tij nepër shi
Hareshëm, e qeshur, tërë lumturi
E në krahë ju hodhe…
Mos e harro këtë Barbara.

E mos u dëshpëro nëse të flas me ti
Kështu u flas të gjithë atyre që dua
Edhe kur i kam parë vetëm një herë.

Kështu u flas gjithë të dashuruarve,
Edhe pse s’i kam njohur kurrë!
Mbaje mend Barbara,
Mos e harro
Atë shi të butë e të lumtur
Mbi fytyrën tënde të bukur,
Në atë qytet të lumtur.

Atë shi mbi det,
Mbi mal,
Mbi anijen Ouessant.

Oh, Barbara,
Lufta është idiotësi!
Ku je, ku ndodhesh ti tani
Nën këtë shi të metaltë
Prej zjarri, çeliku e gjaku?

Ku është ai që në krahë
Të shtrëngonte plot dashuri
Është vrarë, zhdukur a është ende gjallë?

Oh, Barbara
Bie pambarim shi në Brest
Siç binte atëherë,
Po s’është njëlloj,
Gjithçka ka ndryshuar
S’është shi kobi a dhimbje patreguar
S’është më as stuhi
Hekuri, çeliku e gjaku,
Por thjesht ca re të mbetura
Hequr zvarrë si lango rrugësh
Si zagarë që heqin shpirt
Përrenjve të Brestit
E që kalben larg
Larg, shumë larg,
Aty ku gjurmë
S’u mbetet më…

Shqipëruar nga Vasil Qesari

Të ngjajshme