Deshta nji vashë

13 Korrik, 2020 - 7:00 pm

Poezi nga Martin Camaj

Deshta nji vashë
në shpinë e vogël rrethue n’shimshír,
në shpinë e vogël me lule n’shkallë.

Flutrova mbi flatrat e mallit
me bletë në rrezet e para n’àjr
e zemra m’u dridh e dora
si thimtha zogze n’gjinin e lules,
n’aroma, kur pin nektàr.

Deshta nji vashë
me gjakun e ndezun t’Jugut,
me butsinë e frymës së qeshorit n’muzg
tue pritë që parzmi t’binte n’pagjë.

Tash, vetëm zâni i saj i kulluet
më duket ndojherë
se po m’kumbon në veshë,
melodí e dashtun dikur dhe qitë
në harresë.

Të ngjajshme